Pyetje-pergjigje është një stil kuranor

Pyetje-pergjigje është një stil kuranor

Një nga stilet që po ndjekin disa thirrës në rrjetet sociale është dhe pyetje-përgjigje. Por ka të tjerë që e kritikojnë këtë stil. Madje ka kritikë që e kanë ngatërruar këtë stili në thirrje me pozitën e dhënies së fetvasë dhe muftiut. Sipas tyre, kushdo që jep përgjigje për pyetjet që lidhen me çështjet e fesë duhet të ketë arritur gradën e muftiut (dijetarit muxhtehid që jep fetva), pa parë nëse pyetjet bëhen për çështje të thjeshta e fillestare të fesë, për të cilat mund të japë përgjigje çdo thirrës i aftë, apo për çështje të vështira e delikat të fikhut (jurisprudencës), për të cilat jep përgjigje vetëm një dijetar. Këta kritikë nuk shohin se në ç’pozitë je kur të bëhet pyetja; në pozitën e mësuesit, kuvenduesit, thirrësit apo muftiut. Për ta, në cilëndo pozitë qoftë muslimani nuk duhet të japë përgjigje për pyetjet fetare përveç nëse ka arritur gradën e muftiut (fetvadhënësit). Madje kanë pretenduar se nuk ka ndodhur gjatë historisë islame të ndiqet stili i pyetje-përgjigjeve për t’u mësuar njerëzve fenë dhe për tu përcjellë çështjet e saj! Për këtë arsye, duhet të shtjellojmë disa gjëra në lidhje me këtë stil:

Së pari, stili i pyetje-përgjigjes është një nga stilet e Kuranit. Më poshtë kemi disa shembuj:

  • Në librat e tefsirit përmendet se surja Ihlas (Kul huve llahu ehad) ka zbritur për shkak të pyetjes së idhujtarëve: “(O Muhamed) na përshkruaj Zotin tënd?” Pra, kjo sure ka zbritur si përgjigje për këtë pyetje. Kështu, për shembull, nëse një thirrës do të pyetet për diçka fillestare, përgjigjen e së cilës e gjen në suren Ihlas, nuk është kusht që të jetë mufti për të dhënë përgjigje.
  • Idhujtarët e pyetën Profetin (s.a.u.s.) me nënvlerësim dhe nënçmim se kur do të bëhet Kiameti dhe Allahu ua dha përgjigje në suren Naziat.
  • Duke u tallur e duke kërkuar t’u vinte shpejt dënimi, idhujtarët kanë thënë: “…Kur do të ndodhë dënimi që na paralajmëron (ti o Muhamed)…” (El Enbija, 38).
  • El As Ibn Uail Sehmi, ose Ubej Ibn helef, mori një eshtër të kalbur dhe duke e thërrmuar e shpërndarë grimcat e saj, tha: “O Muhamed, a mendon ti se Allahu e ringjall këtë?” Profeti iu përgjigj: “Po, Allahu i Lartësuar ta merr jetën ty, pastaj të ringjall dhe më pas të çon në Zjarr”. Për këtë shkak zbritën disa ajete në fundin e suren Jasin. Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj pyetjes që bëri ky idhujtar për ringjalljen. Allahu i Lartësuar si përgjigje për të zbriti disa ajete në fundin e sures Jasin. Kështu, cilido besimtar që pyetet për ringjalljen dhe argumentet e saj duhet të japë përgjigje. Në këtë rast nuk është kusht të presë një mufti për të dhënë përgjigje.
  • Në suren el Furkan përmendet pyetja e kafirëve: “Ata thanë: Ç’është ky i dërguar që ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?!” Kjo pyetje lidhet me profetësinë. Allahu i Lartësuar ka përmendur pyetjen e tyre dhe u ka dhënë përgjigje.
  • Komentuesit e Kuranit kanë përmendur se idhujtarët kanë thënë për pemën e Zekumit: “Muhamedi (a.s.) thotë se në Zjarr ka një pemë, por Zjarri e djeg pemën?!” Kështu, Allahu ju ka dhënë përgjigje me disa ajete ne suren Saffat.

Së dyti, këtë stil e kanë ndjekur edhe profetët e Allahut:

  • Komentuesit e Kuranit kanë shpjeguar se fjalën “…Zoti im është Ai që jep jetë dhe merr jetë…” (El Bekare, 258) Ibrahimi e tha si përgjigje për pyetjen e mbretit: “Kush është Zoti yt?”
  • Allahu ka përmendur pyetjen që i bëri Firaoni Musait: “Firaoni e pyeti: E ç’është Zoti i botëve?” (Eshuara, 23) Pastaj Allahu përmend përgjigjen që i dha Musai (a.s.).

Së treti, ky ka qenë dhe një nga stilet e të Dërguarit të Allahut për t’iu përcjellë njerëzve mesazhin:

  • Një beduin e pyeti Profetin: “…Kush e krijoi qiellin?” Profeti iu përgjigj: “Allahu”. Hadithi vazhdon. Po në këtë hadith përmendet se ky beduin e pyeti Profetin dhe për pesë namazet, zekatin, agjërimin e ramazanit dhe haxhin. Edhe Profeti (s.a.u.s.) i dha përgjigje. Hadithi gjendet në Sahih Muslim. Kështu, nëse një besimtar do të pyetet se kush është Krijuesi dhe cilat janë shtylalt e Islamit, përgjigjen e ka të qartë.
  • Xhibrili e pyeti Profetin për Islamin, imanin dhe ihsanin. Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj. Nga ky hadith, ndër të tjera, mësohet edhe stili i pyetje-përgjigjeve për t’u mësuar e për t’u përcjellë njerëzve çështjet fillestare të fesë. Në fund të hadithit, thuhet: “Ai ishte Xhibrili i cili erdhi tu mësonte fenë tuaj”.
  • Talha Ibn Ubedilah ka treguar se një burrë e pyeti Profetin për Islamin. Profeti iu përgjigj se kishte detyrë pesë namazet, zekatin agjërimin e Ramazanit. I përmendi dhe disa detyra e ligje të tjera të Islamit (Buhariu dhe Muslimi).
  • Amër Ibn Abeseh tregon se ka pyetur Profetin: “Ç’je ti?” Profeti iu pëgjigj: “Unë jam një Profet”. “Po ç’është profeti?” – e pyeti përsëri Amri. “Më ka dërguar Allahu” – iu përgjigj Profeti (s.a.u.s.). “Me çfarë misioni të ka dërguar?” Profeti iu përgjigj: “Më ka dërguar për mbajtjen e lidhjeve me farefisin, për thyerjen e idhujve dhe që të adhurohet Allahu Një e i Vetëm pa iu bërë shok asgjë” (Muslimi). Profeti është pyetur për profetësinë dhe për detyrën që kishte si Profet i Zotit. Profeti ka përmendur mbajtjen e lidhjes me fisin si një shembull për të drejtat dhe moralet e larta në të cilat ftonte. Ka përmendur edhe teuhidin e adhurimit i cili është themeli i fesë dhe pikërisht kuptimi fjalës “La ilahe il-lallah”.
  • Më lart u përmend pyetja që iu bë Profetit për ringjalljen dhe përgjigja që ai dha.

Së katërti, nëse një thirrës do të pyetet në një mexhlis me burra për besimin në Zot, teuhidin, format e shirkut, ringjalljen, librat hyjnorë, profetësinë, kaderin, parimet e moralit, të drejtat, a do të japë përgjigje apo jo? A është kusht që të përgjigjet një dijetar mufti në një mexhlis të tillë apo mund të përgjigjet çdo thirrë i aftë? Po nëse në këtë mexhlis dikush pyet për pesë namazet ose për kohën kur fillon e mbaron dita e agjërimit ose për gjërat që prishin agjërimin, pra, për çështje të tilla fillestare, a do të japë përgjigje apo jo? Kuvendet e moshës se re sot janë në rrjetet sociale. Nëse i lejohet thirrësit të japë përgjigje për çështjet fillestare të fesë në një mexhlis e përse nuk i lejohet të përgjigjet për to në rrjetet sociale?

Së pesti, nëse mësuesi e zhvillon mësimin me nxënësit nëpërmjet pyetje-përgjigjeve çfarë të problemi ka këtu. A nuk do të ishte kjo një mënyrë e mirë për t’iu ngulitur çështjet nxënësve?

Së gjashti, nuk duhet të ngatërrojmë pozitën e thirrësit dhe mësuesit me pozitën e dijetarit mufti. Kur bëhen pyetje për çështje të vështira të fikhut, për çështje delikate, për hollësira të diturisë, për të cilat përgjigjet vetëm një dijetar, thirrësi dhe mësuesi nuk duhet të përgjigjen për çështje të tilla, por duhet të thonë se nuk e dimë përgjigjen ose duhet ta porosisin pyetësin t’i drejtohet një më të dituri ose duhet t’ia përcjellin vetë pyetjen një dijetari për të marrë një fetva. Atëherë, ato thëniet dhe atharet (dëshmitë) që sillen për të pyetur dijetarët, për të mos nxituar në dhënien e fetvasë, nuk e kanë fjalën për parimet e fesë dhe për çështjet fillestare që duhet t’i dijë çdo musliman e për të cilat mund të japë përgjigje çdo thirrës i aftë, por e kanë fjalën për çështje delikatë e të thella të diturisë për të cilat jep përgjigje një dijetar me kapacitet të gjerë diturie.

Nuk duhet ta kaloj këtë çështje pa theksuar faktin se, kur pyetet thirrësi, hoxha apo mësuesi për çështje delikate apo të thella, nuk duhet të nxitojë të japë përgjigje. Përgjigja për këto çështje u përket dijetarëve. Nëse një thirrës apo hoxh përgjigjet për çështje të tilla pa pasur dituri apo pa pasur fetva (shpjegim) të një dijetari, ai gabon rëndë. Dhe këtu është vendi për t’i kritikuar ata që nxitohen në rrjetet sociale duke dhënë përgjigje. Por nuk mund të themi që të gjithë ata që bëjnë davet në rrjetet sociale janë të tillë. Sikurse s’mund të themi që të gjithë hoxhallarët e xhamive janë të tillë dhe të gjithë mësuesit e lëndëve fetare janë të tillë. Përgjithësimi këtu është një gabim tjetër. Përpjekja për të rrëzuar të gjithë thirrësit në rrjetet sociale me këtë preteks përsëri është një gabim. Pretendimi se duhen ndaluar hoxhallarët dhe thirrësit edhe të japin përgjigje për çëshjet fillestare të fesë, gjithashtu, është një ngatërresë dhe gabim. Por ai që nxitohet duhet të këshillohet. Po ashtu mund të bëhen edhe këshilla të përgjithshme për rrezikshmërinë e të folurit për fenë e Allahut pa dituri. Por s’mund të ndalojmë pyetje-përgjigjet për çështjet fillestare të fesë që duhet t’i dijë çdo musliman dhe jo vetëm dijetarët.

Së shtati, po ka njerëz që bëjnë pyetje në rrjetet sociale për t’u tallur me fenë dhe hoxhallarët. Dhe nëse do të jepet përgjigje në rrjetet sociale, do të ulet figura e hoxhës. A nuk duhet të ndalohen pyetje-përgjigjet që të mos kemi telashe të tilla? Për këtë themi:

  • Një thirrës i aftë di të dallojë pyetjet që bëhen për tallje dhe pyetjet që bëhen seriozisht. Kështu, jep përgjigje për pyetjet serioze dhe jo për të tjerat.
  • Ndonjëherë mund të jepet përgjigje edhe për ndonjë pyetje që bëhet me ironi, tallje dhe nënçmim. Kjo gjë mësohet dhe nga stili i Kuranit siç u përmend më lart.
  • Në mjaft vende në Kuran Allahu i Lartësuar ka përmendur akuzat e kafirëve për Profetin (s.a.u.s.), siç përmend në fillimet e surës Sad, dhe ka dhënë përgjigje për to.
  • Të bën habi se si mund të pretendojë një musliman që nuk duhet të bësh thirrje apo të japësh përgjigje për pyetjet nëse bëhesh objekt fyerjeje, talljeje, nënçmimi dhe lëndimi. Po në sa vende ka përmendur Allahu në Kuran se popujt janë tallur me të dërguarit? Në mënyrë të veçantë, në sa vende në Kuran përmendet se idhujtarët talleshin me Profetin (s.a.u.s.), besimtarët apo çështjet e fesë që përcillnin te njerëzit? Po në Sira (Jetëshkrimin e Profetit) a nuk vërejmë se sa ka vuajtur Profeti (s.a.u.s.) dhe shokët e tij nga talljet, ofendimi dhe lëndimi? Kështu, nuk duhet të lëmë thirrjen dhe stilet e mira dhe të bukura të saj nga frika se disa njerëz do të tallen me ne, do të na lëndojnë etj.. Nuk ka qenë kjo sjellja e Profetit tonë dhe shokëve të tij.

Së teti, disa këshilla për davetin në rrjetet sociale:

  • Thirrësi duhet të njohë metodën e davetit të Profetit dhe stilet që ai ndiqte në thirrje.
  • Në rrjetet sociale, duke qenë se shumica e njerëzve, janë fillestarë ose një pjesë janë jomuslimanë, daveti duhet të përqëndrohet tek parimet e besimit, teuhidi, luftimi i formave të shirkut, pranimi i shpalljes hyjnore, pranimi i profetësisë, argumentet e profetësisë, argumentet e ringjalljes, te kaderi me një shpjegim fillestar dhe të thjeshtë pa hyrë në hollësira që nuk i kuptojnë njerëzit, tek frytet e besimit në kader, tek shtyllat e Islamit, sidomos namazi. Duhet të përqëndrohet, po ashtu, tek siguria, drejtësia dhe luftimi i padrejtësisë, rrushfetit dhe korrupsionit. Të flitet gjithashtu për respektin për prindërit, për lidhjet farefisnore, për familjen, martesën, të drejtat bashkëshortore, të drejtat e fëmijëve dhe përkujdesjen për ta. Të ftohen njerëzit në moralet e larta dhe të luftohen veset e ulta si imoraliteti, droga, alkooli, bixhozi, duhani etj.. T’i nxisim njerëzit për zekatin, sadakanë dhe mirëbërje e mirësjellje. Ndërsa për çështjet që nuk përfshihen në mësimet fillestare të fesë flitet në xhami ose në mexhlise më të veçanta.
  • Thirrja fillohet me më të rëndësishmet e më të rëndësishmet. Renditen çështjet sipas rëndësisë.
  • Ka çështje që mund të mos përmenden, ka tema që mund të mos trajtohen, ka sqarime që mund të shtyhen, pasi mund të mos i kuptojnë njerëzit, ose duhet të marrin parasysh dhe aftësitë e njerëzve për të na kuptuar.
  • Thirrësi në mexhliset me fillestarë, por dhe në rrjetet sociale nuk duhet të japë përgjigje për çdo pyetje. Duhet të dijë të përzgjedhë pyetjet. Ka gjëra që mund t’i anashkalojë ose mund ta shtyjë sqarimin e tyre. Mund të bëhen pyetje për të larguar njerëzit nga thirrja, kështu që thirrësi duhet të jetë i aftë të dalë nga situata ose të shmangë pështjellimet ose të mos përgjigjet ose të japë një përgjigje që i afron dhe nuk i largon njerëzit, por pa thënë gjëra të pavërteta.
  • Ka çështje që do të bëhen provë për njerëzit nëse do të besojnë apo jo. Për shembull, udhëtimi i miraxhit qe provë për njerëzit se do ta besonin apo jo, pema e Zekumit etj.. Kështu nëse të paditurit ose jomuslimanët do të dëgjojnë për një shenjë të Kiametit, një mrekullit të jashtëzakonshme, një çështje të gajbit, një nga çudirat e krijesave të Allahut, dhe kështu do të habiten dhe do ta konsiderojnë të pabesueshme, kjo nuk duhet të na trishtojë. Gjejmë momente dhe episode të tilla në sirën e Profetit (s.a.u.s.). Njerëzit do të vihen në provë.
  • Këtu janë për tu përmendur dhe shumë detaje, por për më gjerë këshilloj të lexohet një libër i bukur i Adnan Arurit mbi këtë temë: “Metodologjia e thirrjes”. Në këtë libër gjejmë gjithçka që lidhet me metodologjinë e thirrjes së Profetit (s.a.u.s.).

Uel hamdulilahi ues salatu ueselamu ala resulilah.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *