Si të arrijmë mirësitë e muajit të bekuar Ramazan?

Si të arrijmë mirësitë e muajit të bekuar Ramazan?

Argumentet e ekzistencës së Zotit: 1. Ne e ndiejmë në shpirtë se ka një Zot dhe kemi prirje të natyrshme ta adhurojmë Atë. Ne priremi t’i lutemi Zotit, sidomos kur biem në vështirësi. Ne kemi bindje se ka një Zot që na ruan nga të këqijat dhe na shpëton nga situatat e rënda. Ne kemi shpresë se Zoti do të na japë mbarësi, sukses dhe të mira, si në këtë jetë, edhe në jetën tjetër. Por ne kemi edhe frikë nga vuajtjet, të këqijat dhe dështimi, prandaj ruhemi nga mëkatet dhe padrejtësia të cilat sjellin zemërimin dhe dënimin e Zotit. Atëherë, ka një Zot që na dha prirjet, ndjenjat dhe dëshirat; që na pajisi me shpresë dhe me frikë; që na plotëson nevojat, na jep të mirat dhe na ruan nga të këqijat. 2. Çdo gjë në Gjithësi dhe çdo ligj i saj dëshmon se ka një Krijues. Allahu thotë në Kuran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës dhe ditës, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që zbret Allahu prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur, në shpërndarjen e të gjitha llojeve të gjallesave në Tokë, në lëvizjen e erërave dhe në retë që lëvizin të komanduara midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me mend” (el Bekare: 164). 3. Të gjitha librat hyjnorë, si: Teurati, Inxhili (Ungjilli) dhe Kurani, tregojnë se ka një Zot, që krijoi Gjithësinë. 4. Pranimi i lutjeve të njerëzve dhe mrekullitë e profetëve.

Qëllimi i krijimit të njeriut: Allahu na krijoi që ta adhurojmë të vetëm. Ai thotë:Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë” (Edh-Dharijat: 56). Allahu i solli njerëzit në këtë botë për t’i vënë në provë se cili do të besojë dhe do të bëjë vepra të mira dhe cili nuk do të jetë i tillë. Allahu thotë: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë” (el Mulk: 2). Në Ditën e Gjykimit, pas ringjalljes, Allahu do t’i marrë në llogari njerëzit për besimin dhe veprat e tyre. Kështu, ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira Allahu do t’i çojë në Xhenet, kurse ata që nuk kanë besuar dhe kanë bërë vepra të këqija do t’i çojë në Zjarrin e Xhehenemit.

Shtyllat e Islamit: 1- Të themi fjalën “La ilahe il-lallah. Muhamed Rresulallah – S’ka zot tjetër përveç Allahut. Muhamedi është i Dërguari i Allahut”. 2- Të falim namazin. 3- Të japim zekatin. 4- Të agjërojmë muajin e Ramazanit. 5- Të kryejmë haxhin në Mekë.

Fjala “S’ka zot tjetër përveç Allahut” do të thotë: Allahu është i vetmi që e meriton adhurimin dhe askush e asgjë tjetër, përveç Tij. Kush beson zot tjetër përveç Allahut apo adhuron diçka tjetër përveç Tij, ai i vë shok Allahut, dhe ky është mëkati më i madh. Ky njeri nuk e beson këtë fjalë dhe as nuk quhet mysliman, por idhujtar.

Shtyllat e besimit: Të besojmë Allahun, në melekët (engjëjt) e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit (Botën Tjetër) dhe kaderin (që çdo e mirë dhe çdo e keqe është caktuar nga Zoti). Besimtar musliman quhet ai që i beson të gjashtë shtyllat. Kush nuk beson qoftë edhe njërën prej tyre nuk quhet besimtar dhe nuk ia pranon Allahu ritet e adhurimit.

Muhamedi (Lavdërimi dhe paqja qofshin për të!) është i Dëguri i fundit i Zotit. Kurani është libri i fundit që shpalli Zoti i Gjithësisë si udhëzues për njerëzit. Profeti Muhamed solli shumë mrekulli që dëshmojnë se ai është i Dërguari i Zotit, por mrekullia më e madhe e Tij është Kurani.

Jeta e varrit: Pas vdekjes njeriu kalon në jetën e varrit, ku do të pyetet për Zotin e tij, për fenë e tij dhe për të Dërguarin e tij. Nëse njeriu ka besuar se Zoti i tij është Allahu, feja e tij është Islami dhe i dërguari i tij është Muhamedi (a.s.), ai do të arrijë të japë përgjigje, dhe si shpërblim Zoti do t’i japë begati e kënaqësi në varr. E nëse nuk ka vdekur me këtë besim, nuk do të arrijë të përgjigjet, dhe për këtë shkak Zoti do t’i japë dënim në varr.

Dita e Kiametit dhe Ringjallja e njerëzve: Kur të mbarojë afati i kësaj bote, Allahu do t’i japë urdhër melekut Israfil për t’i fryrë Surit për herë të parë. Kështu, do të vdesin të gjithë njerëzit që do të jenë gjallë në atë kohë. Por shpirtrat e njerëzve as nuk vdesin dhe as nuk zhduken. Më pas Allahu do t’i japë urdhër këtij meleku që t’i fryjë Surit për herë të dytë. Kështu, të gjithë njerëzit do të ringjallen fizikisht dhe shpirti do të bashkohet me trupin.

Disa argumente të ringjalljes: a. Allahu thotë vetëm të vërtetën. Ai na ka lajmëruar në shumë vende në Kuran se do t’i ringjallë të gjithë njerëzit. b. Zoti që pati fuqi të na krijonte për herë të parë, ka fuqi të na sjellë përsëri në jetë. Ringjallja është më e lehtë për të sesa krijimi i parë. c. Ai që ka krijuar krijesa të mëdha, si: qiellin, trupat qiellorë, Tokën, Ai ka fuqi të rikrijojë njeriun, që është më i vogël se ato. d. Ashtu si Allahu e ringjall tokën e shkretë me reshjet e shiut dhe dalin bimët, po kështu Ai do t’i ringjallë njerëzit. e. Urtësia dhe drejtësia e Allahut kërkon që njerëzit të ringjallen për llogari dhe shpërblim apo dënim. Nëse nuk do të kishte ditë gjykimi, ku do të shpërblehen njerëzit e mirë dhe do të dënohen njerëzit e këqinj, krijimi që ka bërë Allahu nuk do të ishte i urtë dhe as i drejtë. Këto lloje argumentesh i gjejmë në shumë vende në Kuran.

Zjarri i Xhehenemit: Është vendi ku do të vuajnë dënimin njerëzit, që kanë marrë zemërimin e Allahut. Zjarri i Xhehenemit është dhe shtatëdhjetë herë më i fortë sesa zjarri i kësaj bote. Kafirët (jobesimtarët) nuk do të bëjnë jetë të kënaqshme në Zjarr dhe as nuk do të vdesin kurrë, por përgjithmonë do të vuajnë atje dënimin.

Xheneti: Është vendi i begatshëm, ku Allahu do të çojë njerëzit që fitojnë mëshirën dhe mirësinë e Tij. Banorët e Xhenetit do të jenë përgjithmonë të lumtur. Ata do të kenë atje gjithçka që dëshirojnë. Mirësitë e Xhenetit ngjajnë me ato të kësaj bote vetëm nga emri, kurse realiteti i tyre është shumë më lart, aq sa ne nuk i përshkruajmë dot. Kënqësinë më të madhe banorët e Xhenetit do ta kenë kur të shohin Allahun e Lartësuar. Aq shumë do të kënaqen besimtarët në momentet kur të shikojnë Fytyrën e Bukur të Allahut, sa që nuk u shkon mendja për asnjë kënaqësi tjetër.

Mirësia e fjalës “La ilahe il-lallah. Muhamed Rresulallah”: Kush e thotë këtë fjalë me bindje shpëton nga Zjarri i Xhehenemit dhe e fiton Xhenetin.

Mirësia e faljes së pesë namazeve: Allahu ka premtuar ta çojë në Xhenet këdo që i fal rregullisht pesë namazet në ditë.

Mirësia e përmbushjes së pesë shtyllave të Islamit (shehadetin, namazin, zekatin, agjërimin dhe haxhin): Kush i përmbush këto pesë shtylla, hyn në Xhenet.

Mirësitë e Ramazanit: 1. Kush e agjëron Ramazanin me besim në Ditën e Gjykimit e në premtimin e Zotit dhe duke kërkuar shpërblimin e Tij, atij do t’i falen mëkatet e kaluara. Kështu, për të arritur mirësitë e agjërimit duhet besim dhe bindje. 2. Allahu jep një shpërblim aq të madh për agjërimin sa nuk ka llogari. 3. Gjatë Ramazanit hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe lidhen shejtanët. 4. Agjërimi e mbron njeriun nga veprat e këqija dhe moralet e ulta dhe, si rrjedhim, edhe nga Zjarri i Xhehenemit. 5. Në kohën e çeljes së agjërimit Allahu liron njerëz (duke i shpallur si të shpëtuar) nga Zjarri i Xhehenemit. 6. Gjatë Ramazanit Zoti zbret mëshirë të madhe mbi agjëruesit. 7. Allahu ia pranon lutjen agjëruesit. 8. Agjërimi i muajit të Ramazanit e ka shpërblimin të barabartë me agjërimin e dhjetë muajve. 9. Agjëruesi ka dy gëzime: kur çel agjërimin, gëzohet me çeljen dhe kur të takohet me Allahun e Lartësuar e t’i japë shpërblimin e agjërimit, ai do të gëzohet me agjërimin. 10. Nga goja e agjëruesit në Ditën e Gjykimit ka për të dalë një erë më e mirë sesa era e këndshme e miskut dhe me këtë aromë do të dallohet agjëruesi atë ditë. 11. Agjërimi ndërmjetëson për njeriun tek Allahu në Ditën e Gjykimit. Kjo vepër i del në mbrojtje njeriut që të mos e kapë dënimi i asaj dite. 12. Kush përmbush shtyllat e Islamit dhe fal edhe namazin e teravive në Ramazan, ai do të ketë gradën dhe shpërblimin e njerëzve të çiltër dhe martirë. 13. Kush fal namazin e teravive me besim dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e kaluara. 14. Nga fundi i këtij muaji është Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Këto mirësi janë përmendur në hadithe të sakta.

Disa rregulla të agjërimit: 1. Agjërimi është detyrë për çdo mysliman në moshë pjekurie, të aftë mendërisht, të aftë fizikisht dhe që është në vendin e vet (jo në udhëtim). 2. Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët me agjërimin që në moshën shtatë vjeçare. Ndërsa fëmijët që janë dhjetë vjeç e më shumë duhet të urdhërohen për agjërim. Fëmijëve u quhet agjërimi dhe marrinin shpërblim për të tek Allahu i Lartësuar. 3. Gruas me perioda ose lehonë i ndalohet të agjërojë, por këto ditë do t’i plotësojë pas Ramazanit. 4. Të sëmurit dhe udhëtarit u lejohet të mos agjërojnë, por duhet t’i plotësojnë më vonë ditët e lëna. 5. Shtatzënës dhe gruas me fëmijë në gji, nëse i mundon agjërimi ose kanë frikë se dëmtohet fëmija a i pakësohet ushqimi, u lejohet të mos agjërojnë. Ndërsa për ditët e lëna kanë dy mundësi: ose t’i plotësojnë ose për çdo ditë të Ramazanit të ushqejnë një të varfër. 6. Të moshuarit dhe të sëmurët kronikë që nuk e përballojnë dot agjërimin duhet të ushqejnë një të varfër për çdo ditë të Ramazanit. 7. Duhet të bëjmë nijet agjërimin (ta vendosim në zemër se do të agjërojmë). Për të bërë nijetin mjafton ta bësh mend në çdo moment të natës se ditën e nesërme do të agjërosh. Madje mjafton që nijeti të bëhet një herë në fillim të Ramazanit për të gjithë muajin. 8. Koha e agjërimit është nga agimi (imsaku) deri në perëndimin e diellit (akshami). Ndërsa pas akshamit e deri në imsak, janë të lejuara ushqimi, pija etj.

Gjërat që e prishin agjërimin: 1-Marrëdhëniet seksuale. 2- Ngrënia dhe pirja me dashje. Këtu hyn dhe pirja e duhanit, hapet dhe ilaçet që merren nga goja, marrja e gjakut, dializa, gjilpërat ushqyese dhe serumet. 3- Të vjellët me dashje. 4- Rrjedhja e gjakut të menstruacioneve dhe lehonisë.

Disa gjëra që nuk e prishin agjërimin: 1-Larja e trupit, shpëlarja e gojës dhe futja e ujit në hundë pa e thithur fort. 2-Depërtimi i ujit në fyt pa dashje. 3- Vaksinat, injeksionet, gjilpërat joushqyese dhe analiza e gjakut. 4- Ngrënia dhe pirja me harresë. 5- Konsumimi i diçkaje që e prish agjërimin nga padija ose harresa. 6- Përcjellja e pështymës dhe sekrecioneve të fytit apo hundës brenda në trup. 7- Pastrimi i gojës me furçë, pastë dhe misvak. 8- Pompa e asmës. 9- Hapa e zemrës që vendoset nën gjuhë dhe që nuk arrin në fyt.

Në ditën e Fitër Bajramit myslimani duhet të shpejtojë të falë bashkërisht me myslimanët namazin e bajramit, duke marrë me vete dhe të gjithë pjesëtarët e familjes. Para namazit të bajramit duhet të jepet dhe sadakaja e fitrit.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *