Të ndaluarat për atë që ka vendosur të presë kurban
Hamdi i takon Allahut të Lartësuar. Salavati dhe selami qofshin për të Dërguarin tonë.
A i ndalohet atij që do të bëjë kurban të prekë flokët, qimet dhe thonjtë që kur hyn muaji dhul hixhe e derisa pret kurbanin apo jo?
Ummu seleme r. anha, ka treguar se Profeti s.a.u.s. ka thënë: “Kur të hyjë dhjetë ditëshi i parë i dhil hixhes, nëse ndonjëri dëshiron të presë kurban, të mos i prekë qimet dhe thonjtë”. E shënon Ahmedi dhe Muslimi. Sipas një varianti tjetër, hadithi është kështu: “Të mos prekë nga qimet dhe lëkura asgjë derisa të presë kurbanin”.
Ky hadith tregon se i ndalohet atij që ka vendosur të presë kurban që të prekë qimet, thonjtë dhe lëkurën, që kur hyn muaji dhul hixhe e derisa të therë kurbanin. Por ka mosmarrëveshje mes dijetarëve në këtë çështje. Këtu janë disa çështje për t’u sqaruar.
Çështja e parë: Dijetarët e hadithit nuk janë pajtuar nëse ky është një hadith merrfu (thënie e Profetit s.a.u.s.) apo meukuf (thënie e Umu Selemes). Në disa rrugë sillet si thënie e Profetit a.s. Sipas një rruge, sillet si thënie (fetva) e Ummu Selemes. Në disa rrugë të tjera sillet si thënie (fetva) e Said Ibn Musejebit. Rrugët e variantit të fundit i ka përmendur Dare Kutniu në Sunenin e tij. Për të mos e lodhur lexuesin nuk po i përmend rrugët e hadithit, sepse janë detaje që i kuptojnë ata që kanë njohuri mbi këtë fushë.
Sipas Muslimit kjo është një thënie e Profetit s.a.u.s., sepse ai e ka shënuar në “Sahih” të tij. Ky është edhe mendimi i dijetarëve që kanë punuar me këtë hadith, si Abdurrahman Ibn Mehdi, Is’hak Ibn Rahauej, Ahmed Ibn Hanbel e të tjerë. Ndërsa për Dare Kutniun ky është një hadith meukuf. Mendimi më i mundshëm (më i fortë) është ai i Muslimit që ky është një hadith merrfu (thënie e Profetit s.a.u.s.), sepse ka disa tregues që e përforcojnë këtë mundësi.
Arsyet pse mendimi i Muslimit është më i saktë:
1- Ky hadith ka disa rrugë nga Profeti s.a.s. dhe ky është një tregues që është merrfu’ nga Profeti s.a.u.s.
2- Sipas një rruge tjetër të hadithit në Sahih të Muslimit, disa njerëz kishin hequr qimet në banjo publike (gjatë dhjetë ditëve të para të Dhil Hixhes). Dikush aty u kishte thënë se Said Ibn Musejeb e urren ose e ndalon këtë gjë (për atë që ka vendosur të therë kurban). Amër Ibn Muslim (transmetuesi) tregon: U takova me Said Ibn Musejebin dhe i tregova për këtë. Ai tha: “Ky është një hadith që është harruar dhe është lënë. Më ka tregua Umu Seleme, gruaja e Profeti s.a.u.s., se Profeti ka thënë (dhe ka përmendur hadithin si në variantin e mësipërm). Kështu, Saidi e ka quajtur hadith, domethënë, një thënie të Profetit s.a.u.s. Dhe ky është një tregues tjetër se hadithi është merrfu, sepse Said Ibn Musejebi e ka quajtur hadith dhe ka përmendur që ia ka treguar Ummu Seleme nga Profeti s.a.u.s.
3- Ata që e transmetojnë si hadith merrfu’ janë imamllarë të fortë në hadith, si Maliki, Sufjan Ibn Ujejne, Shube dhe të tjerë. Sufjan Ibn Ujejne, i cili është imam në hadith, është shumë i saktë dhe hafiz i fortë, është shprehur i sigurtë se e ka sjellë si merrfu’, edhe nëse të tjerët e kanë sjellë meukuf.
4- Said Ibn Musejeb, sipas disa transmetimeve të sakta, ka treguar që shokët e Profetit e ndalonin atë që do të therte Kurban që t’i të prekte këto gjëra. Atëherë, ky nuk ka qenë vetëm qëndrimi i Ummu Selemes, por qëndrimi i disa sahabëve. Ky qëndrim i sahabeve duhet ta ketë burimin nga Profeti s.a.u.s.
Transmetimet e ndryshme të këtij hadithi mund të harmonizohen. Kështu, ata që e kanë sjellë si thënie të Said Ibn Musejebit kanë të drejtë dhe trasmetimi i tyre nuk është gabim, sepse është një fetva e që ai e kanë dhënë. Said Ibn Musejeb ndonjëherë e ka dhënë si fetva. Në ndonjë mexhlis tjetër, tek disa transmetues të tjerë e ka treguar si hadith të Profetit s.a.u.s. E njëjta gjë thuhet dhe për atë që sillet nga Ummu Seleme r .anha. Kështu, nuk ka mospërputhje mes këtyre varianteve. El-Bejhaki nuk e ka pranuar kritikën që ka bërë Ed-Darel Kutni dhe ka thënë ky hadith është sjellë në shumë drejtime, kështu që është merrfu’ tek Profeti s.a.u.s.
Në përgjithësi dijetarët e hadithit e kanë quajtur të saktë këtë hadith. Në librat e hadithit e kanë vendosur si temë ndalimin e këtyre gjërave për atë që ka vendosur të presë kurban. Kjo tregon se ata e kanë pranuar si hadith të saktë nga Profeti s.a.u.s.
Çështja e dytë: Buhariu sjell në “Sahih” nga Aishja r. anha, e cila ka treguar: “Unë i kam dredhur fijet e qaforeve të deveve me duart e mia. Pastaj Profeti s.a.u.s. ua vendosi deveve në qafë këto qafore dhe u bëri edhe shenjë në gungë, që tregonte se do të dhuroheshin si kurban (hedj) në Meke. Profeti i çoi që të priteshin në Meke. Atij nuk iu ndalua asgjë nga ato që i ka pas të lejueshme.”
Në këtë hadith përmendet kurbani i llojit hedj, që dërgohej për tu prerë në Meke. Ky lloj është ndryshe nga kurbani (ud’hije) që pritet në Kurban Bajram. Atëherë, a bie në kundërshtim ky hadith me hadithin e mësipërm të Ummu Selemes?
Përgjigja: Nuk bie në kundershtim, pasi hadithi i Aishes flet për kurbanin ‘hedj’ që dërgohet për tu prerë në Meke, kurse hadithi i Ummu Selemes flet për kurbanin (ud’hije) që pritet si rit i Kurban Bajramit. Hadithi i Aishes flet për një çështje dhe hadithi i Ummu Selemes flet për një çështje tjetër. Atij që çon Kurban në Meke pa shkuar vetë në haxh ose umre nuk i ndalohen ato gjëra që i ndalohen atij që shkon për haxh ose umeri, pra, nuk janë të ndaluara për të ato që ndalohen gjatë ihramit, si: parfumosja, kontakti seksual, veshja e rrobave të thurura sipas trupit për burrat. Aishja r. anha e ka sjellë këtë hadith për të kundërshtuar ata dijetarë të selefit të cilët mendonin se kush çon kafshë në Meke duhet të heqë dorë nga ato gjëra që i ka të ndaluara haxhiu dhe umrexhiu gjatë gjendjes së ihramit. Ky është harmonizimi i dy haditheve të cilin e ka përmendur imam Ahmedi dhe dijetarë të tjerë.
Tahaui ka përmendur një mënyrë tjetër harmonizimi. Ai ka thënë se hadithi i Aishes r. anha është i përgjithshëm; përfshin ndalimin e kontaktit seksual, parfumosjes, rrobave të thurura sipas trupit për burrat dhe të tjera gjëra që ndalohen në gjendje ihrami për haxh dhe umre. Ndërsa Hadithi i Ummu Selemes përmend vetëm thonjtë, qimet dhe lekurën e trupit. Sipas këtij shpjegimi, nga hadithi i Aishes që është i përgjithshëm bëjnë përjashtim këto gjëra që përmendën në Hadithin e Ummu Selemes. Kështu, ai që ka për të prerë kurban në shtëpinë e tij, (që nuk është në haxh), nuk i ndalohen gjërat që i ndalohen haxhiut gjatë ihramit, përveç tre gjëra: prekja e qimeve, thonjve dhe lëkurës së trupit. Ndërsa gjërat e tjera, si parfumi, kontakti seksual, janë të lejueshme. Përgjigja e parë që ka dhënë imam Ahmedi është më e fortë, por mund të shërbejë edhe përgjigja tjetër që ka dhënë imam Tahaviu.
Atëherë, e kuptuam që dy hadithet nuk janë në kundërshtim me njëri-tjerin, pasi mund të harmonizohen. Dijetarët kanë thënë se ‘harmonizimi i citateve ka përparësi ndaj flakjes së njërit dhe bazimit vetëm në tjetrin’. Të punosh me të dy citatet është më mirë se ta lëshë fare njërin prej tyre.
Nëse nuk do të kishte mënyrë harmonizimi, atëherë përsëri do të merrej parasysh fakti që përmendet në hadithet e Ummu Selemes, në baze të rregullave të mëposhtme:
- Ai që pohon një fakt ka përparësi ndaj atij që e mohon atë. Arsyeja është se ai që e pohon është në dijeni për këtë fakt, kurse ai që e mohon mundet të mos ketë dijeni për të.
- Ai që e di një argument ka përparësi ndaj atij që nuk e di atë. Nëse dikush nuk e di se ekziston diçka, kjo nuk do të thotë që realisht ajo nuk ekziston, pasi ajo mund të ekzistojë, por ai nuk e di këtë gjë.
- Nëse bie në kundërshtim një citat që e ndalon diçka me një tjetër që e lejon atë, ka përparësi ai që e ndalon, sepse ai që e lejon është sipas asaj që ka qenë në parim, që gjërat janë të lejuara, ndërsa argumenti që ndalon tregon ligjin që ka sjell ndryshim.
E theksoj edhe njëherë që këto rregullave do të merreshin parasysh, po sikur të kishte mospërputhje mes dy haditheve të mësipërme, por ne fakt dijetarët e kanë bërë harmonizimin, duke punuar me të dyja hadithet, kështu që nuk ka nevojë t’u referohemi këtyre rregullave.
Ja se si mund të punojmë me të dyja hadithet:
- Nëse dikush ka dërguar kurban në Meke pa shkuar vetë dhe thotë se unë po heq dorë nga këto gjëra që heqin dorë haxhinjtë, i themi se e ke gabim dhe i tregojmë hadithin e Aishes.
- Atij që do të bëjë kurban në vendin e tij, jo në Mekë, i tregojmë tre gjërat që nuk duhet t’i prekë, që nga fillimi i dhul hixhes derisa të presë kurbanin, duke u argumentuar me hadithin e Ummu Selemes.
Këtu mund të bëhet një pyetje: Hadithi i Aishes është mutefekun alejhi (e ka shënuar Buhariu dhe Muslimi), kurse hadithi i ummu Selemes është i diskutushem në saktësinë e tij. Atëherë, cili ka përparësi?
Së pari, e sqaruam më lart se hadithi i Ummu Selemes është i saktë. Atë e shënon Muslimi në “Sahih” dhe më e sakta është se ai është hadith merfu’ (thënie e Profetit).
Së dyti, ne kemi mënyrat e mësipërme të harmonizmit për të punuar me të dy hadithet dhe për t’i pranuar të dy. Rregulli që thotë se ka përparësi hadith që është në të dy sahihët kundrejt atij që është vetëm në njërin prej tyre, vlen për rastin kur dy hadithet janë të papajtueshëm (të paharmonizueshëm).
Pyetje tjetër: A është e vërtetë se Said Ibn Musejeb ka thënë se ky është një hadith i anuluar?
Fjala e Said ibn Musejeb për këtë hadith nuk do të thotë se është i anuluar. Ai ka dash të thotë se njerëzit e kanë lënë dhe nuk kanë punuar me të, edhe pse në fakt duhej të punonin me të.
Transmetimi në Sahih të Muslimit është kështu: Disa njerëz kishin hequr qimet në banjo publike (gjatë dhjetë ditëve të para të dhil hixhes). Dikush aty u kishte thënë se Said Ibn Musejeb e urren ose e ndalon këtë gjë (për atë që ka vendosur të therë kurban). Amër Ibn Muslim (transmetuesi) tregon: U takova me Said Ibn Musejebin dhe i tregova për këtë. Ai tha: “Ky është një hadith që është harruar dhe është lënë. Më ka tregua Umu Seleme, gruaja e Profeti s.a.u.s., se Profeti ka thënë (dhe ka përmendur hadithin si në variantin e mësipërm, ku përmenden ndalimi i atyre tre gjërave).”
Said ibn Musejeb nuk e ka mohuar që e urrente dhe e ndalonte diçka të tillë, përkundrazi, ai e ka përforcuar duke sjellë hadithin. Këtu nuk përmendet se ky është i anuluar si hadith, ose që Profeti s.a.u.s. i ka lejuar këto gjëra. Saidi ka përmendur thjesht gjendjen e njerëzve që e kanë harruar zbatimin e këtij hadithi. Në vazhdim, ai ka sjell si argument për qëndrimin e tij për ndalimin e prekjes së atyre gjërave hadithin e Ummu Selemes.
Këtë që sqaruam e përforcon edhe ky transmetim: Në Mustedrek të Hakimit sillet se dikush e pyeti Saidin për qëndrimin e Jahja Ibn Jamerit (ky është një tabiin tjetër), i cili thoshte se kush blen kurban në dhjetë ditëshin e dhul hixhes nuk duhet të prekë qimet, flokët edhe thonjtë. Saidi tha: “Po”. (Domethënë, kjo është e saktë dhe unë pajtohem me të). Transmetuesi e pyeti: “Ku e ke argumentin që e përkrah këtë mendim, që këto gjëra janë të ndaluara”. Said Ibn Musejeb tha: “Këtë e kemi sjellë nga shokët e Profetit s.a.u.s., pra, jo nga një sahab, por nga disa sahabe. Kjo tregon se ky ka qenë qëndrimi i disa sahabeve.
Gjithashtu ka dhe një transmetim tjetër që e përmend Tahaui në “Sherhu Mushkili el Athar”: Dikush e pyeti Said Ibn Musejebin se Jahja Ibn Jaamer i ndalon këto gjëra në dhjetë ditëshin e dhul hixhes për atë që do të presë kurban. Saidi tha: “Shumë mirë vepron”. Kështu, nuk ka thënë se ky hadith është i anuluar, por e ka vlerësuar këtë mendim duke u argumentuar se shokët e Profetit e thonin diçka të tillë.
Një pretendim: Sipas disave, nëse do të të ndalohen këto gjëra, atëherë duhet të ndalohen edhe ato gjëra që janë më parësore, si: kontakti seksual, parfumosja. Ata kanë sjellë një transmetim nga Ikrime për këtë, por ky transmetim është i dobët. Edhe nëse do të ishte i saktë, ky qëndrim i Ikrimes nuk do ishte i mire, për shkak se si mund të kundërshtohet një hadith i Profetit s.a.u.s. me logjikë? Nuk mund të pranohet diçka e tillë, por elhamdulilah kjo nuk e cënon pozitën e Ikrimes, sepse transmetimi nga ai është i dobët.
Edhe një sqarim: Ibnu Abdul-Berr në librin El-Istidhkar ka sjellë me transmetim të saktë nëpërmjet imam Malikut se dikush e ka pyetur Said ibn Musejebin për heqjen e qimeve me një lloj lënde, dhe ai ka thënë: “Nuk ka gjë”.
Në fakt, Said Ibn Musejeb ka transmetuar hadithin dhe, siç e kemi shpjeguar, ka punuar me të, por këtu ka thënë që nuk ka gjë. Për këtë transmetim Ibnu Abdul Berri thotë se ka mundësi që këtë përgjigje Saidi e ka dhënë për ata që nuk do të presin kurban, sepse ata që nuk do të presin kurban nuk e kanë të ndaluar t’i prekin këto gjëra. Këtë përgjigje ka dhënë dhe imam Neveviu në Sherhu Sahih Muslim.
● Si përfundim: Mendimi më i saktë është se këto gjëra janë të ndaluara për atë që ka vendosur të presë kurban, që kur hyn dhjetë ditëshi i parë i dhul hixhes derisa të presë kurbanin, pasi nuk ka ndonjë argument që rrëzon domethënien e hadithit të Ummu Selemes. Ibnul Kajim në “Tehdhib Sunen Ebi Daud” ka thënë: Njeriu me fatin më të madh për ta vënë në zbatim këtë hadith, hadithin e Ummu Selemes, është ai që e ka marrë sipas kuptimit të drejtpërdrejt, sepse është një hadith i saktë dhe nuk ka argument tjetër që të jetë në kundërshtim me të.
Disa rregulla që lidhen me këtë çëshjte:
- Nëse njeriu e bën nijet (vendos) të presë kurban gjatë këtyre dhjetë ditëve, ai heq dore nga prekja e këtyre gjërave që kur e bën nijet dhe nuk ka gjynah për çfarë ka prekur para se ta bënte nijet.
- Ky rregull (ndalimi i këtyre gjërave) vlen vetëm për atë që do të bëjë kurban. Kështu, nuk përfshin personin ose personat e tjerë, nëse bën nijet të presë kurban për ta. Pra, ky rregull ndalimi nuk i përfshin pjesëtarët e tjerë të familjes, edhe pse nijetin e bën që kurbani të jetë për veten dhe për të gjitha pjesëtarët e familjes.
- Nëse prek diçka nga këto me harresë ose nga padituria, ose nëse i bie floku pa dashje, nuk merr gjynah.
- Nëse lind nevoja të prek diçka nga këto, i lejohet ta prekë dhe nuk merr gjynah. Për shembull, kur i thyhet thoi, e lëndon dhe kështu e pret atë; kur i zbresin qimet e vetullës në sy dhe i heq; kur ka nevojë të heq flokët a qimet për mjekimin e një plage etj.
- Nëse ai që ka vendosur të presë kurban prek diçka nga këto pa arsye, ai duhet të pendohet dhe të mos e përsërisë. Por nuk ka ndonjë rregull shlyerje për këtë gjynah dhe as nuk është kjo pengesë për të prerë kurbanin.
Leave a Reply