Shamia, një urdhër kuranor që e keqinterpretojnë të devijuarat!

Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin Famëlartë: “Le të hedhin shamitë, mbi kraharoret e tyre” (En-Nur: 31).

Fjala “khumur”, që permendet në këtë ajet, është shumësi i fjalës “khimar“. Kjo fjalë në gjuhën arabe dhe në terminologjinë fetare, pa kundërshtim midis dijetarëve të të gjitha kohëve, e ka kuptimin: shamia e kokës. Kështu, Allahu i urdhëron besimtaret që me shaminë e kokës të mbulojnë qafën dhe rrobën e hapur të kraharorit.

Dijetarët e ymetit janë në ixhma (pajtim) se fjala khimar tregon shaminë që mbulon kokën e femrës. Ky është qëndrim unanim i dijetarëve që nga koha e Profetit e më pas. Kështu shpjegohet kjo fjalë në fjalorët e hershëm të gjuhës arabe, në librat e tefsirit, në komentarët e haditheve dhe në librat e fikhut.

Disa fjalorë të hershëm ku shpjegohet qartë se khimari i femrës është mbulesa e kokës: El Mufredat fi garibil Kuran të Ragib Esfahanit (159), Xhemheretu lugah (1/592 dhe 2/943), Tehdhibul-lugah (7/162), Mesharikul envar (1/240), Enihaje fi garibil hadith (2/77), Lisanul Arab (4/258), El misbah elmunir fi garibi sherh elkebijr”(1 /181), El mugarab fi tertijb elmurab” (fq/154), Tehrir elfadh ettenbiih (57), Taxh elarus (11/214), Fikhu el-lugah ue essirr elarabijeh (171).

Ndër librat e tefsirit përmendim: Tefsir el Kurtubi (12/230) dhe Tefsir Ibn Kethir (3/354).

Ndër librat që shpjegojnë hadithe përmendim: Sherh Sahih Muslim të Neveviut (14/40) dhe Fet’hul Bari sherhu sahih el Buhari (10/297).

Kështu e kanë shpjeguar fjalën “khimar – shami” edhe fukahatë e ymetit (dijetarët e fikhut). Nga librat e medhhebit hanife, ku përmendet ky shpjegim, përmendim: El Bidaje sherhul hidaje (2/121), Ed-Durrul muhtar dhe Hashijetu Ibn Abidin (2/203). Nga librat e fikhut maliki përmendim: Sherhu Zerruk ala metnir risale (1/131) dhe El Fevakihu devani (1/129). Nga librat e fikhut shafi përmendim: El Muhedheb (1/125) dhe Mugnil Muhtaxh (5/157). Nga librat e fikhut hanbeli përmendim: El Mubdi fi sherhil mukni (1/115) dhe Rraudul murrbi (1/214).

Në një hadith Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Allahu nuk ia pranon namazin një femre në moshë pjekurie pa khimar (shami)”. Shënojnë Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Hadithi është i saktë. S’ka dijetar që thotë se shamia në këtë hadith nuk bën fjalë për mbulimin e kokës së femrës në namaz. Madje çdo muslimane e di se femra duhet të mbulojë kokën në namaz.

Për faktin që fjala khimar tregon për shaminë me të cilën mbulohet koka dëshmon edhe hadithi, ku Profeti (s.a.u.s.) thotë për sahabiun që ra nga deveja dhe vdiq kur po kryente haxhin: “Mos ia mbuloni kokën, sepse ai do të ringjallet në Ditën e Gjykimit duke bërë telbije”. Buhariu dhe Muslimi. Folja “La tuhamiru” e përdorur në hadith ka të njëjtën rrënjë me fjalën khimar.

Ashtu sikurse fjala dorezë tregon qartë për veshjen në të cilën fusim dorën, po ashtu edhe fjala khimar (shami) tregon qartë për mbulesën e kokës. Ai apo ajo që nuk e pranon këtë fakt mohon të vërtetën me kokfortësi.

Megjithëse këto fakte janë kaq të qarta, ka njerëz të devijuar që e mohojnë këtë urdhër kuranor! Ata e interpretojnë fjalën khimar me një kuptim tjetër dhe jo ashtu siç është kuptuar që nga koha e Profetit e kështu me radhë brez pas brezi deri në kohën tonë.

Shpjegimi i fjalëve apo ajeteve kuranore në kundërshtim me kuptimin që u kanë dhënë brezat e parë të ymetit islam është një rrugë e gabuar. Ndryshimi i kuptimit të vërtetë të ajetit është keqinterpretim. Kjo është rrugë e çifutëve të cilët i keqinterpretuan fjalët e Zotit në Teurat. Allahu i Lartësuar thotë: “Në mesin e hebrejve ka nga ata që ua ndryshojnë kuptimin e vërtetë fjalëve të Allahut” (En-Nisa, 46).

Të shpjegosh ajetet e Kuranit në kundërshtim me kuptimin e njohur të muslimanëve të brezave të parë do të thotë të ndjekësh një rrugë tjetër e jo rrugën e besimtarëve muslimanë. Për njerëz të tillë Allahu i Lartësuar thotë: “Kush e kundërshton të Dërguarin, pasi i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në këtë botë) dhe e fusim në Xhehenem. Sa Përfundim i keq është ai (Nisa:115). Ky ajet tregon se ka një rrugë të drejtë të besimtarëve e cila duhet të ndiqet. Po ashtu ajeti i paralajmëron për dënim në Xhehenem ata që devijojnë nga Rruga e besimtarëve. Nga ajeti kuptohet qartësisht se rruga e drejtë është ajo e Profetit (s.a.u.s.) dhe e besimtarëve të kohës së tij, si dhe besimtarëve që ndoqën këtë rrugë, brez pas brezi, deri në kohën tonë. Nëse dikush ka një drejtim në interpretimin e ajeteve të Kuranit që nuk përputhet me rrugën që ndoqën besimtarët, brez pas brezi, ai s’mund të jetë në Rrugë të Drejtë; ai do të jetë në Zjarr të Xhehenemit.

Nuk mund të jetë i gabuar kuptimi që dijetarët e hershëm në unanim i kanë dhënë një ajeti apo një hadithi. Profeti (s.a.u.s.) thotë: “Vërtet, Allahu nuk e bashkon umetin tim në diçka të pavërtetë (në një gabim).” Shënon Tirmidhiu. Hadithi është i saktë.

Nga sa më sipër doli qartë se pretendimi që fjala khimar nuk bën fjalë për mbulimin e kokës së femrës është në kundërshtim me shpjegimin që kanë dhënë të gjithë muslimanët pa kundërshtim, gjatë gjithë brezave deri në kohën tonë. Kështu që, kush e keqinterpreton urdhrin kuranor për mbulimin e kokës së femrës, ai ndjek një rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve të parë, dhe ai rrezikon të përfundojë në Zjarrin e Xhehenemit. Kjo kuptohet qartësisht nga ajeti i sures Nisa.

Ky rast duhet të na shërbejë dhe si shembull për mënyrën sesi duhet të kuptohen ajetet e Kuranit dhe hadithet e Profeti (s.a.u.s.). Ato duhet të shpjegohen në përputhje me metodën e të parëve të ymetit. Kush sjell një kuptim që bie në kundërshtim me atë të brezave të parë, ai është në rrugë të humbur dhe jo në rrugën e besimtarëve; ai është një keqinterpretues, dhe ai rrezkon të shkojë në Xhehenem. Të kuptuarit e teksteve sipas metodës së brezave të parë (selefëve) është parim për të ruajtur origjinalitetin e burimeve të fesë islame dhe të kuptuarit e drejtë të tyre, por edhe për të hedhur poshtë interpretimet e sekteve, rrymave dhe ideve të këqija që sajojnë kuptime të reja, në kundërshtim me shpjegimin që kanë bërë të parët e ymetit.

Njerëzit, sektet dhe rrymat që bëjnë keqinterpretime janë të shumtë.

Deistët thonë se secili e beson Zotin ashtu si dëshiron dhe si e ndien në shpirtë, apo sipas logjikës së vet, pa iu referuar librave hyjnorë. Në të njëjtën vijë, vërejmë njerëz të devijuar, meshkuj dhe femra, që pretendojnë se secili e interpreton Kuranin sipas qejfit dhe dëshirës së vet, sipas asaj që ndien dhe shijon, sipas mendjes së vet, pa iu referuar haditheve dhe metodës së brezave të parë të ymetit për shpjegimin e Kuranit. Nuk është e habitshme që këta njerëz që keqinterpretojnë Kuranin të jenë të ndikuar nga rrymat ateiste, shekullariste e liberale bashkëkohore, që pretendojnë se e besojnë Zotin, sipas logjikës, pa marrë për bazë asnjë burim fetar! Përfundimi i atyre që nuk pranojnë hadithet dhe metodën e të parëve të ymetit për shpjegimin e teksteve do të jetë mohimi i ligjeve dhe mësimeve të Kuranit, pra, ky është qëllimi final. Dhe kështu do të puqen me ateistët apo deistët.

Ka njerëz që thonë se besojnë Zot, por nuk i besojnë fetë. Këta njerëz thonë se nuk duhet të kemi frikë Zotin dhe as nuk duhet të propagandojmë frikën prej Tij. Sipas tyre, Zoti i Lartësuar nuk dënon. Në këtë vazhdë, disa muslimane të devijuara pretendojnë se nuk duhet të përmendet zemërimi i Allahut dhe ndëshkimi i Tij, nuk duhet të përmenden ndëshkimet e gjynaheve që bëhen të ditura në Kuran dhe Sunet dhe as Zjarri i Xhehenemit. Sipas tyre, Allahu adhurohet vetëm me dashuri dhe shpresë. Duket që deistët po e e fusin frymën e tyre edhe tek këto muslimane të devijuara. Në të vërtetë, Allahu adhurohet me dashuri, me shpresë për mëshirën dhe mirësitë e Tij dhe me frikë prej zemërimit dhe dënimit të Tij. Allahu thotë: “Lajmëroji robtë e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falës i madh, Mëshirues dhe se dënimi Im është vërtet dënimi i dhembshëm!” (El Hixhër, 49-50). Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, njerëzit e mirë do të jenë në Begati (të Xhenetit), kurse njerëzit e këqij, me siguri, do të jenë në Zjarrin flakërues” (El-Infitar, 13-14). Allahu thotë për profetët: “Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh” (El-Enbija, 90). Argumentet për ngjalljen e dëshirës për të mirë dhe për frikësimin nga dënimi janë të shumta.

Metoda e saktë është që edhe t’i inkurajojmë njerëzit për faljen, mëshirën dhe mirësitë e Allahut të Lartësuar, por edhe t’i frikësojmë nga ndëshkimi i Tij. Allahu i ka pajisur njerëzit me shpresë dhe me frikë. Përderisa kemi shpresë, detyrimisht duhet të kemi edhe frikë. Ndjenja e shpresës nuk do të kishte kuptim pa atë të frikës, madje as nuk do të ekzistonte. Kështu që ky qëndrim është në kundërshtim, jo vetëm me Kuranin dhe Sunetin, por edhe me logjikën dhe ndjenjat njerëzore.

Liberalët që nxisin shthurjen, degjenerimin dhe lakuriqësinë pretendojnë se çdo njeri është i lirë ta shfaqë trupin si të dojë dhe të bëjë me trupin e tij çfarë të dojë. Sipas tyre, liria përfshin shfaqjen lakuriq nëpër plazhe, rrjetet sociale, emisionet mediatike. Përfshin edhe prostitucionin, marrëdhëniet seksuale me pagesë, imoralitetin, homoseksualizmin, lesbizmin. Liberalët nuk pranojnë që liria duhet të jetë e kufizuar nga ligjet e drejtësisë, parimet dhe normat e moralit që ka caktuar Allahu i Lartësuar. Sipas tyre njeriu është i lirë të shfaqë trupin dhe të bëjë me të çfarë të dojë, pa marrë parasyshë ligjet dhe normat që ka vendosur Zoti i gjithësisë. Nën ndikimin e ideologjisë liberalë ka muslimane të devijuara që shfrytëzojnë termin “liri” për të nxitur femrat muslimane te heqin mbulesën ose të zbulohen. Këtë propagandë të keqe e bëjnë po me mendësinë liberale që femra e shfaq trupin si ta ndiejë ose si të ketë dëshirë.

Në fakt, femra e ka detyrë të mbulojë të gjithë trupin përveç fytyrës dhe duarve deri në kyçe kur del nga shtëpia ose kur është në prani të burrave të huaj. Ajo e ka detyrë që dëshirën e saj t’ia nënshtroj ligjit të Allahut të Lartësuar. Ajo ka përgjegjësi para Allahut për zbatimin e urdhrit të mbulimit të trupit të saj. Nëse nuk e zbaton këtë urdhër, ajo është e paralajmëruar për ndëshkim në Zjarrin e Xhehenemit dhe privimin nga hyrja në Xhenet, sikurse tregon një hadith në Sahih Muslim. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë për ato që nuk e kanë mbulesën e trupit si duhet: “Mallkojini ato, sepse ato janë të mallkuara!” Shënon Ahmedi. Hadithi është i saktë. Për një musliman liria duhet të jetë e kufizuar me ligjet e drejtësisë, parimet, detyrat dhe normat e moralit që ka vendosur Allahu i Lartësuar. Kështu, koncepti i muslimanit për lirinë ndryshon nga ai i liberalëve të shthurur. Si mund të bjerë një muslimane pre e propagandës liberale duke pretenduar se femra vishet si të dojë, e zbulon trupin si të dëshiron dhe bën me trupin çfarë të dojë!? Liberalët nuk njohin fe e moral, atëherë si mund të ecë një muslimane në hapat e tyre.

Ka njerëz të devijuar mes muslimanëve që i përqafojnë interpretimet e këqija, ngaqë iu duken më të lehta. Ata mendojnë se kështu lirohen nga përgjegjësia e zbatimit të ligjeve të fesë dhe bëjnë çfarë të duan, duke mos u ndier si mëkatarë para Allahut të lartësuar. Por këta muslimanë kanë disa përfytyrime të gabuara:

E para: Ligjet e Islamit janë në të mirën e njeriut, si për jetën e kësaj bote edhe për botën tjetër. Kufizimi dhe përmbajtja e dëshirës në zbatim të ligjeve dhe rregullave të fesë është në dobi të njeriut. Ligjet e Islamit synojnë të realizojnë më të mirën për njeriun në këtë botë dhe në ahiret. Kështu, ideja se të mirat dhe bukuritë e jetës mund të arrihen më mirë dhe më shumë duke mos zbatuar ligjet e Islamit është e gabuar.

E dyta: Dëmet dhe pasojat që sjellin gjynahet dhe plotësimi i dëshirave në kundërshtim me ligjet e fesë, janë më të mëdha se kënaqësitë e përkohshme që mund të përjetojë gjynahqari. Për shembull, pijet alkoolike i japin njeriut një kënaqësi të momentit, por kanë pasoja të rënda. Po kështu edhe imoraliteti.

E treta: Njeriu nuk lirohet nga përgjegjësia para Allahut duke përqafuar interpretimet e këqija, përderisa është i informuar mbi të vërtetën. Çifutët bënin hile dhe interpretime për të shpëtuar nga barra e përgjegjësisë ligjore para Allahut të Lartësuar, por ata i kapi dënimi i rëndë i Allahut. Prandaj, të ruhemi dhe të mos ecim në rrugën e tyre, që të mos marrim zemërimin dhe dënimin e Allahut, ashtu sikurse çifutët.

E katërta: Muslimani që kryen një gjynah të madh, duke mos e besuar si të lejueshëm, edhe pse quhet gjynahqar i madh është më mirë sesa ai që e lejon këtë gjynah dhe nuk e pranon ligjin e Allahut apo e keqinterpreton atë. Për shembull, muslimani që pi pije dehëse, duke e pranuar se është haram, quhet mëkatar dhe jo kafir, kurse ai që pi pije dehëse duke e besuar të lejueshme, konsiderohet kafir. Një shembull tjetër, një muslimane që bën imoralitet, duke mos e besuar të lejueshëm është mëkatëre, por jo kafire, kurse ajo që bën imoralitet duke e besuar të lejueshëm, konsiderohet kafire. Mbi bazë të këtij shtjellimi themi se një muslimane që nuk mban shami, por e pranon se e ka detyrë dhe nuk e mohon urdhrin kuranor është më mirë sesa një femër që nuk mban shami apo e heq atë duke mos e pranuar si detyrë apo duke u tallur me këtë detyrë fetare. Kjo e fundit mohon urdhrin kuranor ose tallet me të, e kjo është më rëndë dhe më keq. Allahu na ruajt nga devijimet!


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *