Koha e syfyrit dhe e namazit të sabahut

Koha e syfyrit dhe e namazit të sabahut

El hamdulilahi vesalatu veselamu ala resulilah.

Koha e namazit të sabahut hynë kur shfaqet agimi i vërtetë. Agimi i vërtetë ndryshe quhet dhe agimi i dytë. Ndërsa tjetri quhet agimi i rremë ose agimi i parë. Të gjitha rregullat si imsaku dhe hyjra e kohës së sabahut lidhen me agimin e dytë. Asnjë rregull fetarë nuk ka të bëjë me agimin e parë.

Argumentet që flasin për agimin:

Buhariu sjell nga Bera’ Ibn Azibi rrëfimin: “Në fillim, kur shokët e Pejgamberit (s.a.u.s.)  ishin me agjërim dhe vinte koha e iftarit, nëse agjëruesi flinte para se të çilte prej agjërimit, atij nuk i lejohej të hante atë natë dhe as në ditën tjetër, derisa të ngrysej. Ndërkohë, Kajs Ibn Sirme el Ensari, i cili ishte duke agjëruar, kur vjen koha e iftarit, shkon tek e shoqja dhe e pyet: ‘A ke ushqim?’ – ‘Jo, – u përgjigj ajo, – por do të shkoj të kërkoj ushqim për ty’. Kajsi punonte gjithë ditën, prandaj iu mbyllën sytë nga gjumi. Kur erdhi dhe e pa duke fjetur, e shoqja bërtiti: “O i shkreti ti!” Kështu, atë natë ai nuk hëngri, sepse nuk i lejohej, por në mesditë atij i ra të fikët. Dikush njoftoi Pejgamberin (s.a.u.s.) për këtë që ndodhi, dhe, për pasojë, u shpall ky ajet: “Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja…” [Bekare: 187], çka bëri që shokët e Pejgamberi (s.a.u.s.) të gëzoheshin shumë. Po kështu u shpall edhe pjesa tjetër e ajetit të mësipërm: “…dhe hani e pini derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri në rënien e natës””.

Adijj Ibn Hatim thotë: “Kur zbriti ajeti: “…derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës)”, mora një litarë të zi dhe një tjetër të bardhë, i vura nën jastëkun tim, dhe fillova ti vështroja natën, por nuk po dalloja njërin nga tjetri, prandaj shkova tek Pejgamberi a.s. dhe ia përmenda këtë paqartësi, kurse ai tha: “Bëhet fjalë për errësirën e natës dhe bardhësinë e ditës”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

Sehl Ibn Sa’di thotë: “Në fillim kur zbriti pjesa e ajetit “…derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës)”, ende pa zbritur togu sqarues “minel fexhër-e agimit”, disa burra kur dëshironin të agjëronin lidhnin në këmbët e tyre nga një fije të bardhë dhe një të zezë, dhe vazhdonin ngrënien derisa t’i dallonin qartë, por më pas Allahu shpalli togun sqarues “minel fexhër-e agimit” dhe kështu e kuptuan se ka për qëllim natën dhe ditën”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

Në shpjegimin e ajetit “dhe hani e pini derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës)” Ibn Xheriri përmend shpjegimin më të saktë se peri i bardhë është drita e ditës, kurse peri i zi është errësira e natës.  Kështu, ajeti do të thotë: “Hani natën gjatë muajit të agjërimit, pini dhe bashkohuni (për marrëdhënie) me gratë tuaja, duke kërkuar fëmijët që Allahu i ka caktuar për ju, nga fillimi natës derisa të dalloni dritën e ditës nga errësira e natës nëpërmjet daljes së agimit.”

1- Haseni shpjegon se është fjala për dallimin e ditës nga nata.

2- Edhe Sudiu sqaron se do të thotë: “Derisa të dalloni ditën nga nata”.

3- Katade në shpejgimin e ajetit të mësipërm thotë: “Ato janë dy shenja dhe dy kufij të qartë. Prandaj nuk duhet tu pengojë ezani i një muezini syefaqësorë apo mendjelehtë nga ngrënia e syfyrit, sepse ata e thërrasin ezanin herët kur ka ednde shumë natë. Në kohën e syfyrit mund të shihet njëfarë bardhësie e cila quhet “agimi i rremë”. Kështu e quanin arabët. Kjo dukuri nuk duhet tu pengojë nga syfyri, pasi agimi është fort i qartë: një rrip drite që shfaqet për së gjati në vijën horizontale. Hani dhe pini pra derisa të dalloni agimin. Kur të shihni agimin, atëherë hiqni dorë nga ushqimi”.

4- Ibn Abasi shjegon: “Ajeti ka për qëllim dallimin e ditës nga nata. Kështu, Allahu jua ka lejuar raportin seksual, ngrënien dhe pirjen derisa të dalloni agimin. Kur dallohet agimi, ndalohet akti seksual, ngrënia dhe pirja deri në plotësimin e agjërimit kur bie nata. Kështu ajeti urdhëron për agjërimin e ditës deri në rënien e natës, e po ashtu urdhëron për prishjen e agjërimit gjatë natës.”

Ebu Mixhlezi ka thënë: “Drita vezulluese që ngrihet vertikalisht në qiell nuk është agimi (i vërtetë), por ajo është agimi i rremë, ndërsa agimi i vërtetë është ai që ka një përhapje të fort në horizont.”

Atau tregon se ka dëgjuar Ibn Abasin dukë thënë: “Ka dy agime: ai që shfaqet si shkëlqim në qiell as nuk lejon dhe as nuk ndalon gjë, porse agimi që ndalon pijen është ai që dallohet qartë në majat e maleve”.

Ibn Zejdi thotë: “Peri i bardhë është ai që shfaqet nën natën, i cili e zbulon natën, kurse peri i zi është errësirë që ndodhet sipër tij.” [Me disa shkurtime nga tefsiri i Ibn Xheririt].

Në vijim Ibn Xheriri thotë: “Togu “fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë” nuk do të thotë se duhet të shfaqet i gjithë agimi , por kuptimi është kështu: kur ju – o besimtarë – të dalloni atë fijen e bardhë të agimit, që shfaqet poshtë natës dhe që sipër saj është errësira e natës, që nga kjo kohë agjëroni, e pastaj plotësojeni agjërimin nga kjo kohë deri sa të bjerë nata”.  Kështu siç thashë unë ka thënë dhe Ibn Zejdi: ““Fija e bardhë”, është një pjesë e agimit, por jo e gjithë agimi. Kur vjen kjo fije bardhësie, e cila është fillimi i zbardhjes, atëherë lejohet namazi dhe ndalohet ushqimi e pija për agjëruesin”.

Thënia e Allahut: “…dhe hani e pini derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri në rënien e natës” është argumenti më i qartë për gabimin e atyre që thonë se lejohet ngrënia dhe pirja për agjëruesin derisa të lindë dielli, sepse peri i bardhë i agimit dallohet kur fillon shfaqja e fillimeve të agimit. Allahu i Lartësuar e ka vendosur si kufi të kohës së lejimit të ngrënies, pirjes dhe marrëdhënieve intime për atë që ka detyrë agjërimin.”[Me pak shkurtime nga tefsiri i Ibn Xheririt].

Kurtubiu thotë: “Arsyeja pse është quajtur agimi ‘pe’ qëndron në faktin se kur shfaqet zbardhja duket e gjatë si fije peri. Në leksikun e arabëve ‘peri’ shënon ngjyrën.” [Tefsiri i Kurtubiut].

Ibn Abdil Berri në Temhid thotë: “Agimi është fillimi i zbardhjes së ditës, një bardhësi e dukshme e ndritshme dhe me një përhapje të shumtë e të fortë në horizont. Arabët e quajnë këtë agim: peri i bardhë. Allahu i Lartësuar thotë: “…derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju peri i bardhë (bardhësia) i agimit nga peri i zi (errësira e natës)”. Domethënë: bardhësia e ditës nga errësira e na tës.”

 

 

Ibn Mesudi thotë: “Pejgamberi a.s. ka thënë: “Të mos e pengojë ndonjërin prej jush ezani i Bilalit nga ngrënia e syfyrit, sepse ai e thërret ezanin natën, që të mbyllë namazin ai që po fal namaz nate (për t’u shplodhur, ose për të falur vitrin, ose për të ngrënë syfyrin) dhe që të zgjohet ai që është në gjumë. Nuk është agim i vërtetë kur drita shfaqet kështu e kështu (e zgjati dorën drejt dhe e ngriti lart), por kur shfaqet kështu (dhe i hapi dy gishtat tregues horizontalisht). Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Sipas një varianti tjetër hadithi është kështu: “Drita e agimit të vërtetë nuk është ajo që shfaqet kështu (duke treguar me shenjë i mblodhi gishtërinjtë e pastaj i ktheu poshtë nga toka), por ai që shfaqet kështu (vendosi njërin gisht tregues mbi tjetrin dhe i zgjati duart horizontalisht).” Sipas versionit të tretë Pejgamberi ka thënë: “Agimi nuk është ai që shfaqet kështu (dhe bëri me shenjë), por ai që shfaqet kështu”. Domethënë, agimi i vërtetë është ai që shfaqet për së gjerë në vijën horizontale dhe jo ai që shfaqet vertikalisht (nga lart poshtë). Shënon Muslimi. Në këtë hadith Pejgamberi a.s. ka treguar me shenjë agimin e rremë dhe agimin vërtetë. Drita e agimit të rremë shfaqet vertikalisht në qiell, nga lart poshtë, si bishti i ujkut, kurse drita e agimit të vërtetë shfaqet dhe përhapet fort në vijën horizontale .

Me mbledhjen e gishtërinjëve të dorës Pejgamberi a.s. ka treguar gjatësinë vertikale të agimit të rremë dhe hollësinë e gjerësisë së tij, kurse me kthimin e gishtërinjve poshtë nga toka ai ka treguar se drita e agimit të rremë zbret nga lart poshtë në drejtim të vijës horizontale lindore. Me vendosjen e njërit gisht tregues mbi tjetrin dhe me ndarjen e tyre duke i zgjatur djathtas e majtas Pejgamberi a.s. ka treguar se agimi i vërtetë është ai që përhapet në vijën horizontale në drejtim të jugut dhe të veriut. [Esujuful bevatir].

Semure Ibn Xhundub tregon: Kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Të mos e mashtrojë ndonjërin prej jush ezani i Bilalit e ta pengojë nga syfyri, e as kjo drita e bardhë, por prisni derisa të përhapet fort drita e agimit.” Shënon Muslimi. Sipas një varianti tjetër Semure thotë: Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos u mashtroni me ezanin e Bilalit, e as me këtë dritën e bardhë (e ka fjalën për dritën e parë, që është drita e agimit të rremë dhe që shfaqet vertikalisht e ngritur lart në qiell), por prisni derisa drita të përhapet fort (në vijën horizontale)”. Shënon Muslimi. Sipas variantit të tretë, Semure thotë: Pejgamberi ka thënë: “Të mos ju pengojë nga ngrënia e syfyrit ezani i Bilalit, e as drita e bardhë që shfaqet virtikalisht kështu, por prisni derisa të përhapet drita fort kështu”. Hamadi (një transmetues i hadithit) e tregoi me duar përhapjen e dritës së agimit të vërtetë, duke bërë të ditur se drita përhapet horizontalitsht. Shënon Muslimi. Në versionin e katërt, hadithi është kështu: “Mos u mashtroni me ezanin e Bilalit, e as me këtë dritën e bardhë, por prisni derisa të shfaqet agimi, ose derisa të shpërthejë drita e agimit”. Shënon Muslimi.

Me ‘pehapjen e fortë të dritës së agimit të vërtetë’ ka për qëllim përhapjen e madhe dhe të gjatë të dritës (zbardhjes) së agimit në vijën horizontale në drejtim të jugut dhe të veriut, ngritjen dhe rritjen e zbardhjes gradualisht në drejtim të perëndimit dhe shtrirjen e bollshme të saj, gjëra këto që tregojnë qartësisht fillimin e ditës [Esujuful bevatir].

Ibn Umeri dhe Aishja kanë treguar se Pejgamberi ka thënë: “Bilali e thërret ezanin natën, prandaj hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektum. Ibn Ummi Mektumi, ngaqë ishte i verbër, nuk e thërriste ezanin derisa t’i thoshin njerëzit: u gdhive, u gdhive”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Sipas një varianti tjetër të hadithit të Aishes, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektum, sepse ai nuk e thërret ezanin derisa të lindë agimi”. Kasimi ka thënë: “Diferenca ndërmjet ezaneve të tyre ishte vetëm aq sa ngjitej njëri dhe zbriste tjetri”.

Pejgamberi a.s. i tha Bilalit: “Mos e thirr ezanin derisa të dallosh qartë agimin kështu: dhe zgjati dorën për së gjeri (duke treguar përhapjen e dritës së agimit në vijën horizontale)”. Shënon Ebu Daudi. Albani thotë se hadithi është i mirë.

Dy hadithet e fundit nuk bien ndesh me njëri-tjetrin, sepse në fillim për sabahun thirrej vetëm një ezan kur hynte koha e sabahut dhe atë e thërriste Bilali r.a., pastaj u shtua dhe ezani tjetër para sabahut të cilin e thërriste Ibn Ummi Mektum. Më pas Bilali r.a. thërrsite ezanin e parë, kurse Ibn Ummi Mektum r.a. thërriste të dytin [Fethul Bari].

Sipas disa dijetarëve diferenca kohore ndërmjet dy ezaneve të sabahut ka qenë aq sa koha e ngrënies së syfyrit. Shejh Albani ka thënë në ‘tamamul mineh’ se kjo kohë është, përafërsisht, një çerek ore.[1]

 

Talk Ibn Aliu tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Hani dhe pini, e mos e lini syfyrin të shqetësuar nga drita vezulluese e ngritur lart në qiell, (pasi ky është agimi i rremë), por hani dhe pini derisa t’u shfaqet në vijën horizontale agimi ‘i kuq’ (el ahmer)”. Shënojnë Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Albani thotë se hadithi është hasen. Duke komentuar rreth këtij hadithi Tirmidhiu thotë: “Kështu është dhe qëndrimi i dijetarëve të ymetit; ata thonë se nuk ndalohet ngrënia dhe pirja derisa të shfaqet agimi ‘i kuq’ që përhapet në vijën horizontale”.

Në lidhje me përshkrimin e agimin të vetëtet si ‘të kuq-el ahmer’, dijetarët kanë thënë shpjeguar se nuk flitet për të kuqe të pastër, por për bardhësinë e agimit që shfaqet me një përzierje të kuqe. El Fejruz Abadi në “Kamusul Muhit” thotë: “el fexhër është drita e agimit; e kjo është rrezet e kuqe të diellit në errësirën e natës”. Me togun ‘rrezet e kuqe të diellit që shfaqen në errësirën e natës’ nuk ka si qëllim të kuqen që shfaqet para lindjes së diellit, pasi kjo e fundit nuk shfaqet në errësirën e natës, por në bardhësinë e ditës. Pra, me fjalën ‘e kuqja e diellit në errësirën e natës’ ai nuk bën fjalë për të kuqen që i paraprin lindjes së diellit dhe që shfaqet në bardhësinë e ditës. Agimi në gjuhën arabe quhet ‘subh’ për shkak se shfaqet i bardhë me përzierje të kuqe. Por kjo e kuqe dobësohet me fuqizimin e dritës dhe me përhapjen e plotë të saj. [es-sujuful bevatir limen jukadimul salatesubhi alel fexhril ahir].

Hatabi thotë: “Drita vezulluese që ngjitet lart në qiell është drita që ngjitet lart para se të shtrihet në vijën horizontale. ‘E kuqja’ e agimit këtu do të thotë që zbardhja e shtrirë në vijën horizontale të përmbajë fillimet e një të kuqeje. Kur del plotësisht bardhësia shfaqen dhe fillimet e të kuqes. Arabët e krahasojnë agimin me kalin pullali, për shkak se përmban të bardhë dhe të kuqe.” [Mealimus sunen].

Në ‘aunul ma’bud sherhu sunen ebi daud’ sqarohet se fjalën ‘e kuqja-el ahmer’ arabët e hershëm e kanë përdorur edhe për ‘të bardhën-el ebjad’.

Ibn Hazmi thotë: “Ky agim është fillimi i dritës së diellit. Bardhësia e tij vjen në rritje. Mbase shoqërohet dhe me një përzierje të kuqe të shkëlqyeshme [el muhala].

Albani thotë: “Përshkrimi i agimit të vërtetë si ‘i kuq’ nga Pejgamberi a.s. nuk bie ndesh me përshkrimin që i bën Allahu i Lartësuar: “peri i bardhë”, sepse qëllimi është për të bardhën e përzier me të kuqe, ose ndonjëherë agimi shfaqet i bardhë dhe ndonjëherë shfaqet si i kuq, çka do të thotë se ndryshon në varësi të stinëve dhe të pozicionit gjeografik të linjdes së agimit.

Unë e kam parë vetë diçka të tillë disa herë nga shtëpia ime në (kodrën Hemlan) që ndodhet në juglindje të Amanit. Ky vrojtim më dha mundësi të sigurohem dhe mbi shqetësimin që kanë ngritur disa muslimanë që tregojnë xhelozi për ndreqjen e ibadetit të muslimanëve se ezani i sabahut në disa vende arabe thirret para agimit të vërtetë njëzet deri në tridhjetë minuta, domethënë, edhe para agimit të rremë! Më ka ndodhur shpesh të dëgjoj ikametin e namazit të sabahut në disa xhami në kohën kur shfaqet agimi i vërtetë, ndërsa ezanin e kanë thirrur rreth një gjysëm ore më përpara. Kështu i bie që sunetet e sabahut t’i kenë falur para kohe. Në muajin e ramazanit, nga ngutja, mund të falin edhe namazin e sabahut para kohe, siç e dëgjova nga radioja e Damaskut ndërkohë që po haja syfyrë në ramazanin e kaluar (viti 1406 h). Kjo, nga njëra anë, i shtrëngon njerëzit të heqin dorë më herët nga ushqimi, dhe nga ana tjetër, vë në rrezik pavlefshmërie namazin e sabahut, e kjo gjë vjen vetëm për shkak të mbështetjes në kalendarin astronomik dhe lënies së caktimit kohor të Sheriatit: “dhe hani e pini derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri në rënien e natës”. “Por hani dhe pini derisa t’u shfaqet në vijën horizontale agimi ‘i kuq’ (el ahmer)”. Kjo është një këshillë, e këshilla u bën dobi besimtarëve.” [Seria e haditheve të sakta].

Atëherë, agimi i vërtetë që shfaqet në vijën horiontale në drejtim të jugut dhe të veriut me një shtrirje të gjatë dhe të madhe ka si veti edhe një përzierje të kuqe të shkëlqyeshme ose të turbullt, por kjo e kuqe nuk shfaqet gjithmonë dhe as në çdo vend. Vetia bazë e agimit të vërtetë, siç përshkruhet në hadithet e mësipërme, është zbardhja e qartë që përhapet fort në vijën horizontale në drejtim të jugut dhe të veriut, kurse e kuqja është një veti shoqëruese që mund të duket dhe mund të mos duket, kështu që nuk është kusht për dallimin e agimit të vërtetë që të vërehet dhe e kuqja. Mund të ndikojnë disa faktorë për mosdukjen e kësaj të kuqeje që zakonisht shfaqet diçka pas nisjes së përhapjes së zbardhjes në vijën horizontale, siç është relievi malorë, pozicioni gjeografik i shfaqjes së agimit, kushtet e motit.

Xhabir Ibn Abdilah thotë: Pejgamberi a.s. ka thënë: “Janë dy agime: njëri është ai që quhet: ‘dhenebus sirhan-bishti i ujkut’, e ky është agimi i rremë që shfaqet për së gjati (vertikalisht) e jo për së gjeri (horizontalisht), kurse agimi tjetër përhapet për së gjeri (horizontalisht) e jo për së gjati”. Shënon Hakimi. Albani thotë se hadithi është i saktë. Sipas variantit të Bejhakiut hadithi është kështu: “Janë dy agime: ai që shfaqet si bishti i ujkut as nuk lejon gjë dhe as nuk e ndalon, ndërsa ai që përhapet për së gjati në vijën horizontale e lejon namazin dhe e ndalon ushqimin.”

Përshkrimi që i bën Pejgamberi a.s. në këtë hadith agimit të vërtetë tregon se ai ka një përhapje të vazhdueshme në vijën horizontale në drejtim të jugut dhe të veriut, por edhe në drejtimet e tjera, derisa shtrihet në të gjithë qiellin dhe bëhet ditë, kurse agimi i rremë shfaqet në lartësinë qiellore vertikalisht dhe vjen duke u holluar e duke zbritur drejt vijës horizontale derisa zhduket dhe pasohet nga shfaqja e agimit të vërtetë. Begaviu në tefsirin e tij thotë: “Dije se ka dy agime: i rremi dhe i vërteti. Agimi i rremë fillimisht shfaqet vertikalisht në qiell si bishti i ujkut, duke u ngjitur në qiell. Me shfaqjen e këtij agimi as nuk mbaron nata dhe as i ndalohet ushqimi dhe pija agjëruesit. Pas njëfarë kohe agimi i rremë zhduket dhe del pas tij agimi i vërtetë me përhapje të madhe dhe të shpejtë në vijën horizontale. Me lindjen e këtij agimi hynë dita dhe ndalohet ushqimi e pija për agjëruesin.”

Agimi i rremë ngjan me bishtin e ujkut të zi në faktin se shkëlqimi i tij ka njëfarë gjerësie poshtë edhe është i hollë në kryet, si dhe sepse shkëlqimi i bardhë vertikal është i rrethuar në të dyja anët me errësirën e natës.

Ibn Abasi tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka dy agime: kur shfaqet njëri agim (pra, i vërteti) ndalohet ushqimi dhe lejohet namazi (i sabahut), ndërsa kur shfaqet agimi tjetër (i rremi) ndalohet namazi (i sabahut), por lejohet ushqimi”. Shënojnë Ibn Huzejme, Hakimi dhe Bejhakiu. Albani thotë se hadithi është i saktë. Ibn Huzejme thotë: “Ky hadith dëshmon se nuk lejohet të falet namazi farz para hyrjes së kohës së tij. Togu ‘ndalohet ushqimi’, flet për agjëruesin. Togu ‘lejohet namazi’ bën fjalë për namazin e sabahut.” [Silsiletul ehadith esahiha].

Abdurrezaku sjell se Atau ka dëgjuar Ibn Abasin duke thënë: “Janë dy agime: sa i përket agimit që shfaqet si shkëlqim në qiell, ai  nuk quhet gjë dhe as nuk ndalon grënien e ushqimit, porse ushqimin e ndalon agimi që përhapet në majat e maleve”. Atau thotë: “Kur shkëlqimi i dritës shkon lart në qiell, ai nuk ndalon pijen për agjëruesin, vazhdon koha për namaz nate dhe ende ka kohë për kapjen e haxhit (Arafatit), ndërsa kur bie zbardhja mbi majat e maleve, ndalohet pija për agjëruesin dhe kalon koha e kapjes së Arafatit”. Umer ka thënë: “Agimi që shfaqet si bishti i ujkut, është pikërisht drita shkëlqyese që ngjitet (vertikalisht) në qiell. [el Musanaf]”

El Ezheri sjell se Ibn Abasi ka thënë: “Nuk është agimi i vërtetë drita që shfaqet si shkëlqim në qiell, por ai që dallohet në fytarat e njerëzve” [Telhisul habir i Ibn Haxherit]. Domethënë: agimi i vërtetë është ai, me dritën e të cilit dallohen fytyrat e burrave”.

 Atëherë, agimi i rremë është një shkëlqim drite me rreze që shfaqet e ngjitet vertikalisht në qiell, që duket si bishti i ujkut dhe që zhduket e pas tij horizonti errësohet [el muhala, el mugni, hashijetu reudil murbii]. Ndërsa agimi i vërtetë është zbardhja që shfaqet në vijën horizontale, në vendin ku lind dielli, nga jugu në veri, ka një përhapje të gjerë, të fortë e të qartë në vijën horizontale, është i ngjitur me vijën e horizontit, mund të ketë dhe një përzierje të kuqe të shkëlqyeshme, nuk zhduket dhe as nuk bëhet më errësirë pas tij. Ibn Hazmi thotë: “Agimi tjetër (i vërteti) është zbardhja që bie në vijën horizontale lindore. Ai shfaqet gjithmonë aty ku lind dielli, ndaj dhe ndryshon vendi i shfaqjes së tij në varësi të ndryshimit të vendit të lindjes së diellit. Ky agim është filllimi i dritës së diellit. Bardhësia e tij vjen në rritje. Mbase shoqërohet dhe me një përzierje të kuqe të shkëlqyeshme. Me dallimin e tij hynë koha e agjërimit dhe koha e ezanit për namazin e sabahut, si dhe koha për faljen e këtij namazi. Fakti që koha e namazit të sabahut hynë kur dallohet ku agim nuk vihet në diskutim nga askush prej ymetit [el muhala].

Në varësi të kushteve dhe kthjelltësisë të motit, ndonjëherë ka errësirë poshtë agimit të rremë dhe ngjitur me vijën horizontale [Meshruu dirasetish shafak]. Madje agimi rremë shfaqet në lartësinë qiellore i rrethuar nga errësira e natës lart dhe poshtë, djathtas dhe majtas. Ndonjëherë agimi i rremë zhduket plotësisht dhe pasohet me errësirë, e pas këtij errësimi fillon shfaqja e agimit të vërtetë, por jo gjithmonë ndodh kjo gjë, pasi ndodh që të fillojë shfaqja e agimit të vërtetë nën agimin e rremë pa u errësuar ky i fundit.

Vetitë e agimit të vërtetë:

  1. Agimi i vërtetë del horizontalisht dhe ka përhapje të fuqishme në horizont.
  2. Agimi i vërtetë shfaqet pas agimit të rremë. Agimi i rremë, pas forcimit të shkëlqimit të dritës së tij, e humb këtë shkëlqim, sidomos në kokën e hollë në pjesën e sipërme, dhe kjo siç thotë Ibn Hazmi shpjegohet me faktin se shfaqje e agimit të vërtetë e zhduk shkëlqimin e agimit të rremë në pjesën e sipërme e të hollë.
  3. Ibn Hazmi thotë: “Agimi tjetër (i vërteti) është zbardhja që bie në vijën horizontale lindore. Ai shfaqet gjithmonë aty ku lind dielli, ndaj dhe ndryshon vendi i shfaqjes së tij në varësi të ndryshimit të vendit të lindjes së diellit. Ky agim është filllimi i dritës së diellit. Bardhësia e tij vjen në rritje. Mbase shoqërohet dhe me një përzierje të kuqe të shkëlqyeshme.”
  4. Ky agim shfaqet në një kohë të caktuar para lindjes së diellit, por kjo kohë rritet dhe pakësohet në mënyrë të rregullt në varësi të qarkullimit të stinëve.
  5. Ndonjëherë përzihet me një të kuqe, sidomos kur qielli është i kthjellët. Kjo është një e kuqe relative nëse do të krahasohej me bardhësinë e agimit të rremë. Kjo e kuqe shtohet dhe pakësohet në varësi të kushteve të motit. Mbase kjo e kuqe mund të shfaqet dhe si e turbullt. Siç kuptohet nga ky sqarim, kjo e kuqe nuk shfaqet gjithmonë dhe as në çdo vend, prandaj duhet të kemi parasyshë dhe sqarimet që u bënë më sipër gjatë shpjegimit të hadithit të Talk Ibn Aliut.
  6. Drita e këtij agimi ka përhapje të madhe dhe të fortë në horizont.
  7. Ndikimi i dritës së hënës për dallimin e këtij agimi është i kufizuar, qoftë dhe nëse hëna ndodhet në anën e lindjes në fundin e natës. Përderisa agimi i vërtetë dallohet qartë edhe nëse fundi i natës është më hënë, atëherë koha e sabahut, qoftë dhe netët e tilla, nuk hynë derisa të dallohet qartë ky agim.

 

Koha e sabahut në Shqipëri:

E kam vrojtuar kohën e sabahut këtu në Shqipëri që prej vitesh, nga një kohë në tjetrën, në pika të ndryshme të vendit, sidomos vitin e fundit gjatë të cilit e kam ndjekur në stinën e verës një kohë të gjatë. Kam vërejtur se koha e sabahut në periudhën e verës hynë përafërsisht 35-40 minuta pas kohës së imsakut të shënuar në kalendar, ndërsa në periudhën e dimrit hynë përafërsisht 25-30 minuta pas kohës së imsakut të shënuar në kalendar. Në vendet më në perëndim të shqipërisë mbase hynë dhe pak minuta më vonë. Atëherë, diferenca e gabimit të kalendarit nga dimri në verë është përafërsisht dhjetë minuta.

Në zonat që ndodhen larg ndikimit të ndriçimit, ndotjes dhe pluhurit të qyteteve, sidomos qyteteve të mëdha, agimi dallohet më qartë, por dhe në qytet e mëdha si Tirana ndikimi tyre në dallimin e agimit është i vogël; mbase mund të dallohet agimi pak minuta më vonë se në vendet ku nuk ka ndriçim dhe ndotje, por gjithsesi koha e sabahut, qoftë dhe brenda qyteteve ku ka ndriçim dhe ndotje, hynë veçse kur dallohet qartë agimi.  Nëse qielli është i vrenjtur me re ose jo i kthjellët, atëherë kutpohet që është e vështirë të dallohet agimi në fillimin e kohës, por hyjra e kohës mësohet nga ditët më përpara.

Njëfarë kohe para se të shpërtheje zbardhja e qartë e agimit të vërtetë në vijën horizontale shfaqet në anën lindore të qiellit në zonën ku lind dielli njëfarë zbardhëllimi i cili zgjat derisa përhapet zbardhje e fortë dhe e qartë e agimit të vërtetë. Ky zbardhëllim konsiderohet prej agimit të rremë. Këtë zbardhëllim që i paraprin agimit të vërtetë mund ta vëshë re më lehtë nëse e vrojton agimin në zonat larg ndriçimit të qyteteve.

Dijetarët dhe vrojtuesit e kohës së sabahut kanë konstatuar se kalendarët në përgjithësi kanë gabime në caktimin e kohës së sabahut:

Gabimi i kalendarit në caktimin e kohës së sabahut vjen nga disa gjëra:

  1. Hartuesit e kohës së sabahut e kanë caktuar kohën e imsakut në kalendar njëfarë kohe përpara hyrjes së kohës së sabahut (shfaqjes së agimit të vërtetë) për të treguar siguri për agjërimin. Këtë problem kalendarët e kanë pasur që prej shekujsh. Harteusit e kalendarit për shkak të mosnjohjes së sunetit të Pejgamberit a.s. që lejon ngrënien dhe pirjen derisa të dallohet mirë sabahu dhe që kërkon të tregohet më shumë siguri për hyrjen e kohës së sabahut sesa për imsakun për agjërim, pra për shkak të kësaj paditurie kanë rënë në këtë bidat. Këtë bidat e hedh poshtë fakti që Allahu na e ka lejuar ngrënien, pirjen dhe marrëdhëniet intime derisa të dallojmë agimin e vërtetë, duke thënë: “derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës)”. Pra, ngrënia e pirja lejohen jo vetëm derisa të dalë agimi i vërtetë, por derisa ne ta dallojmë atë qartë. Kështu, sipas ajetit besimtarëve ju lejohet ngrënie dhe prija derisa të dallojnë agimin, edhe pse agimi ka dalë pak më përpara. Këtë fakt do ta sqaroj inshaallahu dhe pak më pas. Ka plot hadithet të Pejgamberit që tregojnë se kjo praktikë është gabim dhe bidatë në fe:

“Të mos ju pengojë nga ngrënia e syfyrit ezani i Bilalit, e as drita e bardhë që shfaqet virtikalisht kështu, por prisni derisa të përhapet drita fort kështu”. Hamadi (një transmetues i hadithit) e tregoi me duar përhapjen e dritës së agimit të vërtetë, duke bërë të ditur se drita përhapet horizontalisht. Shënon Muslimi. Në versionin tjetër ky hadith është kështu: “Mos u mashtroni me ezanin e Bilalit, e as me këtë dritën e bardhë, por prisni derisa të shfaqet agimi, ose derisa të shpërthejë drita e agimit”. Shënon Muslimi.

“Bilali e thërret ezanin natën, prandaj hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektum. Ibn Ummi Mektumi, ngaqë ishte i verbër, nuk e thërriste ezanin derisa t’i thoshin njerëzit: u gdhive, u gdhive”.

Këto hadithe tregojnë qartë se ngrënia e syfyrit lejohet derisa të shfaqet qartë agimi i vërtetë, se nuk lejohet të thirret ezani i dytë para hyrjes së sigurtë të kohës së sabahut ngaqë përbën mashtrim për njerëzit, dhe se duhet të tregohet më shumë siguri për namazin e sabahut që të falet brenda kohe sesa për agjërimin.

Më pas në dashtë Allahu do të permend disa dëshmi nga sahabët në të cilët shprehen se lejohet ngërnia dhe pirja për sa kohë që dyshon në hyrjen e agimit, pra lejohet ngrënia dhe pirja derisa të sigurohesh për shfaqjen e agimit të vërtetë, sepse parimisht quhet se është natë derisa të dallohet mirë agimi.

Dijetarët e ymetit që prej shekujsh e kane dënuar praktikën e thirrjes së ezanit të sabahut para kohe apo caktimit të kohës së imsakut para kohe, duke e quajtur atë bidatë:

Ibn Haxheri thotë: “Nga bidatet e dënueshme është dhe shpikja që kanë bërë në këtë kohë, kur e thërrasin ezanin e dytë në ramazan rreth një të tretën e orës para agimit dhe fikin edhe dritat të cilat janë bërë shenjë për ndalimin ushqimit dhe pijes për ata që kanë ndërmend të agjërojnë. Ai që e ka shpikur këtë gjë pretendon se kjo bëhet për të treguar më shumë siguri për ibadetin, por këtë gjë e dinë veç disa idividë. Kjo shpikje i ka shtyrë që edhe ezanin e akshamit ta thërrasin veçse pasi kalon një gradë këndore pas perëndimit të diellit, me pretendimin se duhet të kalojë njëfarë kohë pas perëndimit të diellit. Kështu, ata e vonojnë çeljen, hanë syfyrë herët dhe kundërshtojnë sunetin. Prandaj, mirësia tek ata gjendet me pakicë, ndërsa e keqja gjendet me shumicë. Allahut i kërkojmë ndihmë” [Fet’hul Bari].

Edhe Karafi në librin “el Furuk” (2/300) e ka vënë në dukje problemin e caktimit të kohës së sabahut para hyrjes së kohës, problemin e thirrjes së ezanit të këtij namazi para kohe, si dhe urdhërimit të njerëzve për agjërim dhe faljen e namazit ndërkohë që ende nuk duket agimi.

Muhamed Reshid Rida thotë: “Nga teprimi i njerëzve të brezave të mëvonshëm në caktimin e dukurive, krahas lënies pas dorë të përmirësimit të devocionit të zemrës, është dhe fakti që ata e caktojnë agimin me minuta, duke shtuar në periudhën e agjërimit dhe njëzet minuta më përpara për imsakun.” [Tefsirul menar: 2/159].

Me sa kuptohet nga vërejtja e Ibn Haxherit dhe Muhamd Reshid Ridasë thirrja e ezanit përafërsisht njëzet minuta para kohe fillimisht ka qenë vetëm në muajin e ramazanit, por me kalimin e kohës u bë i tillë për të gjithë vitin [Ezanul fexhri, el Arur].

Problemi i caktimit të kohës së imsakut nëpër kalendare para kohe për të treguar siguri për agjëirmin ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë në kalendarët në përgjithësi. Në vendit tonë edhe para regjimit komunist kalendarët e kanë pasur këtë problem. Më ka rënë në dorë një kalendarë i periudhës para mbylljes së fesë në Shqipëri dhe vura re se kohën e imsakut e kishte të shënuar parafërsisht si kalendari aktual. Hartuesit e kalendarit të vjetër dhe hoxhallarët e periudhës para mbylljes së fesë ishin në dijeni që imsaku është shënuar para kohe, dhe prandaj e falnin sabahun rreth 20-30 minuta pas kohës së imsakut të shënuar në kalendarë. Këtë gjë e mbaj mend dhe vetë gjatë periudhës së regjimit komunist kur për agjërimin respektonin kohën e imsakut të shënuar në kalendarë, kurse namazin e sabahut e falnin veçse rreth njëzet minuta pas imsakut. Por këtu mund të shtrohet një pyejte: Përderisa dihet që imsaku është shënuar njëzet minuta para kohe për të treguar siguri për agjërimin dhe përderisa dihet që namazi duhet të falet rreth njëzet-tridhjetë minuta më pas, atëherë ç’të keqe ka? Përgjigja është se kjo ka disa probleme:

Së pari, shënimi i kohës së imsakut më hëret është bidatë, sepse suneti është që të vonohet ngënia e syfyrit, kështu që ky rezervim nuk është në vendin e duhur.

Së dyti, jo të gjithë njerëzit e dinë se koha e imsakut është shënuar për rezervim para hyrjes së kohës; këtë gjë mund ta dinë hartuesit e kalendarit dhe pak njerëz të informuar, kurse të tjerët nuk e dinë diçka të tillë. Prandaj, thotë Ibn Haxheri në citatin e mësipërm: “Ai që e ka shpikur këtë gjë pretendon se kjo bëhet për të treguar më shumë siguri për ibadetin, por këtë gjë e dinë veç disa idividë”. Kështu kjo është mashtrim për njerëzit, sepse mund ta falin namazin para kohe. Gjatë viteve të shkuara më ka ndodhur të takoj njerëz, sidomos prej moshës së thyer, të cilët nuk ishin në dijeni se koha e imsakut, edhe sipas hartuesve të kalendarit, nuk shënon kohën e sabahut!

Por para dy vitesh, për shkak të ndërhyrjes së disa hoxhallarëve të Tiranës për ndreqjen e kohës së sabahut, në kalendarin e KMSH-së, krahas shënimit të kohës së imsakut, shënohet dhe koha e faljes së namazit të sabahut[2]. Në fakt ky shënin paraqet njëfarë përmirësimi për t’u tërhequr vëmendjen njerëzve të mos falin namazin e sabahut para kohe, por përsëri ka disa probleme:

Së pari, diferencimi midis kohës së imsakut dhe kohës së namazit të sabahut është një bidatë në fe, sepse dihet që koha e imsakut për agjëruesin është njëherësh me hyrjen e kohës së namazit të sabahut. Argumentet e mësipërme flasin shumë qartë për këtë fakt.

Së dyti, kalendari shënon se koha e faljes së namazit të sabahut është tridhjetë minuta pas kohës së imsakut pa marrë parasyshë ndryshimin e stinëve të vitit dhe problemet e tjera që ka caktimi me llogaritje i kohës së sabahut. Në periudhën e dimrit koha e sabahut mund të hyjë dhe diçka më herët se kaq, kurse në periudhën e verës hyn diçka më vonë siç u sqarua më sipër, kështu që ky caktim nuk është korrekt.

  1. Ngatërrimi i agimit të rremë me agimin e vërtetë. Për shkak të kësaj ngatërrese në disa kalendare koha e sabahut është vendosur kur shfaqet agimi i rremë. Shejh Albani ka folur prej disa dekadash nëpër librat e fetvatë e tij për gabimin e kalendarëve në shënimin e kohës sa sabahut para kohe, duke theksuar se në disa vende ezani i sabahut thirret edhe para agimit të rremë! Kjo vërejtje që ka bërë prej kohësh shejh Albani dhe dijetarë të tjerë, e ka dhënë efektin edhe në vendin tonë, ku që me fillimin e thirrjes së sunetit para rreth njëzet vitesh në këtë vend, pasuesit e sunetit u bënë me dije se koha e sabahut është shënuar më herët në kalendar, dhe për këtë falenderimi i takon Allahut të Lartësuar. Edhe Muhamed Tekijudin el Hilali në një libër të posaçëm për sqarimin e agimit të vërtetë thekson se në vendet e arabisë perëndimore (Maroku) për t’u dalluar agimi i vërtetë duhej më shumë se një gjysëm ore pas kohës së shënuar në kalendar. Shumë dijetarë të Arabisë Saudite, prej të cilëve dhe Ibn Uthejmini kanë pohuar se koha e sabahut në kalendarin e vendit të tyre është shënuar para kohe. Adnan el Arur, një thirrës i njohur, ka theksuar se koha e sabahut në kalendar është shënuar para kohe për shkak se nuk është bërë dallimi mes agimit të rremë dhe agimit të vërtetë, dhe për pasojë koha e sabahut është shënuar kur del agimi i rremë. Para disa vitesh në arabinë Saudite u ngrit një komision nga ministria e çështjeve Islame dhe Myftinia për verifikimi e kohës së sabahut. Ky komision që kishte në përbërje ekspertë të sheriatit (fukaha), si dhe ekspertë astronomikë, pas një viti studimi të hollësishëm në terren, doli me përfundimin se koha e sabahut ishte shënuar përafërsisht njëzet minuta më herët në kalendar, dhe se hartuesi i kalendarit kishte ngatërruar agimin e rremë me agimin e vërtetë. Në këtë material po i referohem shpesh përfundimeve të këtij komisioni. Në disa vende të Evropës dhe në Amerikë janë bërë studime në terren për një caktim më të saktë të kohës së sabahut.
  2. Vështirësia e vendosjes së një rregulli të saktë për llogaritjen e kohës së sabahut. Ka mjaft faktorë që ndikojnë në shfaqjen e agimit të vërtetë, si pozicioni gjeografik, stina, klima, terreni. Ibn Tejmije ka folur në disa vende në Mexhmuul fetava, por dhe në libra të tjerë të tij, për vështirësinë ose pamundësinë e llogaritjes së kohës së sabahut. Prandaj, nuk mund të vihet një rregull i vetëm për çdo kohë e vend. Duke qenë se kalendarët nuk i marrin parasyshë faktorët që sjellin ndryshueshmëri kanë gabime të rënda në caktimin e kohës së sabahut, psh, diferenca e gabimit të kalendarit në caktimin e kohës së sabahut për periudhën e verës dhe të dimrit është rreth dhjetë minuta. Madje edhe brenda një vendi siç është Shqipëria nuk mund të vihet një regull llogarie për të gjitha zonat. Për të bërë një caktim të përafërt të kohës së sabahut në vendin tonë nevojitet të vrojtohet koha në çdo zonë, gjatë gjithë vitit, e pastaj të bëhet një llogaritje e përafërt. E kjo llogaritje është e vështirë. Por edhe nëse do të bëhen përpjekje në këtë drejtim, ato mbeten thjeshtë orientime të përafërta dhe jo të prera. Nëse do të përmirësohej kalendari aktual, ai përsëri do të na japë diçka të përafërt, por jo diçka të prerë e të padiskutueshme. Kështu që zgjidhja është vrojtimi i agimit, gjatë gjithë vitit, dhe kështu në bazë të vrojtimit bëhet dhe korigjimi i kohës së sabahut në kalendarë. Kalendari i kohëve të namazit mund të përdoret thjeshtë për lehtësim, njësoj si ora e dorës, por jo si bazë në vend të shenjave që ka caktuar Sheriati, sidomos për kohën e sabahut, që sikur theksova, nuk mund të ketë një rregull të saktë dhe të prerë për llogaritjen e tij. Atëherë, ezani i sabahut në çdo xhami dhe në çdo vend duhet të thirret veçse mbasi shfaqet zbardhja në horizontin lindor. Dallimi i kësaj zbardhje është shumë i lehtë, sepse ajo duhet të përhapet në një mënyrë të tillë në horizontin lindorë sa që kushdo që e shikon nuk dyshon se po përhapet drita e ditës dhe po largohet nata. Kur fillon zbardhja e fuqishme dhe e sigurtë në vijën horizontale të cilën mund ta dallojë çdokush, atëherë hyn koha e sabahut.

Por këtu mund të shtrohet një pyetje: Nëse do t’i lihet çdo muezini që ta thërrasë ezanin kur vëren vetë shenjën e sabahut, atëherë do të kemi diferencë në thirrjen e ezanit të sabahut edhe brenda një qyteti të vetëm?

Përgjigja: Kur qyteti është i madh, dihet që në pjesën lindore të tij hynë koha e sabahut para pjesës perëndimore, kështu që njësimi i hyrjes së kohës së namazit në këtë rast është gabim. Pra, nuk është aspak e çuditshme që, psh, këtu në Tiranë ta shohin agimin ata që ndodhen më  afër grykës së malit të dajtit më përpara se ata që ndodhen më larg, madje kjo është normale. Ajo që krijon njëfarë pështjellimi tek njerëzit është fakti se ezani i një xhamie nëpërmjet qendrave të zërit përcillet deri një zonën tjetër, ku njerëzit kanë xhami dhe ju mjafton ezani i xhamisë së tyre. Ky problem atëherë, mund të evitohet duke e ngritur zërin e autopolantit vetëm aq sa për ta dëgjuar njerëzit që janë aty afër dhe që vijnë në xhami kur dëgjojnë ezanin, sepse njerëzit e lagjeve të tjera ku kanë xhamitë e tyre nuk ka përse të dëgjojnë ezanin e xhamive të tjera; kjo mund të përbëjë shqetësim dhe ngatërrim për ta, se cilin ezanë do të përsërisin pas muezinit. Prandaj, nuk e shoh të arsyeshme ngritjen e qendrës së zërit deri në këtë masë. Ndërsa nëse muslimani dëgjon ezanin e dy xhamive, atëherë do t’i përgjigjet ezanit të xhamisë që ka më afër, ku dhe fal namazin me xhematë.

Kështu, thirrja e ezanit të dytë të sabahut para hyrjes së kohës është në kundërshtim me sunetin dhe haram. Disa dijetarë janë të mendimit se, në dallim nga ezani i kohëve të tjera të namazet, lejohet të thirret ezani i sabahut para kohës së tij dhe se ky ezan është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë të përsëritet ezani pas daljes së agimit. Por ky mendim nuk është i saktë, sepse bie ndesh  me hadithet e Ibn Umerit dhe të Aishes të cilët e përmendën më sipër dhe që tregojnë se për sabahun kishte dy ezani: njëri para kohe të cilin e thërriste Bilali natën dhe tjetri pas daljes së agimit të cilin e thërriste Ibn Ummi Mektumi[3]. Ibn Hazmi thotë: “Nuk vlen për namazin e sabahut ezani që është thirrë para shfaqjes së agimit, sepse ai ka qenë ezanë për t’u tërhequr vëmendjen njerëzve për ngrënien e syfyrit, por jo ezan për namazin. Edhe ezani i parë nuk lejohet të thirret para intervalit kohorë që përmenda” [el muhala: 3/117]. Më pas Ibn Hazmi sjell me senedin e tij se Ismail Ibn Muslimi i ka thënë Hasenit: “O Ebu Said! Ç’mendim ke për muezinin që e thërret ezanin para kohe për zgjimin e njerëzve? Hasen u nevrikos dhe tha: “Njerëz të këqij! Po ti zinte Umer Ibn Hatabi, do t’u kishte fshikulluar anët e trupit! Kur dikush e thërret ezanin para agimit, xhemati i asaj xhamie e kanë falur namazin vetëm me ikamet, dhe pa ezan”. Sipas një varianti tjetër përmendet se Haseni dëgjoi një muezin duke e thirrur ezanin natën dhe tha: “Gomere që ndeshen me gjelat! Ezani në kohën e Pejgamberit thirrej veçse mbasi dilte agimi”. Po ashtu Ibn Hazmi shënon se Ibrahim Nahaiu nuk e pëlqente të thirrej ezani para agimit. Gjithashtu Ibn Hazmi sjell se Ibrahim Nahaiu ka thënë: “Alkame Ibn Kajsi dëgjoi një muezin që e thirri ezanin natën (ende pa u shfaqur agimi), dhe tha: “Ky njeri ka kundërshtuar një sunet prej suneteve të shokëve të Pejgamberit. Nëse do të flinte në shtrat, do të kishte qenë me mirë për të”. Ibrahim Nehaiu gjithashtu thotë: “Kur muezini e thërriste ezanin natën (pa hyrë koha), ata i thoshin: “Kije ferikë Allahun dhe përsërite ezanin”. Nafiu tregon: “Ata nuk e thërrisnin ezanin veçse kur dilte agimi” [el Muhala]. Ibn Umeri tregon se njëherë Bilali e thirri ezanin para se të dilte agimi, dhe për këtë shkak Pejgamberi e urdhëroi të kthehej dhe të thoshte me zë: “ela innel abde name, ela innel abde name (robi ishte në gjendje gjumi, dhe prandaj gaboi)”[4]. Shënon Ebu Daudi. Albani thotë se hadithi është i saktë. Nafiu tregon se një muezin i Umerit r.a. që quhej “Mesruh” e thirri njëherë ezanin para sabahut, dhe kështu Umeri e urdhëroi të thoshte: “Ela innel abde kad name)”. Shënon Ebu Daudi. Albani thotë se hadithi është i saktë. Esved Ibn Jezid tregon: I thashë Aishes: “Në cilën orë e fal vitrin? Ajo tha: “Vitrin e fal veçse pasi thërrasin ezanin; ata nuk e thërrasin ezanin veçse pas daljes së agimit. Pastaj ajo vijoi e tha: “Pejgamberi a.s. kishte dy muezina: Bilalin dhe Amër Ibn Ummi Mektumin. Pejgamberi a.s. tha: “Kur të thërrasë ezanin Amri, hani dhe pini, sepse ai është i verbër, ndërsa kur të thërrasë ezanin Bilali, hiqni dorë nga ushqimi, sepse Bilali nuk e thërret ezanin veçse kur gdhin”. Hadithi është i saktë.

Thirrja e ezanit të dytë para hyrjes së kohës ka disa pasoja:

Së pari, mund të ketë njerëz që mashtrohen me një ezanë të tillë dhe e falin namazin para kohe duke menduar se ka hyrë koha e sabahut, sidomos gratë nëpër shtëpia. Me ixhma të dijetarëve, nuk lejohet fajla e namazit para kohe dhe as nuk quhet i vlefshëm.

Së dyti, nëse gruaja me ciklin e menstrual apo lehona pastrohen para agimit ato e kanë detyrë ta agjërojnë këtë ditë ramazani, por nëse ezani thirret para kohe ato mund të mendojnë se agimi i ka zënë ndërkohë që nuk ishin në gjendje për agjërim.

 

Është sunet vonimi i syfyrit. Argumentet që dëshmojnë për këtë sunet u përmendën më përpara kur folëm për sunetin e shpejtimit të çeljes së agjërimit. Pejgamberi a.s. e vononte syfyrin aq shumë sa koha ndërmejt syfyrit dhe ndërmjet ikametit të namazit të sabahut ishte aq sa  mund të lexoheshin pesëdhjetë ajete.

Enesi thotë se Zejd Ibn Thabiti i ka treguar që kanë ngrënë syfyr bashkë me Pejgamberin dhe pastaj janë çuar për faljen e namazit të sabahut. Enese thotë: Pyeta: “Sa ishte koha ndërmjet tyre (ndërmjet përfundimit të syfyrit dhe hyrjes në namaz)?” Zejdi u përgjigj: “Aq sa koha e leximit të pesëdhjetë ose gjashtëdhjetë ajeteve”. Shënojnë: Buhariu dhe Muslimi. Sipas një varianti tjetër të Buhariut në kapitullin e agjërimit Enesi tregon se Zejd Ibn Thabiti ka thënë: “Hëngrëm syfyr bashkë me Pejgamberin dhe pastaj ai u çua për faljen e namazit. Thashë: “Sa ishte koha ndërmjet ezanit dhe syfyrit?” Ai tha: “Aq sa për të lexuar pesëdhjetë ajete”. Në shumicën e transmetimeve, siç tregon Ibn Rexhebi, përmendet se kjo diferencë kohore ka qenë ndërmjet syfyrit dhe namazit të sabahut, ndërsa në transmetimin që sjell Buhariu në kapitullin e agjërimit përmendet se kjo kohë ka qenë ndërmjet syfyrit dhe ezanit. Porse fjala “ezan” përdoret dhe për ikametin, kështu që dhe në hadithin e fundit flitet për intervalin kohorë ndërmjet syfyrit dhe ikametit. Atëherë, qëllimi është koha nga përfundimi i syfyrit deri në fillimin e namazit [Fethul Bari].

Ibn Rexhebi ka përmendur se sipas transmetimit të Muamerit thuhet se ndërmjet syfyrit të Pejgamberit dhe namazit të sabahut kishte kohë vetëm për faljen e dy rekateve sunet të sabahut dhe daljes për në xhami [Fethul Bari].

Ibn Haxheri sqaron se koha e leximit të pesëdhjetë ajeteve është sa tre të pestat e një ore, domethënë: katër minuta. Mbase kjo kohë, vazhdon ai, është aq sa koha e marrjes avdes. Në një vend tjetër në Fethul Bari, Ibn Haxheri, thotë se kjo kohë është sa një gradë. Një gradë është e barabartë me katër minuta. Ibn Haxheri shpjegon se flitet për pesëdhjetë ajete të mesme: as të gjata dhe as të shkurtra, dhe për një lexim as të shpejtë dhe as të avashtë.

E bëra provë vetë me suren “El Hakka”, dhe arrita ta lexoja për gjashtë minuta.

Dijetarët kanë shpjeguar se ky hadith tregon për disa gjëra, prej të cilave:

Së pari, për vonimin e syfyrit.

Së dyti, për faktin se koha e namazit të sabahut hynë sapo del agimi.

Së treti, se Pejgamberi a.s. e fillonte namazin e sabahut në muzgun e agimit [Shiko Fethul Bari].

Sehël Ibn Sa’di thotë: “Haja syfyrë në shtëpinë time dhe pastaj shpejtoja për të kapur namazin më të Dërguarin e Allahut”. Shënon Bahariu.  Ky hadith tregon se ky sahabi e hante aq vonë syfyrin sa që ngutej në ngrënie nga frika se mos e zinte agimi, si dhe nga frika se mos i humbte namazi i sabahut me Pejgamberin a.s. Hadithi gjithashtu tregon se Pejgamberi e falte namazin e sabahut mjaft herët në muzgun e agimit, në fillimin e kohë së sabahut [Fethul Bari].

Nuk bëhet detyrë imsaku (lënia e gjërave që e prishin agjërimin) derisa agimi të bëhet i dallueshëm për njerëzit. Kështu, lejohet ngrënia dhe pirja derisa njerëzit të dallojnë agimin. Sikur të ketë nisur agimi në horizont, por njerëzit nuk arrijnë ta dallojnë qartë dhe sigurtë, atyre ju lejohet ngrënia dhe pirja derisa ta dallojnë atë. Argument për këtë është fjala e Allahut: “derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju peri i bardhë (bardhësia) i agimit nga peri i zi (errësira e natës)”. Pra, Allahu ka thënë: ‘e dallueshme qartë për ju’, dhe jo thjeshtë: ‘e dallueshme’. [El Muhal-la].

Nëse dikush dyshon në daljen e agimit, i lejohet ngrënia dhe pirja derisa të sigurohet në daljen e agimit. Madje edhe nëse mundësia më e madhe është se ka dalë agimi, lejohet ngrënia derisa të dallohet sigurtë agimi apo derisa të bëhet e sigurtë dalja e agimit. Argument është ajeti i mësipërm. Përderisa dalja e agimit është e dyshimtë, parimisht quhet se ka akoma natë, derisa të bëhet e sigurtë dalja e agimit.

Ibn Umeri dhe Aishja kanë treguar se Pejgamberi ka thënë: “Bilali e thërret ezanin natën, prandaj hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektum. Ibn Ummi Mektumi, ngaqë ishte i verbër, nuk e thërriste ezanin derisa t’i thoshin njerëzit: u gdhive, u gdhive”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Sipas një varianti tjetër të hadithit të Aishes, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektum, sepse ai nuk e thërret ezanin derisa të lindë agimi”. Kasimi ka thënë: “Diferenca ndërmjet ezaneve të tyre ishte vetëm aq sa ngjitej njëri dhe zbriste tjetri”.

Ibn Hazmi thotë: “Pejgamberi a.s. ka theksuar shprehimisht se Ibn Umi Mektumi e thërret ezanin veçse kur lind agimi, e megjithëkëtë e ka lejuar ngrënien deri në ezanin e tij. Kjo vërteton se ngrënia është e lejueshme edhe pas daljes së agimit, deri kur ta dallojë agimin ai që ka bërë nijet të agjërojë.”

Kështu, nëse muezini e thërret ezanin në fillimin e kohës, siç bënte Abdullah Ibn Umi Mektumi, lejohet ngrënia dhe pirja derisa të dëgjosh ezanin e tij, edhe pse pashmangmërimisht i bie qe të hashë e të pishe diçka (ose pak momente) pas shfaqjes së agimit. Nga hadithi del se lejohet të marrësh për bazë për imsakun, fillimin e dëgjimit të ezanit të muezinit, nëse ai e njeh kohën e caktuar në Sheriatë dhe nëse tregon kujdes për thirrjen e ezanit në fillimin e kohës. Mirëpo, nëse e dallon agimin vetë para se të thërrasë ezanin muezini, e ke detyrë të lëshë gjërat që e prishin agjërimin dhe të mos presësh ezanin, sepse ajeti thotë: “derisa të bëhet i dallueshëm për ju”. Kjo kuptohet dhe nga argumentet që u përmendën më përpara dhe që do të përmenden dhe më pas inshaallahu. Nga ana tjetër, nëse ezani thirret para kohe ose nëse muezini e thërret ezanin e sabahut para kohe për shkak se nuk e njeh kohën apo për shkak se bazohet në kalendarë, lejohet të hashë e të pishë derisa të dallosh agimin, sepse një ezan i tillë nuk tregon hyrjen e kohës së imsakut. Madje nëse ezani thirret para kohe nuk ka pse të lihet dhe suneti i vonimit të syfyrit siç u theksua më lart. Enes Ibn Malik tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Të mos ju pengojë ezani i Bilalit nga ngënia e syfyrit, sepse ai ka diçka në sy”. Shënojnë Ahmedi dhe Tahaviu. Hadithi është i saktë. Semure tregon se Pejgamberi ka thënë: “Mos u mashtroni me ezanin e Bilalit, sepse ai ka problem në sy”. Këto dy hadithe bëjnë fjalë për fazën kur Bilali thërriste ezanin e hyrjes së kohës së sabahut, siç sqarova dhe më sipër. Pejgamberi i ka këshilluar shokët e tij që të mos e linin ushqimin kur dëgjonin ezanin e Bilali, sepse ai mund ta thërriste ezanin para kohe ngaqë nuk e dallonte mirë agimin për shkak të dobësisë së shikimit.

Disa dëshmi nga të parët e këtij ymeti të cilat tregojnë se deri në ç’kohë e vononin ata syfyrin, se lejohet ngrënia dhe pirja përderisa dyshon në daljen e agimit, dhe se sa tolerantë ka qenë ata në çështjen e vonimit të syfyrit:

Hubejb Ibn Abdirrahman transemton se halla e tij, Unejse Binti Hubejb, ka rrëfyer se Pejgamberi ka thënë: “Kur të thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektumi, hani dhe pini, kurse kur të thërrasë ezanin Bilali, mos hani dhe mos pini”. Ndonjëherë, kur ndonjë grua s’e kishte mbaruar syfyrin, i thoshte Bilalit: “Shtyje ezanin derisa të përfundoj syfyrin!” Shënon Ahmedi. Hadithi është i saktë.

Ebu Beker Sidiku ka thënë: “Kur dy vetë janë duke shikuar agimin, nëse njeri prej tyre dyshon në daljen e tij, le të hanë ushqim derisa ta dallojnë qartë.” [el muhala].

Salim Ibn Ubejd tregon: Ebu Bekri më thoshte: “Qëndro ndërmjet meje dhe ndërmjet anës nga shihet agimi, derisa të ha syfyrin”. [el muhala]

Salim Ibn Ubejd el Eshxhai, i cili ka qenë një sahab, i ka thënë dikujt: “çohu dhe më zër agimin që të mos e shoh, dhe kështu hëngri ushqim”. [el muhala].

Ebu Bekr Sidiku thoshte: “Mbyllini dyert, që të hamë syfyrin” [el muhala].

Haseni tregon se Umer Ibn Hatib thoshte: “Nëse dy vetë dyshojnë në shfaqjen e agimit, lë të hanë derisa të binden në shfaqjen e tij”.

Ebu Hurejra dëgjoi ezanin, ndërkohë që enën e kishte në dorë, dhe tha: “Jam në kohë për ta pirë, pasha Zotin e Kabes!” [el muhala].

Ibn Abasi ka thënë: “Allahu ta ka lejuar pijen për sa kohë që dyshon në daljen e agimit”. [el muhala]

Ikrime tregon se Ibn Abasi i tha shërbëtorit: “O djalë, më jep pijen!”. Shërbëtori tha: “Ke hyrë në kohën e agimit”. Thashë: “Jo, s’ka hyrë koha”. Ibn Abasi tha: “Pasha Allahun, kjo është kohë dyshimi, më jep pijen! Dhe kështu piu”. [el muhala].

Mekhul el Ezdi rrëfen: Shikova Ibn Umerin kur mori një kovë prej ujit të Zemzemit dhe ju tha dy vetave që ndodheshin aty: “A lindi agimi?” Njëri prej tyre tha: “Lindi”, kurse tjetri tha: “jo”. Kështu, Ibn Umeri piu ujë [el muhala].

Sad Ibn Ebi Vekasi hëngri syfyr në Kufe dhe kur doli në xhami, u thirr ikameti [el muhala].

Haban Ibnil Harith hëngri syfyr bashkë me Ali Ibn Ebi Talibin, ndërkohë që kishin bërë nijet të agjëronin. Kur Aliu mbaroi syfyrin, i tha muezinit: “Thirr ikametin!” [el muhala].

Ebu Akil tregon: “Hëngra syfyr me Aliun, dhe pas syfyrit ai i dha urdhër muezinit të thërriste ikametin” [el muhala].

Amir Ibn Matar rrëfen: Shkova tek Abdullah ibn Mesudi, në shtëpi. Ai na nxorri diçka që kishte tepruar për syfyr, dhe kështu hëngrëm syfyr bashkë me të. Pasi hëngrëm syfyr, u thirr ikameti dhe ne dolëm e falëm bashkë me të [el muhala].

Muhamed Ibn Alij Ibnil Husejn ka thënë: “Ha derisa të dallosh qartë agimin”.

El Hasen ka thënë: “Ha për sa kohë që dyshon në shfaqjen e agimit”.

Ebu Mixhlezi ka thënë: “Drita vezulluese që ngrihet vertikalisht në qiell nuk është agimi (i vërtetë), por ajo është agimi i rremë, ndërsa agimi i vërtetë është ai që ka një përhapje të fort në horizont.”

A’meshi sjell se Muslimi (një tabiin) ka thënë: “Ata nuk e llogarisnin për agim këtë që ju e quani agim; agim për ta ishte ai që mbushte shtëpitë dhe rrugët.

Ibrahim Nehaiu thotë: “Agimi i kuq që përhapet në vijën horizontale është ai që lejon namazin dhe që ndalon ushqimin”.

Ibn Xhurejxhi thotë: “I thashë Atasë: “A e urren të ha ushqim, ndërkohë që jam në shtëpi dhe nuk e di se mbase ka ngdhirë? Ai tha: “Nuk ka gjë të hashë, sepse kjo është kohë dyshimi”.

Ebu Vaili hëngri syfyrin dhe doli në xhami kur u thirr ezani.

Muameri e vononte syfyrin aq shumë saqë i padituri mund të thoshte se ky njeri nuk ka agjërim.[5]

 

Kur agjëruesi dallon vetë agimin, ose kur dëgjon ezanin që thirret me t’u shfaqur agimi, ai e ka të  ndaluar ngrënien, pirjen dhe të gjitha gjërat e tjera që e prishin agjërimin. Për këtë fakt argument janë shumë të qarta:

Allahu i latrtësuar thotë: “…dhe hani e pini derisa të bëhet e dallueshme qartë për ju fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri në rënien e natës”. Ibn Xheriri shpjegon se ky ajet është argumenti më i qartë për gabimin e atyre që thonë se lejohet ngrënia dhe pirja për agjëruesin derisa të lindë dielli, sepse peri i bardhë i agimit dallohet kur fillon shfaqja e fillimeve të agimit. Allahu i Lartësuar e ka vendosur si kufi të kohës së lejimit të ngrënies, pirjes dhe marrëdhënieve intime për atë që ka detyrë agjërimin.

Ibn Abasi tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka dy agime: kur shfaqet njëri agim (pra, i vërteti) ndalohet ushqimi dhe lejohet namazi (i sabahut), ndërsa kur shfaqet agimi tjetër (i rremi) ndalohet namazi (i sabahut), por lejohet ushqimi”. Shënojnë Ibn Huzejme, Hakimi dhe Bejhakiu. Albani thotë se hadithi është i saktë.

Ibn Umeri dhe Aishja kanë treguar se Pejgamberi ka thënë: “Bilali e thërret ezanin natën, prandaj hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektum. Ibn Ummi Mektumi, ngaqë ishte i verbër, nuk e thërriste ezanin derisa t’i thoshin njerëzit: u gdhive, u gdhive”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Sipas një varianti tjetër të hadithit të Aishes, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Hani dhe pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Ummi Mektum, sepse ai nuk e thërret ezanin derisa të lindë agimi”.

Në hadithin që përmenda pak më sipër, Pejgamberi ka thënë: “Kur të thërrasë ezanin Bilali, mos hani dhe mos pini”. Shënon Ahmedi.

Këto hadithe shprehin tekstualisht se kur agjëruesi dallon  agimin, apo kur dëgjon ezanin që thirret me të hyrë koha e namazit, ai i ka të ndaluara gjërat që e prishin agjërimin.

Por këtu ka një përjashtim: nëse agjëruesi ka në gojë kafshatën e ushqimit kur dallon agimin apo kur dëgjon ezanin, atij i lejohet ta përcjellë; nëse ka ushqimin nëpër duar, i lejohet të hajë derisa të plotësojë nevojën; nëse ka në dorë kupën me ujë apo pije, i lejohet ta pijë. Si dëshmi për këtë përjashtim kemi hadithin që transmeton Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse ndojëri prej jush dëgjon ezanin, ndërkohë që ka në dorë enën (e pijes apo ushqimit), të mos e lëjë derisa të plotësoje nevojën prej saj”. Shënojnë Ebu Daudi dhe Ahmedi. Amar Ibn Ebi Amar (transmetuesi i hadithit nga Ebi Hurejra) ka shtuar se muezini e thërriste ezanin kur shfaqej agimi. Ky hadithi ka dhe disa dëshmi:

1- Ebu Umame tregon: “Njëherë kur u thirr ikameti, Umeri kishte enën në dorë, dhe tha: “A ta pi, o i Dërguari i Allahut? Pejgamberi tha: “Po”. Kështu Umeri e piu.” Shënon Ibn Xheriri më sened të mirë.

2- Ebu Zubejri tregon: Pyeta Xhabirin për një burrë që ka bërë nijet të agjërojë, por kur dëgjon ezanin, e ka enën në dorë për të pirë, nëse i lejohet të pijë apo jo? Xhabiri tha: “Ne bisedat tona qarkullonte se Pejgamberi ka thënë: “Le ta pijë!”. Senedi i këtij transmetimi eshtë i dobët, por ka vlerë për përforcim me dëshmi të tjera.

3- Bilali thotë: “Shkova të lajmëroja Pejgamberin a.s. për namazin e sabahut, por ndërkohë ai, edhe pse kishte bërë nijet të agjëronte, kërkoi t’i sillnin një enë dhe piu, pastaj ma dha dhe mua për të pirë; pas kësaj ne dolëm për faljen e namazit”. Shënon Ahmedi me dy rrugë që përforcojnë njëra-tjetrën. [Silsiletul ehadith esahiha]

Për hadithin e mësipërm dëshmojnë dhe disa nga qëndrimet e sahabëve të cilat u cituan më sipër. Ndër selefët që ka dhënë fetva me këtë hadith është Urve Ibn Zubejr, sikurse tregon Ibn Hazmi në librin el Muhala.

Për harmonizimin e ajetit të mësipërm të sures el Bekare dhe haditheve që ndalojnë ngrënien dhe pirjen kur shfaqet agimi dhe mes këtij hadith të Ebi Hurejres, themi se ky hadith sqaron që përjashtohet nga ndalimi rasti kur njeriu ka në dorë enën e ushqimit a pijes, si dhe rasti kur e ka filluar ngrënien para se të dëgjojë ezanin, nëse ka nevojë për të vazhduar ngrënien ose pirjen. Pra, ajeti ndalon fillimin e ushqimit apo pirjes kur dallohet agimi, kurse hadithi i mësipërm i Ebi Hurjes tregon se nëse njeriu k anë dorë ushqimin apo pijen kur dëgjon ezanin e sabahut, i lejohet ta konsumojë. Shejh Albani thotë: “Nuk ka mospërputhje mes ajetit dhe haditheve që janë në kuptimin e tij dhe mes këtij hadithi ( Ebi Hurejres. Gjithashtu nuk ka ixhma në kundështim me këtë hadith, madje disa sahab dhe disa dijetarë të tjerë kanë shkuar me mendimin e tyre edhe më tej asaj që del nga ky hadith, kur e kanë lejuar ngrënien e syfyrit derisa të bëhet i qartë agimi dhe të përhapet drita nëpër rrugë. Nga dobitë e hadithit të mësipërm është dhe zhvlerësimi i bidatit të imsakut një çerek ore para agimit, gjë të cilën ka njerëz që e bëjnë nga frika se mos i zë ezani i sabahut duke ngrënë syfyr. Po ta dinin këtë lehtësim, ata nuk do të kishin rënë në këtë bidatë” [Tamamul mine].

Më lart sqaruam se ajeti i sures el Bekare, si dhe hadithet e qartë e ndalojnë qartësisht ngrënien dhe pirjen kur lind agimi, por si shjegohet atëherë ky hadith: Zirr Ibn Hubejsh rrëfen: Hëngra syfyrin dhe u nisa për në xhami. Kalova tek Hudhejfe Ibn Jemani dhe hyra brenda në shtëpinë e tij. Hidhejfja dha urdhër që të milej një deve qumështore dhe të vihej një tenxhere për ngrohjen e ushqimit. Pastaj më tha: “Afrohu dhe ha!” I thashë: “Unë kam bërë nijet ë agjëroj” Ai më tha: “Edhe unë kam qëllim të agjëroj.” Kështu hëngrëm e pimë, dhe pastaj kur shkuam në xhami, u thirr ikameti. Hudhejfja ka thënë: “Kështu ka bërë me mua i Dërguari i Allahut”. E pyeta: “A pasi kishte gdhirë hëngrët?” Ai i përgjigj: “Po, ishte koha e agimit, por nuk kishte lind dielli”. Distanca ndërmjet shtëpisë së Hidhejfes dhe xhamisë ishte sa distanca ndërmjet ‘xhamisë së Thabitit’ dhe kopështit të ‘Hautit’. Hamadi, gjithashtu, ka treguar se Hudhejfe ka thënë: “Kështu kam vepruar me Pejgamberin a.s. dhe kështu ka vepruar me mua Pejgamberi a.s. Shënon Ahmedi. Sipas një rivajeti tjetë, Zirri thotë: “Pyeta Hudhejfen: Në cilën orë hëngrët syfyr bashkë me Pejgamberin? Ai u përgjigj: “Ishte ditë, por dielli nuk kishte lindur”. Shënon Ahmedi. Në një variant të tretë, Zirri tregon se Hudhejfe ka thënë: “Bilali vinte tek Pejgamberi dhe e gjinte duke ngrënë syfyr. Në këtë kohë unë arrija të shihja deri aty ku bien shigjetat e mia”. E pyeta: “A ishte pas lindjes së agimit?” Tha: “Pas lindjes së agimit, por dielli nuk kishte lindur”. Shënon Ahmedi. Sendi i këtij hadithi është i mirë, porse Nesaiu thotë: “Nuk dimë që ndonjë tjetë veç Asimit e ka sjellë këtë dëshmi si veprim të Hudhejfes me Pejgamberin, por edhe nëse është e vërtetë që Hudhejfja ka treguar atë që ka bërë me Pejgamberin a.s., atëherë hadithi është me kuptimin se kanë ngrënë syfyre në afërsi të ditës” [Tuhfetul Eshraf]. Perveç Asim Ibn Behdeles këtë ngjarje e ka sjellë nga Zirri edhe Adijj Ibn Thabit, por ky nuk shton se Hudhejfe e ka bërë diçka të tillë me të Dërguarin e Allahut. Gjithsesi, për këtë hadith dijetarët kanë dhënë disa përgjigje:

E para: Fjala e Hidhejfes “ishte ditë!”, nuk do të thotë se Pejgamberi ka ngrënë pas shfaqjes së agimit, por se ka ngrënë më afërsi të agimit. Kështu e ka shpjeguar hadithin Nesaiu dhe Taberiu.

E dyta: Hadithi bën fajlë për rastin kur ende nuk është dalluar agimi, edhe pse mund të ketë lindur. Ibn Hazmi thotë: “E gjithë kjo bën fjalë për rastin kur ata ende nuk e kishin dalluar qartë agimin. Kështu përputhen hadithet me atë që përmedet në Kuranë [el muhala].

E treta: Ka mundësi që ky hadith të bëj fjalë për rastin kur e ke ushqimin apo enën e pijes nëpër duar dhe të zë agimi pa e mbaruar, një rast ky për të cilin folëm më sipër.

E katërta: Disa dijetarë kanë thënë se ky hadidth është i abroguar me ajetin dhe hadithet që ndalojën ushqimin dhe pijen për agjëruesin kur hynë koha e agimit. Në fakt, nëse nuk qëndron asnjëra prej tri përgjigjeve të para, dhe nëse ky hadith është i saktë, atëherë domosdo ai është i shfuqizuar nga ajeti dhe nga hadithet që qartësisht e ndalojnë ushqimin dhe pijen për agjëruesin kur hynë agimi.

Argumentet e Sheriatit qartësisht e ndalojnë ngrënien e pirjen kur bëhet i dallueshëm agimi, por disa selef të këtij ymeti e kanë lejuar ngrënien derisa të përhapet drita e agimit nëpër rrugë dhe shtëpia, disa e kanë lejuar deri në faljen e namazit të sabahut, disa të tjerë e kanë lejuar ngrënien e syfyrit edhe pas namazit të sabahut:

– Ibn Mundhir ka bërë të ditur se disa dijetarë kanë qenë me mendimin se dallimi i bardhësisë së ditës nga errësira e natës bën fjalë për përhapjen e bardhësisë nëpër rrugë, rrugica dhe shtëpi.

– Said Ibn Mensuri, Ibn Ebi Shejbe dhe Ibn Mundhir shënojnë se Ebu Bekri ka dhënë urdhër të mbyllen dyert derisa të bëhet i qartë agimi.

– Ibn Mundhir sjell me sened të saktë nga Salim Ibn Ubejd el Eshxhai i cili treon se Ebu Bekri i ka thënë: “Dil e shih se a ka lindur agimi? Pasi shikova, shkova dhe i thashë: Ka dalë drita e bardhë me shkëlqimin (vertikal, dmth: agimi i rremë). Më pas më tha sërish dil dhe shike se a ka dalë agimi? Pasi shikova, i thashë: “Drita është përhapur në vijën horizontale”. Ai tha: “Tani më jep pijen!”

– Ibn Mundhir sjell me sened të saktë se Aliu fali namazin e sabahut dhe pastaj tha: “Tashmë u bë i qartë peri i bardhë nga peri i zi.”

– A’meshi ka thënë: “Po të mos kisha frikë famën, do të kisha falur namazin e sabahut e pastaj do të kisha ngrënë syfyrin”.

Atëherë, përgjigja për këto dëshmi është si vijon:

1- Këto dëshmi nuk mund të rrëzojnë hadithet e saktë dhe të qarta të cilat u përmendën më lart, dhe që e ndalojnë qartësisht ushqimin dhe ngrënien kur lind agimi. Kur bien ndesh dëshmitë e sahabëve me hadithet, duhet tu japim përparësi haditheve [Tuhfetul ahvedhi].

2- Neveviu thotë: “Kjo që thashë se në agjërim hyhet me lindjen e agimit dhe se me lindjen e tij ndalohet ushqimi, pija dhe marrëdhëniet seksuale, është dhe mendimi i Ebu Hanifes, Malikut, Ahmedit dhe shumicës së dijetarëve, që nga sahabët, tabiinët e më pas. Ibn Mundhir thotë: “Ky është mendimi i Umer Ibn Hatabit, Ibn Abasit dhe dijetarëve të të gjitha vendeve, dhe ky është mendimi im” [Sherh Muhedheb].

3- Is’haku ka thënë: “Këta dijetarë kanë qenë me mendimin se lejohet ngrënia dhe namazi (i vitrit) pas lindjes së agimit që shtrihet horizontalisht në vijën horizontale derisa të dallohet bardhësia e ditës nga errësira e natës (kudo). Më tej, Is’haku thotë: “Unë jam me mendimin e parë (që ngrënia dhe pirja lejohen deri në lindjen e agimit), por nuk e qortoj atë që me interpretim vepron me lehtësimin e mendimit të dytë, dhe mendoj se nuk ka detyrë as zëvendësimin dhe as kefaren (shlyerjen).

 

Më e mira është që namazi i sabahut të falet herët në muzgun e agimit. Muzgu (në arabisht: gales) është fundi i i errësirës së natës (mbetjet e errësirës së natës) i përzier me dritën e sabahut. Për këtë fakt dëshmojnë disa hadithe:

I pari: Enesi thotë se Zejd Ibn Thabiti i ka treguar që kanë ngrënë syfyr bashkë me Pejgamberin dhe pastaj janë çuar për faljen e namazit të sabahut. Enese thotë: Pyeta: “Sa ishte koha ndërmjet tyre (ndërmjet përfundimit të syfyrit dhe hyrjes në namaz)?” Zejdi u përgjigj: “Aq sa koha e leximit të pesëdhjetë ose gjashtëdhjetë ajeteve”. Shënojnë: Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith tregon se Pejgamberi a.s. e fillonte namazin e sabahut në muzgun e agimit. Ibn Haxheri sqaron se koha e leximit të pesëdhjetë ajeteve është sa tre të pestat e një ore, domethënë: katër minuta. Mbase kjo kohë, vazhdon ai, është aq sa koha e marrjes avdes. Në një vend tjetër në Fethul Bari, Ibn Haxheri, thotë se kjo kohë është sa një gradë. Një gradë është e barabartë me katër minuta. Ibn Haxheri shpjegon se flitet për pesëdhjetë ajete të mesme: as të gjata dhe as të shkurtra, dhe për një lexim as të shpejtë dhe as ta avashtë.

E bëra provë vetë me suren “El Hakka”, dhe arrita ta lexoja për gjashtë minuta.

Ibn Rexhebi ka përmendur se sipas transmetimit të Muamerit thuhet se ndërmjet syfyrit të Pejgamberit dhe namazit të sabahut kishte kohë vetëm për faljen e dy rekateve sunet të sabahut dhe daljes për në xhami [Fethul Bari i Ibn Rexhebit].

I dyti: Sehël Ibn Sa’di thotë: “Haja syfyrë në shtëpinë time dhe pastaj shpejtoja për të kapur namazin më të Dërguarin e Allahut”. Shënon Bahariu.  Ky hadith tregon se Pejgamberi e falte namazin e sabahut mjaft herët në muzgun e agimit, në fillimin e kohë së sabahut [Fethul Bari].

I treti: Aishja r.anha tregon: “Gratë besimtare e falnin namazin e sabahut me Pejgamberin, të mbështjella me mbulesat e tyre, e pastaj kur mbaronin namazin, ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe askush nuk i njihte nga errësira e muzgut të agimit”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith flet qartë për falejn e namazit në muzgun e agimit. Nga konteskti i hadithit del se Pejgamberi e falte këtë namaz rregullisht në këtë kohë [Fethul Bari]. Sipas një varianti tek Musnedi i Serraxhit përmendet se këto gra ishin prej fisit Beni Eshhel dhe se ato vinin (në namazin e sabahut) nga një distancë prej një milje në afërsi të Medines [Irvaul galil].

I katërti: Xhabiri thotë: “Jacinë ndonjëherë Pejgamberi e falte herët në fillimin e kohës dhe ndonjëherë e vononte: kur shihte se ishin grumbulluar, ai e falte pa vonesë e nëse vërente se po mblidheshin me vonesë, ai e vononte jacinë. Ndërsa sabahun e falte në muzgun e agimit”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

I pesti: Ebu Berrze tregon: “Pasi falte Pejgamberi a.s. namazin e ikindisë, ndonjëri prej nesh shkonte në banesën e vet në skajin më të largët të Medines, e ndërkohë dielli vazhdonte të ishte me rreze të bardha, të forta dhe të nxehta. Pejgamberit a.s. i pëlqenta ta vononte namazin e jacisë dhe nuk i pëlqente gjumi para saj e as biseda pas saj, ndërsa namazin e sabahut e mbaronte (ose kthehej me fytyrë nga xhemati) kur burri arrinte të dallonte atë që kishte ulur pranë. Në namazin e sabahut ai lexonte nga gjashtëdhjetë deri në njëqind ajete”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith tregon se Pejgamberi e falte namazin e sabahut herët, në fillimin e kohës, në muzgun e sabahut, sepse koha kur njeriu fillon të dallojë fytyrën e atij që është ulur pranë është në fundin e muzgut të sabahut. Në hadith përmendet qartë se kjo ishte koha kur mbaronte namazi. Dihet që Pejgamberi e kishte rregull ta lexonte Kuranin ngadalë e qartë dhe t’i bënte rukn-et (bazat e namazit)[6] të barabarta. E gjithë kjo të çon në përfundimin se Pejgamberi a.s. e fillonte namazin në muzg, në errësirën e agimit [Fethul Bari].

Atëherë, suneti i Pejgamberi, sipas këtij hadithi, është hyrja në namaz në muzgun e agimit dhe dalja nga namazi në fundin e muzgut të agimit kur njeriu arrin të dallojë brenda në xhami fytyrën e atij që ka pranë.

Në këtë hadith përmendet se Pejgamberi a.s. lexonte në namazin e sabahut gjashtëdhjetë deri në njëqind ajete. Ibn Haxheri ka përmendur se, sipas rivajetit të Taberaniut këto ajete janë përcaktuar sa surja Haka apo ndonjë sure tjetër e ngjashme, porse unë nuk e kam gjetur një përcaktim të tillë në tre mu’xhemet e Taberaniut. Në një hadith tjetër përmendet se Pejgamberi lexonte në sabahun e ditës së xhuma suren Sexhde dhe suren Insan. Nëse do të marrim parasyshë dhe faktin që Pejgamberi lexonte ngadalë e qartë dhe i bënte rukn-et e namazit të barabarta, dy rekate të përafërta me ato të Pejgamberit, ku lexohet surja Sexhde dhe surja Insan, mund të falen për 20-25 minuta përafërsisht[7]. Duke i shtuar kësaj kohe dhe rreth pesë minutat ndërmjet mbarimit të syfyrit dhe hyrjes në namazin e sabahut, për të cilat folëm më lart, i bie që Pejgamberi a.s. ta mbaronte namazin e sabahut rreth 25-30 minuta pas lindjes së agimit. Allahu e di më së miri.

Në hadithin e mësipërm të Aishes përmendet se kur ktheheshin gratë nga namazi  i sabahut, askush nuk i dallonte dot nga errësira e muzgut të agimit, kurse këtu  në hadithin e Ebi Berrzes përmendet se njeriu dallonte fytyrin e atij që kishte ulur pranë kur mbaronte namazi, atëherë si bëhet harmonizimi?

Në hadithin e Ebi Berrzes flitet për dallimin e fytyrës së atij që është ulur pranë namazliut, kurse në hadithin e Aishes flitet për njohjen për së largu, kështu që nuk ka mospërputhje. Një mundësi tjetër për harmonizimin e këtyre dy haditheve është kështu: Pejgamberi a.s. ndonjëherë e mbaronte pak më heret namazin dhe ndonjëherë pak më vonë, dhe  në varësi të kësaj ndryshonte dhe dendësia e errësira së muzgut të përzier me dritën e agimit e e cila ishte gjithnjë në rritje dhe përhapje. Mundësinë e parë, e cila duket më e mundshme, e përmend Ibn Haxheri në ‘Fethul Bari’, kurse të dytën e përmend Albani në ‘Themurul Mustetab dhe Irvaul galil’.

Duhet të kemi parasyshë se ka mundësi që dendësia e errësirës së muzgut të agimit, si dhe kohëzgjatja e saj, të ndryshojë dhe në varësi të stinës, pozicionit gjeograk dhe relievit të vendit. Kështu që për kohëzgjatjen e muzgut si dhe për dendësinë e errësirës së tij është e vështëritë të bëhet një përcaktim i prerë për çdo vend.

I gjashti: Ebu Mesud el Ensari tregon se Pejgamberi e fali njëherë namazin e sabahut në errësirën e muzgut, pastaj e fali njëherë tjetër kur u bë ditë, por pas kësaj here ai e fali namazin e sabahut në errësirën e muzgut derisa vdiq; ai asnjëherë nuk e fa falur më sabahun në kohën kur parhapet drita e bëhet ditë. Shënon Ebu Daudi. Hadithi është hasen.

I shtati: Mugith Ibn Sumej thotë: “Fala njëherë namazin e sabahut me Abdullah Ibn Zubejrin në errësirën e muzgut. Kur dha selam prej namazit, shkova tek Abdullah Ibn Umeri dhe e pyeta: “ç’është ky  namaz në këtë kohë? Ai u përgjigj: Në këtë kohë e kemi falur namazin me Pejgamberin, Ebu Bekrin dhe Umerin. Porse mbasi u vra Umeri, Uthmani filloi ta falte kur bëhej ditë. Shënon Ibni Maxhe. Hadithi është i saktë.

Por ka një transmetim tjetër që dhe në kohën e Uthmanit e falnin namazin e sabahut në errësirën e muzgut. Sipas një transmetimi tjetër thuhet: “Kur largoheshin nga falja e namazit të sabahut me Uthmain, nuk dallonim fytyrat e njëri-tjetrit”. Albani ka sqaruar se në fëllimin e kalifatit të tij Uthmani e falte sabahun kur bëhej ditë, por pas stabilizimit të gjendjes ai iu kthye faljes së sabahut në errësirën e muzgut të cilën e njihte si sunet të Pejgamberit a.s.

I teti: Ebi Sadaka, shërbëtori i Enesit, thotë: “Pyeta Enesin për kohën e namazit të Pejgamberit, dhe më tha: “I Dërguari i Allahut e falte drekën kur anonte dielli, ikindinë e falte ndërmjet këtyre dy namazeve tuaja[8], akshamin kur perëndonte dielle, jacinë kur humbte e kuqja, agimin e falte kur lindte agimi derisa hapej drita aq sa mund të shiheshin gjërat nga larg”.  Shënon Ahmedi dhe Nesaiu. Hadithi është i saktë.

Edhe ky hadith tregon qartë për faktin që Pejgamberi hynte në namazin e sabahut në muzgun e agimit dhe e mbaronte kur hapej drita e agimit.

Pikërisht ky është dhe kuptimi i hadithit të mëposhtëm:

Rafi Ibn Hadixh tregon se ka dëgjuar Pejgamberin duke thënë: “Faleni namazin e sabahut kur të përhapet drita e agimit, sepse atëherë e ka shpërblimin më të madh”. Sipas një varianti tjetër hadithi sillet kështu: “Faleni sabahun kur gdhinë, sepse e merrni shpërblimin më të madh”. Shënojnë Ahmedi, Eu Daudi, Tirmidhiu etj. Hadithi është i saktë.

Edhe ky hadith, sikurse hadithi para tij, është me kuptimin që të fillohet namazi në kohën muzgun të agimit dhe të mbarohet kur përhapet drita apo kur gdhinë. Ibn Kajim thotë: “Ky hadith, në rast se është i saktë, flet për zgjatjen dhe mbarimin e namazit kur përhapet drita e jo për fillimin e namazit në këtë kohë. Kështu, e fillon namazin e sabahut në muzg, dhe e mbaron kur përhapet drita e agimit, sikurse vepronte i Dërguari i Allahut. Thënia e Muhamedit a.s. është në përputhje me praktikën e tij dhe jo në kundërshtim me të. Si mund të mendohet se Pejgamberi a.s. e ka falur namazin rregullisht më herët se koha kur shpërblimi është më i madh!?” Ky është dhe mendimi i Tahaviut, i cili ka pohuar se ky është dhe mendimi i Ebu Hanifes, Ebi Jusufit dhe Muhamed Ibn Hasenit [Tuhfetul Ehvedhi].

Në një rrugë tjetër, përmendet se Rrafi Ibn Hadixh ka treguar: “Pejgamberi a.s. i tha Bilalit: “Vonoje namazin e sabahut deri kur të përpahet drita aq sa njerëzit arrijnë të shohin vendin ku bien shigjetat e tyre”. Shënon Ebu Daud Sixhistani në Musned e tij, Ibn Ebi Shejbe dhe Taberaniu. Transmetuesit e hadithit janë të saktë, por dëgjimi i Heririt nga gjyshi i vet, Rafi Ibn Hadixh, është i diskutueshëm. Sipas variantit të Ibn Ebi Shejbes, faktikisht përmendet se Heriri e ka dëgjuar nga gjyshi i vet, porse këtu në këtë variant Ebu Nuajmi ka ngatërruar një transmetues të saktë me një tjetër të dobët. Gjithsesi, edhe ky hadith ka të njëjtin kuptim si hadithi i mësipërm, pra që kjo është porosi për fillimin e namazit në muzg dhe për zgjatjen e tij derisa të përhapet drita aq sa njerëzit mund të shohin deri aty ku bien shigjetat.

I nënti: Kajla bija e Mahremes tregon: Pejgamberi na priu në namazin e sabahut  në kohën kur u shfaq agimi, por yjet ishin të dukshme dhe ne gati nuk e dallonim njëra-tjetrin nga errësira e natës. Edhe burrat gati nuk e dallonin njëri-tjetrin. Shënojnë Ebu Daud Tajalisiu, Taberaniu dhe Tahaviu në Sherhu maanil athar. Hadithi është i mirë. Edhe Ibn Abdil Berri e ka quajtur të mirë senedin e këtij hadithi në librin ‘el istiab’.

Velhamdulial vesalatu veselamu ala resulilah.

Shkruar nga Ismail Bardhoshi

 

[1] Suneti është që për sabahun të ketë dy muezina: njëri për ezanin e parë dhe tjetri për të dytin, sikurse ishte Bilali dhe Abdullah Ibn Ummi Mektumi në kohën e Pejgamberit. Shpehja ‘esalatu hajrun minen neumi’ duhet të thuhet vetëm në ezanin e parë të sabahut dhe jo në të dytin, sepse kështu tregon një hadith që flet për këtë çëshjte.

[2] Kështu ishte kalendari kur po shkruaja materialin para rreth një viti, ndërsa në kalendarin e sivjetshëm, KMSH-ja bëri një hap prapa duke e hequr kolonën që shënon kohën e sabahut dhe duke lënë vetëm atë të imsakut që është para kohës së agimit të vërtetë.

[3] Shiko Fethul Barin dhe Nejlul Eutar. Përmendet në disa libra fikhu mendimi se lejohet të thirret ezani i sabahut para kohe, qoftë dhe nëse nuk thirret ezanë i dytë, por ky mendim nuk është i saktë, sepse bie ndesh me argumentet e lartpërmendura. Mund të shikohen mendimet në lidhje me këtë çështje në librin “el insaf”. Mbase ky mendim që përmendet në librat e fikhut ka çuar në bidatin e vendosjes së imsakut në kalendarë para kohe dhe thirrjes së ezanit të sabahut para kohe.

[4] Balali e ka thirrur ezanin gjatë jetës së Pejgamberit në tri faza: Në fillimi, kur u bë rregull thirrje e ezanit, për sabahun kishte vetëm një ezan dhe atë e thërriste Bilali. Në fazën e dytë, u shtua dhe një ezan tjetër para agimit të cilin e thërriste Ibn Umi Mektumi, kurse Bilali vazhdonte të thërriste ezanin e dytë të sabahut. Në fazën e tretë dhe të fundit Bilali thërriste ezanin e parë natën, kurse Ibn Umi Mektumi të dytin [Të shikohet Fet’hul Bari dhe Sahih Sunen Ebi Daud].

[5] Këto ethere janë marrë nga libri “el muhala”.

[6] Është fjala për rukunë, qëndrimin pas ngritjes nga rukuja, sexhden, dhe uljen mes dy sexhdeve.

[7] Kjo në bazë të provës sime dhe një përcaktimi të përafërt me namazin e Pejgamberit a.s. Ndërsa në ‘meshruu dirasetil shefak’ i kanë përcaktuar dy rekatet e Pejgamberit, ku lexohen surja Sexhde dhe surja Insan, me 15-20 minuta përafërsisht.

[8] Në kohën kur u pyet Enesi për kohën e namazit të Pejgamberit a.s., imamët e xhamive e vononin namazin nga fillimi i kohën, prandaj Enesi ka treguar se Pejgamberi e falte ikindinë në një kohë që i binte në mes të drekës dhe ikindisë së tyre. Qëllimi pra është se Pejgamberi e falte ikindinë herët, në fillim të kohës, kurse ata e vononin.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *