Muslimani mund të justifikohet nga padituria

Muslimani i paditur mund të justifikohet

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, salavati dhe selami qofshin mbi Pejgamberin e Tij.

Sqarime nga Ibn Tejmije mbi justifikimin e atij që bie në shirk a kufër nga padituria.

Ibn Tejmije ka thënë: “Për këtë parim tregon hadithi i Ebu Hurejres, të cilin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: ‘Një burrë, i cili nuk kishte bërë kurrë mirësi, u tha bijve të tij (kur i erdhi vdekja): ‘Kur të vdes, më digjni dhe pastaj gjysmën e hirit (mbetjes së trupit të djegur) ma hidhni në tokë dhe gjysmën në det, se vallahi, nëse Allahu do të ketë fuqi të më ringjallë, (pasi të më digjni dhe të përhapni thërmijat e hirit në det dhe në tokë), do të më ndëshkojë siç nuk ka ndëshkuar asnjë njeri më parë!’ Kur ai vdiq, fëmijët e zbatuan porosinë e tij. Atëherë, Allahu e urdhëroi tokën dhe detin që të mblidhnin atë që ishte hedhur në to. Kështu, u mblodhën mbetjet e tij dhe ai mori formë përsëri dhe u ringjall. Pastaj Allahu e pyeti: ‘Pse e bëre këtë?’ Ai tha: ‘Nga frika që kisha prej Teje, o Zot, dhe Ti e di!’ Atëherë, Allahu ia fali gjynahet” (Buhariu dhe Muslimi).

Ky njeri mendoi se Allahu nuk do të kishte fuqi ta ringjallte, nëse do të përhapej trupi i tij në këtë mënyrë në det dhe në tokë. Ai mendoi se Allahu nuk do ta kthente në jetë nëse trupi i tij do të shpërbëhej pas vdekjes. Si mohimi i fuqisë së Allahut, po ashtu dhe mohimi i ringjalljes së trupave, qoftë edhe nëse shpërndahen në atë mënyrë, është kufër. Ky njeri kishte besim në Allahun dhe në urdhrin e Tij dhe kishte frikë prej Tij, por nuk i dinte këto gjëra, prandaj gaboi dhe devijoi në mendimin e tij. Allahu ia fali këto (për shkak të paditurisë). Hadithi tregon qartë që ky person synonte të mos e ringjallte Allahu, nëse do të vepronte kështu. Më së paku, kjo gjë tregon se ai dyshonte te ringjallja. Ky dyshim është kufër, dhe nëse njeriu këmbëngul në të pasi i përcillet argumenti, cilësohet ‘qafir’.” (Mexhmuul Fetava 11/409)

Në një vend tjetër, Ibn Tejmije ka thënë: “Ky njeri dyshoi, duke mos e ditur faktin që Allahu ka fuqi për ringjalljen e birit të Ademit, pasi të digjet dhe të përhapen grimcat e tij. Ai nuk e dinte se Allahu e kthen të vdekurin në jetë dhe e tubon me krijesat e tjera, qoftë edhe kur bëhet siç ndodhi me të. Këtu kemi të bëjmë me dy parime të madhërishme: I pari ka të bëjë me Allahun, d.m. th. me besimin se Allahu ka fuqi për çdo gjë. I dyti ka të bëjë me besimin në ahiret, d.m th. me besimin që Allahu e ringjall këtë të vdekur dhe e shpërblen për veprat e tij. Megjithëkëtë, ai në përgjithësi besonte në Allahun dhe po ashtu, në përgjithësi besonte në botën e përtejme, d.m.th. besonte që Allahu shpërblen dhe ndëshkon pas vdekjes. Nga ana tjetër, ai bëri një të mirë, e cila është frika që kishte prej Allahut. Për të gjitha këto, Allahu ia fali gjynahet, pra, për shkak të besimit që kishte në Allahun, në botën e përtejme (në përgjithësi) dhe për të mirën që veproi.” (Mexhmuul Fetava 12/491)

Ibn Tejmije ka thënë: “Nga njohja e asaj që solli i Dërguari (salallahu alejhi ue selem), mësojmë detyrimisht se ai nuk ia ka lejuar umetit të tij që t’u luten të vdekurve, profetëve, njerëzve të mirë etj., qoftë duke përdorur shprehjen e istigath-es (kërkimit të shpëtimit), të istiadh-es (kërkimit të mbrojtjes), apo ndonjë shprehje tjetër. Po ashtu, Pejgamberi (s.a.u.s.) nuk ia ka lejuar umetit të tij të bëjë sexhde për të vdekurin apo për të gjallin e të tjera si këto. Përkundrazi, ne e dimë që Profeti i ka ndaluar këto gjëra dhe e dimë që ato janë shirk, të cilin e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem). Por për shkak të dominimit të injorancës dhe dijes së pakët në lidhje me gjurmët e profetësisë te shumë njerëz dhe gjenerata të mëvonshme, nuk është e mundur t’i cilësojmë këta të fundit ‘kafirë’ për shkak të këtyre gjërave, derisa t’u bëhet e qartë ajo që që ka sjellë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe ajo që nuk e ka sjellë dhe nuk është prej fesë së tij.” (Erred-du alel bekrij-j, fq. 377)

Për më gjerë mbi këtë çështje, shih librin “Studime dhe Fetva”, kreu 5, ‘Rregullat e tekfirit’, fq. 156-229.

 


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *