Kundërshtarët e urtësive të Allahut të Lartësuar dhe rrëzimi i pretendimeve të tyre

Kundërshtarët e urtësive të Allahut të Lartësuar dhe rrëzimi i pretendimeve të tyre

Ibn Xheuziu në librin “Essirrul mesun” ka tërhequr vërejtjen se shumë pseudodijetarë dhe injorantë shprehin kundërshtime ndaj urtësisë së Allahut të Lartësuar. I pari i këtyre është Iblisi, i cili nisur nga vështrimi i tij logjik tha: “Si mund të parapëlqejë Zoti baltën (prej së cilës u krijua Ademi), kundrejt zjarrit (prej të cilit u krijua vetë Iblisi)!” Me këtë kundërshtim, Iblisi nënkuptonte se urtësia e Zotit nuk ishte e përkyer dhe se ai vetë ishte më i mirë ose kishte gjykim më të mirë. Iblisi u ndoq nga shumë krijesa në këtë logjikë parapëlqimi dhe kundërshtimi. Të tillë ishin poetët Ravendi dhe Ma’arri. Ky i fundit shprehet: “Të mençurit (Ti, o Zot) nuk i jep rrizk, kurse të çmendurit dhe budallait i jep rrizk. Atëherë, o Zot i qiellit, nuk ka faj një njeri që vëren prej Teje atë që nuk i pëlqen dhe bëhet femohues!!” Ebu Alij Ibn Mukle, një poet tjetër i tillë, shprehet: “O Zot, Ti ke krijuar trupat qiellorë që shfaqen natën, lloj-lloj pemësh, relievin e ndryshëm të tokës, pjesë magjepsëse, bukuri tërheqëse dhe forma të shkëlqyeshme, atëherë si i ndalon robërit e tu të bien në sevda. O Gjykues i Drejtë, ky është gjykim i drejtë!”

Njerëzit që shprehin mendime të këqija për Allahun e Lartësuar janë të shumtë në mesin e atyre që janë larguar nga Kurani dhe Suneti, që nisen nga dëshirat e tyre dhe që mbështeten në logjikën e tyre të mangët, e cila i shtyn të shprehin kundërvënie ndaj Zotit të Lartësuar. Ibn Xheuzi ka thënë: “Ky devijim është përhapur, prandaj e trajtova gjerësisht”.

Më poshtë po përmend, sa për shembull, disa thënie dhe qëndrime që hyjnë në mendimet e këqija për Allahun e Lartësuar dhe që cenojnë urtësinë e përkryer të Tij:

  • Thënia: “Askush nuk është më i dëmshëm për krijesën sesa Krijuesi”. Këtë e ka shprehur Ebu Talib el Mekkij, autori sufist i librit “Kutul Kulub”.
  • Kur dikush sheh një të pasur që bën punë të këqija dhe një të varfër që është i devotshëm, akuzon Allahun e Lartësuar për padrejtësi, duke menduar se nuk ka bërë një ndarje të drejtë dhe, sipas tij, sikur feja të ishte e vërtetë, duhet të ndodhte ndryshe nga ajo që sheh; i pasuri duhet të ishte njeri i devotshëm dhe i varfëri duhet të ishte njeri i prishur.[1]
  • Besimi se begatitë në këtë botë u jepen vetëm jobesimtarëve dhe të prishurve dhe se besimtarët do të begatohet fare pak në këtë botë.[2]
  • Besimi se jobesimtarët dhe munafikët do të kenë krenari, pushtet, ndihmesë dhe fitore të vazhdueshme mbi besimtarët.
  • Ato që përmenden në Kuran, se krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, se përfundimi i mirë është për të devotshmit, se ushtria e Allahut do të ngadhënjejë, flasin vetëm për botën tjetër dhe jo për këtë botë.
  • Nuk besojnë se do të përkrahet ai që është në hak dhe ka takva, përkundrazi, besojnë thjesht që Allahun bën çfarë të dojë.
  • Një fekih (pseudohoxhë), kur po vuante nga zgjebja, tha: “Nuk duhet të vuaja unë nga kjo sëmundje, por deveja!”
  • Dikush jetoi i varfër. Kur u plak, Allahu i Lartësuar ia mundësoi të kishte ushqim me bollëk, por s’mundte të konsumonte shumë ushqim, dhe kështu tha: M’i ka dhënë në një kohë kur s’mundem të ha më!
  • Një burrë që falte dhe agjëronte shumë, kur i ra një sëmundje e rëndë në moshën tetëdhjetë vjeçare, tha: “Nëse Ai dëshiron të ma marrë jetën, le të ma marrë, kurse kjo është torturë. Është e pakuptimtë! Për Allah, sikur të më jepte Xhenetin el Firrdeus, nuk do t’ia njihja për mirësi!”
  • Dikush që mbahej si i ditur (me dituri feje), kur iu pakësua rrizku tha: “Ç’është ky rregullim (për punët e krijesave)?”
  • Kjo është dhe mendësia e shumë njerëzve të rëndomtë: kur e kanë rrizkun me pakicë, shprehin kundërshtim, mbase i drejtohen Zotit të Lartësuar me fjalët: A nuk ke dëshirë që të falemi?! Kur shohin që mundohet një burrë i mirë, thonë: Nuk e meriton këtë, por kaderi bën padrejtësi!
  • Shumë njerëz, kur u bie ndonjë sprovë, thonë: Zoti im, çfarë gjynahu kam bërë që ma bëre kështu?
  • Kur qeverisnin mizorë, disa që mbahen si fetarë thonë: Ky është gjykim i dobët (e kanë fjalën për kaderin e Allahut të Lartësuar).
  • Xhehm Ibn Safvani shkonte me ithtarët e grupit të vet të shihnin njerëzit e gërbulur dhe të sprovuar me sëmundje të rëndë dhe u thoshte: “A mund ta bëjë këtë më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve?!” Kishte qëllim të mohonte mëshirën dhe urtësinë e Allahut të Lartësuar, sipas doktrinës së tyre që i mohon disa cilësi të Allahut.
  • Një poet ka thënë: “Nëse Zoti vepron kështu me të dashurit e Vet (u jep vuajtje atyre), atëherë si mendoni se vepron Ai me armiqtë e Vet?!”
  • Ka budallenj që thonë: “Çfarë dobie ka krijimi i gjarpërinjve, akrepave?!”
  • Një burrë, kur pa një kafshë shumë të sëmurë, thirri: “Oh, sa keq më vjen për ty! Oh, si s’gjej asnjë arsye për Atë që të mundon ty!”[3]

Disa argumente që rrëzojnë pretendimet e atyre që kundërshtojnë

urtësinë e përkryer të Allahut të Lartësuar:

Argumenti i parë: Allahu thotë: “Vërtet, Zoti yt është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë” [Jusuf: 6]. Ky ajet do të thotë se Zoti i Lartësuar e di çdo gjë dhe se ai çdo veprim e bën me urtësi. Nuk ka kotësi në veprimet e Allahut. Ai çdo gjë e vë në vendin e saj të duhur.

Argumenti i dytë: Allahu thotë: “A nuk e sheh ti se Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën me hak (me urtësi, në vendin e duhur)” (Ibrahim, 19). Vendosja e çdo krijese në vendin e saj të duhur tregon se Krijuesi është i Urtë dhe se Ai e bën gjithçka për qëllime të larta. Kështu, vendosja e krijesave në vendin e duhur, është qartësisht rrjedhim i veprimeve të urta e me dije të Krijuesit. Ky fakt shpreh dhe lavdinë e Krijuesit.

Argumenti i tretë: Në gjithësi ka gjëra që ne i kapim qartë disa nga urtësitë e tyre: Allahu i ka krijuar rrezet e diellit për t’u bërë dita, për ngrohjen e tokës, për gjelbërimin etj. Jeta në tokë pa rrezet e diellit është e pamundur. Reshjet e shiut Ai i lëshon për furnizmin e burimeve ujore të pijshme, për mbirjen e bimëve etj. Në mungesë të reshjeve të shiut, jeta në tokë përsëri do të ishte e pamundur. Ujin na e ka bërë mirësi Allahu për të pirë, për të vaditur tokën etj. Burimet e ushqimit dhe të pijes për t’i shfrytëzuar në dobinë tonë, për t’u ushqyer etj. Allahu i ka vendosur burimet e energjisë në tokë që të arrijmë të bëjmë ndriçim, të kryejmë punë të shumta, të plotësojmë nevoja të ndryshme, të lëvizim më shpejt ejt. Ai na ka dhënë ajrin për ta thithur, syrin për të parë, veshin për të dëgjuar, mendjen për të kuptuar dhe zbuluar etj. Ai ka dërguar profetët për të na treguar rrugën e Tij të drejtë.

Përderisa ne i kuptojmë qartë këto urtësi që, në fakt, janë vetëm një pjesë e urtësive që kanë këto krijesa, atëherë duhet ta pranojmë se ka urtësi çdo gjë që ka krijuar Zoti, çdo gjë që ka caktuar Ai dhe çdo gjë që bën Ai, edhe nëse ne nuk arrijmë ta kapim atë.

Për ta kuptuar më mirë këtë argument logjik, po jap një shembull: Një njeri ka një makinë, por nuk merr vesh se se si është prodhuar, çfarë pjesësh ka brenda dhe se si riparohet. Ky njeri e di se për çfarë duhen dyert, dritaret, stolat, timoni dhe mjaft pjesë të tjera të dukshme, por ka shumë pjesë të makinës që nuk e di se përse duhen dhe se si funksionojnë ato. Megjithëkëtë, është i bindur se mjeshtri (prodhuesi) i saj i urtë e ka vënë çdo pjesë në vendin e vet dhe secila ka funksionin e vet, edhe pse vetë nuk i shpjegon dot të gjitha. Përderisa e pranojmë këtë fakt për punën e njeriut që ka prodhuar makinën, atëherë është më e arsyeshme të pranojmë se Ai që krijoi gjithësinë ka urtësi në gjithçka dhe të pranojmë se ne arrijmë të kapin vetëm pak nga urtësitë e punëve, caktimeve dhe krijesave të Tij.

Ibn Xheuzi thotë: Mendimi i thellë mbi hollësitë e urtësisë së Allahut dhe mbi rrjedhimet e bukura të atributeve të Tij të bën ta duash më shumë Atë, sepse dashuria për konceptet e bukura është më e madhe sesa ajo për figurat. Për këtë arsye, ti e do Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun për shkak të punëve dhe moralit të tyre dhe jo për shkak të pamjes së tyre. Atëherë, si të mos tregosh dashuri për Allahun, i Cili është i vetmi i Përkryer, Absolut, i Dëlirë nga çdo mangësi.

Argumenti i katërt: Allahu i Lartësuar na ka dhënë aftësi të kufizuara (jo absolute). Kemi kapacitet mendor të kufizuar; nuk arrijmë të kapim e të dimë gjithçka. Aftësinë e të dëgjuarit e kemi të kufizuar; nuk arrijmë të dëgjojmë të gjitha zërat. Aftësinë e të shikuarit e kemi të kufizuar; nuk mund të shohim gjithçka. Fuqinë fizike e kemi të kufizuar; nuk arrijmë të bëjmë gjithçka. Mohimi i këtij fakti është kokëfortësi. Përderisa kemi kapacitete të kufizuara, ku hyn edhe ai mendor, atëherë s’mund t’i kapim të gjitha urtësitë e punëve, caktimeve dhe krijesave të Allahut të Lartësuar. Ai që i di të gjitha urtësitë është vetëm Allahu, i Cili ka atribute absolute. Allahu i Lartësuar thotë: “Të pyesin ty (o Muhamed) për shpirtin. Thuaj: ‘Shpirti (realiteti, gjendja dhe hollësirat e tij) është prej gjërave që i di vetëm Zoti im, ndërsa juve (o njerëz) ju është dhënë vetëm pak dije’” (Isra: 85).

Argumenti i pestë: Allahu i Lartësuar thotë: “Ndoshta ju e urreni diçka, por ajo është e mirë për ju, ndoshta ju e doni diçka, por ajo është e keqe për ju. Allahu di e ju nuk dini” [Bekare: 216]. Ky ajet tregon se njeriu nuk ka aftësi t’i kapë përfundimet e gjërave. Kështu, njeriu mund të mos e dijë urtësinë e lavdishme që ka diçka që mund t’i duket e keqe ose diçka që nuk e di se çfarë funksioni ka.

Argumenti i gjashtë: Në kohën tonë ka gjëra që është zbuluar se çfarë funksioni kanë ose çfarë dobish kanë, ndërsa në të kaluarën këto urtësi nuk diheshin. Po ashtu ka gjëra, funksionin e të cilave nuk e njeh shumica e njerëzve, por atë e njohin specialistët. Kështu, mosnjohja e urtësisë së diçkaje nga të gjithë njerëzit apo nga një pjesë e tyre nuk do të thotë se ajo nuk ka urtësi. Përderisa e pranojmë diferencën mes krijesave në njohjen e funksioneve, dobive dhe urtësive të gjërave, atëherë është më logjike të pranojmë diferencën mes Krijuesit dhe krijesave në njohjen e tyre, madje të pranojmë se sado të përparojnë njerëzit në njohjen e urtësive të shumë gjërave në gjithësi, përsëri dhe patjetër do të mbeten gjëra, urtësitë e të cilave i di vetëm Krijuesi i gjithësisë. Kështu që i mençuri, nëse nuk arrin të kapë urtësinë e diçkaje nga punët, caktimet dhe krijesat e Zotit, i dorëzohet Atij duke e pranuar që ajo ka urtësi dhe atë e di Ai.

Argumenti i shtatë: Atij që nuk e pranon se Allahu i Lartësuar i bën të gjitha punët me urtësi mund t’i bëjmë pyetjen: Më thuaj, logjikën me të cilën kundërshton urtësinë e Krijuesit, a e ke dhunti nga Ai apo jo? Do të përgjigjet se e kam dhunti nga Krijuesi. Pas kësaj do t’i bëjmë pyetjen tjetër: A mund të jetë aq e përsosur logjika jote sa të kapë gjëra që nuk i kap dot urtësia e Krijuesit i Cili të dhuroi logjikën, e si rrjedhim ti të gjykosh saktë, kurse Ai të gjykojë gabim?

Njeriu me logjikë të shëndoshë e kupton se veprimet e shkëlqyeshme e të përsosura të Allahut të Lartësuar tregojnë se Ai është i Urtë. Si rrjedhim, kur vëren diçka që i duket në kundërshtim me urtësinë, e pranon që i duket kështu për shkak se nuk ka aftësi logjike që të kap urtësinë e Allahut. Një nga urtësitë e ekzistencës së gjërave që të duken pa urtësi (për shkak se nuk e kap dot urtësinë e Zotit) është që mendja t’i dorëzohet Zotit duke besuar se edhe këto gjëra kanë urtësinë e tyre, por mendja e njeriut nuk e kap dot atë. Pranimi i këtij fakti është pikërisht ibadeti (adhurimi) që duhet të tregojë mendja për Allahun e Madhërishëm. Allahu na vë në provë me ekzistencën e gjërave të tilla për t’u dalluar nëse do t’i dorëzohemi me logjikë Atij apo jo. Logjika e shëndoshë tregon se duhet t’i dorëzohesh Krijuesit për ato që nuk i kap dot, e nëse këtë nuk e bën, atëherë logjika të shkatërron. Disa njerëz të urtë kanë thënë: “Kush nuk ruhet me logjikën e shëndoshë nga përfytyrimet e gabuara logjike, shfrenimi logjik do ta çojë në shkatërrim”.

Allahu na ka treguar në Kuran se Musai (a.s.) nuk arriti t’i kapte urtësitë e veprimeve që kreu El Khadiri (Hizri) me urdhër të Allahut të Lartësuar. Megjithatë, në fund, El Khadiri i tregoi se cilat ishin urtësitë e atyre veprimeve.

Madje ndodh që masa e njerëzve të mos e kuptojnë se ku qëndron urtësia e vendimit të një mbreti të drejtë e të urtë, por më pas e kuptojnë urtësinë e tij, e po ashtu ata mund të mos e kuptojnë urtësinë e veprës së një mjeshtri të madh pa patur një shpjegim nga vetë ai. Përderisa kjo ndodh mes krijesave, atëherë si mund të akuzohet Krijuesi i gjithësisë për mungesë urtësie në veprat e Tij, me preteksin se njerëzit nuk arrinë t’i kapin urtësitë e Tij!

Ibn Tejmije, mbasi përmend disa nga mendimet e këqija të mësipërme, sqaron se ato vijnë nga dy formime të këqija: 1. Mendimi i mirë që njeriu ka për vetveten ose për njerëzit e kategorisë së tij, duke besuar se i kryen (apo i kryejnë) siç duhet detyrat e fesë dhe ruhet (apo ruhen) nga haramet. Ndërsa në realitet ky njeri apo këta njerëz i lënë pas dore detyrat dhe kryejnë gjynahe. 2. Mendimi i keq se Allahu i Lartësuar mund të mos e ndihmojë atë që ka hak dhe mund të mos e mëkëmbë atë në këtë botë. Këto dy formime të këqija vijnë nga mosnjohja e urdhrave dhe ndalesave, si dhe mosnjohja e premtimit dhe paralajmërimit të Allahut të Lartësuar.

Në fakt, besimtari kërkon begatinë e kësaj bote dhe begatinë e plotë në botën tjetër. Allahu ka premtuar për besimtarët e mirë begatitë e kësaj bote dhe mirësitë e mëdha të Xhenetit. Besimtari ka më shumë begati, kënaqësi dhe lumturi se kafiri, në këtë botë, para ahiretit. Kënaqësitë që kanë njerëzit e mirë e të devotshëm janë më të mëdha sesa ato që kanë njerëzit e prishur. Nga ana tjetër, të këqijat, sprovat dhe vuajtjet që u bien besimtarëve në këtë botë janë më pak sesa ato që u bien kafirëve.

Kush mendon se Allahu ndihmon dhe mëkëmb në këtë botë vetëm kafirët dhe jo besimtarët, ai ose nuk e njeh premtimin e Allahut të Lartësuar ose dyshon në të. Muslimanët që kanë formime të tilla të këqija janë bërë shkak që njerëzit të lënë rrugën e njerëzve të devotshëm, ose të kalojnë në radhët e kafirëve, pasi njeriu, për nga natyra që i ka dhënë Zoti, kërkon edhe kanaqësinë dhe jetesën e mirë të kësaj bote. Kështu, pretendimi se muslimanët nuk kanë mirësi në këtë botë apo se zbatuesit e Islamit vuajnë më shumë në këtë botë sesa kafirët, bëhet shkas që shumë njerëz të mos e pranojnë Islamin ose të mos e zbatojnë atë ose të bëhen mëkatarë e zullumqarë ose të bëhen jobesimtarë.[4]

Besimi se Allahu nuk ka urtësi në punët e Tij bën që njerëzit të mos kenë besim në argumentet dhe ligjet e Tij. Burimi i besueshmërisë në fenë e Allahut është fakti që Ai përkrah vetëm të drejtin dhe Ai s’mund të ngatërrojë të vërtetën me të pavërtetën për krijesat. Por kjo nuk do të thotë se Allahu i Lartësuar nuk u jep kafirëve dhe zullumqarëve nga të mirat e kësaj bote si plan për t’ua shtuar dënimin, por edhe si provë për muslimanët.

Nëse besimtari i devotshëm do t’i vështronte veprat e njerëzve kundrejt mirësive të Allahut, nga njëra anë do t’ua quante shumë atyre edhe thithjen e ajrit dhe do t’ua quante pak edhe belatë (sprovat) më të madha që u vijnë me caktimin e Allahut, nga ana tjetër. Mirësitë që Allahu u bën njerëzve nuk i numërojmë dot. Me gjithë këto mirësi të shumta, ata lënë pas dore detyrat e fesë së Allahut, nënvlerësojnë ligjet e Tij dhe kryejnë haramet. Kështu, çdo sprovë që u vjen atyre nga Allahu është pak. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit (ashtu si meritojnë) për gjynahet që kanë bërë, nuk do të mbetej në sipërfaqen e tokës asgjë e gjallë” (Fatir, 45). Po ashtu Ai thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë gjynahe” [Shura: 30]. E pyetën një dijetar: Ç’është ajo gjë që i shtyn njerëzit e mençur të mos i fajësojnë ata që u bëjnë keq? U përgjigj: “Ata e dinë që Allahu i ka sprovuar për shkak të gjynaheve të tyre”, dhe këndoi ajetin e fundit. E lusim Allahun të na falë, të na trajtojë me bujarinë dhe mëshirën e Tij e jo me drejtësinë e Tij.

Njeriu mund të përsosë adhurimin për Allahun dhe mund të shfaqë moralin e lartë veçse në këto kushte, ku ka gjendje të ndryshme, ka mirësi dhe vuajtje, ka gëzime dhe hidhërime, ka miq dhe armiq, ku mund ta kenë pushtetin ndonjëherë edhe kundërshtarët. Në këto kushte, njeriu do të falënderojë Allahun për mirësitë dhe do të durojë fatkeqësitë. Për të frenuar dëshirat e këqija do të sjellë në mendje premtimin e Allahut për shpërblim dhe paralajmërimin e Tij për dënim. Me sprovat që u jep njerëzve të mirë, Allahu bën të mundur që ata të shfaqin moralin e mirë, për shkak të cilit do të marrin shpërblimin e madh të Tij dhe do të bëhen argument për njerëzit e tjerë.[5]

  1. Këtë rast e ka dënuar si një mendim të keq Ibn Akili në lirin “El Funun”. Shih: Tejsirul Azizil Hamid (682).
  2. Ibn Temije, Xhamiu rresail (2/325).
  3. Këtu në vendin tonë, kur vdes një i ri ose e re, ka njerëz që akuzojnë Allahun e Lartësuar për vendim jo të drejtë, duke thënë: E mori shpejt, e mori në lulen ose gjysmën e jetës; kjo nuk është e drejtë!
  4. Për më gjerë shih librat “Kaide fil mehabe” dhe “Xhamiu rresail” të Ibn Tejmijes (2/325-363) dhe Igathetu lehfan (2/178-188) të Ibn Kajimit.
  5. Shih: Ibn Muflih, El Adabush Sher’ije (2/194-199) dhe Tejsirul Azizil Hamid (682-683).

Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *