Lavdërimet e tepruara për Profetin (s.a.u.s.) në librat e mevludit në shqip, si dhe në revistën “Zani i Naltë’ dhe “Kultura Islame’ të botuara me rastin e mevludit.

Lavdërimet e tepruara për Profetin (s.a.u.s.) në librat e mevludit në shqip, si dhe në revistën “Zani i Naltë’ dhe “Kultura Islame’ të botuara me rastin e mevludit.

Në mevludin e Sulejman Çelebisë të përkthyer nga Hafiz Ali Ulqinaku[1], që këndohej në zonën tonë, ka vargje që përmbajnë lavdërim të tepruar për Profetin tonë (s.a.u.s.), ndër të cilat janë dhe këto të mëposhtmet:

Në faqen 5:

Mirë se erdhe melhem’i zemrave tonë,

Mirë se erdhe çareja shpirtrave tonë,

Mirë se erdhe derman i dertëve tonë.

Mirë se erdhe ilaç i zemrës Fukarasë.

Mirë se erdhe, për ymetin Ti je yzdaj,

Mirë se erdhe t’vështirat iu ban kollaj.

Mirë se erdhe ke të duash Ti për ymmet,

Mirë se erdhe prej xhehennemit e pret.

Në faqen 7:

Që na pastron zemrat tona një Resul,

Edhe prej anmiqve na pshton ai Resul.

Në faqen 13:

“Eja ej i dashtuni Jem pa ndigjo,”

“Unë gjith hallkum Ty qole ta kam ba.”

Po në këtë faqe:

“Thirri një za prej anës së Perëndisë,”

“Gjith Dynjan, për Ty, Unë e kam jeretisë (krijuar).”

“Kë të duesh Ti për ymmet, ai ka ilaçë,”

Në faqen 14:

Na të gjith qolet e Tu ej Shahi jonë,

Ej ndriçimi zemrave e i syve tonë.

Në faqen 20:

Ke të donë e t’bajn kabull Ai për ymmet,

Shybhe nuk ka, ai selamet (shpëtim) ka me gjet!

Disa vargje me teprime në mevludin (E Lemja dhe Jeta e të Madhit Muhammed Alejhisselam) e Hafiz Ibrahim Dalliut[2]:

Në faqen 199

Bilali n’at minutë tristuëshëm a zgjuë

Asht nis me ardh për Medine tuë fuguë

Sa ka sos ke mezari (varri i Pejgamberit tonë) mbi te ka ra

Ja squll takën e ati me lot tuë qa[3]

Në faqen 232

Gra e burra t’ri e t’vjetër

Kur t’terhohen porsi letër,

Përveç teje s’kimi tjetër,

N’doresh…

Vetëm ke ti asht yzdaja,

Se veç ty t’shkojë rixhaja,

Kurban t’u baft gjith dynjaja,

N’doresh…

Në faqen 233:

Për ty asht krijuë gjithsija

Ç’pare bajnë lavdat e mija

Ty t’ka lavduë vetë Perëndija

N’doresh…

Në faqen 234:

Gjeti nuk kimi ku t’futmi,

N’derët t’Ate vimë nuk tutmi

Se ke shumë mëshirë pra lutmi

N’doresh…[4]

Teprimet në punimet dhe vargjet e Hafiz Abdullah Sëmlakut:

Në faqen 5 të mevludit paq (të përkthyer nga Hafiz Sëmlaku dhe të botuar para mbylljes së fesë):

Që nga thell i zemrës lotët t’i pikojmë

Se ropët e Zotit prej ati shpresojnë

Për dore ymmetin ay do t’i zerë

Do t’i nxjer nga balta tër ata të mjerë

Po natën e varit kur të shoç Mynqerë

Mevlud i Resulit të ndihmon për herë

Në faqen 6 të mevludit:

I javiti (krijoi) Zoti me kudret (fuqi) të tija

Se kish për të erdhur nuri ahmedija (drita e Ahmedit)

Në faqen 11 të mevludit:

Dë Xhenet (Ademi) kish parë fjalën e Teuhidit[5]

Pran emrit të Zotit emrin e vehidit (emrin e Profetit tonë)

Habibin e dashur posa e kujtovi

Nga vajet nga qariet Zoti e shpëtovi

Nur e Muhammedit në ballë ja vuri

Nuri i Habibit ësht i tha ky nuri

Në faqen 12 të mevludit:

O resul i dashur! Të mos vinje tinë

Tërë këto ç’shohëm në botë nuk vinë

Nderi, Zotrisë’ sënde u javit kjo jetë

Vetëm dora jende ata që të zerë

Do t’i nxjer ngaj balta tër ata të mjerë

I dashur i Zotit! Si të ta qanj hallë

Kam faqen e zezë s’kam sy për të dalë

Veç Rrahmet i Zotit atë munt ta ruajë

Po ndihe dhe tinë ky rrop do mos vuajë

Në faqen 21:

Për ty i javiti Zoti i vërtetë

Ç’do sende në botë ç’ka në atë jetë

Në faqen 22:

Eja mik i dashur! ashik të jam bërë

Tërë botën unë robër t’i kam bërë

Në faqen 30:

Razi nga Ymmeti qoftë Pejgamberi

Ku do ndihmë qoftë hazreti Serveri

Në faqen 40:

Me të vërtet t’i qënke derman i njerzisë

Dhe për gjithë derdet ti qënke Tabibi

Për ty e javiti Zoti gjith Alemin (botët)

Disa vargje me teprime në vjersha të tjera të hafuz Sëmlakut[6]:

Në faqen 10:

Ndriti me All-llah All-llah! la ilahe il-lell-llah!

Muhammedyn Resulull-llah!

Domethënë kjo dëshmi: S’ka tjatër Zot veç ati!

Muhammedi: drit e ti![7]

Në faqen 11:

Se ka lindur vetëm nur i gjithësisë

Ku në kohën tënde shpirt i njerëzisë

Se për nder të tija u javit kjo jet

U çpall gjithësia nga nur i vërtet!

Pra: Zoti ka thënë: levlaqe levlaqe

Nuk dot kisha çpikur në botë eflaq!

Në faqen 12:

Dije veç për hatrin e ati Resul

Të gjitha duatë na bëhen Kabull

Se për nder të tija u krijua kjo botë

Në faqen 13:

Për nder të ti Zoti na bën dhe kabull

S’munt të hysh ne Mbreti vëlla pa një mik

Në faqen 40:

Tani me radh t’i kujtojmë, ca eulija ti nëmrojmë,

që me shpirt të na gëzojnë

Në faqen 41:

Që ne Hazreti Adem, gjer ne pejgamberi jem,

qofshin të gjith ndihmës tem. (amin).

Kujtoj Ibrahim Hetem, që mbretrinë e kan lënë,

qofshin për her ndihmës ton

Në faqen 42:

Mbretrit janë fani, këta sulltan jan baki

Nurë e kan ebedi

Këta krerë shpirtnor, na përkrahçin në çdo or,

i mallkofshin këta Sor

Në faqen 43:

Lutemi neve të gjor, na përkrahni në çdo or,

shpirti tuaj na dhëntë dor. (amin).

Në faqen 44:

Prej neve i bëj Razi, dhe me plot kënaqësi,

Ndihmë e tyre të na vij.

Në faqen 55:

Në çdo katund kur shëtitin për Din këta dijetarë

Dyzet dit ato vareza nuk e shohin Azap varë (dënim varri)

Vargjet me lavdërime të tepruara në librin e hafiz Sëmlakut me titull “Kaside e re dhe Bilbil i Parajsit”[8]:

Në vjershën me titull “Kasideja e Imami Eazemit”[9], në faqen 10:

Shafa-atin tënde unë po të lutem.

Dhe ne pragu jënde unë po të futem.

O Resul i Zotit! Qeremin (bujarinë) të dua

Se jam dorë hollë bëj dhurim për mua

Në faqen 11:

Varit të Resulit i vajt duke qarë

Si fërkoj turinë lottë ka lëshuarë,

I erdhi në zemrët foli Kasidenë

Në vjershën e “Burde-s” të Busirit[10] që e ka përkthyer po hafiz Sëmlaku, në faqen 15:

Prej ati Habibit shefa-at shpresojmë

Për të gjith belatë që duam të shpëtojmë

Në faqen 16 (pjesë e Burde-s):

Për të nuku flitet ç’thonë Dytimtarët (nuk thuhen ato që pretendojnë krishterët për Isain a.s.)

Pastaj ti lëvdoje si thon Dijetarët

Ashtu si të duash atë ti nderoje

Dhe vleftën e tija sa të duash madhoje

Kufi nuku gjendet për zotrin e tija

S’mundet ta tregojnë me gjuhë njerëzija

Ti dukshin ajetet (shenjat) sa vlefta e tija

I ngjallte dhe koskat ay emr i tija

Sa Ajet, treguan pejgambert e parë

Nga nur (drita) e habibit tër i kishin marë

Kur të ishte vetë Nur i plot fuqisë

Në faqen 17 (pjesë e Burde-s):

Lum ay që puthi var e Pejgamberit

Në faqen 19 (pjesë e Burde-s):

Kur më hip shtrëngimi un ati i lutem

Se shpëtim kam gjetur de ay kur futem,

Eç murat (dëshirë) kërkova (të më plotësohej) nga Zotri e tija

Tërë mi ka falur ajo dor e tija

Në faqen 23 (pjesë e Burde-s):

Ndihm e Pejgamberit kur arin njerinë

Dhe nga egërsirat s’mundet dëm t’i vinë,

Ndihmën e Resulit edhe un e dua

Që gjësend dë jetë mos më gjejë mua

Në faqen 24 (pjesë e Burde-s):

Të më zesh përdore o Resul i Zotit!

Këmba mos më shqasë mu të mjerit roopit

Në faqen 25 (pjesë e Burde-s):

O i nderçm i botës! Skam ku futem unë

Kur më hip e keqja ndaj ty e kam synë

Ngaj zotrija jënde Shefa-atin dua

Kur të vij nga Zoti një dënim për mua,

S’është mundim për tynë o Resul i Zotit!

Kur të kem nevojën ti ndihmosh ti ropit

Nder i zotris sënde jetët u krijuanë

Levhi dhe Kalemi nga ilmi (dituria) jënt u ndanë[11]

Në faqen 34, në një vjershë të tij, hafiz Sëmlaku thotë:

O Resul i Zotit! Prej teje un dua

Nga të gjith belatë të më mprosh ti mua,

Si në të dy jetë Shefa-at të dua

Ndihmën kurdoherë të ma kesh ti hua

Në faqen 35:

S’kemi sy e faqe ndaj ty për të dalë

Po ndihmë prej teje shpresojmë pa fjalë

Në faqen 36:

Ti je nur i gjith botës shefa-at ja Resulall-llah

Me nurë tënde na hiq tinë ndihmo ja Resulall-llah

Mi Sirat me ty të vim shefa-at ja Habiball-llah

Disa vargje me teprime në mevludin e Hafiz Ali Korçës:

Në faqen 97 (ribotimi i vitit 2006):

Mustafan (Profetin Muhamed), Ademi të mos e kujtonte.

Gjith jetën nga vajet s’mundte të shpëtonte.

Nuhun nga rrebeshi kush e shpëtoj vallë!

Nur’i Muhammedit q’i ndritte në ballë.

Në faqen 98:

Tërë Pejgamberët ty të kanë krye[12]

Gjithësija dihet se për ty u krye.[13]

Balt e këmbës tënde të jemi më ç’duam

Me bishtin e syrit po na pe shpëtuam.

Mos na çpor nga redhi tënt të qofshim falë

Se nuk kemi faqe e sy për të dalë.

Në faqen 99:

Ajy eshtë Meleq mbret’i diturisë[14]

Ajy eshtë krye shpirt i gjithësisë.[15]

Në faqen 100:

Mirsardhe se ti je rrënj’ e gjithësisë!

Mirsardhe se ti je mbret i madhërisë!

Muhammed! Gjith shpirtet tyn shpirt të kanë

Ç’shohim e ç’nuk shohim degët e tu janë!

Fajemath Ummeti nde ty është pshtetur

N’atë hijet tënde shpëtim për të gjetur.

Në faqen 101:

Ti po zgjate dorën’ e shpëton ummenë

Po nuk ju ndihmove në xhehnnem mbenë.

Ti zemrat e sëmura i shron me një herë

Ndaj ty jemi pshtetur jashtë mos na lerë!

Në faqen 102:

Sot ummeti ndodhet fort i shkatërruar

Lutju Perëndisë për t’u lartësuar

Në faqen: 111:

Nder m’i math për neve e qysh munt të jetë

Kur të kemi ndihmës ty në të dy jetë.

Në faqen 112:

Aspo tërë ç’shohim për të u javitnë (u shpikën)

Gjith këto remete prej asij u qitnë.

Tërë Pejgamberët degët e tij janë

Në ç’do farë punësh mburim atë kanë.

Çdo dritë që jepnin prej atij e kishin.

Veç Zot i vërtetë është të mos thuash

Pastaj e lëvdo ti atë si të duash![16]

Lavdërimet e tepruara në mevludin e përkthyer nga Shaban Mulla Hyseni

Në faqen 6:

Këtë që po lint e thonë Muhamet

Për këtë u javit gjithë ky rëmet

Në faqen 8:

Po vure dorën shpëton Ymetin’ e mjer

Nuk’ i le të digjen brenda në skëter.

Tinë zemrat të sëmura i shëron

Edhe çdo të ligë tinë e mbulon

Në faqen 9:

Ndë firomët të pastajme na prano

Ç’do mëkat ja Muhamet na i duro.[17]

Disa teprime në reviztën ‘Zani Naltë’ me titullin “Kush ka Lindur Sod?”, të botuar në vitin 1933

Në faqen 674, në artikullin e shkruar nga h.Vehbi Dibra:

“Shefaat ja Resul’ All-llah!”

Në faqen 684, në fundin e artikullit të shkruar nga Hafis Ismeti:

“Fundi i fjalës auktorit të këtij artikulli me devocjon të plotë e me dënesë lutet e kërkon prej Teje, ja resulull-llah, ndihmë e përkrahje morale për Mbret e Atdhe e Shefaat për vehten e vet”.

Në faqen 710, në fundin e artikullit të shkruar nga Haki Sharofi:

“Hazreti Muhammedi Alejhisselam asht arsyja, për të cilën u krijue gjithsija.”

“Essalatu vesselamu alejqe ja Resul-All-llah! Na pranoftë për ummet!”

Në faqen 713, Ferit Vokopola në shkrimin e tij një varg të vjershës së Busiriut e përkthen kështu:

“Të gjith (Profetët) janë begatuar duke marrë nga një grusht ujë prej Detit të Diturisë[18], dhe një pikë prej remës së mëshirës[19] të Derguarit të Perëndisë”.[20]

Në faqen 717, në fund të shkrimit Ferit Vokopola përmend dhe vargun e vjershës së Busiriut:

“La tibe ja’dile turben damme a’dhumehu, tuba limunteshikin minhu ue multethimi” (S’ka aromë si ajo e varrit të tijë, lum kush i merr erë këtij varri dhe e puth atë).[21]

Në një botim të posaçëm të revistës së ‘Kultures Islame’ me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed (a.s.), të botuar në vitin 1944, gjendet në fund (fq. 42-43) një vjershë e H. Tahsinit, ku ka vargje me lavdërime të tepruara:

“Për ty asht krijue tansija

Për ty ban mëshirë Perëndija

Ti je brum’ i rruzullimit

Ti je shpirti’ i gjith krijimit

Ti je am’ e çdo burimit,

O Muhamed Mustafa

Jem të mbushun me gjynahe,

Fort të mdhaja porsi male,

N’ty uzdaja asht e madhe,

Ndihm’ Muhammed Mustafa.”[22]

Teprime që lidhen me Profetin (s.a.u.s.)

Një teprim në lidhje me Profetin tonë (s.a.u.s.) është besimi se ai dëgjon salavatin dhe selamin e njerëzve kudo që ndodhen, qofshin dhe larg varrit të tij[23], pa ndërmjetësinë e malaikeve![24] Besimi i devijuar që Profeti i dëgjon njerëzit kudo që ndodhen bëri që shumë njerëz t’i drejtojnë lutje dhe t’i kërkojnë ndërmjetësim (shefaat) Profetit (s.a.u.s.).

Nga teprimet është edhe besimi se Profeti (s.a.u.s.) vinte vetë në mexhlisin ku këndohet mevludi, në momentin kur përmendet lindja e tij. Bazuar në këtë besim të devijuar, të pranishmit çohen në këmbë në momentin kur këndohen vargjet që flasin për lindjen e Profetit (s.a.u.s.), si nderim për të![25]

Origjina e besimit që ‘drita muhammedane’ është krijesa e parë

Sipas besimit filozofik e pagan të hershëm ka ekzistuar një Zot që është shkaku i botës. Nga ky shkak doli mendja e parë e cila quhet ndryshe dhe ‘fjala’. Mendja e parë është ajo që shpiku të gjitha gjërat. Nga mendja e parë doli një shpirt absolut, prej të cilit dolën shpirtrat e planeteve, shpirtrat e njerëzve dhe shpirtrat e të gjithë trupave.

Të krishterët do të adaptonin këtë teori pagane në besimin e tyre. Sipas tyre, nga Zoti doli fjala “logos”, e cila është Isai (a.s.). Drita e botës është Isai (a.s.) dhe kjo dritë ka ekzistuar para se të ekzistonte bota. Kjo fjalë, gjithnjë sipas tyre, ka shpikur të gjitha gjërat, qofshin shpirtërore dhe qofshin materiale.

Edhe sipas ideologjisë iraniane (persiane) të hershme njeriu i parë ka pas rolin kryesor në zanafillën dhe formimin e botës.

Më vonë shiitët batinij ismailij do ta sillnin këtë ideologji pagane në mesin islam. Ata thanë se Allahu i Lartësuar shpiku nga Vetvetja mendjen e parë, e cila është Muhamedi (s.a.u.s.). Sipas tyre, Profeti (s.a.u.s.) ka qenë dritë; ai është fjala hyjnore që u bë dritë. Nëpërmjet mendjes së parë (krijesës së parë), erdhi në ekzistencë shpirti absolut i cili është Aliu (r.a.). Nëpërmjet mendjes së parë (Profetit tonë s.a.u.s.) dhe shpirtit absolut dolën të gjitha krijesat. Atëherë, shiitët ismailij qenë të parët që futën te muslimanët idenë se krijesa e parë është drita e Muhamedit (s.a.u.s.) dhe se prej kësaj drite u krijua gjithçka tjetër.

Shiitët ismailij një lëvizje batinije që maskohet me nderimin e familjes së Profetit (s.a.u.s.) dhe synon rrënimin e besimit islam. Fillimet si lëvizje sekrete i kanë pasur që nga fundi i shekullit të tretë të hixhretit. Kanë ngritur disa shtete në vende dhe periudha të ndryshme të historisë islame, duke shfrytëzuar përhapjen e paditurisë dhe dobësisë në umet. Shteti më i famshëm i tyre është ai i ubejdijjin-ëve, i njohur ndryshe në histori si shteti fatimij. Ky shtet ka qeverisur edhe Egjiptin për dy shekuj, gjatë viteve 361-567 h. Kanë pasur ithtarë në vende të ndryshme. Vazhdojnë të kenë pak ithtarë në disa vende islame. [Shih: El meusuatul el mujesere fil edjani vel medhahibi vel ahzabil muasire (383-389) dhe El meusua el mujesere fit-tarihil islamij (1/387-400)].

Këtë besim shfaqën edhe shiitët imamije ithnej asherije (që besojnë 12 imamët), por me pak ndryshime të cilat përshtaten me dogmën e tyre. Në librin el Kafi të Kulejnit (1/530) sillet një transmetim i trilluar ku thuhet: “Allahu i Lartësuar krijoi prej dritës së madhështisë së Tij Muhamedin (s.a.u.s.), Aliun (r.a.) dhe njëmbëdhjetë pasardhës të tij”. Sipas transmetimeve të tyre të trilluara drita e tyre u krijua para botës. Ata thonë se nëpërmjet shpirtrave të tyre u krijua gjithçka dhe të gjitha njohuritë, mirësitë dhe gjërat e vyera kalojnë nëpërmjet tyre për te shpirtrat e krijesave. Ata kanë deklaruar se qëllimi i krijimit të krijesave janë Muhamedi (s.a.u.s.) dhe 12 imamët. Shkurt, shpirtrat dhe dritat e Profetit (s.a.u.s.) dhe imamëve kanë të njëjtën pozitë që ka mendja e parë dhe shpirtrat e planeteve sipas filozofisë pagane të lashtë.

Nga batinitë e shiitëve, teoria e dritës muhammedane kalon te sufistët, por në përshtatje me besimin sufist. Ibn Arabiu (vq. 638 h.), i cili është themeluesi i panteizmit sufist, ka pas lidhje të fortë me sektin shiit të ismailive dhe ai e formoi këtë dogmë për sufizmin. Sipas sufistëve, Allahu i Lartësuar krijoi ‘en-nurul muhammedij – dritën muhamedane’ nga Vetvetja ose nga drita e Vet. Për këtë dritë që e quajnë krijesa e parë sufistët përdorin edhe emërtime të tjera, si: ‘el hakikatul muhammedije – realiteti muhamedan’, ‘err-rruhul muhammedije – shpirti muhamedan’, ‘err-rruhul a’dham – shpriti më i madh’, ‘el insanul kamil – njeriu i përsosur’, ‘el insanul euel – njeriu i parë’, ‘el kutbu – boshti i botës’. Disa nga krerët e sufizmit kanë përdorur edhe emërtime të tilla si: el aklul evel – mendja e parë’, el kelime – fjala’, ‘el mubdiul evel – shpikësi i parë’. Vërehet qartë që sufizmi ka huazuar emërtimet e filozofisë dhe besimeve pagane. Sufistët kanë thënë se drita muhamedane është zanafilla e krijimit. Të gjitha krijesat e kanë origjinën nga kjo dritë. Të gjitha realitetet burojnë nga kjo dritë. Realiteti muhamedan, gjithnjë sipas tyre, nuk ka kufizim kohor dhe vendor. Ata kanë thënë se Allahu i Lartësuar i krijoi të gjitha krijesat nga drita e Muhamedit (s.a.u.s.). Sipas tyre, të gjitha krijesat u krijuan për hir të Muhamedit (s.a.u.s.), pra Muhamedi (s.a.u.s.) është qëllimi krijimit. Shpirti i Profetit (s.a.u.s.) (drita muhamedane, njeriu i përsosur, boshti i botës) është mëkëmbësi i Allahut të Lartësuar për komandimin e gjithësisë. Ai rregullon punët e gjithësisë dhe po ai u jep të tjerëve pushtetin për të vepruar në gjithësi. Kokat e sufizmit më ekstrem e quajnë njeriun e pësorur (njeriun e parë, shpirtin a dritën e Muhamedit s.a.u.s.) si kutb-in (boshtin e botës), me kuptimin që ai komandon punët e gjithësisë, ai e mban botën dhe ai di çdo gjë.

Qëllimi i ekstremistëve të shiizmit dhe sufizmit me sajimin e dritës a realitetit muhamedan është ngritja e kultit vetjak. Ata kërkojnë të shenjtërohen, prandaj kanë sajuar dhe figurën e kutbu el a’dham (boshtit të botës), vulës së eulijave, që sipas tyre bëhet njësh me dritën muhamedane! Gjithashtu, ata synojnë të shembin besimin islam. Sipas tyre njeriu i parë e i përsosur (Muhamedi s.a.u.s.) është një lloj qenie njerëzore që merr trajta të ndryshme dhe që mishërohet në personalitete të ndryshme në varësi të kohës dhe vendit. Kështu, çdo profet në kohën e vet ka qenë njeriu i përsosur dhe boshti i botës (el kutbu) që trupëzonte realitetin muhamedan. Pas vulosjes së profetësisë el kutbu (boshti që komandon botën) dhe njeriu i përsosur që mishëron realitetin muhamedan është eulijau më i mirë i kohës së vet. Më shumë se një nga kokat e sufizmit ekstrem ka pretenduar se është vula e eulijave dhe el kutbul a’dham. [Të dhënat mbi origjinën e besimit në ‘en nurul muhamedijj’ i kam përmbledhur nga libri i autorit Aid Deuseri “El hakikatul muhamedije emil felsefetul el eflatonijeh – realitetit muhamdan apo filozofia e Plotinit”. Në këtë libër këto të dhëna vërtetohen me citate nga shiitët dhe sufitë, por edhe me dëshmitë e shumë studiuesve].

Shiitët dhe sufistët për besimin e mësipërm bazohen në disa hadithe të trilluara:

Hadithi i parë: “Gjëja e parë që ka krijuar Allahu është mendja”. Ky është një hadith i trilluar. [Shih: Ibn El Xheuzi, el Meuduat (1/174); Es Sagani, el Meuduat (1/35); Dhehebiu, Telkhisu kitabil meuduat, (1/40); Ibn Kudame, el Muntekhab min ilelil Khalal (1/87).]

Hadithi i dytë: “Gjëja e parë që ka krijuar Allahu është drita e Profetit tënd prej dritës së Vet, o Xhabir”. Ky është një hadith i trilluar dhe i pavlerë. Bie në kundërshtim me disa argumente të vërteta që tregojnë mbi zanafillën e krijesave. Nuk gjendet në asnjërin nga burimet e hadithit të Profetit (s.a.u.s.). I pari që ka shfaqur këtë hadith është Ibn Arabiu (vq. 638 h.), i cili e ka trilluar vetë ose ndonjë sufi tjetër batinij (hipokrit), që ka të njëjtin besim me të. Kështu, pas kohës së Ibn Arabiut filloi përdorimi i këtij hadithi të trilluar në disa libra të sufizmit dhe siras, ndërsa më përpara nuk njihej. Disa dijetarë të shekullit të dhjetë dhe dymbëdhjetë të hixhretit e kanë përmendur këtë hadith pa sened, por gabimisht kanë pohuar që e ka sjellë AbduRrezaku. Në fakt, ky hadithi nuk gjendet në Musannaf të AbduRrezakut dhe në asnjë libër tjetër të tij. Atë nuk e ka sjellë askush nga dijetarët që kanë transmetuar nga AbduRrezaku, si Ahmedi dhe të tjerë. Sujuti ka deklaruar që ky është një hadith pa sened dhe i pavërtetë. Siç u tha më lart, ky besim e ka origjinën nga shiitët. [Për më gjerë shih librin “Tenbihul hudhak fq. 9, dhe librin “Mexhmu fi keshfi hakikatil xhuzil mefkud” fq. 99-102.]

Hadithin e parë dhe të dytë, që përmenden më sipër, pra këto dy hadithe të trilluara, i përmend edhe h. Vehbi Dibra në artikullin e parë të revistës ‘Zani i Naltë’ të botuar në vitin 1933, një numër i botuar posaçërisht me rastin e Mevludit (ditëlindjes) të Pejgamberit tonë (s.a.u.s.), me titullin “Kush ka Lindur Sod?”

H. Vehbiu i ka sjellë këto që i quan ‘hadithi sherifë” për të vërtetuar idenë se drita e Profetit Muhamed (s.a.u.s.) është krijesa e parë! Ai ka sjellë edhe hadithin e saktë: “Ma e para gja qi krijoi Perëndija asht kalemi (pena)”. Duke shpjeguar këto hadithe, ai thotë: “Mendja, drita dhe kalemi që përmenden në këta hadithe në esancë janë nji dhe përfaqsojnë “Shpirtin e Naltë të Pejgamberit Alejhisselam”, por konsiderohen ndryshe.”

Në fakt, interpretimi i ‘kalem-it’ me kuptimin ‘drita e Muhamedit s.a.u.s.’ është i pasaktë. Nuk kam gjetur asnjë dijetar, që ka shpjeguar hadithe, të bëj një interpretim të tillë. Ky interpretim duhet ta ketë burimin te sufizmi. Hadithi qartësisht bën fjalë për kalem-in që Allahu i Lartësuar, mbasi e krijoi, i dha urdhër të shkruante në Leuhi Mahfudh të gjitha ato që do të ndodhnin deri në Ditën e Kiametit.

Në këtë kapitull, h. Vehbiu duke bërë lëvdata për të Dërguarin tonë (s.a.u.s.) ka përmendur edhe disa koncepte të sufizmit që u përmendën më sipër mbi atë që ata e quajnë ‘Drita apo e Vërteta Muhammedane’. Më poshtë po shkëpus disa nga shprehjet e tij në këtë shkrim:

“…natën e bekueme, në të cilën lindi llampa e korentit të dritës së msheftësinave të Unitetit t’Amshuëm…” (shih fq. 663)

“…asht jashta fuqis njerëzore me veshë me fjalë të “Vërtetën Muhamedane” “hakikati zatijje-i Muhammedijje”…” (shih fq. 664)

“… Zotnija e Tij asht “pema hyjnore e bekueme” e landës, me të cilën u gatue gjithësija…” (shih fq. 665)

“…t’Atij qi asht “Shpirti Universal”, “Shkaku i Krijimit të gjithësis”…” (shih fq. 668)

“…vetëm me inteligjencën e lartë të vet shkaktoi gjith këtë revolusion të madh, transformoi botën me parimet e reja që vu!…” (Shih fq. 669. Është e vërtetë që Profeti ynë bëri ndryshimin më të madh, por me shpalljen që i zbriti Allahu i Lartësuar. Këtu kam qëllim të korrigjoj shprehjen e përdorur nga h. Vehbiu, me të cilën mbivlerëson inteligjencën, pasi s’ka dyshim që ai e pranon rolin e shpalljes).

“Tani le të çelim nji kind të sekreteve mistike… “Ajo Dritë e Begative Hyjnore” asht produkti i pemës së gjithësis, ideali i lartë i universit, qi në pikpamje të manifestasjonit (texhel-li) asht (fillesa e dritës së esancës së Hyut”, qenësija e Tij përmbledh “emnat hyjnore”, me çfaqjen e atributevet hyjnore asht “burimi i gjithësis” edhe si resultat i botave asht “mbarimi i krijimit”. Prej kësaj merret vesh se gjithësija asht shkurtimi (ixhmal) dhe Ay asht xhvillimi (tefsil).” Në vijim h. Vehbiu përmend hadithet e sipërcituara (shih fq. 670).

“Në këtë pikë bijem d’akord edhe me filosofët, të cilët thonë me nji fjalë se, efekti i parë i “Qenësit Absolut” asht “mendja e parë” “akli evvel – premier inteleckt.” (Shih fq. 671).

“Motori i vërtetë qi na tërhoqë në këtë rrugë të mbarë nuk asht tjetër veçse rrezet e Dritës së shenjtënueshme të Shpirtit të Naltë të Muhammedit, qi pat përshkue krejt thërimet tjera shpirtnore. Esanca shpirtnore e Hazreti Muhammedit ishte ajo qi na dha kapazitetin e përgjigjes, na bani të flasim. Substanca Muhammedane e marrun pushtetërisht nga substanca e Qabes së madhënueshme qi asht qendra e “Imanit”, dhe përzjerë si esancë me substancën e marrun nga gjith anët e dheut për të gatue brumin e Adamit, u ba shkak qi të gjith shpirtnat në krye të herës e njoftën të Madhin Zot.” (Shih fq. 671).

“Por duhet mbajtur mend ç’kemi thanë ma naltë: “krijesa ma e parë e Zotit ishte “Drita reale e Hazreti Muhammedit” i cili ishte Profiti i gjith Profitëvet, të cilët ishin përfaqsuës të Zotnis së Tij. Përmbledhësi i gjith atyne virtyteve të larta, Hazreti Muhammedi Alejhisselam pati jetën metafizike dhe jetën fizike. Kur ishte pa u konkretizue në natyrë ky “Shpirt” i gjithësis, erdhën në botë nji nga nji përfaqësuesit e Tij, Profitët tjerë dhe i u kumtonin popujve urdhënat e Perëndis. Këta kumtime në realitet i bante i Përfaqësuemi qi ndodhesh gati në jetën metafizike” (shih fq. 672).

“Shkurt çdo fenomen i natyrës, çdo ngjarje e gjithësis, lulet, pemët, idet, kënaqunit, dëfrimet e shijimet shpirtnore, lutjet…të gjitha këta janë fryti i pemës Muhammedane, janë kandile të “Dritës së Shejtënueshme të Muhammedit, me të cilën qëndrojnë në kambë; të gjitha pijnë ujë në lumin “Qevther ‘ të Tij.” (Shih fq. 673 të revistës Zani i Naltë, botim i vitit 1933).

Këto koncepte sufiste mbi ‘Dritën Muhammedane’ gjenden dhe në vende të tjera të këtij numri të revistës ‘Zani i Naltë’, për shembull myderris Qazim Hoxha, në shkrimin e tij, shprehet kështu:

“…Perëndija i Plotfuqishëm, kur desht me krijue Gjithsinë, Botën e dukshme e të padukshme, krijoj ma parë nga drita hyjnore e Vet, dritën Muhammedike…” [Shih ‘Zani i Naltë, fq. 692, botim i vitit 1933].

Hadithi i tretë: “Kam qenë Nebijj (Lajmëtar i Allahut), ndërkohë që Ademi ishte ndërmjet ujit dhe baltës”.

Hadithi i katërt: “Kam qenë Nebijj, ndërkohë që nuk ishte Ademi dhe nuk kishte as ujë e as baltë”.

Si hadithi i tretë, edhe hadithi i katërt, janë të trilluar. Kështu ka thënë Ibn Tejmije dhe Sujuti. [Shih: Mexhmuul fetaua (2/147) dhe Silsile daife (1/473)].

Nga ana tjetër, në një hadith të saktë tregohet se kur dikush pyeti, kur ke qenë shkruar si Nebijj, Profeti (s.a.u.s.) u përgjigj: “Unë kam qenë (i shkruar si) Nebijj, ndërkohë që Ademi ishte ndërmjet shpirtit dhe trupit.” [Shënon Ahmedi (20596)]. Sipas një hadith tjetër të saktë Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Unë kam qenë shkruar tek Allahu si Vula e Nebijj-ëve (lajmëtarëve të Allahut), ndërkohë që Ademi ndodhej si formë prej balte i hedhur në tokë gjatë fazës së krijimit (ende pa iu dhënë shpirtë). Do t’ju tregoj për zanafillën e çështjes sime (profetësisë sime): lutja që bëri babai im Ibrahimi (për dërgimin tim), përgëzimi i Isait (a.s.) për ardhjen time dhe ëndrra e nënës sime e cila kur ishte në prag të lindjes sime pa (në ëndërr) që doli prej saj një dritë me të cilën u ndriçuan kullat e Shamit” [Shënon Ahmedi (17150)]. Atëherë, sipas dy haditheve të fundit që janë të sakta, nuk bëhet fjalë për krijimin e Profetit (s.a.u.s.) para Ademit, por për shkrimin, paracaktimin dhe shfaqjen e Profetësisë së Tij ndërkohë që Ademi ishte në formë njeriu ende pa iu dhënë shpirtë. Nga një hadith mësohet se Ademi ka qëndruar dyzet vite si formë trupi prej balte para se t’i jepej shpirt. [Shih: Mexhmuul fetaua (2/147)].

Hadithi i pestë: “Po të mos ishe ti (Muhamed), nuk do ta kisha krijuar gjithësinë”. Është hadith i trilluar. [Shih: Es Sagani, El meuduat (1/52); Sheukani, El Feuaidul-mexhmuah fil-ehadithil-meuduah (1/326)].

Hadithi i gjashtë: “Po të mos ishte Muhamedi, nuk do të kisha krijuar ty (Adem)”. Është hadith i trilluar. E ka sjellë Hakimi në “Mustedrek” (2/672), Taberaniu në “El Mu’xhemul eusat” (nr. 6502) dhe “El Mu’xhemus sagir” (nr. 992), El Axhurijj në “Esh-sheriah” (nr. 956). Ky hadith është transmetuar vetëm nëpërmjet Abdurrahman Ibn Zejd Ibn Eslem, i cili është shumë i dobët. Me pajtimin e të gjithë dijetarëve ekspertë të fushës së hadithit, ai bënte shumë gabime në transmetimet e tij. Ndër dijetarët që e kanë quajtur të dobët përmendim: Ahmed Ibn Hanbel, Ebu Zurr’ah, Ebu Hatem, Nesaiu, Dare Kutniu. Ibn Hibani thotë: Meriton të braktiset (dhe të mos i pranohen transmetimet). Ebu Nuajmi thotë: “Ka transmetuar nga i ati hadithe të trilluara,” (dhe në fakt këtë hadith e transmeton nga i ati). Tahaviu thotë: “Sipas dijetarëve të hadithit, hadithi i transmetuar nga ky person është në fundin e dobësisë.” Ali Ibn Medini dhe Ibn Sad e quajnë shumë të dobët. Nisur nga ky fakt, Dhehebiu e konsideron si të trilluar këtë hadith. [Shih shënimin e Dhehebiut për këtë hadith në “El Mustedrek” (2/672)]. Edhe në librin “Mizanul itidal” (2/504) Dhehebiu e quan një lajm batil (të pavërtetë). Me gjykimin e Dhehebiut pajtohet edhe Ibn Haxheri në librin “Lisanul Mizan” (3/360). Ibn Tejmije e quan të papranueshëm në librin “Kaidetun Xhelile” (138-139). Ibn Abdil Hadi (një dijetar i madh i hadithit) në librin “Es Sarimul Munki” (43), gjithashtu, e konsideron hadith të trilluar.

Po si shpjegohet që Hakimi në Mustedrek e vlerëson si hadith me sened të saktë?

Për këtë kemi dy përgjigje:

E para: Vetë Hakimi e përmend Abdurrahman Ibn Zejd Ibn Eslemin në librin “Ed-Duafa – të dobëtit”, ku ka theksuar se aty ka përmendur transmetuesit e papranueshëm që nuk lejohet të shkruhen hadithet e tyre. Kështu, gjykimi i tij është kontradiktor. Si i tillë nuk duhet të merret për bazë për këtë hadith.

E dyta: Dijetarët e hadithit e konsiderojnë Hakimin jo shumë të përpiktë në vlerësimet e tij, kështu që vlerësimi i tij nuk merret në konsideratë kur ka dijetarë të tjerë që e quajnë hadith të trilluar, aq më tepër që këta dijetarë kanë argument të qartë.

[Shih: Silsiletul ehadithi daife ue meudua (25)].

Hadithi i shtatë: “O Muhamed, po të mos ishe ti, nuk do ta kisha krijuar Xhenetin, dhe po të mos ishe ti, nuk do ta kisha krijuar Zjarrin”. Është hadith shumë i dobët. [Shih: Silsiletul ehadithi daife ue meudua (1/451)].

Hadithi i tetë: “Po të mos ishe ti, nuk do ta kisha krijuar dynjanë”. Është hadith i trilluar. [Shih: Ibn Xheuzi, El Meuduat (1/289)].

Këto hadithe të trilluara janë në kundërshtim me Kuranin

Hadithet e trilluara që tregojnë se qëllimi i krijimit të gjithësisë është Profeti ynë Muhamedi (s.a.u.s.) bien në kundërshtim me Kuranin, pasi Allahu i Lartësuar thotë: “Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” Ky ajet dëshmon se xhindët dhe njerëzit u krijuan me qëllimin që të adhurojnë vetëm Allahun e Lartësuar. Ibn Kethiri thotë: “Domethënë, i krijova ata vetëm që t’i urdhëroj për adhurimin Tim, e jo se kam nevojë për ta” [Tefsiri Ibn Kethirit 4/280].

Besimi në ‘dritën muhamedane’ në librat e përkthyer në shqip

Ndër librat e përkthyer në shqip që përmbjanë besimin në ‘dritën muhamedane’ ose ‘realitetin muhamedan’ janë dhe ato të Osman Nuri Topbash. Në librin “Hz. Muhamed Mustafa” në faqet 48-49, ky autor flet për dritën muhamedane, ku përmend hollësisht besimin e devijuar në realitetin dhe dritën muhamedane, sjell hadithe të trilluara, disa prej të cilave u përmendën më lart, citon Ibn Arabiun, ilustron me vargje. Madje dhe në kapakun e këtij libri e përmend qartë besimin e devijuar dhe shirkun me dritën Muhamedane: “…mundësia për të përfituar nga të fshehtat e larta të shfaqura në Dritën Muhamedane të diellit të amshueshmërisë… Na ndihmo, o i Dërguari i Allahut!” Kaq qartë në kopertinën e librit gjenden dy forma shirku:

Pretendimin se shpirti mund të pëfitojë përmes lidhjes me dritën muhamedane.

Lutja drejtuar të Dërguarit të Allahut për ndihmë.

Edhe prezantimin e këtij libri në kapakun e vëllimit të dytë Osman Nuri Topbash e mbyll me shprehjen: “Na merr nën strehë, o i Dërguari i Allahut!”

Në faqen 494 të vëllimit të dytë të këtij libri thotë: “Të përgjërohemi, o i Dërguari i Allahut! Na eja në ndihmë, o i Dërguari i Allahut! Ndërmjetëso për shpëtimin tonë, o i Dërguari i Allahut!” Ky libër shpërndahet nëpër xhamia dhe muslimanët nuk i njohin devijimet e tij.

Po ky autor flet për dritën muhamedane edhe në librin “Tasavufi ose mistika islame” fq. 14 dhe 20. Në fq. 22 të librit të fundit flet dhe për atë që sektet e sufizmit e quajnë “transmetim të të fshehtave nga zemra në zemër”, domethënë për rrabta-në (lidhjen shpirtërore) që në fakt është shirk, duke pretenduar pa asnjë farë argumenti që në shpellën Theur është realizuar lidhja e parë shpirtërore mes Ebu Bekrit (r.a.) dhe Profetit (s.a.u.s.)!

Në disa vende të këtij libri përmenden gjëra që janë shirk në rrububije, si pretendimi se eulijatë rregullojnë punët dhe ndihmojnë, ose në uluhije, si lutja për ndihmë drejtuar Profetit (s.a.u.s.) apo eulijave, por nuk është vendi këtu për t’i përmendur më hollësisht këto devijime.

Një autor tjetër që përmend diçka mbi ‘dritën muhamedane’ është Fet’hullah Gylen në librin “Dritë e pashuar”, ku ai thotë: “Ai është vazhdimisht midis nesh me konsitucionin e tij shpirtëror dhe, sipas disave, me trajtën e tij materiale të transformuar në dritë….Personat prej kastës së njerëzve të Zotit të cilët thirren “ebdall”, mund të gjenden në të njëjtin çast në disa vende. E pse të mos ndodhet ai Mbreti i Profetëve edhe në botën e pastajme, edhe në botën tonë, edhe në praninë tonë, edhe në praninë e profetëve? Ndodhet e do të ndodhet!” (Dritë e Pashuar, fq. 62). Në një vend tjetër, në lidhje me ditëlindjen e Profetit (s.a.u.s.) thotë: “Me fjalë të tjera, është dita kur Zoti, Dritën që e krijoi në cilësinë e një dielli, e zbriti si një kandil në qiellin e njerëzimit” (Dritë e Pashuar, fq. 25). Po ashtu thotë: “Sepse e gjithë qenia është krijuar për respekt ndaj virtyteve të tij. Ai përbën për gjithësinë “qëllim krijimi” dhe është karakterizuar kështu me pak fjalë që janë bërë të famshme si hadith: “Po të mos ishe ti, nuk do ta kisha krijuar gjithësinë!” (Dritë e Pashuar, fq. 10).

Në vitet e fundit shprehjen ‘en-nurul muhamedi – drita muhamedane” e përdorin edhe hoxhallarët e tarikatit rrufai të vetëquajtur shemsul kulub.

Kështu, ithtarët e sufizmit kërkojnë të ringjallin edhe njëherë atë devijimin e themeluar nga paraardhësit e tyre dhe që nuk ka asnjë lidhje me nderimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.u.s.) dhe ndjekjen e rrugës dhe shembullit të tij, përkundrazi, është teprim që ai nuk e dëshiron.

Besimi në ‘dritën muhamedane’ përmendet edhe në librat e mevludit, si dhe në libra të tjerë të botuar para mbylljes së fesë në vendin tonë. Shih mevludin e Hafiz Ali Ulqinakut,fq. 3, mevludin e Hafiz Abdullah Sëmlakut fq. 11-12 dhe fq. 15, mevludin e Hafiz Ali Korçës fq. 97 (ribotimi i vitit 2006), mevludin e Shaban Mulla Hysenit fq. 4-5.

Disa vargje të hafiz Ali Korçës ku ai mohon disa forma shirku që kanë hyrë mes myslimanëve.

“Tritimi[26] ka hyrë edhe në myslimanizmët

Allah, Muhamed- Alinë

i njohin si Perëndinë

Varret si put i u falen

Luten e qajnë sa çmallen

Shpresojnë ndihmë nga varret

Me grushta i derdhin paret

Nga idolatrët ç’ferk (ç’ndryshim) kanë?

se u qujtkan myslimanë!

Te Aliu thon u fut Zoti

Si idolatrët qëmoti.

Si u vra shkoj në qjell thonë

prap u bashkua me Zonë

A kështu është njëtimi (teuhidi)

që ngeli nga Ibrahimi?

Tritimi i Hindistanit

i u fut në shpirt myslimanit

S’kujtojn, Allah veç Alinë

Atë Zot të gjallë’ e dinë

Kanë kapur plogësinë

nat’e ditë kuvli rrinë

Nga varret, nga eulijatë

shpresojnë mos gjejn, uratë

Fasi, Alzheri, Tunusi,

Bornoja, Kongoja, Sudani

Xhava edhe Hindistani

pse s’shpëtojnë nga duatë?[27]

pse s’e shpëtojn, eulijatë?”

“Sa për varret Zot s’i njohim

për njerës të mir’ i shohim

Ata s’kanë gjë në dorë

prej nesh janë më të gjorë

Ata prej nesh ndihmë presin

sadaka’ dua thërresin

Për nderim i vizitojmë

Perëndi si adoptojmë

Nisje’ sosje s’ka Allahu

rop njihet Resulullahu

Aliu njeri si të tjerët

rop njihen gjith erenlerët

Eulijatë do me thënë

gjithë njerës kanë qënë

Gjithnjë njerës do të jenë

përpiqen të mbajnë fenë

Erenler edhe shenjtorë[28]

as gjë nuk kanë në dorë

Fuqin’ e ka Perëndija”

këtë e di gjithësija

Varret si put nuk i kemi

dhe për vizita kur vemi

i u këndojmë prej Kuranit[29]

dhe i lutemi Rahmanit –

Që t’i faljë e t’i ndjejë

shpirti keq të mos i u gjejë

Dhe ne Profeti kur shkojmë

prej sij gjesendi s’kërkojmë –

por i lutemi Allahut

për nder të Resulullahut[30]

që të na falnjë mëkatet

që kemi ngarkuar shtatet

Turp’ i math pra për njerinë

të harojë Perëndinë

T’i falet varrit, t’i lutet

dhe në sexhde të këputet

i vdekuri ç’ka në dorë

ajy është vet’i gjorë

Ajy lip përkrahje vetë

nga i gjalli sa të jetë

Me sadaka ta kujtojë

a se Kuran t’i këndojë[31]

S’më duket njeri të ketë

veç në qëntë mëndje-metë –

Si Zot ta besojë varrë

veç në qoftë krejt i marrë!

Pejgamberi thotë vetë

ajy rop mallkim të ketë

që vjen sexhde m’i ban varrit

mos shpëtoftë prej kahharit!

Zoti krejt i pat mallkuar

gjith ata kombet e shkuar –

që varret si put i bënë

prej syresh këmbë s’ka lënë

Prandaj njohim vetëm Zonë

i falemi gjithëmonë.

Në thënç të plogët pse mbemë

e nga na ardhi kjo remë?

Fajin nuk na i ka besa (besimi fetar)

ajo s’bije ngatërresa,

Shihni shekullin e parë

ç’punuan shokët e mbarë

shokët trima të Profetit

besnikët e Muhammedit

Gjysmën e lëmçit e shtinë –

në dorë, botën përpinë”.

(Fragmente nga libri ‘Historija e Shenjtë, fq. 200-202, botimi i vitit 1931).

Punuar nga Ismail Bardhoshi.

  1. Botimi i vitit 1992 në New York.
  2. Botimi i vitit 1934 në Tiranë.
  3. Transmetimi në të cilin përmenden këto gjëra për Bilalin r.a. është i trilluar, sikurse ka theksuar Ibn Haxheri.
  4. Në fakt, libri i Hafiz Dalliut është më i pastër se librat e tjerë të mevludit nga gjërat e pasakta, por përsëri ka teprime të tilla.
  5. Fjala ‘La ilahe il-lallah Muhammedun rresulull-llah’. Kjo që thuhet për Ademin (a.s.) këtu përmendet në një hadith të trilluar.
  6. Vargjet në vijim të hafiz Sëmlakut i kam gjetur në një libër a revistë ku ka vjersha të tij. Kopja që kam në dorë është botuar para mbylljes së fesë, por i mungojnë faqet e para, kështu që nuk e përcaktoj dot vitin e botimit dhe as titullin. Gjithsesi, nga një poshtëshënim në fq. 42 kuptohet që libri është i hafiz Sëmlakut, pasi aty thotë: “…quhem hafëz Sëmlaki.”
  7. Edhe gjatë përkthimit të shprehjeve të ezanit, në një poshtëshënim të faqes 20, thotë: “eshhedu enne mehammeden Resulull-llah! (Muhammedi: është Nur i ti).
  8. Botuar në vitin 1939.
  9. Ata që kanë trilluar këtë vjershë kanë pretenduar se imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, e ka recituar atë duke qarë te varri i Profeti (s.a.u.s.).
  10. Busiri në poemën e tij (në arabisht) ka lavdërime të tepruara për Pejgamberin (s.a.u.s.), siç janë vargjet:O krijesa më e nderuar, Kur të zezat t’më kenë pushtuar, Ndihmë veç ty kam për t’kërkuar! Në s’më shpëton në t’Gjykimit Ditë, Thuaj “mjerë” për mua, që kam rrëshqitë. Dynja dhe ahiret – prej bujarisë që pate, Prej dijes që ke ti, janë shkruar këto fate. Këto vargje i ka përkthyer dhe Hafiz Sëmlaku, siç vjen më pas. Busiri ishte një vjershëtar, që jetoi në shekullin e shtatë të hixhretit. Ai shkroi poemën më të shquar në lavdërimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.u.s.). Kjo poemë e shkruar në gjuhën arabe ka pasur një përhapje shumë të madhe mes muslimanëve. Shumë njerëz e mësonin përmendësh dhe e recitonin ose e këndonin atë rregullisht (në Mevlud – festën e ditëlindjes të Profetit s.a.u.s.), madje duke besuar se këndimi i saj të afron tek Allahu i Lartësuar! Kjo poemë ka vargje me lavdërime të tepruara për Dërguarin (s.a.u.s.), madje ka edhe vargje që përmbajnë shirk; që i veshin të Dërguarit (s.a.u.s.) atribute hyjnore ose që kanë lutje drejtuar të Dërguarit të Allahut, sikurse janë vargjet e përmendura më sipër. Përhapja e gjerë e kësaj vjershe, megjithëse në vargjet e saj përmban shirk, tregon se sa të paditur dhe sa larg besimit të pastër kanë qenë njerëzit që e këndonin. Po ashtu, ky fenomen historik tregon se shumica e dijetarëve dhe hoxhallarëve të kohës së fundit nuk e kanë bërë siç duhet punën në këshillimin e njerëzve që të ruhen nga besimet, fjalët dhe veprimet që janë shirk.
  11. Do të thotë se ato që janë shkruar në Leuhi Mahfudh janë një pjesë e njohurive të tua!
  12. Kjo është e saktë.
  13. Ky është teprim i përmendur në hadithe të trilluara.
  14. Profeti ynë (s.a.u.s.) është njeri dhe jo melek. Ai ka pasur aq dituri sa i dha Allahu i Lartësuar.
  15. Vërehet këtu koncepti i shpirtit më të madh, që është një nga shprehjet e sekteve të sufizmit për realitetin Muhammedan, siç u përmend më lart. Këtë koncept e ka përmendur edhe në vargje të tjera. Mbase autori i këtij mevludi nuk i beson të gjitha ato që thonë sektet mbi dritën muhamedane, por kjo tregon ndikimin e sufizmit në librat e mevludit dhe teprimet e huazuara prej tij.
  16. E sakta është që edhe lavdërimi i të Dërguarit (s.a.u.s.) të bëhet brenda kornizave të teksteve fetare. Nuk duhet ta ngrejmë Profetin (s.a.u.s.) mbi gradën që i ka dhënë Allahu i Lartësuar. Për shembull, nuk lejohet të themi se ai di gjithçka, se ai di gajbin, nuk lejohet t’i kërkojmë atij diçka që kërkohet vetëm prej Allahut të Lartësuar.
  17. Shënim: Mevludi i hafiz Ulqinakut, mevludi i hifiz Ali Korçës, mevludi i Abdullah Sëmlakut dhe mevludi i Shaban Molla Hysenit kanë mjaft ngjashmëri, kështu që duhet të kenë pasur si burim kryesor mevludin e Sulejman Çelebisë ose ndonjë burim tjetër ku mund të ketë marrë edhe ky i fundit, si vjersha ‘Burde e Busiriut’, ndonëse këto libra mevludi kanë dhe gjëra të ndryshme. Këto libra mevludi, po të shihen me kujdes, përmendin edhe gjëra të tjera të pasakta, por këtu mjafton që tërhoqa vëmendjen mbi teprimet.
  18. Domethënë, prej diturisë së gjerë të Profetit tonë (s.a.u.s.).
  19. Kjo shprehje fjalë për fjalë përkthehet kështu: ‘ose një surbë nga shiu i dendur e i vazhdueshëm’. Pra, e ka fjalën për diturinë e madhe të Profetit tonë (s.a.u.s.).
  20. Në këtë varg Busiriu flet për besimin sufist, sipas të cilit profetët e kanë marrë diturinë nga ‘Drita Muhammedane’.
  21. S’ka argument për puthjen e varrit të Profetit (s.a.u.s.), kështu që ky është një teprim.
  22. Shënim: Për punën në shërbim të fesë që kanë bërë autorët dhe përkthyesit e mevludeve, si dhe shkruesit e artikujve të dy revistave të sipërpërmendura, them: Allahu i faltë, i mëshiroftë dhe i bëftë xhenetlinj! Ndërsa qëllimi im këtu është të vë në dukje teprimet, për t’u ruajtur prej tyre.
  23. E sakta është që, si pranë varrit edhe larg tij, janë melaiket ata që i përcjellin Profetit (s.a.u.s.) salavatin dhe selamin e umetit.
  24. Shih: Ebul Hasenat el Leknevij, el atharul merrfua fil ahbaril meuduah (1/44).
  25. Shih burimin pararendës. Këtë bidat e kam konstatuar edhe vetë në zonën tonë, por njerëzit që çoheshin në këmbë në momentin e këndimit të vargjeve të lindjes duke çuar salavat me kor, mbase nuk e kishin idenë se kjo ngritje bazohej në besimin që personaliteti a drita muhamedane vinte aty.
  26. Do të thotë: besimi se ka tre perëndi.
  27. Hafiz Aliu, ndër të tjera, në vargjet e mësipërme mohon varjen e shpresës tek eulijatë, mohon shpresën në ndihmën e tyre dhe mohon besimin se ata sjellin shpëtim. Pra, mohon disa forma shirku.
  28. Ne muslimanët nuk përdorim termin ‘shenjtorë’ për besimtarët e mirë, por termet ‘eulija’, ‘njerëz të mirë’, njerëz të drejtë’ etj..
  29. Nuk ka asnjë hadith të saktë që Profeti (s.a.u.s.) dhe shokët e tij, kur kanë vizituar varret, kanë kënduar Kuran për të vdekurit. Përdrerisa ata nuk e kanë bërë diçka të tillë, atëherë ajo është një bidat në fe. E ligjshme, kur vizitojmë varret, është që t’u japim selam atyre ashtu siç përmendet në hadithe të sakta, e pastaj të të kthehemi nga Kibla dhe të bëjmë lutje për të vdekurit.
  30. Lutja drejtuar Allahut të Lartësuar, duke përmendur si një mënyrë afrimi (tevessul) nderin dhe gradën e Resulit s.a.u.s. është një bidat në fe, pasi nuk ka asnjë hadith të saktë që tregon se Profeti (s.a.u.s.) apo ndonjëri nga shokët e tij të kenë bërë lutje në një mënyrë të tillë. Imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë e ka urryer diçka të tillë. Por gjithsesi, kjo është një bidat e jo shirk, sepse lutësi i drejtohet Allahut të Lartësuar dhe jo Resulit (s.a.u.s.).
  31. Nuk ka ndonjë argument të saktë që Pejgamberi (s.a.u.s.) dhe shokët e tij kanë kënduar Kuran për të vdekurit. E përderisa Pejgamberi (s.a.u.s.) dhe shokët e tij nuk kanë kënduar Kuran për të vdekurit, atëherë kjo punë nuk lejohet. Por bën përjashtim këndimi i Kuranit nga fëmija për t’i shkuar shpërblimi prindit të vdekur, pasi puna e fëmijës i shkon prindit.

Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *