Pese vaktet e namazit ne Kuranin Kerim

Pesë vaktet e namazit në Kuranin Kerim

Allahu i Lartësuar thotë:

“Kryej namazet nga koha kur dielli fillon në mesditë të zbresë nga zeniti drejt perëndimit e deri në errësirën e natës (flitet për namazin e drekës në mesditë, për namazin e ikindisë që falet më pas para perëndimit të diellit, si dhe për namazin e akshamit dhe të jacisë kur vjen errësira e natës).

Kryej edhe namazin e sabahut; me të vërtetë që në namazin e sabahut ka dëshmitarë (të pranishëm nga melaiket)” (El-Isra, 78). Shih: Tefsirin e Ibn Xherir Taberiut (8/124-127 dhe Tefsirin Ibn Kethirit (3/70-71).

Allahu i Lartësuar thotë: “(O besimtarë), madhëroni Allahun kur të ngryseni (duke falur namazin e akshamit) dhe kur të gdhiheni (duke falur namazin e sabahut). Vetëm Atij i takon falënderimi (nga të gjitha krijesat) në qiej dhe në Tokë. Madhërojeni Allahun edhe pasdite (në zëmër, duke falur namazin e ikindisë) dhe në drekë (duke falur namazin e drekës)”. Er-Rum, 17-18). Shih: Tefsirin e Ibn Xherir Taberiut (10/173). Po në këtë tefsir (10/174) shih edhe komentin që u kanë bërë këtyre dy ajeteve sahabiu i nderuar Abdullah Ibn Abasi (r.a.), si dhe komentuesit e brezit të tabiinëve, Muxhahidi, Katade dhe Xhabir Ibn Zejdi.

Allahu i Lartësuar thotë: “… dhe pas namazit të jacisë…” (En-Nur, 58).

Kur dikush e pyeti komentuesin e madh të Kuranit, sahabiun e nderuar, Abdulla Ibn Abasin (r.a.) se a përmenden pesë vaktet e namazit në Librin e Allahut, ai iu përgjigj se namazi i akshamit, namazi i sabahut, namazi i ikindisë dhe namazi i dekës përmenden në dy ajetet e mësipërme të sures Er-Rum, kurse namazi i jacisë përmendet në ajetin e sures En-Nur. Shihe këtë dëshmi në tefsirin e Ibn Xherir Taberiut (10/174).

Allahu i Lartësuar thotë: “Falini rrëgullisht (pesë) namazet, sidomos namazin e mesëm (namazin ikindisë)…) (El-Bekare, 238). Kështu e ka shpjeguar Profeti (s.a.u.s.) namazin e mesëm në një hadith që gjendet tek Buhariu (4533) dhe Muslimi (627), si dhe në disa hadithe të tjera që mund t’i shohësh në tefsirin e Ibn Kethirit (1/361-365). Me pajtimin (ixhmain) e të gjithë dijetarëve fjala e Allahut në fillimin e ajetit “Falini rregullisht namazet…”, përfshin të pesta namazet farze.

.Dijetarët nuk kanë kundërshtim për këtë fakt.

Unanimitetin për këtë pikë e kupton shumë qartë, po të lexosh komentin që ata i kanë bërë këtij ajeti. Këtë fakt e mohon vetëm një njeri i djallëzuar dhe kokëfortë.

.Ndërsa për përcaktimin e namazit të mesëm dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme, por i sakti është se flitet për namazin e ikindisë, pasi kështu e ka shpjeguar Profeti (s.a.u.s.).

Mbasi ka urdhëruar për t’u kujdesur për faljen e pesë namazeve Allahu i Lartësuar ka dhënë urdhër të veçantë për faljen e namazit të ikindisë, për shkak të rëndësisë së këtij namazi.

Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj duroje (o i Dërguar) atë që thonë ata dhe madhëroje e falënderojë Zotin tënd (duke falur namazin e sabahut) para lindjes së diellit dhe (duke falur namazin e ikindisë) para perëndimit të diellit. Edhe në orët e natës madhëroje Atë (duke falur namazin e jacisë) dhe në skajet e ditës (duke falur namazin e drekës dhe të ikindisë), që të mund të kënaqesh (me shpërblimin që do të japë Allahu)” (Taha, 130).

Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Nëse mundeni të përgatiteni që të mos iu kalojnë pa falur namazi para lindjes së diellit dhe namazi para perëndimit të diellit, kështu veproni!” Pasataj (sipas variantit të Muslimit, sahabiu që transmeton hadithin, Xheriri (r.a.)) ka kënduar ajetin: “… madhëroje e falënderoje Zotin tënd para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij”. Kështu e ka shpjeguar ajetin e mësipërm Ibn Xherir Taberiu në tefsirin e tij (8/477). Shih edhe dëshmitë që ka sjellë Ibn Xheriri nga të parët e umetit mbi këtë koment.

Allahu i Lartësuar thotë: “Fale namazin në dy skajet e ditës dhe në disa orë të natës. Vërtet, veprat e mira i fshijnë veprat e këqija (Hud, 114).

Në shpejgimin e këtij ajeti kementuesit e Kuranit kanë dhënë disa mendime:

  .Mendimi i parë: Namazet në dy skajet e ditës janë namazi i sabahut, namazi i drekës dhe namazi i ikindisë, pasi njëri skaj i ditës flet për namazin e sabahut, kurse skaji tjetër flet për pasditen, dhe gjatë pasdites falen namazi i drekës dhe namazi i ikindisë. Ky është mendimi i Muxhahidit, Muhamed Ibn Ka’b Karadhiut dhe Dahakut. Shih: Tefsirin Ibn Xheririt (7/124-125). Ndërsa me fjalën “në disa orë të natës” flitet për namazin e akshamit dhe për namazin e jacisë.

Ky është mendimi i Hasen Basriut, Muxhahidit, Katades, Muhamed Ibn Ka’bit dhe Dahakut. Shih: Tefsirin e Ibn Xheririt (7/127-128). Ibn Atije në tefsirin e tij (3/212) ka përmendur se shumica e sahabëve dhe tabiinëve kanë qenë të mendimit se fjala “veprat e mira” e përmendur në ajet ka për qëllim pesë namazet farze. Kështu e kanë shpjeguar këtë fjalë shumë selefë të umetit.

Shihi këto dëshmi në tefsirin e Ibn Xheririt (7/129-130). Madje sipas një transmetimi në Musnedin e Imam Ahmedit (nr. 514) nga Uthmani (r.a.), kështu e ka shpjeguar këtë fjalë edhe Profeti (s.a.u.s.).

Edhe sipas një hadithi tjetër po në Musned (nr. 23707), Profeti (s.a.u.s.) ka përmendur që pesë namazet i fshijnë gjynahet dhe ka kënduar ajetin e mësipër të sures Hud.

      .Mendimi i dytë: Namazet në dy skajet e ditës janë namazi i sabahut dhe namazi i ikindisë. Shih tefsirin e Ibn Xheririt (7/125).

     .Mendimi i tretë: Namaze në dy skajet e ditës janë namazi i sabahut dhe namazi i jacisë, kurse “në disa orë të natës” flitet për namazin e jacisë. Shih: tefsirin e Ibn Xheririt (7/126-127).

.Mendimi i katërt: Namazi “në disa orë të natës” është namazi i natës. Shih tefsirin Fet’hul Kadir të Sheukanit (1/1048).

Sipas një mundësie që e ka përmendur Ibn Kethir, ky ajet i sures Hud mund të ketë zbritur para obligimit të pesë namazeve në natën e Israsë dhe të Miraxhit.

Në atë kohë ishin detyrë vetëm dy namaze, njëri para lindjes së diellit dhe tjetri para perëndimit të tij. Gjatë natës e kishte detyrë të falte namaz nate edhe Profeti (s.a.u.s.), edhe umeti i tij.

Më pas obligimi i namazit të natës u anulua për umetin, ndërsa për Profetin mbeti si detyrë.

Më vonë u anulua kjo detyrë dhe për Profetin, sipas një mendimi.

  • Për mendimin tim, më i mundshëm dhe më i saktë është mendimi i pare, që ajeti flet për të pesta namazet. Allahu e di më mirë.

Sqarim: Nëse përmenden vetëm dy namaze në një ajet, kjo nuk do të thotë se s’ka namaze të tjera që i kemi farz. Logjikisht, përmendja e një fakti nuk do të thotë se s’ka dhe fakte të tjera.

Përmendja e një namazi në një citat fetar, ose dy namazeve ose tre ose katër nuk do të thotë se nuk ka më tepër. Pra, kjo nuk do të thotë se nuk janë pesë namaze.

Kush i kupton në këtë mënyrë citatet e Kuranit dhe Sunetit, ai shpif për Allahun e Lartësuar, për Kuranin Kerim, për Profetin (s.a.u.s.); ai është në kundështim me kuptimin e dijetarëve të umetit brez pas brezi; ai është në kundërshtim me të gjithë dijetarët që na kanë sjellë me sened (me varg transmetimi) Kuranin Kerim; ai është një keqinterpretues.

  • Një pyetje: Si shpjegohet që nuk përmendet shprehimisht fjala “pesë namaze” në Kuran, por është e vetëkuptueshme?

Përgjigjia: Allahu i Lartësuar na ka dhënë urdhër në shumë vende në Kuran të falim namazin, por pa sqaruar shumë detaja të faljes së namazeve.

Këto detaja Allahu i Lartësuar ia kanë lënë Profetit (s.a.u.s.) që t’i sqarojë me pjesën tjetër të shpalljes, që është Suneti.

Kjo tregon edhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bazimit në hadithet e sakta.

Prandaj Allahu na ka nxitur në Kuran që t’i bindemi Profetit, të marrin ato që na i jep ai, ta ndjekim atë, të pasojmë shembullin e tij.

Shumica e detajave të namazit mbi kohët e namazeve, rekateve të namazeve, formën e qëndrimit në këmbë, formën e rukusë, formën e sexhdes, numrin e sexhdeve, suret dhe lutjet që këndohen në namaz, salavatet për Profetin, selamin etj., merren veçse nga Suneti i Profetit.

Pra, shumica e detajave të faljes së namazit nuk sqarohen në Kuran. Kështu, ai që nuk pranon hadithet e ka të pamundur që të gjejë formën e saktë të namazit të Profetit (s.a.u.s.); ai s’mund ta zbatojë urdhrin Kuranor për faljen e namazit; ai është kundër Zotit, Profetit, Kuranit, namazit, dhe ixhmait të umetit islam.

Kjo është dhe arsyeja pse kuranistët kanë sajuar një namaz tjetër nga ai që ka pas falur Profeti (s.a.u.s.).

Pesë namazet në hadithet e Profetit (s.a.u.s.):

– Hadithi i Enes Ibn Malikut (r.a.) ku përmendet obligimi i pesë namazeve në natën e Israsë dhe të Miraxhit (Buhariu nr. 349 dhe Muslimi nr. 163).

– Hadithi i Talha Ibn Ubejdilahut ku përmendet se dikush e pyeti Profetin (s.a.u.s.) për Islamin, dhe ai përmendi ndër të tjera “pesë namaze në ditë e në natë” (Buhariu nr. 46 dhe Muslimi nr. 11).

– Hadithi i Ibn Abasit (r.a.), i cili tregon se Profeti e dërgoi Muadhin ne Jemen dhe i tha: “… Njoftoji ata se Allahu ua ka bërë detyrë pesë namaze në çdo ditë e natë” (Buhariu nr. 1395 dhe Muslimi nr. 19).

– Hadithi i Ebu Mesudit (r.a.) ku Profeti (s.a.u.s.) përmend se ka zbritur Xhibrili (a.s.) dhe i kë prirë atij (Profetit) në pesë namazet. Profeti (s.a.u.s.) i ka numëruar pesë namazet me gishta (Buhariu nr. 3221) dhe Muslimi nr. 610). Sipas një variant të hadithit, Profeti ka thënë: “Kështu jam urdhëruar (Buhariu nr. 4007)”. Faktin që Xhibrili erdhi dhe i mësoi Profetit tonë kohët e pesë namazeve e kanë përcjellë edhe disa sahab të tjerë, si: Xhabir Ibn Abdilah, Ibn Abasi, Ebu Hurejra. Atëherë, meleku Xhibril i cili ka sjellë Kuranin, i ka përcjellë Profetit nga Allahu i Lartësuar dhe pesë vaktet e namazit.

– Hadithi i Enes Ibn Malikut se një beduin i tha Profetit (s.a.u.s.): “… i dërguari yt ka pretenduar se e kemi detyrë të falim pesë namaze në ditë dhe në natë” Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “Të vërtetën ka thënë” (Muslimi nr. 12).

Ka edhe shumë hadithe të tjera të sakta që namazet farz (detyrë) janë pesë.

Këto hadithe për këtë fakt arrijnë gradën mutevatir.

Të mohosh vërtetësinë e këtij fakti do të thotë të dyshosh në vërtetësinë e përcjelljes së Kuranit dhe në vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit (s.a.u.s.).

Kështu, këtë fakt e mohon vetëm një i paditur ose një njeri që dyshon në të gjithë fenë islame.

Ixhmai i umetit:

I gjithë umeti beson se muslimani e ka detyrë të falë pesë namaze në ditë e në natë.

Kjo njihet domosdoshmërisht se pjesë e fesë. Nuk ka ansjë dijetarë që të ketë menduar ndryshe.

  • Disa pyetje për ndonjë që akoma nuk është i bindur se kuranistët mashtrojnë kur thonë se ka tre namaze në ditë:

Sa namaze i ka detyrë muslimani në ditë?

  • A di ti që ka dhjetra hadithe të sakta në të cilat përmenden pesë namazet ditore?
  • A di ti qe s’ka asnjë dijetar nga ata që na kanë sjellë Kuranin me sened nga Profeti që të ketë interpretuar ndonjë ajet të Kuranit me kuptimin që ka vetëm tre namaze?
  • A di ti që interpretimi i ajeteve ashtu është në kundërshtim me kuptimin unanim të dijetarëve të umetit, që nga brezi i parë e deri më sot? Ky interpretim është një fe e re, një kuptim që nuk ka bazë.

A nuk keni juve logjike të kuptoni se nuk ka mundesi të jetë gabim interpretimi që kanë bërë të gjithë dijetarët që na percollën Kuranin me sened, brez pas brezi, dhe të jetë i saktë interpretimi i bërë nga kuranistët që kanë dalë në këtë shekull?

Të gjithë ata që sollën Kuranin kanë besuar se ka pesë namaze dhe se ky është kuptimi i ajeteve që urdhërojnë për të falur namazin.

  • Sipas kuranistëve i bie që ata kanë qenë në rrugë të gabuar! Po nëse ata që sollën Kuranin kanë qenë në rrugë të gabuar, atëherë si mund të jetë e saktë përcjellja e Kuranit? Kështu, kush e beson Kuranin si libër të Zotit të ruajtur nga ndryshimet nuk mund të përqafojë fenë e kuranistëve.

Allahu i Lartësuar thotë: “Atë, që i kundërvihet të Dërguarit, pasi i është bërë e qartë e Vërteta, dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur (në dynja) dhe e fusim në Xhehenem. Sa përfundim i keq është ai!” [Nisa: 115].

Ky ajet tregon se ka një rrugë të drejtë të besimtarëve, e cila duhet të ndiqet. Po ashtu, ajeti i paralajmëron për dënim në Xhehenem ata që largohen nga Rruga e besimtarëve. Nga ajeti kuptohet qartë se Rruga e Drejtë është ajo e Profetit (s.a.u.s.) dhe e besimtarëve të kohës së tij, si edhe e besimtarëve, që ndoqën këtë rrugë brez pas brezi, deri në kohën tonë.

Nëse dikush ndjek një drejtim që nuk përputhet me rrugën që ndoqën besimtarët, brez pas brezi, ai s’mund të jetë në Rrugë të Drejtë; ai do të jetë në Zjarr të Xhehenemit.

Prandaj, u bë dhe pyetja e mësipërme: Na tregoni kush janë bresimtarët që kanë qenë në rrugën tuaj, brez pas brezi deri më sot? Nuk ka pikë dyshimi që kuranistët (mohuesit e Sunetit) nuk mund ta vërtetojnë vargun e pandërprerë (vazhdimësinë) të rrugës së tyre, sepse ajo është shpikur në shekullin e shkuar.

Nëse një drejtim fetar nuk ka varg të pandërprerë deri te Profeti (s.a.u.s.), sipas asaj që theksohet qartë në ajetin e mësipërm, s’mund të jetë rruga e drejtë e besimtarëve e ndjekur nga koha e Profetit e deri më sot.

Nëse këto nuk të duken argumente bindëse, atëherë qaja hallin vetes se të është verbuar arsyeja.

  • A e di se kush mohon diçka të njohur të fesë , për të cilën kanë rënë dakort dijetarët brez pas brezi, del prej fesë?
  • Kush mohon diçka të padiskutueshme dhe të njohur të fese, ai del nga Islami!

Një këshillë për ata vëllezër të hajrit që edhe kësaj here po orvaten ta kapin shkopin në mes! Nuk është ky rasti të tregoheni si të moderuar apo mesatarë. Kush lë Kuranin, hadithet dhe ixhmain, dhe bazohet në ëndrra, ai është mashtrues. Kush mashtron me ndjenjat dhe frymëzimet e veta, ai ka stilin e fallëxhorëve. Kush mohon që ka pesë namaze, ai shpif ndaj Allahut, Profetit dhe Kuranit.

S’ka shpjegim tjetër. Kush pretendon se është musliman dhe del me ide të tilla, ai është hipokrit dhe felëshues.

Nuk ka nga tu shmangesh këtyre fakteve.

Kush mashtron njerëzit me biseda të trilluara fetare e sharlatanizma për tu marrë para, ai ka sjelljen e një sharlatani (musha’vidh).

Për të gjitha këto gjykime ka argumente.

Të gjitha janë në vendin e duhur.

Asnjëri prej këtyre gjykimeve nuk është mallkim dhe as sharje.

Cili ka qenë qëndrimi i Profetit dhe sahabëve ndaj sharlatanëve, mashtruesve dhe profetëve të rremë?

  • Po cili ka qenë qëndrimi i dijetarëve të sunetit ndaj sekteve batinije?
  • Po cili është qëndrimi i dijetarëve të kohës sonë ndaj kuranistëve, kadjanive, sekteve batinije?

A e kuptojnë këta se ky qëndrim në njafërë mënyrë mund t’u japë një urë shpëtimi mashtruesve të tillë?

Përveç këtyre gjykimeve fetare, që janë dhënë me përgjegjësi dhe maturi dhe ku nuk ka sharje dhe as mallkim, ne iu kemi bërë thirrje kuranistëve dhe atyre që janë bërë argat i tyre në rrjetet sociale që të pendohen, se dera e teubes është e hapur.

Por, derisa të pendohen nuk do të ketë zbutje të qëndrimit ndaj tyre, sepse duhet të mbrohet feja nga devijimet, nuk duhet të lejohen këta hipokritë e mashtrues të dizinformojnë të paditurit dhe të shpien njerëz në humbje.

Lejohet të mallkohen keqbërësit dhe kategoritë e gjynahqarëve të mëdhenj pa përcaktur një person të caktuar.

Në këtë kuptim, lejohet mallkimi i sekteve batinije apo hipokrite si kuranistët, por në përgjithësi dhe pa identifikuar një person të veçantë.

Ka hadith që e lejon edhe mallkimin e kategorive të bidatçijve në përgjithësi, pa caktim, sidomos ata që kanë bidate kufrije me të cilat dalin nga feja Islame.

Ka dhe dëshmi nga dijetarët e selefit për këtë. Për shembull, kanë mallkuar havarixhët, kaderijet, xhehmijet.

Megjithëkëtë, në ndonjë rast të veçantë mund të lejohet mallkimi i një kafiri të caktuar që është keqbërës. Madje mund të lejohet edhe mallkimi i ndonjë koke të caktuar të bidatçijve, siç transmetohet se Imam Maliku ka mallkuar Amër Ibn Ubidin.

Ka edhe hadith që tregon se në ndonjë rast të rrallë Profeti (s.a.u.s.) mund të ketë mallkuar ndonjë person të caktuar.

Por, në parim, nuk lejohet të mallkohet një kafir i caktuar, e aq më pak një bidatçi apo një gjynahar i caktuar.

Prandaj, i këshillojmë muslinamët, sidomos ata që nuk kanë dije feje, që të mos nxitohen në mallkimin e një kafiri apo hipokriti të caktuar, sepse mund ta vënë mallkimin jo në vendin e duhur.

Nga ana tjetër, edhe sjellja e argumenteve që e ndalojnë mallkimin e një njeriu të veçantë apo të një gjynahqari të veçantë si argument për ndalimin e mallkimit të grupeve të kufrit dhe të bidatit në përgjithësi, është shpjegim i gabuar.

Por nuk është vendi për më shumë sqarim këtu.

Ibn Hazmi thotë: “Sipas ixhmasë (pajtimit) së të gjithë muslimanëve, nëse një njeri thotë se marrim për bazë veç atë që gjejmë në Kuran, ai është kafir.

Sipas atij sekti, njeriu do të kishte detyre të falte vetëm një rekatë namaz nga koha e drekës derisa të bjerë errësira e natës dhe një rekat tjetër në agim.

Kjo për vetë faktin se minimum që mund të quhet namaz është një rekatë, kurse maksimumi i numrit të namazeve dhe numrit të rekatëve nuk ka caktim, (pra, ky është një rrjedhim i pashmangshëm për këdo që nuk pranon argumentimin me Sunetin e Profetit (s.a.u.s.)). Kush pohon diçka të tillë, është kafir dhe idhujtar.

Jeta dhe pasuria e tij janë të pambrojtura (në kushtet e një shteti të mirëfilltë islam).

Kjo është vetëm ideja e disa rrafidive (shiitëve) tepër ekstremistë, për të cilët ymeti ka qëndrim unanim që janë kafirë”. (El Ihkam fi Usulil Ahkam 2/80). Ibn Hazmi flet për ajetin nr. 78 të sures Isra.

  • Nëse njeriu nuk pranon të shpjegojë Kuranin sipas Sunetit të Profetit (s.a.u.s.), rrjedhimisht do të dalë me një interpretim si ai që përmend Ibn Hazmi.

Unë kam shkruar një libër mbi dyshimet e kuranistëve dhe argumentet që i hedhin poshtë ato. Ky libër gjendet në faqen time në internet.

Në këtë libër kam përmendur edhe disa nga idetë kufrije të kuranistëve.

Disa nga bindjet, idetë dhe ritet e kuranistëve:

    • Ligjet e Kuranit për zekatin, sadakanë dhe trashëgiminë kanë qenë të përkohshme. Pra, ato nuk vlejnë për kohën tonë.
    • Ligjet që ka nxjerrë Pejgamberi (s.a.u.s.) dhe sahabët nga Kurani ishin të veçanta për ta.
    • Brezat e mëpasëm kanë të drejtë të nxjerrin ligje të tjera nga Kurani. Kjo do të thotë që, brezat e mëvonshëm mund t’i bëjnë Kuranit një interpretim tjetër nga ai që njihnin Pejgamberi (s.a.u.s.) dhe shokët e tij!
    • Hadithet ka qenë ligjërim i veçantë për arabët e kohës së Pejgamberit (s.a.u.s.).
    • Sipas interpretimit të kuranistëve, bindja ndaj Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Profetit (s.a.u.s.) do të thotë t’i bindesh qendrës së sistemit fetar që nxjerr ligje.
    • Xheneti dhe Xhehenemi nuk janë vende të veçanta, por mënyra të qenies njerëzore! Kështu, ata kanë mohuar ekzistencën e Xhenetit dhe të Xhehenemit me interpretime të këqija.
    • Mohimi i botës së fshehtë (gajbit), si mohimi i botës së melaikeve, botës së xhindeve dhe të shejtanëve.
    • Kurani i Madhërueshëm i zbriti Pejgamberit (s.a.u.s.) vetëm si domethënie, ndërsa shprehjet e tij i ka formuluar vetë Pejgamberi (s.a.u.s.).
    • Muslimani nuk e ka detyrë të pranojë ato që përmenden në Sunet, si: urdhrat, ndalesat, ligjet dhe lajmet.
    • Vendosja e kritereve të reja për hadithet që pranohen dhe për ato që nuk pranohen: Këto kritere nuk marrin në konsideratë rregullat e shkencës së hadithit (ulumul hadith) që kanë njohur e përcjellë dijetarët e Ymetit që nga koha e të parëve të Ymetit e deri në shekullin e 19-të.

Sipas këtyre kritereve, në përgjithësi, hadithet duhet të refuzohen, përveç ndonjë transmetimi të rrallë që përputhet me logjikën dhe dëshirën e tyre.

Madje, sipas këtyre kritereve, refuzohen edhe hadithet muteuatire. Shkurt, po të zbatosh kushtet dhe kriteret e tyre të reja, i gjithë Suneti nuk duhet të pranohet.

    • Kanë ndryshime nga muslimanët në mënyrën e kryerjes së riteve fetare. Meqenëse edhe vetë kuranistët janë të përçarë në disa sekte, ata kanë kundërshti edhe ndërmjet sekteve të tyre në mënyrën e faljes së namazit.
    • Më lart (në librin e lartpërmendur), u përmend se xhekralvijtë falin vetëm tri namaze në ditë.
    • Çdo namaz e kanë me dy rekatë. Në çdo rekat bëjnë vetëm një sexhde.
    • Nuk ngrihen nga rukuja në këmbë, por shkojnë nga rukuja në sexhde.
    • Një sekt tjetër kuranistësh ka vetëm dy namaze në ditë.
    • Ka kuranistë që mund të kenë pesë namaze, por kanë gjëra në të cilat ndryshojnë nga muslimanët në mënyrën e kryerjes së namazit dhe riteve fetare.
    • Kështu, ata ndryshojnë nga muslimanët edhe në mënyrën e kryerjes së ibadeteve (riteve fetare).

Vërejtje: Idetë e përmendura më sipër, përgjithësisht u përkasin kuranistëve.

  • Por disa prej tyre mund t’i përkasin një sekti dhe disa – një sekti tjetër, pasi siç u sqarua, edhe ata vetë kanë ide dhe interpretime në kundërshtim me njëri-tjetrin.
  • Edhe vetë sektet e kuranistëve nuk janë në një mendje për interpretimin e Kuranit të Madhërueshëm.
  • Ata janë ndarë në disa sekte dhe kanë kundërshti ndërmjet tyre.
  • Edhe në mënyrën e kryerjes së riteve fetare, si namazi kanë kundërshtime, jo vetëm me muslimanët, por edhe ndërmjet tyre.
  • Kjo vjen nga vetë fakti se ata nuk bazohen në Sunetin e Profetit (s.a.u.s.) për të njohur kuptimin e saktë të Kuranit dhe për të njohur mënyrën e saktë të kryerjes së ibadetit.

Punoi: Hoxhe, Ismail Bardhoshi


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *