Feja jonë e e pastër dhe e bukur

Feja jonë e e pastër dhe e bukur

Besimi në një Zot të Vetëm: Allahu thotë në Kuran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës dhe ditës, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që zbret Allahu prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur, në shpërndarjen e të gjitha llojeve të gjallesave në Tokë, në lëvizjen e erërave dhe në retë që lëvizin të komanduara midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me mend” (el Bekare: 164).

Qëllimi i krijimit të njeriut: Allahu thotë:Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë” (Edh-Dharijat: 56).

Parimet e fesë islame: 1. Zoti ynë është Alahu. 2. Feja jonë është Islami. 3. I Dërguari ynë është Muhamedi.

Themeli i fesë islame: Fjala “La ilahe il-lallah. Muhamed Rresulallah – S’ka zot tjetër përveç Allahut. Muhamedi është i Dërguari i Allahut”. Kjo është fjala më e bukur. Me deklarimin e kësaj fjale njeriu bëhet besimtar mysliman. Kush e thotë këtë fjalë me bindje shpëton nga Zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet (Parajsë). Fjala “S’ka zot tjetër përveç Allahut” do të thotë: Allahu është i vetmi që e meriton adhurimin dhe askush e asgjë tjetër, përveç Tij. Kush beson zot tjetër përveç Allahut apo adhuron diçka tjetër përveç Tij, ai i vë shok Allahut, dhe ky është mëkati më i madh. Ai që i vë shok Zotit nuk e beson këtë fjalë dhe as nuk quhet mysliman, por idhujtar.

Shtyllat e Islamit: 1-Të themi fjalën “La ilahe il-lallah. Muhamed Rresulallah – S’ka zot tjetër përveç Allahut. Muhamedi është i Dërguari i Allahut”. 2-Të falim namazin. 3-Të japim zekatin. 4- Të agjërojmë muajin e Ramazanit. 5- Të kryejmë haxhin në Mekë.

Shtyllat e besimit: Të besojmë Allahun, melekët (engjëjt) e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit (Botën Tjetër) dhe kaderin (që çdo e mirë dhe çdo e keqe është caktuar nga Zoti). Besimtar mysliman quhet ai që i beson të gjashtë shtyllat. Kush nuk beson qoftë edhe njërën prej tyre nuk quhet besimtar dhe nuk ia pranon Allahu ritet e adhurimit. Myslimani i beson të gjithë profetët e Zotit, si: Nuhun, Ibrahimin, Musain, Isain (Jezusin) dhe Muhamedin. Muhamedi është i Dërguri i fundit i Zotit. Kurani është libri i fundit që shpalli Zoti i Gjithësisë si udhëzues për njerëzit. Profeti Muhamed solli shumë mrekulli që dëshmojnë se ai është i Dërguari i Zotit, por mrekullia më e madhe e Tij është Kurani.

Jeta e varrit: Pas vdekjes njeriu kalon në jetën e varrit, ku do të pyetet për Zotin e tij, për fenë e tij dhe për të Dërguarin e tij. Nëse njeriu ka besuar se Zoti i tij është Allahu, feja e tij është Islami dhe i dërguari i tij është Muhamedi (a.s.), ai do të arrijë të japë përgjigje, dhe si shpërblim Zoti do t’i japë begati e kënaqësi në varr. E nëse nuk ka vdekur me këtë besim, nuk do të arrijë të përgjigjet, dhe për këtë shkak Zoti do t’i japë dënim në varr.

Dita e Kiametit dhe Ringjallja e njerëzve: Kur të mbarojë afati i kësaj bote, Allahu do t’i japë urdhër melekut Israfil për t’i fryrë Surit për herë të parë. Kështu, do të vdesin të gjithë njerëzit që do të jenë gjallë në atë kohë. Por shpirtrat e njerëzve as nuk vdesin dhe as nuk zhduken. Më pas Allahu do t’i japë urdhër këtij meleku që t’i fryjë Surit për herë të dytë. Kështu, të gjithë njerëzit do të ringjallen fizikisht dhe shpirti do të bashkohet me trupin.

Disa argumente të ringjalljes: a. Allahu thotë vetëm të vërtetën. Ai na ka lajmëruar në shumë vende në Kuran se do t’i ringjallë të gjithë njerëzit. b. Zoti që pati fuqi të na krijonte për herë të parë, ka fuqi të na sjellë përsëri në jetë. Ringjallja është më e lehtë për të sesa krijimi i parë. c. Ai që ka krijuar krijesa të mëdha, si: qiellin, trupat qiellorë, Tokën, Ai ka fuqi të rikrijojë njeriun, që është më i vogël se ato. d. Ashtu si Allahu e ringjall tokën e shkretë me reshjet e shiut dhe dalin bimët, po kështu Ai do t’i ringjallë njerëzit. e. Urtësia dhe drejtësia e Allahut kërkon që njerëzit të ringjallen për llogari dhe shpërblim apo dënim. Nëse nuk do të kishte ditë gjykimi, ku do të shpërblehen njerëzit e mirë dhe do të dënohen njerëzit e këqinj, krijimi që ka bërë Allahu nuk do të ishte i urtë dhe as i drejtë. Këto lloje argumentesh i gjejmë në shumë vende në Kuran.

Zjarri i Xhehenemit: Është vendi ku do të vuajnë dënimin njerëzit, që kanë marrë zemërimin e Allahut. Zjarri i Xhehenemit është dhe shtatëdhjetë herë më i fortë sesa zjarri i kësaj bote. Kafirët (jobesimtarët) nuk do të bëjnë jetë të kënaqshme në Zjarr dhe as nuk do të vdesin kurrë, por përgjithmonë do të vuajnë atje dënimin.

Xheneti: Është vendi i begatshëm, ku Allahu do të çojë njerëzit që fitojnë mëshirën dhe mirësinë e Tij. Banorët e Xhenetit do të jenë përgjithmonë të lumtur. Ata do të kenë atje gjithçka që dëshirojnë. Mirësitë e Xhenetit ngjajnë me ato të kësaj bote vetëm nga emri, kurse realiteti i tyre është shumë më lart, aq sa ne nuk i përshkruajmë dot. Kënqësinë më të madhe banorët e Xhenetit do ta kenë kur të shohin Allahun e Lartësuar. Aq shumë do të kënaqen besimtarët në momentet kur të shikojnë Fytyrën e Bukur të Allahut, sa që nuk u shkon mendja për asnjë kënaqësi tjetër.

Statusi dhe të drejtat e gruas në Islam: Profeti Muhamed ka thënë: “Më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirë me bashkëshortet e tyre”.

Nderimi i madhë që i bëhet nënës në Islam: Një burrë i tha Profetit Muhamed: “O i Dërguari i Allahut, cili prej njerëzve e meriton më shumë mirësinë time?” Profeti i tha: “Nëna jote.” Burri e pyeti: “Po pastaj?” Profeti iu përgjigj: “Nëna jote.” Burri vazhdoi: “Po pastaj?” Profeti iu përgjigj: “Nëna jote.” Burri pyeti për së katërti: “Po pastaj?” Profeti i tha: “Babai yt.” Nga një thënie tjetër e Profetit mësohet se Xheneti arrihet me anë të respektit për nënën.

Respekti për prindërit në Islam, sidomos kur ata janë në moshë të thyer: Profeti Muhamed thotë: “Kush kënaq prindërit, ai arrin kënaqësinë e Allahut dhe kush zemëron prindërit, ai zemëron Allahun”.

Familja në Islam është njësia bazë e shoqërisë. Islami i përcakton në mënyrë të ekuilibruar dhe të përsosur të drejtat e secilit pjesëtar të familjes; burrit, gruas dhe fëmijëve. Një familje e shëndetshme kultivon dashuri, mëshirë, ndershmëri, dinjitet, qetësi shpirtërore, bujari, drejtësi, bamirësi, siguri dhe moral të bukur, jo vetëm për pjesëtarët e saj, por edhe për shoqërinë.

Disa thënie të arta të Profetit Muhamed për mirësjellje me njerëzit:

  • “Besimtarët më të mirë janë ata që kanë moralin më të mirë. Më të mirët prej tyre janë ata që sillen më mirë me gratë e tyre.”
  • “Askush prej jush nuk e ka besimin të plotë, derisa të dojë për vëllanë e tij atë të mirë që do për vete.”
  • “T’i buzëqeshësh vëllait tënd është sadeka (një sjellje e mirë që ka shpërblim tek Allahu).”
  • “Fjala e mirë është sadeka.”
  • “Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit, duhet të sillet mirë me fqinjët e tij.”
  • “Jepi punëtorit pagën e tij para se t’i thahet djersa.”

Profeti i mëshirës: Allahu thotë për Profetin Muhamed: “Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm mëshirë për të gjithë botët” (El-Enbija, 107).

Profeti Muhamed thotë: “Njerëzit e mëshirshëm i mëshiron i Gjithëmëshirshmi (Allahu). Mëshironi ata që janë në tokë, t’u mëshirojë Ai që është lart mbi qiej.”

E pyetën Profetin: “O i Dërguari i Zotit, a shpërblehemi ne për mirësinë ndaj kafshëve?” Ai tha: “Njeriu shpërblehet për mirësinë ndaj çdo gjallese”.

Disa mirësitë të kësaj bote që arrin një besimtar i mirë në Zot:

  • Allahu ia bën jetën në këtë botë të lumtur dhe të mirë.
  • Allahu i jep mjete dhe kushte të mira jetese në këtë botë.
  • Zoti i jep siguri dhe qetësi në jetë.
  • Zoti e shpëton nga mundimet dhe vështirësitë
  • Zoti i jep sukses dhe mbarësi në çështjet e tij.

Allahu thotë: “Kush punon vepra te mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i mundësojmë jetë të mirë në këtë botë dhe do t’i japim në botën tjetër shpërblimin më të mirë për veprat që kanë bërë” (Nahl, 97).

Mirësia e fjalës “La ilahe il-lallah. Muhamed Rresulallah”: Kush e thotë këtë fjalë me bindje shpëton nga Zjarri i Xhehenemit dhe e fiton Xhenetin.

Mirësia e faljes së pesë namazeve: Allahu ka premtuar ta çojë në Xhenet këdo që i fal rregullisht pesë namazet në ditë.

Mirësia e përmbushjes së pesë shtyllave të Islamit (shehadetin, namazin, zekatin, agjërimin dhe haxhin): Kush i përmbush këto pesë shtylla, hyn në Xhenet.

Mirësitë e Ramazanit: 1. Kush e agjëron Ramazanin me besim në Ditën e Gjykimit e në premtimin e Zotit dhe duke kërkuar shpërblimin e Tij, atij do t’i falen mëkatet e kaluara. Kështu, për të arritur mirësitë e agjërimit duhet besim dhe bindje. 2. Allahu jep një shpërblim aq të madh për agjërimin sa nuk ka llogari. 3. Gjatë Ramazanit hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe lidhen shejtanët. 4. Agjërimi e mbron njeriun nga veprat e këqija dhe moralet e ulta dhe, si rrjedhim, edhe nga Zjarri i Xhehenemit. 5. Në kohën e çeljes së agjërimit Allahu liron njerëz (duke i shpallur si të shpëtuar) nga Zjarri i Xhehenemit. 6. Gjatë Ramazanit Zoti zbret mëshirë të madhe mbi agjëruesit. 7. Allahu ia pranon lutjen agjëruesit. 8. Agjërimi i muajit të Ramazanit e ka shpërblimin të barabartë me agjërimin e dhjetë muajve. 9. Agjëruesi ka dy gëzime: kur çel agjërimin, gëzohet me çeljen dhe kur të takohet me Allahun e Lartësuar e t’i japë shpërblimin e agjërimit, ai do të gëzohet me agjërimin. 10. Nga goja e agjëruesit në Ditën e Gjykimit ka për të dalë një erë më e mirë sesa era e këndshme e miskut dhe me këtë aromë do të dallohet agjëruesi atë ditë. 11. Agjërimi ndërmjetëson për njeriun tek Allahu në Ditën e Gjykimit. Kjo vepër i del në mbrojtje njeriut që të mos e kapë dënimi i asaj dite. 12. Kush përmbush shtyllat e Islamit dhe fal edhe namazin e teravive në Ramazan, ai do të ketë gradën dhe shpërblimin e njerëzve të çiltër dhe martirë. 13. Kush fal namazin e teravive me besim dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e kaluara. 14. Nga fundi i këtij muaji është Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Këto mirësi janë përmendur në hadithe të sakta.


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *