Ramazani, muaji i mirësive hyjnore!

Me emrin e Allahut Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

Ramazani, muaji i mirësive hyjnore!

Një shtyllë e Islamit

Agjërimi i muajit të Ramazanit është një nga pesë shtyllat e Islamit, është një adhurim shumë i rëndësishëm që myslimani e kryn per Zotin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Ju është bërë detyrë  agjërimi, ashtu sikurse ishte detyrë e atyre para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm” [el Bekare: 183]. Në këtë ajet Allahu i Lartësuar na e bën detyrë të agjërojmë muajin e Ramazanit. I gjithë ymeti Islam është në një mendje që agjërimi i muajit të Ramazanit është detyrë. Kush mohon obligueshmërinë e kësaj detyre quhet kafir (femohues). Në një thënie të vërtetë Prefeti ynë ka përmendur se ata që e prishin agjërimin para kohës së iftarit, në botën tjetër, si dënim për këtë gjynah do të varen për dellet e thembrave, do t’u shqyhen skajet e gojës dhe do t’u rrjedhë gjak prej tyre. Përderisa ky është dënimi i atyre që çelin para kohe, atëherë si do të jetë dënimi i atij që nuk agjëron fare?!

Mirësitë e agjërimit

  • Agjërimi i përket vetëm Allahut dhe Ai jep shpërblim pa llogari për të. Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Çdo punë që bën biri i Ademit (njeriu) është e tij; për çdo të mirë do të shpërblehet me dhjetë deri në shtatëqind të mira, përveç agjërimit, për të cilin Allahu ka thënë: “Agjërimi bën përjashtim, pasi ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të”.” Nga kjo thënie profetike mësohet se punët e mira e kanë të caktuar shpërblimin; një e mirë shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind të tilla, përveç agjërimit të cilit Allahu nuk ia ka caktuar shpërblimin, por shpërblen për të pa llogari. E kjo do të thotë se shpërblimi i agjërimit është shumë më i madh sesa i punëve të tjera. Agjërimi është një punë që kërkon durim; për shpërblimin e durimit Allahu thotë: “Durimtarëve do t’u jepet shpërblimi pa masë” [Ez Zumer: 10].
  • Nëse myslimani agjëron Ramazanin me besim në premtimin e Zotit dhe duke kërkuar vetëm shpërblimin e Tij, atij do t’i falen gjynahet e kaluara. Pejgamberi ynë (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Kush agjëron Ramazanin me besim në premtimin e Zotit dhe duke kërkuar vetëm shpërblimin e Tij, atij do t’i falen të gjitha gjynahet e kaluara”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
  • Agjërimi është një mburojë e cila e mbron njeriun nga Zjarri i Xhehenemit. Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Agjërimi është një mburojë nga Zjarri i Xhehenemit.” Shënon Ahmedi.
  • Në kohën e çeljes së agjërimit Allahu liron njerëz nga Zjarri i Xhehenemit. Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Allahu liron njerëz nga Zjarri i Xhehenemit në çdo kohë iftira”. Kjo do të thotë se këta njerëz nuk kanë për të hyrë në Zjarr.
  • Në Xhenet ka një portë të posaçme për hyrjen e agjëruesve në botën tjetër. I Dërguari ynë (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Në Xhenet gjendet një portë me emrin “Rejjan”. Nga kjo derë do të hyjnë në Xhenet Ditën e Gjykimit vetëm agjëruesit. Askush tjetër veç tyre nuk mund të hyjë nga kjo derë. Mbasi të hyjnë agjëruesit ajo do të mbyllet dhe askush nuk mund të hyjë më prej saj. Kush hyn nga kjo derë në Xhenet, nuk do të etet më kurrë”. Shënon Tirmidhiu.
  • Gjëtë Ramazanit Zoti zbret mëshirë të madhe mbi agjëruesit. Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Kur vjen muaji i Ramazanit hapen dyert e mëshirës, mbyllen dyert e Zjarrit të Xhehenemit dhe lidhen shejtanët me zinxhirë”. Shënon Muslimi.
  • Në këtë muaj është Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) ka thënë: “Ju ka ardhur muaji i Ramazanit, një muaj i begatë, agjërimin e të cilit Allahu jua ka bërë detyrë. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e e Zjarrit të Xhehenemit dhe lidhen rebelët e shejtanëve. Allahu ka një natë në këtë muaj, e cila është më e mirë sesa njëmijë muaj. Kush privohet nga mirësia e kësaj nate, ai është privuar vërtet nga mirësia”. Shënon Nesaiu.
  • Agjërimi ndërmjetëson për agjëruesin te Allahu në botën tjetër, pasi Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Agjërimi ndërmjetëson për robin e Allahut në botën tjetër, duke thënë: “O Zoti im! E kam privuar nga ushqimi dhe plotësimi i dëshirave ditën, prandaj pranoje ndërmjetësimin tim për të”. Shënon Ahmedi.
  • Era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu sesa era e miskut. I Dërguari ynë (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu sesa era e miskut”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Misku (Myshku) është era më e mirë. Një nga shpejgimet që i kanë dhënë dijetarër këtij hadithi është se nga goja e agjëruesit në Ditën e gjykimi ka për të dalë një erë më e mirë sesa era e miskut dhe me këtë aromë do të dallohet agjëruesi atë ditë.
  • “Agjëruesi ka dy gëzime: kur çel agjërimin, gëzohet me çeljen dhe kur të takohet me Allahun e Lartësuar e t’i japë shpërblimin e agjërimit, ai do të gëzohet me agjërimin”. Pikërisht kështu ka treguar Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) në një hadith të sjellë nga Buhariu dhe Muslimi.
  • Lutja e agjëruesit pranohet. Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Lutja e agjëruesit pranohet”. Shëhon Bejhakiu.
  • Agjërimi i muajit të Ramazanit është i barabartë me agjërimin e dhjetë muajve, sikurse thotë Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) në një hadith që e shënon Ahmedi.
  • Një burrë shkoi tek Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut! Nëse unë dëshmoj se s’ka hyjni të vërtetë veç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut, fal pesë namazet, jap zekatin, agjëroj Ramazanin dhe fal namaz nate në Ramazan, çfarë shpërblimi do të kem? Pejgamberi tha: “Do të kesh shpërblimin e njerëzve të çiltër dhe martirë”. Shënon Bezzari.

Thelbi dhe objektivi i agjërimit  

Agjërimi nuk duhet të shihet thjesht si privim nga konsumimi i ushqimit, pijes etj., por si një rit fetar për t’i shprehur dashuri Zotit, për t’u rilidhur me Të, për t’iu kushtuar më shumë Atij dhe për të rigjallëruar besimin në Të. Në ajetin e mësipërm Allahu thotë: “…në mënyrë që ju të bëheni të devotshëm”.           Objektivi i agjërimit është që, duke ndërprerë njeriu përkohësisht ushqimin, pijen etj., të mësohet të mposhtë dëshirat e liga, të frenojë vetveten nga punët e pahijshme dhe të ruhet apo të shkëputet nga veset e ulëta.

Nëpërmjet agjërimit synohet që njeriu të frenojë dëshirat e ethshme, të ndahet nga gjërat e dëmshme me të cilat është mësuar dhe të ulë furinë epshore. Në këtë këndvështrim agjërimi shërben si një kalitje për njeriun, si një disiplinë për përmirësimin e karakterit të tij. Kështu agjërimi është një faktor që i jep lumturi njeriut dhe e bën fisnik.

Në thelb, agjërimi është braktisje e ëndjeve të nefsit dhe gjërave që ai i pëlqen, duke i dhënë përparësi dashurisë ndaj Allahut dhe kënaqësisë së Tij. Në këtë kuptim, agjërimi është sekret ndërmjet robit dhe Zotit të Tij, një sekret ky që nuk e vështron askush tjetër veç Tij. Njerëzit mbase e shikojnë që agjëruesi i ka lënë gjërat e dukshme që e prishin agjërimin, por faktin që ai e ka lënë ushqimin, pijen dhe plotësimin e dëshirës për hirë të të adhuruarit të Tij, nuk e vështron dot asnjë njeri, dhe në fakt ky është realiteti i agjërimit.

Njeriu nuk është vetëm një qenie fizike, por fizike dhe shpirtërore. Qenia njerëzore përbehet nga shpirti dhe trupi. Ashtu sikurse ka nevoja fizike, njeriu ka dhe nevoja shpirtërore. Prandaj, njeriut i duhet agjërimi për të plotësuar nevojat shpirtërore. Por njeriu nuk mund të plotësonte nevojat shpirtërore dhe të përsoste vlerat si njeri në kushtet e plotësimit të dëshirave trupore, prandaj Allahu na e bëri detyrë të agjërojmë një muaj për t’u ngritur në lartësinë e jetës shpirtërore dhe për të përsosur vlerat si njerëz. Për njëmbëdhjetë muaj njeriu është marrë me plotësimin e nevojave trupore dhe nuk i ka dhënë liri dhe hapësirë shpirtit të plotësojë nevojat e veta; të kultivojë vlerat.

Agjëruesi flijon dëshirat vetjake dhe bën durim për Allahun e në këtë mënyrë ai arrin të përsosë adhurimin e Allahut. Adhurimi nuk mund të konceptohet pa bërë sakrificë dhe durim për të adhuruarin.

Ushqimi dhe pija janë mirësi nga Allahu për njeriun. Agjërimi atëherë është i nevojshëm dhe për t’ia ditur vlerën këtyre mirësive të Allahut dhe për ta falënderuar Atë për to, pasi pa asnjë ndërprerje prej tyre njeriu nuk do t’ua njihte vlerën.

Disa dobi të agjërimit:        

  • Agjërimi e bën besimtarën të devotshëm ndaj Allahut, sepse agjëruesi zbaton urdhërin e Allahut dhe heq dorë nga gjërat që ia ka ndaluar Ai. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, që të mund të bëheni të devotshëm”. [El Bekare: 183].
  • Gjatë Ramazanit hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe lidhen shejtanët. Këto favore i japin mundësi myslimanit të jetë sa më pranë Xhenetit, mëshirës dhe mirësisë së Allahut, sa më larg Zjarrit dhe sa më i qetë nga tundimet e shejtanit.
  • Agjërimi e ndihmon besimtarin t’i vërë frerë egos dhe të vërë nën kontroll tekat dhe pasionet e tij.
  • Në Ramazan myslimani kultivon vetëpërmbajtjen, vetëpërsosjen morale, durimin, maturinë, vendosmërinë dhe disiplinën.
  • Kur besimtari tërhiqet në vetmi, ku nuk e sheh askush përveç Allahut, asgjë nuk e pengon të prishë agjërimin përveç ndjenjës se Allahu e shikon. Në këtë mënyrë, agjërimi i shërben besimtarit për kultivimin e sinqeritetit në raportin me Zotin dhe në marrëdhëniet me njerëzit.
  • Kur agjëruesi ndjen dhimbjen e urisë dhe të etjes, i kujtohen njerëzit nevojtarë dhe i mëshiron e u bën mirë atyre. Kur njeriu e vuan vetë diçka, e kupton më mirë dhimbjen e njerëzve në vuajtje. Kështu, uria dhe etja që shkakton agjërimi e thyejnë furinë dhe vrullin e nefsit të njeriut dhe i kujtojnë atij gjendjen e të varfërve barkëzbrazur.
  • Përmes ngushtimit të rrugëve të ushqimit dhe të pijes, domethënë përmes pakësimit të vlerave ushqyese të trupit, agjërimi bën që të mos i jepet mundësi shejtanit të tundojë njeriun për ligësi. Agjërimi i përmban organet e njeriut që të mos lëshohen nën efektin e energjive të tyre të natyrshme pas gjërave që i dëmtojnë, në jetën e këtushme apo në jetën tjetër. Ai e qetëson çdo organ të trupit.
  • Agjërimi ka një ndikim të madh në mbrojtjen e shëndetit dhe gjallërisë së pjesëve të trupit. Ai është një dietë shumë e mirë për mbrojtjen e organizmit nga lëndët e dëmshme të cilat bëjnë që të mos funksionojë mirë. Kjo dietë gjithashtu shërben edhe për nxjerrjen e lëndëve të dëmshme të cilat shkaktojnë probleme shëndetësore. Kështu agjërimi ruan shëndetin shpirtëror dhe fizik të njeriut. Shumë semundje mund të kurohen përmes agjërimit. Mjekesia moderne ka faktuar se shumë sëmundje mund të kurohen me agjërim. Agjërimi në fakt është një domosdoshmëri për qeniet e gjallë, prandaj dhe mjaft lloje kafshësh kanë regjimin e tyre të natyrshëm të braktisjes së përkohshme të ushqimit të trupit.
  • Agjërimi për disa vite do të jetë në stinën e nxehtë të verës, prandaj duhet ta shohim si një mundësi të mirë për të maksimalizuar realizimin e objektivave të agjerimit që u përmendën më sipër, pasi koha është shumë e përshtatshme. Agjerimi në kushte të tilla është shumë i përshtashëm pë të gjallëruar motivin fetar dhe për t’u udhëhequr nga arsyeja e shëndoshë. Atëherë, logjika e shëndoshë dhe prirjet e natyrshme dëshmojnë për dobitë e agjërimit, kështu që bërja e tij një detyrë fetare është një mëshirë e një mirësi e madhe ndaj nesh, për të cilat duhet të tregohemi mirënjohës ndaj Allahut, duke u përmbajtur jo vetëm nga gjërat që e prishin agjërimin, por dhe nga ato gjëra që cënojnë përsosjen e tij.

Sjellja e agjëruesit

Nga ana tjetër, agjëruesi duhet të ruhet nga gënjeshtra, mashtrimi, përgojimi, fëlliqja e gojës, dëshmia e rremë, punët e turpshme dhe të gjitha gjynahet, sepse gjynahet, shkelja e të drejtave të të tjerëve dhe sjellja e keqe me njerëzit bëjnë që agjërimi të humbë thelbin e vet dhe që agjëruesi të rrezikojë të humbë shpërblimin e tij. Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Kush nuk lë gjynahet e gojës si: gënjeshtrën, përgojimin, mashtrimin, dëshminë e rremë etj., dhe gjynahet e pjesëve të tjera të trupit, Allahu nuk ka për t’ia vlerësuar lënien e ushqimit dhe të pijes”. Po kështu Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Kur ndonjëri prej jush të jetë me agjërim, atë ditë nuk duhet ta fëlliqë gojën dhe as nuk duhet të bërtasë, dhe nëse ndonjëri e shan apo e mallkon, le t’i thotë: unë jam agjërues”.

Çfarë na këshillohet gjatë agjërimit?

  • Të kryesh sa më shumë punë të mira, sepse Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Kur vjen nata e parë e muajit të Ramazanit, lidhen shejtanët dhe rebelët e xhindëve; mbyllen dyert e Zjarrit dhe nuk mbetet asnjë derë e tij e hapur; hapen dyert e Xhenetit dhe nuk mbetet asnjë derë e tij e mbyllur dhe një thirrës bën këtë thirrje: “O ti që kërkon të veprosh punë të mira, eja! Dhe, o ti që kërkon të bësh punë të këqija, hiq dorë!”.
  • Falja e namazit të teravive. Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Kush fal namazin e natës në Ramazan (teravitë) me besim në vlerën e tij dhe duke kërkuar vetëm shpërblimin e Allahut e jo për syefaqësi, atij do t’i falen gjynahet e kaluara”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
  • Ramazani është muaji i Kuranit, pasi në Natën e Kadrit, që është një prej netëve të këtij muaji, zbriti Kurani në qiellin e dynjasë dhe po këtë natë të Dërguarit tonë (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) iu shpallën ajetet e para të Kuranit. Ibn Abasi ka thënë: “Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) ishte njeriu më bujar, por më shumë bujari se në çdo kohë tjetër ai bënte në Ramazan kur takonte melekun (engjëllin) Xhibril, me të cilin përsëriste Kuranin. Xhibrili takohej me Pejgamberin (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) në çdo natë të Ramazanit për t’i lexuar e dëgjuar përsëritjen e Kuranit. Mirësia që Pejgamberi (s.a.u.s.) u bënte njerëzve kur takohej me Xhibrilin kishte një shpejtësi dhe përfshirje më të madhe sesa era me shpejtësinë dhe dobinë e saj.” Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Kjo dëshmon se këndimi i Kuranit gjatë këtij muaji të begatë është më i vlefshëm sesa në muajt e tjerë. Ibn Mesudi tregon se Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) ka thënë: “Kush lexon një shkronjë prej librit të Allahut, do të marrë një të mirë, dhe çdo e mirë shpërblehet me dhjetë të tilla; nuk them ‘Elif-lam-mim’ është një shkronjë, por Elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë”. Shënon Tirmidhiu. Leximi i Kuranit gjatë Ramazanit përfshin leximin në namazin e teravive dhe leximin jashtë namazit. Prandaj, agjëruesi duhet të caktojë një kohë të përditshme për këndimin dhe përsëritjen e Kuranit, si dhe për leximin e shpjegimit të tij dhe thellimin mbi kuptimin e tij. Nëse besimtari nuk kupton arabisht, bën mirë që sa paku një hatme të Kuranit ta shoqërojë edhe me leximin e përkthimit në gjuhën shqipe. Kur hynte muaji i Ramazanit, imam Zuhriu thoshte: “Ky muaj është për leximin e Kuranit dhe për t’u dhënë ushqim të tjerëve”.
  • Ramazani është edhe muaji i bamirësisë. Pak më lart mësuam se Pejgamberi bënte akte bamirësie dhe jepte sadaka në çdo kohë, por në Ramazan ai i shtonte aktet e bamirësisë, ndaj dhe besimtari duhet të shtojë aktet e bamirësisë dhe dhënien e lëmoshës në Ramazan. Kjo do ta ndihmonte besimtarin që shpirtmirësia, zemërgjerësia, dhurimi dhe mirëbërja të bëheshin pjesë e karakterit të tij gjatë gjithë jetës. Pejgamberi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “Kush i jep ushqim një agjëruesi për të çelur, ai do të marrë njësoj si shpërblimi i tij, por agjëruesit nuk do t’i pakësohet shpërblimi aspak”. Shënojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu. Ibn Umeri kur agjëronte, çelte veçse me të varfërit, dhe nëse njerëzit e familjes së tij nuk i lejonin të varfërit të hanin bashkë me të, ai nuk hante ushqim atë natë. Një herë imam Ahmedi i dha një lypësi dy pite buke që i kishtë përgatitur për të çelur me to dhe vetë e kaloi natën pa ushqim. Dhe jo vetëm kaq, por u gdhi të nesërmen agjërues!
  • Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) thotë: “I poshtëruar qoftë një njeri që i kalon Ramazani pa iu falur gjynahet”. Shënon Tirmidhiu. Sipas një hadithit tjetër thuhet se Xhibrili i është drejtuar Muhamedit (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) me këto fjalë: “O Muhamed! Allahu e largoftë nga mëshira e Tij një njeri që arrin muajin e Ramazanit dhe vdes pa iu falur gjynahet, e për pasojë, hynë në zjarr”. Pejgambarei (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të) tha: “Amin!”. Për këtë arsye, gjatë këtij muaji besimtari duhet të bëjë sa më shumë teube (pendim nga gjynahet), t’i kërkojë falje Allahut për gjynahet dhe të bëjë dhikër e lutje.
  • Ramazani duhet të shërbejë si nxitës për t’i ngritur në një nivel akoma më të mirë raportet me prindërit, bashkëshorten, fëmijët, farefisin, miqtë dhe fqinjët. Le të shërbejë muaji i Ramazanit, ashtu siç është mesazhi i tij, si një shtytës për të hapur një faqe të re në të gjitha fushat e jetës.

Nata e Kadrit 

Profeti  ynë (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të)  ka përmendur se Nata e Kadrit është në njërën prej dhjetë netëve të fundit të Ramazanit. Nuk ka ndonjë caktim të prerë se cila prej këtyre netëve është ajo, prandaj duhet të përpiqesh me ibadet (adhurim) në çdo natë për ta qëlluar atë, por mundësia më e madhe është që ajo të jetë në netët tek të dhjetë netëve të fundit. Akoma më e madhe është mundësia që ajo të jetë nata e 27, por gjithsesi nuk është e prerë. Adhurimi në këtë natë ka vlerën e adhurimit në një mijë muaj, prandja kushtoji rëndësi. Në këtë natë zbresin në Tokë melekët (ëngjëjt me në krye Xhibrilin me të gjitha vendimet e atyre që do të ndodhin për një vit. Kjo natë është paqe dhe shpëtim deri në agimin e saj. Për vlerën dhe mirësinë e kësaj nate flet surja el Kadër.

Disa rregulla të agjërimit

  • Agjërimi është detyrë për çdo mysliman në moshë pjekurie, të aftë mendërisht, të aftë fizikisht dhe që është në vendin e vet (jo në udhëtim). Nëse gruaja është me menstruacione (ciklin e rrjedhjes periodike) ose në periudhën e rrjedhjes së lehonisë, nuk lejohet të agjërojë, por e ka detyrë t’i zëvendësojë ditët e lëna pas Ramazanit kur të jetë e pastër nga rrjedhja e gjakut. Të sëmurit dhe udhëtarit ju lejohet të mos agjërojnë, por duhet që ditët e lëna t’i zëvendësojnë më pas.
  • Shtatzënës dhe mëndeshës (gjidhënëses), u lejohet të mos agjërojnë dhe të ushqejnë për çdo ditë agjërim një të varfër.
  • I moshuari dhe e moshuara që nuk e përballojnë dot agjërimin duhet të ushqejnë për çdo ditë agjërimi një të varfër. Edhe ata që nuk agjërojnë dot për shkak të sëmundjeve të pashërueshme duhet të ushqejnë për çdo ditë një të varfër.
  • Agjërimi ka dy kushte: 1- Të bësh nijetin (të kesh qëllim agjërimin; pra ta ndashë mendjen se do të agjërosh). 2- Të heqësh dorë nga gjërat që e prishin agjërimin që nga agimi deri në perëndimim e diellit. Nijeti bëhet gjatë natës, në çdo moment të saj, thjesht duke e çuar në mendje dhe duke vendosur të agjërosh. Mjafton që nijeti të bëhet një herë në fillim të Ramazanit për të gjithë muajin.
  • Gjërat që e prishin agjërimin:

1-Marrëdhëniet seksuale. 2- Ngrënia dhe pirja me dashje. Këtu hyn dhe pirja e duhanit, hapet dhe ilaçet që merren nga goja, ilaçet dhe pikat që merren nga hunda dhe që shkojnë brenda trupit, marrja e gjakut, dializa, gjilpërat ushqyese dhe serumet; të gjitha këto pra e prishin agjërimin. 3- Të vjellët me dashje. 4- Rrjedhja e gjakut të menstruacioneve dhe lehonisë.

  • Disa gjëra që nuk e prishin agjërimin:

1-Larja e trupit, shpëlarja e gojës dhe futja e ujit në hundë (por pa e thithur fort ujin me hundë). 2-Depërtimi i ujit në fyt pa dashje. 3- Vaksinat, injeksionet, gjilpërat joushqyese dhe analiza e gjakut. 4- Ngrënia dhe pirja me harresë. 5- Konsumimi i diçkaje që e prish agjërimin nga padija ose harresa. 6- Përcjellja e pështymës dhe sekrecioneve të fytit apo hundës brenda në trup. 7- Pastrimi i gojës me furçë, pastë dhe misvak. 8- Pompa e asmës. 9- Hapa e zemrës që vendoset nën gjuhë dhe që nuk arrin në fyt.

  • Në ditën e Fitër Bajramit myslimani duhet të shpejtojë të falë bashkarisht me myslimanët namazin e bajramit, duke marrë me vete dhe të gjithë pjesëtarët e familjes së tij. Para namazit të bajramit duhet të jepet dhe sadakaja e fitrit.

Disa sqarime të tjera:

Në mënyrë që agjërimi t’i vlejë njeriut te Allahut duhet të jetë besimtar mysliman, prandaj ky material që flet për Ramazanin është shoqëruar dhe me një material tjetër që sqaron parimet e besimit Islamt.

Myslimani ka dhe detyra të tjera veç pesë shtyllave të Islamit si: fajla e namazit të xhumasë (të premtes), falja e bajramit, therja e kurbanit pas faljes së kurban bajramit nëse ka mundësi, respektimi i prindërve, ruajtja e lidhjeve me farefisin, fqinjësia e mirë, ruajtje e nderit etj.

Disa gjynahe të mëdha prej të cilave duhet të rëhut njeriu:

1- Shirku (ti vësh shok Allahut. Ky është mëkati më i madh. 2- Vrasja e një njeriu pa të drejtë. 3- Magjia. 4- Mosbindja ndaj prindërve. 5- Shkëputja e lidhjes me njerëzit e fisit. 6- Homoseksualizmi. 7- Zinaja (imoraliteti). 8- Kamata (fajdja). 9- Ngrënia dhe përvetësimi i pasurisë së jetimit, si dhe padrejtësia ndaj tij. 10- Mendjemadhësia, kryelartësia, mburrja dhe vetëpëlqimi. 11- Dëshmia e rreme. 12- Konsumimi i pijeve dehëse. 13- Kumari, bixhozi dhe të gjitha lojërat e fatit. 14- Shpifja ndaj grave të ndershme. 15- Vjedhja. 16- Betimi i rremë. 17- Padrejtësia ndaj njerëzve, duke u marrë pasurinë, duke i rrahur, duke i sharë etj. 18- Ngrënia e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme (haram). 19- Gënjeshtra (në të shumtat e rasteve). 20- Marrja e rryshfetit. 21- Nëse gruaja imiton burrrat dhe burri  imiton gratë. 22- Ai që nuk bëhet xheloz për gratë e familjes dhe i lejon të bien në zina. 23- Mosruajtja e amanetit apo sendeve që të janë besuar. 24- Tradhëtia. 25- Besimi i fallxhorit dhe astrologut. 26- Mosbindja e gruas ndaj burrit. 27- Vajtimi i të vdekurit me kujë e me ligje. 28- Keqtrajtimi i të dobtëve, shërbëtorëve, punëtorëve dhe kafshëve. 29- Mundimi dhe lëndimi i fqinjit. 30- Matja dhe peshimi mangët dhe hilet e mashtrimet në shitblerje dhe në kontratat e tjera. 31- Dredhia dhe mashtrimi. 32- Spiunimi. 33- Bartja e fjalëve për të prishur lidhjet mes njerëzve. 34- Vetëvrasja.

Teubeja (pendimi) prej gjynaheve

Njerëzit janë krijuar me një natyrë të tillë që mund të bëjnë dhe gjynahe, por duhet të heqin dorë prej tyre dhe të pendohen. Për faljen e gjynahit nuk është e nevojshme t’i rrëfehesh ndonjë njeriu, madje nëse dikush kërkon nga një krijese t’i falë gjynahet, ai i bën shok Allahut, sepse askush nuk mund të falë gjynahet përveç Allahut. Allahu thotë: “E kush tjetër përveç Allahut mund t’i falë gjynahet” [Ali Imran]. Kështu, për të bërë teube te Allahu, për të kërkuar falje nga gjynahu, njeriu duhet t’i drejtohet drejtpërsëdrejti Allahut dhe askujt tjetër veç tij. Në mënyrë që teubeja të quhet e pranueshme te Allahu duhet të plotësohen tri kushte: 1- Lënia e gjynahut. 2- Pendimi dhe keqardhja për gjynahun e bërë. 3- Vendosmëria për të mos e bërë më këtë gjynah.  Por nëse gjynahu ka të bëjë me të drejtat e njërëzve, siç është përshembull marrja e pasurisë pa të drejtë, atëherë përveç kushteve të mësipërme njeriu duhet të shlyej dhe detyrimin ndaj njerëzve. Çfardolloj gjynahu të ketë bërë njeriu nuk duhet t’i presë shpresat në faljen dhe mëshirën e Zotit, pasi mëshira e Tij është e madhe.  Nëse njeriu bën teube me çiltëri, Allahu e fal. Allahu thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi që e keni tepruar me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është falësi i madh dhe Mëshiruesi” [Ez Zumer: 53].


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *