Sqarimi i paqartësive të atyre që bazohen në llogaritje për hyrjen dhe daljen e muajit hënorë
Me rëndësi është të sqarojmë me argumente edhe paqartësitë që kanë ata të cilët e shpallin muajin hënorë mbi bazën e llogarive astronomike, duke shpresuar se KMSH-ja do të reflektojë, se vëllezërit muslimanëve do të angazhohen për t’i bindur të heqin dorë prej këtij bidati në fe ose për t’u parë ndonjë mundësi tjetër për zgjidhjen e këtij problemi. Por edhe për të sqaruar ata që kanë dyshime mbi mënyrën e shpalljes së muajit hënorë.
Është e qartë se Meshihati i Turqisë, Mexhlisi Evropian për fetva, si dhe disa dijetarë bashkëkohorë si Ahmed Shakir[1], Mustafa Zerka, por edhe doktor Jusuf Karradavi, kanë disa paqartësi të cilat i kanë bërë të bien në këtë bidat, pra ata kanë rënë në këtë gabim të rëndë me interpretim, sepse nuk mund të përfytyrohet që muslimani të bjerë në një gabim të tillë që përbën ndryshim të një rregulli të fesë pa pasur paqartësi (shubhe). Batinitë janë ata të cilët i bëjnë ndryshimet në fe, bidatet dhe keqintepretimet pa pasur paqartësi (shubhe), e ata janë kafirë, kurse këta dijetarë të kohës dhe Meshihati i Turqisë nuk janë batini, kështu që domosdo kanë disa paqartësi. Ibn Tejmije thotë: “S’ka dyshim se pas përhapjes dhe triumfimit të fesë Islame askush nuk mund të shfaqë mbështetjen në gjëra të tilla, por ka mundësi që njeriu të ketë ndonjë arsye të padeklaruar për pranimin ose refuzimin e dëshmisë, ose mund të ketë ndonjë mëdyshje (shubhe) se pse Sheriati nuk ka caktuar si rregull bazimin në llogari për shpalljen e fillimit të muajit” [Mexhmuul fetava v. 25].
Po cili është mendimi i tyre dhe cilat janë paqartësitë e tyre?
Mendimi i tyre është se fillimi i muajit hënorë shpallet mbi bazën e llogarive astronomike që tregojnë se ka mundësi të shihet hëna e re. Kështu, sipas tyre nëse llogaritë tregojnë se më njëzet e nëntë Shaban në darkë mund të shihet hëna e re në cilëndo pjesë të tokës, dita e nesërme shpallet si dita e parë e muajit të ramazanit, e nëse llogaritë nuk japin mundësi për shikimin hënës, shabani duhet të plotësohet tridhjetë ditë.
Një prej atyre që mbështesin këtë mendim është dhe doktor Jusuf Karradavi, i cili ka një shkrim të publikuar në një faqe interneti me emrin “el Karradavi”, ku përmend arsyet e këtij mendimi, prandaj për të qenë sa më i saktë në përcjelljen e mendimit të tyre, do ti sjell paqartësitë kryesore të tyre prej këtij materiali dhe do të jap përgjigje një për një.
Paqartësia e parë: Muaji i Ramazanit hynë me njërën prej këtyre tri mënyrave: 1- Shikimi i hënës së re. 2- Ptolësimi i shabanit tridhjetë ditë. 3- Caktimi i hënës së re (tekdiri).
Përgjigja: Konsiderimi i tekdir-it të përmendur në hadithin e Ibn Omerit si mënyrë të tretë është gabim, sepse me caktimin e hënës Pejgamberi a.s. ka për qëllim po atë që përmendet në hadith të tjera ku thotë: “Plotësojeni muajin shaban me tridhjetë ditë”, pra qëllimi i Pejgamberit është llogaritja e caktuar e muajit hënorë që është tridhjetë ditë. Ibn Kajim thotë: “Kur qielli ishte i vrenjtur, Pejgamberi (s.a.u.s.) as e agjëronte ditën e tridhjetë dhe as urdhëronte për diçka të tillë, madje ai urdhëronte që, nëse qielli është i veshur me re, të plotësohej shabani me tridhjetë ditë, e pastaj të niste agjërimi. Kësisoj ka urdhëruar dhe kësisoj ka vepruar Pejgamberi (s.a.u.s.), dhe kjo nuk bie ndesh me thënien e tij: “Në qoftë se hëna nuk shihet për shkak se qielli është i veshur me re, atëherë merrni për bazë llogarinë e caktuar të muajit hënor”[2], pasi edhe këtu flitet për plotësimin e muajit me tridhjetë ditë, në rast se nata e tridhjetë e tij është e vrenjtur dhe, për pasojë, nuk shihet hëna. Kjo ka të njëjtin kuptim me hadithin tjetër të vërtetë, të cilin e ka sjellë Buhariu, që thotë: “Plotësojeni muajin shaban me tridhjetë ditë”[3]. Pejgamberi (s.a.u.s) gjithashtu ka thënë: “Mos agjëroni derisa të shikoni hënën e ramazanit dhe mos e prishni agjërimin derisa të shikoni hënën e shevalit, dhe nëse hëna nuk shikohet dot për shkak të reve, atëherë plotësojeni muajin me tridhjetë ditë”[4] [Zadul Mead]. Dëshminë që nëse nuk shihet hënë, plëtsohet muaji tridhjetë ditë e ka transmetuar nga Pejgamberi edhe Hudhejfja dhe Aishja, madje edhe vetë Ibn Omeri sipas një hadithi tjetër të saktë.
Paqartësia e dytë: Abdullah Ibn Umeri tregon se Pejgamberi a.s. përmendi njëherë muajin e ramazanit dhe tha: “Mos agjëroni derisa të shihni hënën e re (të ramazanit) dhe mos e ndërprisni agjërimin derisa ta shihni hënën e re (të shevalit). Në qoftë se hëna nuk shihet për shkak se qielli është i veshur me re, atëherë merrni për bazë llogarinë e caktuar të muajit hënor[5]”. Në shpjegimin e togut ‘merrni për bazë llogarin e caktuar të muajit hënorë’ janë dhënë tri mendime:
Mendimi i parë: Ahmed Ibn Hanbeli dhe pak dijetarë të tjerë kanë thënë se është me kuptimin: ngushtojeni dhe kufizojeni muajin, duke përcaktuar se hëna është nën re (edhe pse nuk e shihni atë). Këtë shpejgim e mbështesin në faktin se fjala ‘kadere’ merr dhe kuptimin ‘ngushtoi’, siç thotë Allahu në Kuranë: “Kush e ka rrizkun (mjetet e jetesës) të kufizuar”. Kështu, këta e kanë bërë detyrë agjërimin e ditës së tridhjetë të Shabanit kur hënë nuk shihet për shkak se qielli është me re.
Mendimi i dytë: Mutarrif Ibn Abdilah (njëri prej tabiinëve të mëdhenj) [6], Ebul Abas Ibn Surejxh (një dijetar i medhhebit Shafi që ka qenë dhe nxënës i Shafiut), Ibn Kutejbe dhe disa dijetarë të tjera kanë thënë se është me kuptimin: caktojeni muajin duke u bazuar në llogaritjen e pozicioneve të hënës.
Mendimi i tretë: Ebu Hanifja, Shafiu dhe shumica e selefëve dhe dijetarëve të mëpasshëm kanë thënë se është me kuptimin: caktojeni nurmin të plotë tridhjetë dit. Të tre këto mendime bashkë me dijetarët e secilit mendin i ka përmendur Neveviu në Mexhmu, por edhe në shpjegimin e Sahihut të Muslimit. Atëherë, me mendimin që mund të caktohet fillimi muajit në bazë të llogaritjes është njëri prej tabiinëve dhe disa dijetarë të tjerë. Ata e kanë mbështetur qëndrimin e tyre në hadithin e Ibn Umerit.
Përgjigja: Mendimi i saktë në shpejgimin e hadithit të Ibn Ujmerit është i tretë, sepse ky tog që nuk është fort i qartë duhet të shpjegohet në përuthje me hadithet e tjera të shumta dhe të sakta të cilat e shprehin qartë se duhet të plotësohet muaji tridhjetë dit. Ky fakt u përmend dhe më sipër. Kështu e bën harmonizimin e haditheve Maliku siç përmend Ibn Abdil Berri në Temhid, por dhe dijetarët e tjerë të cilët nuk pajtohem me mendimin e Ibn Umerit dhe të Ahmed Ibn Hanbelit. Mendimi i parë është gabim, sepse bie ndesh me hadithet që tregojnë qartësisht se çfarë qëllimi ka pas Pejgamberi a.s. në hadithin e Ibn Umerit. Porse Ibn Kajim pas shqyrtimit të transmetimeve të kësaj teme ka dalë me përfundimin se Ibn Umeri e ka agjëruar për siguri ditën e tridhejtë të Shabanit kur hëna nuk shihej për shkak të reve, duke e parë si diçka të pëlqyeshme dhe jo si detyrë e si një ditë prej ramazanit. Gjithsesi, qëndrimi i Ibn Umerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është gabim sepse bie ndesh me hadithet e qarta. Siç shihet, ky qëndrim edhe pse është gabim nuk ka të bëjë fare me bazimin në llogaritje, sepse ky mendim thotë që nëse hëna nuk shihet për shkak të reve, quhet se hanë është nën re, pa marrë parasyhë nëse llogaritë thonë se është nën re apo jo, pra është majft e qartë se ky mendim nuk ka të bëjë me llogartitjen e pozicioneve të hënës. Mendimi i dytë është i shpikur pas gjëneratës së sahabëve, kështu që ai nuk mund të merret parasyshë. Nuk lejohet të shpjegohet hadithi në kundërshtim me kuptimin që i ka dhënë Pejgamberi a.s. dhe shokët e tij. Ibn Tejmije thotë: “Bazimi i këtyre në hadithin e Ibn Umerit është më se i pavlefshëm, dhe përveç kësaj është pikërisht Ibn Umeri ai që transmeton hadithin se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ne jemi një umet analfabet që nuk shkruajmë dhe nuk bëjmë llogari”. Atëherë, si mund të thuhet se hadithi i tij tregon për bazimin në llogaritje!” [Mexhmuul fetava v.25].
Por këtu mund të shtrohet një pyejte: Si mund të quhet shpjegim i shpikur kur njëri prej atyre që kanë menduar kështu është dhe tabiini i madh Mutarrif Ibn Abdilal Ibn Shehir. Përgjigjen për këtë pyetje e jep Ibn Tejmije në mexhmuul fetava duke thënë: “Transmetohet se Muhamed Ibn Sirini ka thënë: “Dola në ditën e dyshimtë, dhe nuk gjeta njeri prej të cilit merret dijeni veçse duke ngrënë, me përjashtim të një burri që bënte llogari dhe që bazohej në llogari. Sikur ky njeri të mos e kishte bërë këtë gjë, do të ishte më mirë për të.” Thuhet se ky burrë ka qenë Mutarrif Ibn Abdilah Ibn Shehir, i cili ka qenë një dijetar me pozitë të lartë, por nëse ëshë e saktë që ai bazohej në llogari, atëherë themi se kjo është një prej gabimeve të dijetarëve”. Kështu, mendimi i dytë bie ndesh me ixhmain e sahabëve, dhe prandaj nuk mund të merret parasyshë. Ixhmain e sahabëve për këtë çështje e ka përmendur Ibn Tejmije dhe të tjerë. Por edhe nëse nuk qëndron ixhmai për këtë çështje për shkak të kundërshtimit të Mutarrifit, themi se përsëri ky qëndrim është gabim, sepse bie ndesh me hadithet e tjera të cilat qartësojnë kuptimin e hadithit të Ibn Umerit.
Paqartësia e tretë: Ibn Surejxhi (nxënësi i Shafiut) ka thënë se thënia e Pejgamberi a.s. në hadithin e Ibn Umerit: “caktojeni muajin” është ligjërim që ka të bëjë vetëm me ata që kanë dijeni mbi llogaritjen, ndërsa thënia tjetër: “plotësojeni numrin e ditëve të muajit” ka të bëjë me njerëzit në përgjithësi.
Përgjigja: Togu “caktojeni muajin’ duhet të shpjegohet në përputhej me hadithet e tjera siç u përmend më lart. Bazimi në llogari qoftë edhe për ata që kanë dituri në këtë fushë është në kundërshtim me hadithin që transmeton Ibn Umeri se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ne jemi një ymet analfabet që nuk shkruajmë dhe nuk bëjmë llogari. Muaji është kaq (duke bërë shenjë me të dhjetë gishtat të hapur), kaq dhe kaq, por në herën e tretë e përtheu gishtin (për të treguar numrin 29). Muaji mund të jetë edhe kaq, kaq dhe kaq, domethënë plot tridhjetë dit”. Shënon Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith qartësisht e hedh poshtë bazimin në llogari për fillimin e muajit hënorë.
Paqartësia e katërt: Me thënien: “Ne jemi një ymet analfabet që nuk shkruajmë dhe nuk bëjmë llogari” Pejgamberi a.s. kishte për qëllim gjendjen e ymetit në kohën e tij, por kjo nuk do të thotë se nuk do të vijë një kohë kur ymeti do të arrijë të bëjë llogari.
Përgjigja: Në këtë hadith Pejgamberi a.s. e ndalon bazimin në llogari për fillimin e muajit, dhe në hadithe të tjera ka caktuar si ‘sebeb-shenjë’ për hyrjen e muajit shikimin e hënës, kështu që bazimi në llogari bën që të mos merret për bazë sebebi që ka vënë sheriati, por diçka tjetër që në fakt sheriati e ka ndaluar. Përderisa sheriati ka vënë një shenjë për fillimin e muajit, atëherë fillimi i muajit duhet të lidhet veçse me këtë shenjë. Por në lidhje me këtë pohim të Pejgamberit a.s. në hadith duhen sqaruar disa gjëra: Së pari, ky pohim është lajmërim mbi gjendjen e njerëzve kur u dërgua Pejgamberi a.s. dhe jo inkurajim apo nxitje për të vazhduar në analfabetizëm, me përjashtim të disa rregullave siç është njohja e fillimit të muajve. Kështu, para zbritjes së Sheriatit tonë ymeti tek të cilët i u dërgua Pejgamberi a.s. ishte analfabet, kurse pas Sheriatit muslimanët nuk janë urdhëruar të vazhdojnë në këtë gjendje në mënyrë absolute, por vetëm për disa rregulla. Së dyti, togu “nuk shkruajmë dhe nuk lexojmë” bën fjalë vetëm për shkrimin dhe llogaritjen për njohjen e fillimit të muajve, sepse ka pas prej sahabëve që dinin të shkruanin dhe të lexonin. Kështu, ky tog edhe pse në formë është dëftim, në përmbajtje është ndalim nga marrja për bazë e shkrimit dhe llogarisë për fillimin e muajve hënore. Pra, Pejgamberi a.s. ka bërë të ditur se ymeti që e ndjek, që është ymeti i mesëm, nuk shkruan dhe nuk lexon, por përkundrazi ai e dallon fillimin e muajve nëpërmjet shikimit të hënës së re. Përshkrimi i ymetit si anlfabet në këtë hadith në fakt është lavdërim dhe vlerësim, duke e parë në disa aspekte: Aspekti i parë: Në vend të shkrimit dhe llogarisë për njohjen e fillimi të muajit ymeti merr për bazë shikimin e hënës së re i cili është një shenjë më e qartë e më e dukshme. Aspketi i dytë: Në përcaktimin e muajit me shkrim dhe me llogari bëhen shumë gabime, kurse në caktimin e fillimit të tij me anë të shikimit ka më pak gabime. Aspekti i tretë: Shkrimi dhe llogaria për gjëra të tilla e angazhon ymetin me gjëra jo në dobi të saj dhe i shkakton lodhje pa ndonjë dobi të madhe, kurse me shikimin ndodh krejt e kundërta. Së treti, qëllimi i hadithit është se ka rregulla fetarë të cilët mbetën sipas natyrës analfabetike. Këtë e shpjegon fakti se kuptimi i rregullave të Sheriatit nuk ka nevojë për njohjen e shkencave të universit dhe matematikës. Arsyeja pse ymeti jonë nuk ka nevojë për njohuri të tilla për kuptimin e rregullave të Sheriatit qëndron në faktin se, së pari, ata që i morën rregullat direkt nga Pejgamberi a.s. ishin në natyrë analfabetë, dhe së dyti, se nëse do të nevojiteshin njohuri të tilla për kuptimin e Sheriatit, ai nuk do të arrinte të përfshinte shumicën dërrmuese të njerëzve arabë e jo arabë, sepse shumica e njerëzve do ta kishte të vështirë të zbatonin rregullat nëse do të nevojiteshin mjete shkencore për kuptimin dhe zbatimin e tyre. Kjo urtësi del nga thënie e Muhamedit a.a.: “Ne jemi një ymet analfabet që nuk shkruajmë dhe nuk bëjmë llogaritje”. Së katërti, Pejgamberi a.s. nuk ka për qëllim ndalimin e shkrimit dhe leximit, por ndalimin e llogaritjeve të cilat merren për bazë për fillimin e muajit hënorë[7].
Paqartësia e pestë: Llogaritjet në kohën tonë bëhen me aparate që japin të dhëna të sigurta mbi pozicionin e hënës. Me një lehtësi të madhe nëpërmjet teknologjisë së kohës mund të përcakohet për çdo minut mundësia e shikimi të hënës. Shume dijetarë bashkëkohorë mendojnë se llogaritja bëhet sipas mënyrës së vjetër, duke marrë parasyshë dhe gabimet që kanë kalendaret e namazit të cilat janë përpiluar në bazë të librave të vjetër, e kështu disa prej tyre e caktojnë muajin njëzet e nëntë ditë dhe disa tridhejtë dit. Ajo që kanë mohuar fukahatë është astrologjia, me të cilën shumë njerëz kanë pretenduar se mund të njohin të fshehtat që do të ndodhin në të ardhmen. Ibn Dekik el Id thotë: “Nuk lejohet bazimi në llogari për fillimin e agjërimit, meqë hëna është paralel me diellin sipas asaj që thonë astrologët, të cilët mund ta fillojnë muajin një ditë ose dy para fillimit që bazohet në shikimin me sy, e konsiderimi i kësaj gjëje do të thotë shpikje të një rregulli fetar që nuk e ka lejuar Allahu. Ndërsa nëse llogaria tregon se hëna ka dalë në një mënyrë që mund të shihet me sy, por ka diçka që pengon shikimin me sy, si përshembull retë, kjo e bën detyrë agjërimin, sepse shkaku fetar (sebebi, hana e re) është i pranishëm.”
Përgjigja: Sebebi (shenja) që ka vendosur Sheriati për fillimin e muajit nuk është thjeshtë ekzistenca e hënës në qiell në një pozicion të tillë që mund të shihet, por vetë shikimi i hënës së re me sy. Kështu edhe nëse hëna ekziston aty ku mund të shihet me sy, edhe nëse të dhënët e llogarive astronomike japin informacion të sigurtë mbi mundësinë e shikimi të hënës, përsëri fillimi i muajit do të shpallet mbi bazën e shikimi të hënës, sepse ajo është shenja që ka vendosur Sheriati. Faktorët që ndikojnë në mundësinë e shikimit të hënës së re janë të shumtë, si: distanca këndore mes diellit dhe hënës, koha e përëndimi të hënës në krahasim me diellin, pozicioni gjeografik, lartësia nga niveli i detit, kushtet klimatike dhe atmosferike, pastërtia e horizontit, forca e shikimit. Ibn Tejmije ka folur gjatë për këto faktorë në mexhmuul fetava v. 25. Ndikimi i këtyre faktorëve bën që të mos ketë një rregull llogarie të saktë dhe të padiskutueshëm mbi shikimin e hënës së re, jo vetëm në rrafshin global, por edhe në atë lokal. Ndikimi i këtyre faktorëve në mundësinë e shikimit të hënës është i pranishëm edhe në kohën tonë, edhe pse llogaritë astronomike janë më të sakta sesa në kohën e Ibn Tejmijes, pasi llogaritë mund të japin saktësisht vendndodhjen e hënës në raport me diellin dhe tokën, por ato nuk mund të përcaktojnë në mënyrë të prerë se do të shihet hëna për shkak të ndikimit të faktorëve të mësipërm. Prandaj është e pavend përpjekja e atyre që mbështeten në llogaritë astronomike për t’i bindur njerëzit se llogaritë astronomike janë shumë të sakta e jo si më parë, sepse këtu nuk flitet për llogaritjen e pozicionit të hënës, por për llogaritjen e shikimit të saj, sepse Sheriati i ka lidhur rregullat me shikimin e hënës dhe hapjen e lajmit të hyrjes së hënës së re tek njerëzit, dhe jo me pozicionin e hënës në qiellë, qoftë edhe nëse llogaritja astronomike thotë se ajo ka lindur. Kështu, nuk mund të ketë kritere të sakta llogarie të cilat parashikojnë se sigurt do të shihet hëna, por edhe sikur të vendosen kritere të tilla në të ardhmen, përsëri shpallja e muajit hënorë duhet të bazohet në shikimin me sy të lirë të hënës dhe jo në llogari, sepse ky është sebebi që ka caktuar Sheriati për fillimin e muajit hënorë.
Për ta kuptuar më mirë konceptin e sebebit (shenjës) të vendosur nga sheriati për një normë ligjorë po jap tre shembuj me kohët e namazit:
– Dihet që koha e namazit të sabahut hynë kur shfaqet agimi i vërtetë në horizont. Kështu, agimi i vërtetë është vendosur si sebeb për hyrjen e kohës së sabahut dhe obligimin e këtij namazi. Nëse namazi i sabahut falet para shfaqjes së kësaj shenje (sebebi), quhet i pavlefshëm dhe duhet përsëritur pas hyrjes së kohës. Edhe nëse llogaritë e padiskutueshme astronomike tregojnë se është koha e agimit, përderisa agimi i bardhë i vërtetë nuk është shfaqur në horizont, koha e faljes së namazit nuk hynë derisa të shfaqet realisht në horizont, sepse Allahu ka vendosur si sebeb për hyrjen e kohës së sabahut shfaqjen e kësaj shenje. Nëse dikush do caktonte kohën e sabahut në bazë të llogarive para shfaqjes së kohës së tij në horizonte, dhe do të pretendonte se edhe pse nuk është shfaqur agimi në sabah koha ka hyrë, ky veprim do të quhej bidat dhe ndryshim i një rregulli të fesë. Për këtë arsye themi se është bidatë bazimi në kalendarët apo në orat e dorës që caktojnë kohët e namazit, duke i zëvendësuar me shenjat (sebebet) që ka caktuar Sheriati për hyrjen e kohës së namazit nëse ky zëvendësimi bën që të thirret ezani apo të falet namazi para kohe, ndërsa nëse përdorimi i kalendarët apo orës së dorës bëhet thjeshtë për lehtësim, por jo si bazë në vend të shenjave të vendosura nga Sheriati dhe as si shkak që namazi e ezani të kryhen para kohe, kjo është çështje tjetër. Ashtu sikurse për hënën e re edhe për kohën e namazit të sabahut ka mjaft faktorë klimatik, atmosferik, lokalë, gjeogkrafik dhe stinorë të cilët e bëjnë të vështirë të ketë llogaritje të saktë për kohën e shfaqjes së agimit. Ky është problemi pse kalendarët në përgjithësi e kanë caktuar më herë kohën e sabahut, ndonëse disa kalendare e kanë mjaft të theksuar gabimin edhe për shkak të një bidati tjetër që thotë se është mirë të mbyllet syfyri për siguri njëzet minuta para kohe, një bidat ky për të cilin ka folur dhe Ibn Haxheri në ‘Fethul Bari’.
– Sebebi (shenja) që ka vendosur Sheriati për hyjren e kohës së namazit të drekës është animi i diellit nga zeniti. Kjo shenjë kuptohet kur hija e objektit pas arritjes në pakësimin maksimal, fillon dhe rritet sadopak me një rritje të kapshme me sy të lirë. Ibn Abdil Berri ka përmendur se për këtë fakt ka ixhma të dijetarëve. Nëse llogaritë e nxjerrin se dielli ka anuar nga zeniti, por në tokë ende nuk dallohet me sy të lirë fillimi i rritje së hijes, koha nuk ka hyrë. Diferanca mes animit real të diellit dhe shfaqjes në tokë mund të jetë fare pak minuta sepse hija është gjithnjë në lëvizje, pavarësisht se në kohën e zevalit kur dielli është në kupën e qiellit pakësimi dhe rritja nuk janë të dallueshme. Neveviu ka përmendur në Mexhmu’ se nëse dikush e merr tekbirin fillestar pas animit të diellit nga zeniti në realitet, por para se të shfaqet zevali (rritja e hijes), namazi nuk i quhet i vlefshëm. E njëjtë gjë, thotë ai, vlen dhe për namazin e sabahut dhe namazet e tjera.
Por këtu duhet të kemi parasyshë se, për sa i përket vlefshmërisë së ibadetit, dijetarët nuk e kanë trajtur njësoj gabimi në faljen e namazit para kohë me gabimin në fillimin e muajit të agjërimit. Ata thonë se nëse dikush e ka falur namazin gabimisht para kohe, dhe pastaj mëson se e ka falur para kohe, namazi nuk i quhet për farz, kështu që duhet ta përsërisë atë. Këtë e ka thënë Ibn Kudame ne ‘Mugni’ dhe Behuti në ‘Reudul Murrbi’, kurse Ibn Kasim në ‘hashije-n’ e librit të fundit’ përmend se për këtë gjë ka ixhma të dijetarëve. Ndërsa nëse muaji i agjërimit fillohet gabim, e më pas mësohet diçka e tillë, agjërimi quhet i saktë. Janë disa raste gabimesh që mund të ndodhin qoftë edhe kur autorite e shpall muajin në bazë të shikimi të hënës dhe jo në bazë të llogaritjes që tregon mundësinë e shikimi të saj. Kjo është një nga pikat ku ndryshojnë rregullat e kohës së agjërimit nga rregullat e kohës së namazit, pra jo në të gjitha pikat janë njësoj, prandaj nuk është e saktë të vihet shenja e barazimit në të gjitha gjërat. Për urtësinë e këtij ndryshimi mbase do të flas në një material tjetër inshaallahu. Si argument për këtë ndryshim kemi hadithin e Ebi Hurejres: “Agjërimi fillon ditën kur ju filloni agjërimin, fitër bajrami bëhet në ditën kur ju bëni fitër bajram dhe kurban bajrami bëhet në ditën kur ju bëni kurban bajram”.
– Ka raste kur njeriu ndodhet në nja majë mali ose në një shkretëtirë, kur të dhënat e llogarive astronomike, programet e llogaritjeve kompjuterike apo aparatet që japin në mënyrë automatike pozicionin e trupave qiellore, tregojnë se dielli është nën horizont, ndërkohë që dielli shihet me sy, pra me vëzhgimin e syrit të lirë dielli akoma nuk ka perënduar; a i lejohet njeriut në bazë të kësaj llogaritjeje të falë akshamin dhe të çel agjërimin, edhe pse diellin e sheh me sy!? E njëjta gjë ndodh dhe me lindjen e diellit, pasi llogaritja mund të tregojë se dielli ka lindur ose jo, ndërkohë që nuk përputhet me vëshgimin me sy të lirë, atëherë a mund të merret këtu llogaria si bazë për namazin e sabahut?
Le të kthehemi tani përsëri tek përgjigja për paqartësinë e pestë. Sa i përket thënies së Ibn Dekik el Id se ‘nëse llogaria tregon se hëna ka dalë në një mënyrë që mund të shihet me sy, duhet të agjërohet’ themi se ky është qëndrimi i tij i cili sikurse dijetarët e tjerë para dhe pas tij ka rënë në kundërshtim me hadithin e Ibn Umerit që mohon bazimin në llogaritje, por edhe me ixhmain e sahabëve, kështu që nuk mund të merret parasyshë.
Për punën e astrologjisë themi se edhe pse llogaritë e kohës nuk kanë të bëjnë me parashikimin e gjërave të fshehta në të ardhmen, përsëri nuk lejohet bazimi në to, sepse Sheriati ka vendosur sebeb shikimin dhe jo llogaritjen.
Paqartësia e gjashtë: Pejgamberi a.s. thotë: “Agjëroni kur të shihni hënën dhe prisheni agjërimin po kur të shihni hënën. Nëse nuk arrini ta shihni atë për shkak se qielli është i vrenjtur, atëherë llogaritni plot tridhjetë ditë”[8]. Ky hadith ka përmendur një qëllim dhe ka caktuar edhe një mjet për arritjen e tij. Qëllimi i hadithit është i qartë, pra që të agjërohet ramazani i plotë, pa lënë asnjë ditë prej tij ose pa agjëruar një ditë prej një muaji tjetër si shabani ose shevali, duke vërtetuar hyrjen dhe daljen e muajit me një mjet që e kishte të mundur masa e njerëzve të asaj kohe pa ndonjë vështirësi në fe. Në atë kohë shikimi i hënës me sy ishte mjeti i lehtë dhe i mundshëm për njerëzit në përgjithësi, ndaj dhe hadithi caktoi këtë mjet, sepse po ti ngarkonte të përdornin një mjet tjetër si llogaritja astronomike ndërkohë që ymeti nuk dinte të bënte llogari, do ti vinte në vështirësi, por siç dihet Allahu do për ymetin të lehtën. Kështu, nëse gjendet një mjet tjetër që e plotëson më mirë qëllimin e hadithit pa pasur mundësi gabimi, iluzioni dhe gënjeshtre në hyrjen e muajit, ndërkohë që ky mjet është bërë i lehtë për ymetit ngaqë ka ekspertë astronomie, atëherë përse t’i qëndrojmë ngurtë mjetit, kur ai nuk është qëllim në vetvete, dhe të lëmë jashtë vëmendjes qëllimin e hadithit!? Hadithi tregon se hyrja e muajit vërtetohet me lajmin e një dëshmitari ose dy dëshmitarëve të cilët pretendojnë se kanë parë hënën me sy të lirë, sepse ky ishte mjeti i mundshëm dhe i përshtatshëm për nivelin e ymetit në atë kohë, por si mund të përfytyrohet se hadithi refuzon një mjet që jep të dhëna të sigurta pa aspak mundësi gabimi dhe gënjeshtre. Me këtë mjet mund të bashkohet ymeti në lindje dhe në perëndim, por shuhen dhe diferencat në fillimin e agjërimit, bajram dhe në festa, aq sa diferenca nga një vend në një vend tjetër ka arritur deri në tre dit. Bazimi në të dhënat e llogartijes duhet të pranohet edhe duke marrë pasyshë parimin që tregon se përderisa suneti pranon një mjet që nuk përjashton mundësinë e dyshimit dhe gabimit, është më e arsyeshme dhe më parësorë të mos refuzojë një mjet si llogaria astronomike që e përmbush qëllimin më mirë.
Përgjigja: Së pari, ky arsyetim është në kundërshtim me hadithin që tekstualisht mohon dhe ndalon bazimin në llogari, kështu që bie poshtë. Pejgamberi thotë: “Ne jemi një ymet analfabet që nuk shkruajmë dhe nuk bëjmë llogaritje”. Së dyti, është në kundërshtim me ixhmain e sahabëve. Së treti, në ‘usulul fikhi’ për një rregull të tillë përdoret termi ‘sebeb’ dhe jo ‘vesile-mjet’. Në përkufizimin e ‘sebeb-it’ dijetarët e ‘usuli-t’ thonë se është shenja (ose objekti) që, në mënyrë të vetvetishme, kur ekziston, ekziston edhe dispozita ligjore që lidhet me të, e kur nuk ekziston, nuk ekziston as dispozita ligjore që lidhet me të. Sebebe (ebjekte prej të cilëëve rrjedhin dipsozitat ligjore) përshembull janë: shfaqja e agimi të vërtetë për hyrjen e kohës së sabahut, animi i diellit për hyrjen e kohës së namazit të ylesë, shikimi i hënës për hyrjen e muajit. Këto janë sebebe të vendosur nga Sheriati, dhe nëse mungojnë këto sebebe, mungojnë dhe dispozitat që lidhen me to. Kësisoj, nëse ende nuk është shfaqur koha e agimit, nuk ka hyrë koha e sabahut, edhe nëse llogaritë e sigurta thonë se ka hyrë koha! Nëse dikush do të thotë se ç’problem ka të caktohet koha e faljes pak minuta më përpara për lehtësim, themi se kjo bën të ndryshohet koha e namazit, e kështu të falet namazi para kohe, atëherë ç’kuptim ka caktimi i kohëve të namazit nga Sheriati dhe vendosja e shenjave për to. Nëse dikush thotë se me llogaritje koha e namazit mund të caktohet në të njëtjën kohe me treguesit e shenjave që ka vendosur Sheriati, themi se praktikisht per kohën e namazit të sabahut, akshamit dhe jacisë kjo nuk është e mundur, por edhe nëse është e mundur, llogaritja e kalendarit ose orës së dorës do të shërbejë thjesht si një mjet lehtësues, ndërsa për të mësuar nëse është në rregull kalendari apo ora e dorës për bazë duhet të merren vetëm shenjat e Sheriatit, se në të kundërt ne bimë në bidatë duke ndryshuar kohën që ka caktuar Allahu për namazet nëpërmjet shenjave të vendosura për to. E njëjta gjë vlen dhe për fillimin dhe mbarimin e muaji të agjërimit. Sheriati ka vendosur si sebeb (shenjë) shikimin e hënës me sy, kështu që para kësaj kohe nuk duhet të shpallet hyrja e muajit, sepse përbën ndryshim të kohë së ibadetit, qoftë edhe nëse hëna është nën re. Nëse dikush do të thotë se përderisa llogaritë na japin informacion të sigurtë që hëna mund të shihet, por kushtet e motit nuk lejojnë shikimin e saj, atëherë ç’problem ka të shpallet hyrja e muajit, aq më tepër që një mendim i dijetarëve thotë se nëse qielli është i vrenjtur duhet të agjërohet dita e nesërme, sepse mundet që hëna të jetë nën re. Për këtë përgjigjemi në disa aspekte: I pari: Kur nuk shihet hëna, Sheriati ka urdhëruar të plotësohet muaji tridhjetë ditë, dhe jo të caktohet me llogari se është apo jo nën re, pra në këtë rast shpallja e muaji para plotësimit të tridhjetë ditëshit, do të thotë të ndryshosh shenjën dhe rregullin duke e shpallur një ditë më përpara. I dyti: Dijetarët që thonë se agjërohet dita e nesërme e natës së vrenjtur, nuk bazohen në llogari, por nisen nga mendimi se muaji fillon atëherë kur hëna shfaqet në qiell, edhe nëse nuk arrin kush ta shohë me sy, dhe kështu e agjërojnë për siguri, por ky qëndrim nuk është i saktë, sepse muaji fillon atëherë kur bëhet publik te njerëzit siç e kemi sqaruar disa herë më lart. Në fakt, qëndrimi i këtyre dijetarëve të hershëm ju jep njëfarë paqartësie dijetarëve që bazohen në llogaritë të cilat tregojnë se mund të shihet hëna e re, por për mënjanimin e kësaj paqartësie majfton të kemi parasyshë faktin që ky qëndrim, së pari, bie ndesh me hadithet që thonë se plotësohen tridhejtë dit, dhe së dyti, bie ndesh dhe me faktin që muaji hynë atëherë kur e marrin vesh njerëzit, edhe nëse hëna është shfaqur në qiell. I treti: Edhe nëse të dhënat e llogarive mbi pozicionin e hënës janë të sigurta, hadithet kanë vendosur si shenjë shikimin e hënës me sy, për të cilin nuk mund të ketë kritere të sakta llogarie, e jo ekzistencën e hënës në një pozicion ku mund të shihet me sy, kështu që nëse hëna nuk shikohet, shpallja e hënës mbi bazën e kësaj llogaritje është shpallje para kohës së caktuar nga Sheriati. Këtu mund të shtrohet dhe një pyetje tjetër: Po nëse llogaritja jep informacion të sigrutë, jo vetëm mbi mundësinë e shikimit të hënës së re, por edhe mbi shikimin real të saj, a lejohet bazimi në të? Më lart përmenda se praktikisht kjo është e pamundur, sepse ka shumë faktorë që ndikojnë në mundësinë e shikimit të hënës, kështu që nuk mund të ketë kritere të sakta për këtë gjë, por edhe nëse do të supozohej se mund të ketë llogaritje të tillë të saktë, përsëri themi se llogaritja nuk mund të shërbejë si bazë në vend të shikimit, por shikimi është ai që tregon nëse llogaritja është e saktë apo jo, kështu që llogaritja nuk duhet të ketë asnjë efekt për shpalljen e hyrjes së muajit. Edhe pse pretendohet se të dhënat e llogartijes janë të sigurta mbi mundësinë e shikimi të hënës, praktikisht kemi konstatuar se në majft raste muaji në bazë të llogarive është shpallur gabim një ditë përpara ose një ditë prapa asaj për të cilën tregon mënyra e ligjshme. Me pak fjalë, ky mendim hap portën e ndryshimit të sebebeve me të cilat Sheriati ka lidhur kohën e riteve fetare, dhe kështu përshembull koha e namazit mund të bëhet pak më përpara, ndërsa për agjërimin dikush mund të thotë se duhet ta shpallim menjëherë kur lind hëna astronomikisht dhe jo kur ekziston mundësia astronomike e shikimit të saj, dhe kështu e shpall muajin dy ditë më përpara kohës së tij. Së katërti, po e marrin të mirëqenë faktin se shikimi i hënës me sy është thjesht një mjet, por ky është një mjet që e ka caktuar Sheriati dhe ka lidhur me të kohën e ibadetit. Mjetet e caktuar nga sheriati për ibadetet nuk lejohet të ndryshohen, ndryshe nga gjërat për të cilat Sheriati nuk ka caktuar ndonjë mjet. Përshembull, për shpalljen e hyrjes së muajit të agjërimit Sheriati ka caktuar si mjet shikimin e hënës, prandaj nuk lejohet të ndryshohet, aq më tepër që ndryshimi mund të çojë dhe në ndryshimin e kohës së caktuar të ibadetit, ndërsa përshembull, për përcjelljen e lajmit të shikimit të hënës dhe hyrjes së muajit Sheriati nuk ka caktuar ndonjë mjet lajmërimi, kështu që vlen çdolloj mjeti lajmërimi i ligjshëm dhe i sigurtë, përfshi dhe mjetet e kohës, pa kufizim, pasi kufizimi në këtë rast është arbitraritet, po kështu dhe për përcjelljen e davetit tek njerëzit vlen çdolloj mjeti i ligjshëm, dhe jo vetëm mjetet ekzistuese në kohën e Pejgamberit a.s. Së pesti, shikimi i hënës nuk është si çdolloj mjeti tjetër, sepse Sheriati ka lidhur me të kohën e ibadetit të agjërimit, kështu që shikuar në këtë këndvështrim vrojtimi i hënës së re është dhe një punë me të cilën njeriu kërkon shpërblim te Allahu, është pjesë e Sunetit të Pejgamberit a.s. Ibn Ebi Eufa tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Robërit më të mirë të Allahut janë ata që vrojtojnë diellin, hënën, yjet dhe hijet për dhikrin (ibadetin) e Allahut të Lartësuar.” Sjellë nga Taberaniu. Albani thotë se është i saktë.
Ndërsa bashkimi i muslimanëve të të gjithë botës në fillimin e muajit dhe në bajram nuk bëhet duke u bazuar në llogari, por duke ndjekur mënyrën që ka caktuar Sheriati për shaplljen e fillimit të muajit. Kështu, nëse në një vend vërtetohet hyrja e muajit në bazë të shikimit të hënës edhe vendet e tjera duhet ta shpallin agjërim. E nëse nuk shikohet hëna në asnjë vend, atëherë të gjithë duhet ta plotësojnë muajin tridhejtë ditë.
Paqartësia e shtatë: Ahmed Shakir ka arsyetuar me faktin se thënia e Pejgamberit a.s. “Ne jemi një ymet analfabet që nuk shkruajmë dhe nuk bëjmë llogaritje” është motivi (il-le-shkaku) i rregullit të bazimit në shikmin e hënës për vërtetimin e hyrjes së muajit. Pra, motivi i këtij rregulli, sipas tij, është mospasja e ymetit dijeni mbi llogaritjen e hyrjes së muajit. Në rastin kur dispozita ligjore ka një motiv, ajo ëshë në fuqi kur ekziston motivi dhe bie nga fuqia kur nuk ekziston motivi. Duke qenë se Pejgamberi a.s. e ka motivuar rregullin e bazimit në shikimin e hënës me faktin që ymeti nuk ka dijeni mbi llogaritjen, nëse ymeti arrin të bëjë llogari të sakta, rregulli i bazimit në shikimin e hënës bie dhe duhet të merret për bazë llogaritja, përderisa kjo jep të dhëna më të sakta dhe më të sigurta sesa shikimi.
Përgjigja: Së pari, ky arsyetim bie ndesh me ixhmain e sahabëve në kuptimin e këtij hadithi dhe të haditheve të tjera. Së dyti, për shkak se ymeti nuk kishte njohuri mbi llogaritjen Pejgamberi a.s. e la mënjanë atë dhe caktoi si sebeb (shenjë) për hyrjen e muajit shikimin e hënës, kështu që sebebi që ka caktuar Pejgamberi a.s. nuk mund të ndryshohet më deri në ditën e gjykimit, edhe pse ymeti bëhet me dijeni në fushën e llogaritjes astronomike. Më lart sqarova se përse nuk mund të ndryshohen sebebet që ka vendosur Sheriati. Kështu, Pejgamberi a.s e ka lënë krejtësisht mënjanë llogaritjen për këtë punë dhe ka caktuar një shenjë tjetër. Dihet që për kohën e ibadetit nevojiten shenja fillimi dhe mbarimi. Duke qenë se ymeti nuk kishte njohuri mbi llogaritjen astronomike, Sheriati caktoi një shenjë tjetër, e cila është shikimi, një shenjë kjo që nuk mund të bjerë dhe nuk mund të ndryshohet, ashtu sikurse nuk mund të ndryshojnë dhe shenjat e kohëve të namazit, sado të përparojë ymeti në llogaritjet astronomike. Është e vërtetë që në rastin kur një dispozitë ligjore është e lidhur me një motiv, të qenët e saj në veprim ose jo varet nga ekzistenca e motivit, por çështja këtu është krejt ndryshe, sepse Pejgamberi a.s. e mohon bazimin e ymetit në llogaritje, duke vendosur një sebeb (shenjë) tjetër për kohën e ibadetit, kështu që tashmë norma e hyrjes së kohës së ibadetit rrjedh nga ky sebeb dhe nuk ka të bëjë fare me llogaritjen. Nëse Sheriati do të kishte caktuar si sebeb llogaritjen, atëherë mund të thuhet se norma ligjore është në veprim kur llogaritja tregon hyrjen e kohës dhe nuk është në veprim kur llogaritja tregon se nuk ka hyrë koha. Vetëm në këtë mënyrë mund të kishte njëfarë domethënie, nga pikpamja e usul fikhut, arsyetimi i shejh Shakirit, por siç u tha më lart Sheriati nuk e ka caktuar llogaritjen si sebeb, kështu që arsyetimi është krejt i pavlefshëm. Përveç që dijetarët e usulul fikhut përmendin edhe njëfarë ndryshimi mes “il-les” dhe sebebit. Shikimi i hënës së re është sebeb për hyjren e muajit. Parimi thotë se norma ligjore vërtitet me motivin e saj në veprim dhe në mosveprim, kurse shejh Shakiri thotë se sebebi rrëzohet për shkak të mungesës së motivit të vendosjes së tij si shenjë, e kjo jo vetëm që nuk ka të bëjë me këtë rregull, por nuk kam dijeni se ka ndonjë rast tjetër të ngjashëm me të në Sheriat.
Së fundi po shkëpus një pjesë nga sqarimet e Ibn Teujmijes në Mexhmul fetava, ndonëse citati është i gjatë, por është i dobishëm: “Shpesh ndodh që të humbë e vërteta mes të paditurve, dhe mes atyre që keqinterpretojnë fjalët e Allahut të cilët kanë një degë nifaku, sikurse thotë Allahu i Lartësuar për ithtarët e librit: “Vërtet, shpresoni ju (besimtarë) se ata (hebrenjtë) do t’ju besonin ju, ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!” e deri në thënien e Tij: “Disa prej tyre janë analfabetë, nuk e njohin librin, përveç disa lexime (pa kuptimin e domethënies) dhe flasim vetëm me hamendje” [el Bekare: 75-78].
Përderisa Pejgamberi a.s. ka lajmëruar se ky ymet do të ndjekë rrugët e popujve para tij, e kjo do të thotë se do të ketë në këtë ymet të tillë që do të shtrembërojnë kuptimin e fjalëve, pra do të ndryshojnë kuptimin e lajmeve dhe urdhërave të Kuranit dhe Sunetit. Do të ketë mes tyre edhe analfabetë që nuk e kuptojnë Kuranin dhe Sunetin, madje që hamendësojnë se leximet me të cilat merren dhe njohuria e përciptë që kanë mbi tekstet është kulmi i dijes dhe devocionit fetarë! Këta analfabetë mund të bëjnë edhe dialog me ata që shtrembërojnë kuptimet, me munafikët dhe me kafirët, ndërkohë që këta të fundit kanë dituri edhe mbi gjëra që nuk i dinë analfabetët. Për pasojë, mund të humbin të dyja grupet, ngaqë diskutimi i analfabetëve bëhet shkak për humbjen e të tjerëve të cilët mendojnë se ajo që thonë analfabetët është kulmi i dijenisë fetare, e kështu kalojnë në dy ekstreme të kundërta. Ka mundësi që edhe analfabetët të ndjekin shtrembëruesit e kuptimeve në një pjesë të devijimeve të tyre. Kjo në fakt është prej shkaqeve të ndryshimit të feve, porse kjo fe është e mbrojtur, sikurse thotë Allahu: “Vërtet, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri” [el Hixhër: 9].Një grup nga ky ymet do të vazhdojë të jetë i shtrënguar pas të vërtetës dhe triumfues. Kështu këtij ymeti nuk ka për t’i ndodhur ajo që u ndodhi feve të tjera si: shtrembërimi i librave dhe ndryshimi i plotë i ligjeve, sepse Allahu do t’ua mundësojë të thonë të vërtetën atyre që kanë argumentet dhe faktet e qarta të Allahut të cilët ngjallin të vdekurit me librin e Allahut dhe sqarojnë të verbërit me dritën e Tij. Toka nuk do të mbetet pa njerëz që, për hirë të Allahut, thonë të vërtetën, në mënyrë që të mos zhvlerësohen argumentet dhe faktet e qarta të Allahut. Për shkrimin e kësaj hyrjeje më shtyri fakti se kam parë që disa njerëz për muajin e agjërimit, por edhe për muaj të tjerë, dëgjojnë ato që thonë të paditurit e llogarive astronomike: nëse do të shihet hëna apo jo, e për rrjedhim mbështeten në këto llogari: ose në fshehtësi, ose edhe në fshehtësi edhe në dukje. Çështja ka arritur deri në atë masë sa jam informuar se ka gjykatësa që refuzojnë një numër dëshmitarësh të drejtë për shkak të pretendimit të llogaritarit të paditur e gënjeshtar se shihet apo nuk shihet hëna. Me këtë gjë një gjykatës i tillë bëhet prej atyre që mohojnë të vërtetën mbasi janë vënë në dijeni për të. Ka gjykatësa që pranojnë edhe dëshminë e atij që nuk është i besueshëm për shkak të pretendimit të llogaritarit, e kështu bëhen prej atyre që dëgjojnë e thonë gjëra të rreme, sepse ajeti i parapërmendur përfshin gjykatësit e këqinj, sikurse tregon konteksti, ku Allahu thotë: “Ata janë dëgjues të gënjeshtrës dhe ngrënës të pasurisë haram” [el Maide: 42]. Gjykatësit e këqinj pranojnë gënjeshtrën prej dëshmitarëve dhe lajmëtarëve, fjala e të cilëve nuk lejohet të pranohet. Ata hanë edhe haramin, si ryshfetin etj.
Ka edhe gjykatës të tillë që nuk e pranon atë që thotë astrologu (llogaritari), as në fshehtësi e as në dukje, por ka në zemër dyshim të fortë, sepse nga njëra anë ka besim në llogaritë e astrologut dhe nga ana tjetër vëren se Sheriati nuk e ka marrë parasyshë, sidomos kur ky gjykatës ka edhe njëfarë njohuria mbi llogarinë, lëvizjen dhe poziciontet e diellit dhe të hënës, si dhe mbi shkakun e formimi të hënës së re, hënës së plotë, zhdukjes së hënës, ekslipsit të diellit dhe eklispsit të hënës. Kështu, mendon se edhe llogaritë, që bën llogaritari gënjeshtar i cili nuk ka dijeni mbi shikimin e hënës, janë njësoj si këto të dhëna. Por nga ana tjetër këta që sjellin informacion të saktë mbi llogaritjen e disa fenomeneve natyrore, formën e trupave qiellorë dhe lëvizjen e tyre, mund të hasin në kundërshtimin e disa të paditurve analfabetë që i pëkasin besimit Islam, ose që u përkasin njerëzve të dijes fetare. Kështu, pala e fundit duke parë që pala e parë ka kundërshtuar fenë me mbështetjen në llogaritë astronomike për hënë e re, ose me pasimin e rregullsive të yjeve në ndikimi e tyre të mira dhe të këqija, mendojnë se përderisa ata merren me këto gjëra që janë të ndaluara në fe, atëherë të gjitha të dhënat e tyre janë të kësaj kategorie, duke mos bërë dallim me të vërtetës, për të cilën tregojnë si tesktet fetare edhe logjika, dhe mes të pavërtetës e cila bie ndesh me tekstet fetare dhe me logjikën. Megjithëkëtë pala e fundit është në një gjendje më të mirë fetare sesa e para, sepse pala e fundit mohon diçka prej të vërtetës me interpretim dhe padituri, por pa ndryshuar disa prej parimeve të Islamit, kurse pala e parë mund të përfshihen në ndryshimin e Islamit. Kjo për vetë faktin se dihet domosdoshmërisht prej fesë Islame që nuk lejohet bazimi në të dhënat e llogoritarit astronomik për shikimin e hënës së re të agjërimit, haxhit, idet-it, ila-së e të tjera rregulla që kanë të bëjnë me hënën e re, nëse shihet hëna e re apo jo. Tekstet nga Pejgamberi a.s. që tregojnë se nuk lejohet kjo gjë janë të shumta. Ka ixhma të muslimanëve për këtë fakt. Për këtë çështje nuk njihet asnjë kundërshtim i hershëm, por as i ri. Me përjashtim të një nxënësi fikhu që u shfaq pas shekullit të tretë të hixhretit i cili doli me pretendimin se kur nuk shihet hëna e re për shkak të kohës së vrenjtur, i lejohet llogaritarit që të marrë për bazë llogaritë për vetveten, e kështu sipas tij nëse llogaritë tregojnë se shihet hëna e re, agjëron, në të kundërt, nuk agjëron. Ky mendim edhe pse e kufizon mbështetjen në llogari vetëm me kohën e vrenjtur dhe vetëm për llogaritarin, ai është jonormal dhe i paraprirë nga ixhmai që bie ndesh me të. Ndërsa mendimin për pasimin e të dhënave të llogarive edhe në kohë të kthjellët, apo lidhjen e rregullit të përgjithshëm me të, nuk e ka thënë asnjë musliman” [Me pak shkurtime nga Mexhmuul fetava v.25].
Ibn Tejmijes këtu flet për faktin që nuk i lejohet halifit, gjykatësit apo autoritetit ta shpallë hyrjen e muajit mbi bazën e llogaritjes, ndërsa në një vend tjetër në mexhmuul fetava ai ka sqaruar se nëse prijësi apo gjykatësi ua shpall njerëzve muajin gabim, e për pasojë njerëzit e fillojnë gabim, individët do ti bashkohen xhematit në hyrjen e muajit të ramazanit, në bajram, në ditën e Arafatit dhe në kurban bajram, në bazë të hadithit të Ebi Hurejres: “Agjërimi fillon ditën kur ju filloni agjërimin, fitër bajrami bëhet në ditën kur ju bëni fitër bajram dhe kurban bajrami bëhet në ditën kur ju bëni kurban bajram”. Këtë hadith e kam shpjeguar në një material tjetër.
Përpiluar nga Ismail Bardhoshi
[1] Ahmed Shakir, Allahu e mëshiroftë, është një ndër dijetarët dhe muhadithët më të mëdhenj të kohës sonë. Ka shkruar disa libra dhe ka shqyrtuar disa prej librave të sunetit. Edhe Shejh Albani ka pas konisderatë të veçantë për të. Ai ka përpiluar një broshurë mbi fillimin e muajve arabë, ku sqaron qëndrimin e tij. Kuptohet që në këtë gabim ka rënë me ixhtihad të gabuar. Ibn Tejmje ka përmendur në Mexhmuul fetava dy grupe: Grupi i parë janë ata të cilët e llogarisin muajin duke marrë parasyshë muajt e tjerë para tij, e duke marra parasyshë vetëm numrin, pra këta ecim me llogaritjen e numrit dhe jo të hënës së re. Për këta thotë se janë bidatçij dhe të dalë nga Sheriati Islam. Grupi i dytë janë ata që e interpretojnë thënien e Muhamedit në hadithin e Ibn Umerit: “Merrni parasyshë llogarinë e caktuar për hënën e re” me kuptimin që fillimi i muajit të caktohet me llogari duke marrë parasyshë pozicionet e hënës. Nga ky kategorizim që bën Ibn Tejmije kuptojmë se nuk ka dyshim që edhe qëndrimi i grupit të dytë është bidat dhe ndryshim i një rregulli të fesë, por gabimi i tyre nuk është si devijimi i grupimit të parë. Disa fukaha të Basras, thotë Ibn Tejmije, kanë qenë me mendimin e fundit. Do të përmendet më pas se edhe shpjegimi i këtyre fukahave bie ndesh me ixhmain e sahabëve në kuptimin e këtyre haditheve.
[2] Shënojnë Buhariu, Muslimi dhe autorët e katër ‘Sunen’-eve, nga Abdullah Ibn Omeri.
[3] Shënon Buhariu, i përcjellë nga Ebu Hurejra.
[4] Shënojnë Maliku, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu nga Ibn Abasi. Këtë hadith e shënon edhe Muslimi nga Ebu Hurejra.
[5] Shënojnë Buhariu, Muslimi dhe autorët e katër ‘Sunen’-eve, nga Abdullah Ibn Omeri.
[6] Ibn Rushd thotë: “Disa selef kanë qenë të mendimit se nëse nuk shihet hëna e re për shkak të kohës së vrenjtur merret për bazë llogaritja e pozicionit të diellit dhe të hënës. Ky është mendimi i Mutarrif Ibn Shehir i cili është një tabiin i madh” [Bidajetul Muxhtehidi].
[7] Shiko Mexhmuul fetava v.25 dhe el guluvu fid dini fi hajatil muslimine el muasire.
[8] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Leave a Reply