Urtësitë e krijimit të Iblisit (shejtanit)

Urtësitë e krijimit të Iblisit (shejtanit)

Iblisi u prish njerëzve fenë, bindjet fetare, prirjet, dëshirat dhe punët. Ai është shkak për mjerimin e shumë njerëzve. Ai i nxit njerëzit të bëjnë punë që zemërojnë Allahun. Ai angazhohet të kryhen ato gjëra që nuk i pëlqen Allahu. Megjithëkëtë, nëpërmjet Iblisit realizohen shumë gjëra që i pëlqen Zoti i Lartësuar. Këto gjëra të pëlqyeshme kanë ardhur si rezultat i krijimit të Iblisit. Zoti i Lartësuar e pëlqente ekzistencën e këtyre gjërave të mira e të pëlqyeshme më shumë sesa mungesën e tyre. Të mirat që u realizuan me krijimin e Iblisit janë më shumë se të këqijat që ai ka. Siç e sqaruam, Zoti i Lartësuar pëlqen të mirat që realizohen me krijimin e shejtanit e që nuk mund të realizoheshin pa të, por jo të këqijat që ka shejtani. Më poshtë po përmendim disa nga këto të mira që i pëlqen Zoti e që arrihen përmes krijimit të Iblisit:

E para: Zoti i Lartësuar u shfaqi njerëzve fuqinë e Vet për krijimin e gjërave të përkundërta. Zoti i Lartësuar krijoi Iblisin, i cili është qenia më e keqe dhe shkaku i çdo të keqeje, dhe përkundër me të, krijoi melekun Xhibril, i cili është një qenie krejt e mirë dhe e dëlirë, që nxit vetëm për mirë. Zoti e shfaqi fuqinë e Tij edhe në krijimin e gjërave të tjera të përkundërta si: dita dhe nata, sëmundja dhe ilaçi, jeta dhe vdekja, e bukura dhe e shëmtuara, e mira dhe e keqja, gëzimi dhe hidhërimi, kënaqësia dhe dhimbja. Kjo është një nga shenjat e qarta të plotfuqishmërisë dhe sundimit absolut të Allahut të Lartësuar. Zoti i Madhërueshëm i vuri këto gjëra të kundërta përballë njëra-tjetrës, duke i bërë objekte ku vepron, rregullon dhe organizon. Nëse nuk do të gjendeshin fare disa nga këto krijesa, nuk do të shfaqej urtësia e Zotit dhe as absolutësia e Tij në kryerjen veprimeve e në rregullimin e punëve të mbretërisë së Tij.

E dyta: Zoti shfaqi rrjedhimet e atributeve të tilla si: të qenët i pamposhtshëm, të qenët i zoti për hakmarrje, drejtësia, ndëshkimi i ashpër, fakti që ul dhe poshtëron kë të dojë prej krijesave etj. Këto janë atribute absolute, kështu që patjetër do të gjendeshin llojet e krijesave, tek të cilat shfaqen gjurmët e tyre. Sikur xhinët dhe njerëzit të kishin natyrën e melekëve, nuk do të shfaqeshin gjurmët e këtyre atributeve.

E treta: Allahu i Lartësuar shfaqi gjurmët e atributeve të tilla si: durimi, butësia, falja dhe mëshira që përfshin gjithçka. Nëse nuk do të ishin krijuar faktorët që shpien në shfaqjen e rrjedhimeve të këtyre atributeve, nuk do të ishin vënë në veprim këto atribute dhe nuk do të realizoheshin këto gjëra të dobishme për krijesat. Pejgamberi (a.s.) thotë: “Betohem për Atë që ka në dorë shpirtin tim, sikur ju të mos bënit gjynahe, Allahu do t’u zhdukte juve, dhe pastaj do të sillte një popull tjetër që bëjnë gjynahe, kërkojnë falje dhe Allahu ua fal gjynahet” (Muslimi). Kështu për të falur dhe për të treguar butësi e durim, Allahu i Lartësuar i krijoi njerëzit me natyrën si gabimtarë dhe gjynahqarë. Edhe Iblisi, që nxit njerëzit për gjynahe, u krijua me qëllim që të shfaqen këto atribute hyjnore (të Zotit), si dhe gjurmët e tyre te krijesat. Për të shfaqur durimin dhe bujarinë, Allahu i Lartësuar ka krijuar edhe krijesa që i bëjnë shok, e kundërshtojnë, angazhohen në shkeljen e ligjeve të Tij dhe bëjnë punë që e zemërojnë Atë, madje ka krijesa që hyjnizojnë vetveten dhe krahasohen me Allahun. Megjithëkëtë, Allahu u jep të mira të llojllojshme dhe shëndet, ua mundëson të shijojnë kënaqësitë, ua pranon lutjet dhe ua largon të keqen. Allahu i trajton me mirësi dhe iu bën mirë, kurse ata e mohojnë, i bëjnë shok dhe kundërshtojnë ligjet e Tij! Pejgamberi ynë thotë: “Askush nuk bën durim më shumë se Allahu ndaj fjalës fyese që dëgjon: ata thonë se Zoti i Lartësuar ka fëmijë, ndërsa Zoti u jep shëndet dhe mjete jetese!” (Buhariu dhe Muslimi). Pejgamberi, gjithashtu, tregon se Allahu i Lartësuar ka thënë: “Më përgënjeshtron biri i Ademit! Ai nuk duhet të sillet kështu me Mua! Më fyen biri i Ademit! Ai nuk duhet të sillet kështu me Mua! Përgënjeshtrimi që më bën është pretendimi i tij se Unë nuk kam fuqi ta kthej edhe njëherë në jetë ashtu siç ishte! Fyerja që më bën është pohimi i tij se Unë kam fëmijë! Unë jam pa të meta; s’mund të kem as bashkëshorte dhe as fëmijë!” (Buhariu). Kështu, për arsye se pëlqen të falë, Allahu ka krijuar krijesa që janë të denja për t’i falur; për arsye se pëlqen durimin dhe butësinë, ai bën durim ndaj kundërshtarëve, u jep afat, nuk ngutet në dënimin e tyre; për arsye se pëlqen drejtësinë dhe urtësinë, ka krijuar krijesa tek të cilat shfaq drejtësinë dhe urtësinë e Tij; shfaq vendimet e Tij të drejta dhe veprat e Tij të urta; për arsye se pëlqen bujarinë, mirëbërjen dhe mirësinë Allahu ka krijuar krijesa që, edhe pse sillen keq me Të dhe kundërshtojnë mësimet e Tij, Ai (Allahu) i fal dhe u bën mirë. Nëse nuk do të ekzistonin krijesat që bëjnë gjynahe e shkelje, por edhe shejtani që i nxit për to, nuk do të ishin realizuar këto urtësi, arritje dhe qëllime të mira.

E katërta: Shfaqet urtësia e Allahut dhe dituria e Tij e hollësishme. Allahu tregon se është lavdiplotë; se është i denji për të gjitha lavditë. Zoti çdo gjë e vë në vendin e vet. Ai i jep çdo krijese gradën që i përshtatet. Veprimet hyjnore janë rrjedhim i diturisë përfshirëse, urtësisë dhe njohjes së hollësishme. Allahu krijoi gjërat e kundërta, duke i dhënë secilës vetitë dhe veçoritë që i shkojnë për shtat. Në këtë mënyrë Allahu shfaqi diturinë e Tij të hollësishme dhe realizoi punët e Tij të urta. Të gjitha krijesat do të dëshmojnë për veprimet e lavdishme të Allahut si: falja, mirëbërja, nderimi dhe bujaria. Të gjitha krijesat do t’i bëjnë lavdi Allahut për çdo krijim që ka bërë dhe për çdo ligj që ka vendosur. Krijesat, përfshi dhe kundërshtarët e Allahut, do t’i bëjnë lavdi Allahut për të gjitha veprimet dhe do ta lartësojnë Atë për atributet e larta. Allahu e pëlqen shumë lavdinë dhe lartësimin për veprimet e lavdërueshme dhe atributet e Tij të larta. Allahu është lavdiplotë. E gjithë lavdia i takon Allahut të Lartësuar. Allahu meriton lavdi për çdo krijim dhe për çdo ligj që bën. Atëherë, çdo krijim, veprim, punë, urdhër dhe ligj i Zotit tregon diturinë, urtësinë dhe lavdinë e Tij.

E pesta: Nëpërmjet Iblisit u bë e mundur të vihen në provë njerëzit, me qëllim që të ndahen njerëzit e mirë nga njerëzit e këqij. Allahu e krijoi njeriun prej toke. Ka lloje të ndryshme toke: tokë të lehtë e të butë, tokë të rëndë e të ashpër, tokë të mirë e prodhuese, tokë të keqe e joprodhuese. Origjina e njerëzve është dheu, kështu që domosdo do të shfaqet karakteri origjinal i secilit. Pejgamberi (a.s.) thotë: “Allahu e krijoi Ademin prej një grusht dheu që meleku e mori (me urdhër të Zotit) nga e gjithë faqja e tokës: kështu, bijtë e Ademit u bënë në të gjitha llojet e ngjyrave dhe karaktereve të tokës: ka njerëz të kuq, të bardhë, të zinj dhe me ngjyra të ndërmjetme. Ka njerëz me karakter të lehtë e të butë, ka njerëz me karakter të ashpër, ka njerëz të mirë dhe ka njerëz të këqij” (Shënon Tirmidhiu). Njerëzit e mirë do të ndjekin të Dërguarit e Allahut (s.a.u.s.), kurse njerëzit e këqij do të ndjekin shejtanin dhe grupin e tij. Këta faktorë ishin të domosdoshëm për t’u dalluar të mirët nga të këqijtë. Allahu thotë: “Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit” (Ali Imran: 179).

E gjashta: Profetët dhe miqtë e Allahut (besimtarët e devotshëm) arrijnë të përsosin adhurimin ndaj Allahut duke kundërshtuar shejtanin dhe palën e tij, si dhe duke kërkuar strehim tek Allahu prej shejtanit dhe dëmit e kurthit të tij. Përsosja e gradave të adhurimit sjell për të dërguarit dhe pasuesit e tyre mirësi të kësaj bote dhe të botës tjetër. Mirësi të tilla nuk mund t’i arrinin pa përsosjen e adhurimit. Disa lloje adhurimi për Allahun janë: sakrifica për hir të Tij, dashuria për Të, mbështetja tek Ai, durimi për hir të Tij, parapëlqimi i asaj që pëlqen Allahu ndaj gjithçkaje tjetër, kundërshtimi i dëshirave vetjake për hir të Allahut, dashuria dhe urrejtja për hir të Allahut, miqësimi dhe armiqësimi për hir të Allahut, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, pendimi (teubeja) tek Allahu dhe kërkimi falje prej Tij. Allahu pëlqen që adhuruesit e Tij të sakrifikojnë për Të, të kundërshtojnë dëshirat vetjake për hir të Tij, të përballojnë vështirësitë duke shprehur dashuri Allahut dhe duke kërkuar kënaqësinë e Tij. Nëse njerëzit do të ishin të gjithë besimtarë, nuk do të realizoheshin këto lloje adhurimi për Allahun. Këto lloje adhurimi për Allahun nuk mund të realizoheshin nëse nuk do të ekzistonin dy palët: pala e shejtanit, që bëjnë kufër, gjynahe dhe të këqija, nga njëra anë, dhe pala e Allahut nga ana tjetër, që sakrifikojnë për Të, flijojnë dëshirat për Të, përballojnë vështirësitë për hir të Tij etj. Nga shejtani vijnë disa të këqija si: kufri dhe gjynahet, por janë shumë më tepër ibadetet (adhurimet) dhe të mirat që kryen grupi i Allahut, pala e besimtarëve, pala që kundërshton shejtanin dhe ushtrinë e tij. Shejtani dhe pasuesit e tij me gjynahet që bëjnë e zemërojnë Allahun, ndërsa të dërguarit dhe pasuesit e tyre, në kundërshtim me shejtanin, me ibadetet dhe punët e mira e kënaqin Allahun. Kënaqësia e Allahut me të dërguarit dhe pasuesit e tyre është më e madhe sesa zemërimi i Tij me kundërshtarët e tyre: shejtanin dhe pasuesit e tij. Allahu hidhërohet me gjynahet që bëjnë njerëzit të nxitur nga shejtani i mallkuar, por gëzimi i Allahut me njeriun kur pendohet dhe heq dorë nga gjynahu është shumë i madh. Profeti na ka rrëfyer një tregim për gëzimin e madh të Allahut të Lartësuar kur njeriu bën teube, kur pendohet dhe largohet nga gjynahu: “Një burrë i ngarkoi devesë furnizimin dhe shakullin e ujit për udhëtim. Udhëtoi nëpër shkretëtirë deri në mesditë, dhe pastaj zbriti nën hijen e një peme për t’u çlodhur. Aty e zuri gjumi. Deveja, mbi të cilën kishte ushqimin dhe ujin, largohet pa e kuptuar. U zgjua, eci dhe u ngjit mbi një bregore për të kërkuar devenë, por nuk e pa. U ngjit në një bregore tjetër, por përsëri nuk pa gjë. Shkoi tek një bregore e tretë, por nuk pa gjë. Kështu, u kthye në vendin ku po pushonte (i pashpresë, në pritje të vdekjes). Duke ndenjur ashtu, deveja vjen dhe i vendos kapistrën në dorë. Gëzimi i këtij njeriu ishte shumë i madh. Allahu gëzohet më shumë me njeriun kur pendohet, se ky njeri që gjeti devenë ashtu siç ishte, mbasi e humbi shpresën!” (Muslimi). Allahu hidhërohet me mundimet dhe vuajtet që heqin të dërguarit nga shejtani dhe ushtria e tij prej xhinëve dhe njerëzve, por nga ana tjetër Allahu kënaqet me qëndrimin e të dërguarve kundër shejtanit dhe pasuesve të tij; të dërguarit e luftojnë shejtanin, e kundërshtojnë atë, e mposhtin, e zemërojnë dhe e helmojnë. S’ka dyshim se kënaqësia e Allahut me qëndrimin e pejgamberëve dhe pasuesve të tyre është më e madhe se hidhërimi i Tij më të këqijat që u vijnë pejgamberëve nga shejtani dhe ushtria e tij. Allahun e hidhëroi veprimi i Ademit kur hëngri prej pemës së ndaluar, por nga ana tjetër Atë e kënaqën veprimet e Ademit pas gjynahut: tuebja (pendimi), kthimi me respekt, nështrimi dhe përulja ndaj Allahut. Allahu u zemërua kur armiqtë e dëbuan Pejgamberin tone, Muhamedin (s.a.u.s.), nga Vendi i Shenjtë, Meka, por Ai pati kënaqësi të madhe kur Pejgamberi ynë arriti pas disa vitesh të hynte në Mekë si çlirimtar. Kur armiqtë e Allahut vrasin të dashurit e Tij dhe u derdhin gjakun atyre, kjo gjë e hidhëron Allahun, por nga ana tjetër Allahu ka kënaqësi të madhe që të dashurit e Tij arrijnë jetën më të këndshme, më të begatë e më të kënaqshme në Xhenetin e Lartë pranë Allahut. Allahu hidhërohet me gjynahet e njerëzve, por, nga ana tjetër, Ai kënaqet kur melekët, lajmëtarët (nebijj-ët), të dërguarit, të dashurit e Tij dhe besimtarët e devotshëm dëshmojnë për veprimet e mëdha e përfshirëse që kryen si: falja, mirëbërja, nderimi dhe bujaria. Melekët, të dërguarit dhe besimtarët e devotshëm e lëvdojnë Allahun për këto veprime të mëdha. Ata i bëjnë lavdi dhe e lartësojnë për këto atribute. Allahu e pëlqen shumë lavdinë dhe lartësimin për këto veprime të mëdha e këto atribute të larta. Allahu është lavdiplotë. E gjithë lavdia i takon Allahut të Lartësuar. Për çdo krijim dhe çdo ligj që bën Allahu meriton lavdi. Kështu, vërejmë se ato pak të këqija që vijnë nga shejtani, krahasuar me të mirat e shumta që realizohen nëpërmjet ekzistencës së tij, janë njësoj si ato pak të këqija që shkaktohen nga rrezet e diellit, uji dhe kafshët, krahasuar me të mirat e tyre të shumta.

E shtata: Krijesave iu shtua frika prej kundërshtimit të Allahut, prej gjynahut, kur panë se shejtani për shkak të kundërshtimit të Allahut u dëbua nga mëshira e Allahut, kur panë se shejtani ra nga bota e epërme për në botën e poshtme, nga grada e melekëve për në shkallën djallëzore. Allahu i Lartësuar e bëri shejtanin mësim për ata që kundërshtojnë urdhrin e Tij, që nuk i binden nga mendjemadhësia, që këmbëngulin në shkeljen e ligjeve të Tij. Nga ana tjetër, Allahu e bëri Ademin, babain e njerëzisë, mësim për ata që bëjnë gjynah, e pastaj nuk këmbëngulin në kundërshtim, por kthehen të penduar tek Allahu dhe kërkojnë falje për gjynahun.

E teta: Allahu pëlqen të falënderohet për mirësitë. Të dashurit e Allahut do ta falënderojnë Allahun më shumë për mirësitë kur shohin përfundimin e keq të shejtanit dhe pasuesve të tij. Besimtarët e devotshëm tregojnë më shumë mirënjohje për Allahun kur shpëtojnë prej shejtanit dhe ushtrisë së tij. Ata do ta falënderojnë shumë Allahun për mirësinë e largimit nga gjynahu, faljes dhe pranimit të pendimit. Këto forma falënderimi për Allahun nuk mund të realizoheshin pa ekzistencën e shejtanit dhe pasuesve të tij.

E nënta: Allahu pëlqen që krijesat të mbështeten tek Ai, t’i kërkojnë Atij strehim dhe mbrojtje. Për këtë arsye, Allahu na urdhëron që të kërkojmë mbrojte tek Ai prej shejtanit të mallkuar: “Nëse ndjen ndonjë ngacmim të shejtanit, kërko strehim tek Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka” [A’raf: 200].

E dhjeta: Shfaqja e çudirave të fuqisë së Allahut, shfaqja e shenjave, mrekullive dhe gjërave të jashtëzakonshme të cilat sfiduan kundërshtarët e të dërguarve të Zotit. Disa nga këto shenja sfiduese janë: tufani që përmbyti popullin e Nuhut (a.s.), shkopi që shndërrohej në gjarpër gjigand si shenjë për Musain dhe sfidë ndaj Firaonit, çarja e detit për shpëtimin e Musait dhe beni israilëve; zjarri që u bë i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin kur e flakën në të, e shumë të tjera. Nëse pejgamberët nuk do të kishin kundërshtarë, nuk do të ishin shfaqur këto çudira të fuqisë së Zotit, këto shenja të mëdha, këto mrekulli sfiduese të jashtëzakonshme. Dihet që shejtani është prijësi i kundërshtarëve të pejgamberëve.

E njëmbëdhjeta: Edhe mbetja e Iblisit në jetë deri në Ditën e Kiametit, nga njëra anë, dhe vdekja e të dërguarve, nga ana tjetër, ka urtësi:

  • Nevoja për t’u dalluar njerëzit e mirë nga njerëzit e këqij ekziston në të gjitha kohët. Allahu i Lartësuar e la gjallë Iblisin, që të vihen në provë edhe pasardhësit e Ademit, ashtu si babai i tyre.
  • Dihet që Iblisi nuk ka mirësi në botën tjetër. Para se të bëhej kundërshtar i Allahut të Lartësuar, Iblisli ka bërë ibadet (adhurim) për Allahun. Kështu, Allahu i Lartësuar deshi që, me urtësinë, butësinë, durimin dhe drejtësinë e Tij, ta shpërblente në këtë botë për ibadetin që kishte bërë, duke e lënë në jetë deri në kohën e fundit. Allahu nuk ia humb askujt asnjë të mirë që ka bërë. Besimtari shpërblehet për të mirat në këtë botë dhe në botën tjetër, ndërsa kafiri shpërblehet për të mirat vetëm në këtë botë. Kur shkon në ahiret, kafiri nuk gjen asgjë, siç shpjegohet në një hadith të saktë.
  • Iblisi nuk u la në jetë si nderim, por që t’i shtohen gjynahet dhe vuajtja e dënimi në ahiret. Ashtu sikurse Iblisi është koka e të këqijve në punë të liga dhe në kufër, po kështu do të jetë koka e tyre në vuajtjen e dënimit në Xhehenem. Sa më shumë që Iblisi shton gjynahet dhe të këqijat, aq më shumë i shtohet dënimi në Xhehenem. Ky është vendimi i drejtë i Allahut dhe gjykimi i Tij i urtë. I njëjti gjykim i drejtë vlen edhe për pasuesit e Iblisit: sa më shumë që të shtojnë gjynahet e të këqijat në këtë botë, aq më shumë ju shtohet dënimi në ahiret.
  • Njerëzit e mirë janë miqtë e Allahut, kurse njerëzit e këqij janë miqtë e shejtanit. Shumica e njerëzve janë kafirë e të këqij. Shumica nuk janë të denjë për të qenë miq e të dashur të Allahut. Ata nuk janë të denjë për gradat e larta në ahiret. Për këtë arsye, u la Iblisi të merret me ta, t’i bëjë miq të tij dhe t’i marrë nën pushtetin e tij. Po sikur këta njerëz të ishin të denjë për të qenë miq të Allahut, Allahu nuk do t’ia bënte të mundur shejtanit të kishte pushtet mbi ta. Allahu ka zgjedhur si miq dhe të dashur të Tij njerëzit e mirë, kurse të këqijtë, mosmirënjohësit dhe kriminelët ia ka lënë Iblisit t’i bëjë miq e ithtarë. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, shejtani nuk ka asnjë pushtet mbi ata që besojnë (tek Allahu dhe i Dërguari i Tij) dhe mbështeten te Zoti i tyre. Pushteti i shejtanit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe mbi ata që e bëjnë (shejtanin) shok me Allahun në adhurim e në bindje” [Nahl: 99-100].
  • Vdekja e të dërguarve nuk u bë për shkak se nuk janë të nderuar tek Allahu, por që të arrijnë në vendin e nderimit dhe të rehatohen prej mundimit të kësaj bote, lodhjes në të dhe vuajtjes prej armiqve të tyre. Një arsye tjetër është që të vijnë në jetë të dërguar të tjerë pas tyre, e kështu njerëzit të kenë mundësi të shohin të dërguarit njëri pas tjetrit. Kështu, vdekja e të dërguarve ka qenë në të mirën e tyre dhe në të mirën e umeteve (popujve) të tyre. Pejgamberët ndërruan jetë për t’u rehatuar nga jeta e dynjasë dhe për t’u bashkuar me shokët, me grumbullin e pejgamberëve, që banojnë në vendin më të lartë në Xhenet, duke arritur kështu kënaqësinë dhe gëzimin më të plotë. Allahu i ka vënë pejgamberët të zgjedhin para vdekjes ndërmjet qëndrimit në këtë botë dhe kalimit në vendin më të lartë në Xhenet, ku ndodhen pranë Tij (Zotit të Lartësuar). Pas vdekjes së pejgamberëve, popujt, pasuesit e tyre, do të tregojnë se i respektojnë ata (pejgamberët), jo vetëm gjatë jetës, por edhe pas vdekjes. Pasuesit e pejgamberëve, gjithashtu, tregojnë se nuk adhuronin pejgamberët, por adhuronin vetëm Allahun, sipas mësimeve që u sollën pejgamberët. Allahu është i Gjalli, i Cili nuk vdes kurrë. Kështu, vdekja e pejgamberëve ka mjaft urtësi e dobi, si për ta, edhe për popujt e tyre. Përveç kësaj, pejgamberët janë njerëz; Allahu nuk e ka bërë organizmin njerëzor në këtë botë të pavdekshëm, përkundrazi, Allahu i bëri njerëzit pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë; ata brez pas brezi zëvendësojnë njërit-tjetrin, siç thotë Allahu: “Ai ju ka bërë pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë dhe ka ngritur disa prej jush në nivele më të larta (jetese dhe aftësie) se të tjerët, për t’ju vënë në provë me ato që ju ka dhënë. Sigurisht që Zoti yt është i shpejtë në dënim, por, në të vërtetë, Ai është edhe Falës e Mëshirëbërës” [En’am: 165]. Nëse njerëzit do të ishin në këtë botë të pavdekshëm, nuk do të mund të ishin pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë; nuk do të ishte realizuar qëllimi dhe urtësia e Krijuesit në vendosjen e tyre si pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë. Nëse nuk do të kishte vdekje, njerëzit nuk do t’i zinte Toka. Kështu, vdekja është gjendje përsosurie për çdo besimtar. Nëse nuk do të kishte vdekje, jeta në këtë botë nuk do të ishte e këndshme; banorët e Tokës nuk do të kishin rehati. Pra, vdekja ka urtësi njësoj sikurse dhe jeta.[1]
  1. Për përpilimin e kësaj shtojce kam shfrytëzuar, kryesisht, librin: “Shifaul alil (Ibn Kajim)”. Në disa vende kam shfrytëzuar edhe librat “Sherhul Akide Tahavije (Ibn Ebil Izz)”, “Sherhul Uasitije (Ibn Uthejmin)”, “El Kaulul mufid (Ibn Uthejmin)”, “El Imanu bil kadai uel kaderi (el Hamed)”.

Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *