Shfaqja e atributeve hyjnore
Me krijimin e krijesave, Zoti i Lartësuar shfaqi atributet e Veta si: Jetën, diturinë, fuqinë, vullnetin, urtësinë, dëgjimin, shikimin, madhështinë, bukurinë, sundimin absolut. Shfaqja e këtyre cilësive, nuk do të ishte e mundur pa krijimin e krijesave. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe po aq toka. Ndërmjet tyre, zbret urdhëri (fetarë që ju shpallet të dërguarve dhe urdhëri hyjnor për rregullimin e punëve të gjithësisë), që ju ta dini se Allahu ka fuqi për çdo gjë dhe se Ai ka përfshirë çdo gjë në dijen e Tij” [Et-Talak: 12].
Krijesat tregojnë dijen gjithëpërfshirëse të Krijuesit
Paracaktimi i krijesave, krijimi, sistemimi dhe organizimi i tyre tregojnë për dijen gjithëpërfshirëse të Krijuesit, sikurse thotë vetë Allahu: “E si të mos dijë Ai, që ka krijuar gjithçka, kur Ai di çdo imtësi dhe është Njohës i çdo të fshehte?!” [Mulk: 14].
Është fakt që arkitekti i një qyteti ka dituri mbi hollësitë e këtij projekti, që para zbatimit të tij; atëherë, si të mos pranohet fakti që Krijuesi i gjithësisë ka patur dhe ka dituri mbi të gjithë hollësitë e Gjithësisë, para dhe pas krijimit të saj!?
Fuqia dhe madhështia e Krijuesit
Krijimi i krijesave të mëdha si qiejt, trupat qiellorë, Toka etj., tregojnë se Krijuesi ka fuqi për çdo gjë dhe se Ai është më i madh se çdo gjë. Allahu thotë: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë dhe madhërinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të jenë të mbështjellë në Dorën e Tij të Djathtë. I Dëlirë është Ai, nga gjithçka që ia bëjnë shok në adhurim” [Zumer: 67].
Llojshmëria e krijesave tregon vullnetin, fuqinë dhe urtësinë e Krijuesit
Kundërshtia, llojshmëria, larmia dhe ndryshueshmëria e krijesave në mënyrë shumë të qartë tregojnë dëshirën, vullentin, paracaktimin, urtësinë dhe qëllimet e larta e të lavdërueshme të Krijuesit. Disa gjëra të kundërta: dita dhe nata, drita dhe ërrësira, të nxehtit dhe të ftohtit, jeta dhe vdekja, mashkulli dhe femra, shëndeti dhe sëmundja, e mira dhe e keqja, e dobishmja dhe e dëmshmja, shikimi dhe verbëria, e bukura dhe shëmtuara, mirësia dhe fatkeqësia, gëzimi dhe hidhërimi, trupi dhe shpirti, mëshira dhe zemërimi, melekët dhe shejtanët, kjo jetë dhe jeta pas vdekjes, zgjuarsia dhe budallallëku, xheneti dhe xhehenemi. Këto gjëra qartë dhe prerazi tregojnë se Krijuesi ka shprehur vullnetin e Tij në krijimin e tyre në këtë mënyrë, i ka paracaktuar në mënyrë të përsosur, me urtësinë e Tij e ka vënë çdo gjë në vendin e duhur, duke patur për gjithçka qëllime të larta e të lavdërueshme. Ky fakt flet vetë dhe s’ka nevojë për shpjegime e stërhollime.
Kështu, për të shprehur fuqinë e plotë, sundimin absolut, vullnetin, dëshirën, urtësinë dhe qëllimet e lavdërueshme, Allahu krijoi krijesa të kundërta, të llojllojshme, të larmishme dhe të ndryshme. Pa ekzistencën e gjërave të kundërta, nuk mund të shfaqeshin gjurmët dhe rrjedhimet e këtyre atributeve hyjnore. T’i lexojmë edhe njëherë ajetet 20-27 të sures Er-Rum, të cilat i përmenda pak më lart. Në një vend tjetër në Kuran, Allahu thotë : “A nuk e sheh se Allahu zbret ujë nga qielli, e Ne, nëpërmjet tij nxjerrim fruta me ngjyra të ndryshme? Nëpër male ka shtresa shkëmbore të bardha dhe të kuqe, të ngjyrave të ndryshme, por ka dhe male që janë tepër të zinj. Edhe njerëzit, kafshët dhe bagëtitë, gjithashtu, janë me ngjyra të ndryshme. Ata që i frikësohen Allahut, nga robërit e tij, janë vetëm dijetarët. Vërtetë, Allahu është i Gjithfuqishëm dhe Falës” [El Fatir: 27-28]. Gjithashtu, Ai thotë: “Në Tokë ka vise (të ndryshme) përbri njëri-tjetrit (disa pjellore dhe disa jopjellore), ka kopshte me vreshta rrushi, ka ara me të mbjella dhe palma me rrënjë të degëzuar në disa trungje ose të padegëzuar, të cilat ujiten me të njëjtin ujë, por disa nga frutat, Ne i bëjmë më të mira nga të tjerat. Sigurisht, në këto ka shenja për njerëzit që kanë mend” [Er-Ra’d:4]
Çdo veprim e bën me urtësi
Vendosja e çdo krijese në vendin e saj të duhur tregon se Krijuesi është i Urtë dhe se Ai e bën gjithçka për qëllime të larta. Allahu thotë: “Vërtetë, Zoti yt është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë” [Jusuf: 6]. Ky ajet do të thotë se Zoti i Lartësuar e di çdo gjë dhe se ai çdo veprim e bën me urtësi. Nuk ka kotësi në veprimet e Allahut. Ai çdo gjë e vë në vendin e saj të duhur. Kështu, vendosja e krijesave në vendin e duhur, është qartësisht rrjedhim i veprimeve të urta e me dije të Krijuesit. Ky fakt shpreh dhe lavdinë e Krijuesit.
Nëse Zoti nuk do ta kishte vetë një cilësi të përkryer nuk mund t’ua jepte atë krijesave
Gjithashtu, krijimi i njerëzve me aftësinë e të parit dhe të dëgjuarit tregon se edhe Krijuesi i tyre shikon dhe dëgjon gjithçka, pasi nëse Ai nuk do të ishte Vetë shikues dhe dëgjues nuk mund t’u jepte krijesave aftësinë e dëgjimit dhe të shikimit. Sipas rregullit logjik, ai që nuk e ka vetë diçka, nuk mund t’ua japë atë të tjerëve. Kështu, ai që nuk e ka vetë një atribut të përkryer apo një aftësi të përkryer, nuk mund t’ua japë atë të tjerëve. Çdo lloj përkryerje që gjendet tek krijesat, tregon se Krijuesi i tyre është më i denjë për të, përderisa ajo nuk është mangësi për Krijuesin. Le të rendisim disa shembuj më poshtë, për ta kuptuar më mirë:
Bukuritë e krijesave janë gjurmë të veprës së Krijuesit, i Cili është më i Bukuri
– Njeriu është krijesa më e bukur e Allahut të Lartësuar. Zoti i Lartësuar në Kuran thotë: “Vërtetë, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur” [Tin: 4]. Krijesat përmbajnë lloje dhe forma të shumta bukurish. Të gjitha këto bukuri, ua ka dhënë Allahu. Dhuruesi i këtyre bukurive është pa diskutim më i bukuri; Ai është i Denjë të jetë më i Bukuri; Ai është në kulmin e bukurisë. Allahu i Lartësuar në Vetvete është i bukur. Emrat i ka të bukur. Edhe atributet dhe veprimet e Tij i karakterizon bukuria. Profeti ynë thotë: “Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë” (Muslimi). Bukuritë e krijesave janë gjurmë të veprës së Krijuesit, i Cili është më i Bukuri. Kështu, bukuritë e krijesave tregojnë për bukurinë e madhe të Krijuesit të tyre.
Kush ka jetë, vepron
– Çdo qenie me jetë vepron. Një qenie me jetë, nga një qenie pa jetë, dallon nga veprimet. Atëherë, veprimet janë të domosdoshme për një qenie të gjallë. Kësisoj, veprimet e Allahut, si: Të folurit, urdhërimi, ndalimi, vendosja e ligjësive të gjithësisë dhe vendosja e ligjeve fetare, krijimi i krijesave, dhënia dhe marrja e jetës, shpërblimi dhe ndëshkimi, dhënia dhe privimi, mëshirimi dhe zemërimi, nderimi dhe poshtërimi, furnizimi i krijesave dhe sigurimi i mjeteve të jetesës për to, falja, mirëbërja etj., tregojnë se jeta është një veti e Krijuesit, se Ai është i Përjetshëm, i Pavdekshëm, i Pafillimi, i Pambarim. Allahu thotë: “Allahu është Ai, përveç të Cilit, askush nuk meriton të adhurohet. Ai është i Gjallë, i Përjetshëm, i Pafillim, i Pambarim, Mbajtësi i gjithçkaje” [Bekare: 255].
Krijimi i krijesave qe i domosdoshëm për shfaqjen e gjurmëve të atributeve hyjnore
Dihet që atributet e Allahut janë absolutë. Nëse Zoti i Lartësuar nuk do të kryente veprime dhe nëse nuk do të tregonte rrjedhimet e këtyre veprimeve, atributet e Tij nuk do të ishin të përkryera. Kështu që për vënien e tyre në veprim dhe për shfaqjen e gjurmëve të tyre, qe i domosdoshëm krijimi i krijesave. Ja disa shembuj:
Me krijimin e krijesave, u realizua mirëbërja
Allahu është Mirëbërësi më i madh, por mirëbërja nuk mund të realizohej pa ekzistencën e subjekteve, të cilëve Ai do t’u bënte mirë. Zoti i Lartësuar thotë: “Ai (Allahu) është Bamirës, Mëshirëbërës” [Et-Tur: 28]. Në një ajet tjetër, Ai thotë: “Çdo mirësi që keni (si: besimi, udhëzimi për ndjekjen e rrugës së drejtë, shëndeti, bollëku në mjetet e jetesës, fëmija etj.), është nga Allahu” [En Nahl: 53]. Po ashtu thotë: “Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij, nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka vënë lumenjtë për dobinë tuaj, e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën. Ai ju dha gjithçka që ja kërkuat. Edhe nëse do të përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtetë shumë i padrejtë me vetveten dhe shumë mosmirënjohës” [Ibrahim: 32-34]. Gjithashtu, thotë: “A nuk e vëreni se Allahu ka vënë në shërbimin tuaj të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ka përsosur ndaj jush të mirat e Tij, të dukshme e të padukshme” [Lukman: 20]? Detyra jonë ndaj Allahut, i Cili na bëri të gjithë këto mirësi, është që të adhurojmë vetëm Atë dhe ta falënderojmë Atë. Për mirësitë që na bëri, patjetër që Zoti, Mirëbërësi i Madh, kërkon diçka prej nesh; e Ai kërkon prej nesh të adhurojmë veç Atë dhe të jemi falënderues. Allahu thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha dëgjimin, shikimin dhe zemrën, që të jeni falënderues” [En-Nahl: 78].
Furnizimi i krijesave me mjetet e jetesës dhe favorizimi i njeriut me vlera e mirësi
Allahu është Furnizues, e prandaj është e domosdoshme ekzistenca e subjekteve që Ai u jep mjetet e jetesës. Allahu i Lartësuar, thotë: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit (me mendjen, dërgimin e të dërguarve dhe vendosjen e Gjithësisë në shërbim të tyre). Ne ua kemi bërë të mundur atyre të udhëtojnë me mjete në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime, pije, veshje dhe kënaqësi të këndshme e të lejueshme, dhe Ne i kemi favorizuar ata me vlera e mirësi, ndaj shumë prej atyre që kemi krijuar” [el Isra: 70].
Zoti tregon mëshirën e Vet të madhe dhe shfaq gjurmët e saj tek krijesat
Allahu është Mëshirues. Ky është një nga emrat e bukur të Tij. Ai dëshiron të shfaqë gjurmët e mëshirës së Tij. Për ta vënë në veprim këtë emër dhe për të realizuar gjurmët e tij, Ai krijoi njeriun dhe të gjitha krijesat e tjera. Allahu shfaq tek krijesat gjurmët e mëshirës së Tij. Kështu pra, me krijimin e krijesave u bë e mundur të shfaqeshin gjurmët e mëshirës së Allahut. Nga gjurmët e mëshirës së Zotit, janë, p.sh., dërgimi i profetëve dhe shpallja e librave hyjnor për tu rrëfyer njerëzve krijimi i Diellit dhe Hënës, ditës dhe natës, krijimi i kushteve të përshtatshme për jetën e njeriut në Tokë, lëshimi i reshjeve të shiut nga retë, nxjerrja e bimësisë nga toka, nënshtrimi i kafshëve ndaj njeriut, krijimi i burimeve të ushqimit dhe pijes për njeriun, krijimi i krijesave në çift dhe vendosja e ndjenjave të dashurisë dhe mëshirës mes mashkullit dhe femrës për vazhdimësinë dhe shumimin e llojit, si dhe për shërbimet që i kryejnë njëri-tjetrit. Me mëshirën e Vet, Allahu bëri që krijesat të kenë nevojë për njëra-tjetrën, me qëllim që të kryhen të gjitha shërbimet dhe të plotësohen nevojat e tyre, sepse nëse njerëzit nuk do të kishin nevojë për njëri-tjetrin, shërbimet nuk do të kryheshin dhe sistemi i jetës do të prishej. Kjo është një nga arsyet pse Allahu i bëri njerëzit të varfër dhe të pasur, të aftë dhe të paaftë, sundimtarë dhe të qeverisur. Kështu, Allahu bëri që njerëzit të kenë nevojë për njëri-tjetrin, dhe përveç kësaj, Ai bëri që të gjithë njerëzit të kenë nevojë për Të (Allahun) dhe për mëshirën e Tij. Zoti i Lartësuar, thotë: “A mos janë ata që e ndajnë mëshirën e Zotit Tënd? Jemi Ne, ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, dhe Ne i ngrejmë disa prej tyre në nivele më të larta (jetese, ose pushteti, ose fuqie, ose intelekti, ose diturie) se të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve” [Ez-Zuhruf]. Allahu ka përfshirë gjithçka në mëshirën e Vet, sikurse thotë në Kuran: “Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde” [El Gafir: 7]. Pejgamberi ynë, në një thënie të tij, ka treguar se Allahu e ndau mëshirën e Vet në njëqind pjesë dhe vetëm një pjesë e zbriti në këtë botë, ndërsa nëntëdhjetë e nëntë të tjerat i ka rezervuar për muslimanët në botën tjetër. Të gjitha format e mëshirës që ekzistojnë në këtë botë, si: mëshira e nënës për foshnjën e saj, prindit për fëmijën, fëmijës për prindin, burrit për të shoqen, gruas për të shoqin, mëshira për njerëzit e fisit, jetimët, të vegjlit, të moshuarit, nevojtarët, të dobëtit, të sëmurët, mëshira e njeriut për kafshët, mëshira e kafshës për të voglin e saj etj., të gjitha këto, pra, janë gjurmë dhe rrjedhim i kësaj mëshire që Allahu e zbriti në tokë. Me mëshirën e Vet, Allahu krijoi Xhenetin, vendin e lumturisë dhe begatisë së amshuar, ku, po me mëshirën e Vet, do të fusë besimtarët në botën tjetër. Por, për të fituar mëshirën e Allahut në Ditën e Gjykimit dhe për të hyrë në Xhenet, duhet që njeriu të jetë besimtar musliman. Në një hadith tjetër, Muhamedi a.s., ka thënë: “Të mëshirshmit i mëshiron Mëshiruesi (Allahu): Mëshironi ata që janë në Tokë, që t’u mëshirojë Ai që është mbi qiej!” (Tirmidhiu). Kështu, për të fituar mëshirën e Allahut, duhet të mëshirojmë banorët e Tokës.
Zemërimi i Zotit dhe gjurmët e këtij zemërimi tek krijesat
Por, nga ana tjetër, zemërimi është një cilësi tjetër e Krijuesit. Ashtu sikurse gjurmët e mëshirës, edhe gjurmët e zemërimit do të shfaqen tek disa krijesa. Vetëkuptohet, se ekzistenca e mëshirës pa të kundërtën e saj, nuk do të kishte kuptim, ose nuk do të ishte një veti e përkryer, madje nuk do të arrihej të njihej dhe të vlerësohej. Po kështu, do të ishte dhe ekzistenca e gjurmëve të mëshirës pa ekzistencën e gjurmëve të cilësive të kundërta me të. Kështu që, shfaqja e gjurmëve të mëshirës dhe zemërimit është e domosdoshme. Ky është një realitet që s’mund të përfytyrohet ndryshe. Edhe gjurmët e zemërimit të Allahut janë të pranishme tek krijesat. Dënimet në këtë botë dhe në botën tjetër, vijnë për shkak të gjynaheve që bëjnë njerëzit. Ato tregojnë zemërimin e Allahut. Allahu thotë: “Hani nga ushqimet e shijshme e të lejueshme, me të cilat ju kemi furnizuar dhe mos e kapërceni kufirin (me padrejtësi ndaj të tjerëve, përdorimin e të mirave për gjynahe, mohimin e mirësisë), përdryshe do t’u zërë zemërimi Im. Ai, të cilin e zë zemërimi Im, do të mjerohet e do të shkatërrohet” [Taha: 81]. Por, gjithsesi, në një citat që sillet nga Pejgamberi (a.s.) thuhet, se mëshira e Zotit është më e madhe dhe më përfshirëse sesa zemërimi i Tij (Buhariu dhe Muslimi). Edhe gjurmët e mëshirës së Zotit te krijesat, janë më të shumta sesa gjurmët e zemërmit të Tij. Kur njeriu e kupton se Zoti zemërohet dhe se një pjesë e krijesave domosdo do të vuajnë pasojat e zemërimit të Tij, do të përpiqet të fitojë mëshirën e Zotit dhe t’i ruhet zemërimit të Tij. Të mos jemi si shumica e njerëzve që nuk e njohin Zotin dhe atributet e Tij, dhe nuk i ruhen zemërimit të Tij!
Atributet hyjnore të përkundërta dhe rrjedhimet e tyre
Për më gjerë, duhet të dimë faktin se Allahu ka dhe atribute të përkundërta, siç janë: pëlqimi dhe mospëlqimi, dashuria dhe urrejtja, falja dhe ndëshkimi, shpërblimi dhe dënimi. Këto janë sigurisht atribute absolutisht të plota (të përkryera). Por, nëse këto atribute nuk do të viheshin në veprim dhe rrjedhimet e tyre nuk do të shfaqeshin, ato nuk mund të ishin të përkryera. Shfaqja e gjurmëve të përkundërta të këtyre cilësive, është një rrjedhim i pashmangshëm. Allahu i Lartësuar, thotë: “Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtetë, Unë jam Falës i madh, Mëshirëbërës, dhe se dënimi Im është vërtetë dënim i dhembshëm!” [El-Hixhër: 49-50].
Sundimi absolut dhe rrjedhimet e tij
Një prej atributeve të Krijuesit është dhe sundimi absolut. Sundimi nuk mund të konceptohet i plotë pa dhënë urdhëra, pa bërë ndalesa, pa dhënë shpërblime dhe dënime, pa dhurime dhe privime, pa dërgimin e lajmësve, pa shpalljen e udhëzimeve dhe pa vendosjen e ligjeve për subjektet nën sundim. Kjo, atëherë, është një nga arsyet pse Allahu ka dhënë urdhëra, ka bërë disa gjëra të ndaluara, ka nisur të dërguarit me shpalljet hynore, ka vendosur ligjet, pse shpërblen dhe dënon, pse jep dhe privon etj. Zoti i Madhërishëm, thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i të gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti Lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtetë i Plotfuqishëm për çdo gjë” [Ali Imran: 26].
Allahu dëshiron të shfaqë mirësitë dhe të falënderohet për to
- Një nga arsyet përse Zoti i Madhërishëm i krijoi krijesat, shpalli librat qiellorë dhe i vuri ligjet, është dhe fakti se Ai do që të shfaqen mirësitë e Tij dhe të falënderohet për to. Por shfaqja e mirësive dhe dhuratave hyjnore, si dhe falënderimi për to, nuk do të bëhej i mundur pa krijimin e shkaqeve dhe kushteve për realizimin e përsosur të diçkaje të tillë.
Diferencimi ndërmjet krijesave është i domosdoshëm për shfaqjen e mirësive, vlerësimin e tyre dhe falënderimin për to
Prej kushteve të nevojshme për shfaqjen dhe vlerësimin e mirësive, është dhe diferencimi ndërmjet njerëzve në paraqitje, sjellje, bindje fetare, në mjetet e jetesës, gjendjen ekonomike, pozitat shoqërore dhe afatet e jetës. P.sh., vlera e mirësisë së shëndetit nuk do të njihej pa ekzistencën e sëmundjes; vlera e pasurisë nuk do të njihej pa ekzistencën e varfërisë; vlera e besimit islam nuk do të njihej pa ekzistencën e mosbesimit; vlera e lumturisë nuk do të njihej pa ekzistencën e mjerimit; vlera e gëzimit nuk do të njihej pa ekzistencën e hidhërimit; vlera e jetës nuk do të njihej pa ekzistencën e vdekjes; vlera e Xhenetit nuk do të njihej pa kalimin e vuajtjeve në dynja dhe pa ekzistencën e Xhehenemit, ku dënohen jobesimtarët në botën tjetër. Në këtë mënyrë, mirësitë e Zotit në përgjithësi nuk do të shfaqeshin, nuk do t’u njihej vlera dhe nuk do të tregohej mirënjohje për to, pa ekzistencën e të kundërtave të tyre. Bukuria e diçkaje shfaqet nga e kundërta e saj, ndaj dhe rregulli logjik thotë, se: gjërat dalin në pah me të kundërtat e tyre. Kësisoj, po të mos ekzistonte e shëmtuara, nuk do të njihej vlera e bukurisë; po të mos ekzistonte errësira, nuk do të njihej vlera e dritës; po të mos ekzistonin llojet e ndryshme të sëmundjeve e të vuajtjeve, nuk do të njihej vlera e shëndetit.
Pikërisht, për këtë arsye, melekët[1] e falënderuan dhe iu përulën më shumë Allahut kur panë atë që i ndodhi Shejtanit[2]. Edhe pejgamberët i shprehën më shumë mirënjohje Allahut, pasi panë shkatërrimin e armiqve të tyre, sesa më parë. Po kështu edhe banorët e Xhenetit do të arrijnë ta shprehin në mënyrë më të plotë falënderimin për Allahun, ndërkohë që shikojnë armiqtë e Allahut duke u ndëshkuar në zjarrin e Xhehenemit. Po sikur të ishin vendosur njerëzit në Xhenet, në vendin e begative dhe lumurisë së amshuar, pa kaluar vuajtjet e kësaj bote, ata nuk do ta vlerësonin begatinë e atij vendi, aq sa do ta vlerësojnë pas kalimit të vuajtjeve të kësaj bote. Njeriu që e vlerëson më shumë mirësinë është ai që ka vuajtur, vlerën e pasurisë e njeh më shumë ai që ka vuajtur prej skamjes dhe varfërisë; vlerën e shëndetit e di më shumë ai që ka vuajtur prej sëmundjes. Atëherë, kushtet e diferencimit mes krijesave, bëjnë që njeriu t’i shprehë më shumë falënderim e dashuri Allahut, sesa në mungesë të kushteve të tilla. Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu, Ne i kemi vënë në provë njerëzit me njëri-tjetrin (me diferencën që kanë në gjendjen e jetesës dhe në sjellje; disa të pasur e disa të varfër, disa me pushtet e disa pa pushtet, disa të fortë e disa të dobët), që (jobesimtarët) të thonë: “Vallë, këta janë ata prej nesh, që Allahu u ka bërë mirësi (me udhëzimin në Islam)? A nuk i di më mirë Allahu ata që i janë mirënjohës?” [El-En’am: 53].
Allahu shfaq plotësinë absolute të Tij
- Allahu është i plotë; Ai s’ka asnjë të metë. Ai ka emra të bukur dhe atribute të përkryera. Zoti i Lartësuar shfaq tek krijesat gjurmët e emrave të Tij të bukur dhe atributeve të Tij të larta. Krijesat janë objekti ku Allahu shfaq rrjedhimet e cilësive të Tij Pra, krijesat u sollën në ekzistencë për tu shfaqur gjurmët dhe rrjedhimet e atributeve hyjnore; pa ekzistencën e krijesave nuk mund të shfaqeshin gjurmët e atributeve të Zotit. Fjala vjen, disa nga emrat e bukur të Allahut janë: i Gjalli e i Përjetshmi (el Haj-j), Mbajtësi i gjithçkaje (el Kaj-jum), i Dijshmi (el Alim), Dëgjuesi (Es Semi’), Shikuesi (el Besir), i Gjithëfuqishmi (el Kadir), i Urti (el Hakim), Gjithësunduesi (el Melik), Krijuesi (el Khalik), i Larti (el Alij-j), Madhështori (el Adhim), i Bukuri (el Xhemil), Mëshiruesi (err-Rrahman), Bujari (el Kerim), Dhuruesi më i Madh (el Vehab), Dashamirësi (el Vedud), Bamirësi (el Berru), Mëkatfalësi (el gafurr), Pendimpranuesi (et-Tevab), Gjithëgjykuesi (el Hakem). Disa nga cilësitë e Zotit të Lartësuar (atributet hyjnore), janë: drejtësia, ligjvënia, urdhërimi dhe ndalimi, mëshira dhe zemërimi, falja dhe ndëshkimi, shpërblimi dhe dënimi, dhënia dhe privimi, nderimi dhe poshtërimi, ju jep jetën dhe jua merr jetën krijesave, furnizon krijesat me mjetet e jetesës, ul kë të dojë dhe ngre kë të dojë, shëron krijesat nga sëmundjet etj. Kështu, Allahu shfaq plotësinë absolute të Tij, ndonëse Ai gjithmonë ka qenë dhe është i Plotë (i Përkryer). Allahu i shfaq gjurmët dhe rrjedhojat e plotësisë së Tij te krijimi dhe ligjet e Tij, te paracaktimi dhe vendimi i Tij, te premtimi dhe paralajmërimi i Tij, te dhënia dhe privimi, te nderimi dhe poshtërimi, te drejtësia dhe dhuntia, te falja dhe begatimi, te butësia dhe përdëllimi, te durimi dhe ndëshkimi, pasi në fakt edhe shfaqja e rrjedhimeve të plotësisë së Allahut është prej plotësisë së Tij.
Allahu bën të njohur Vetveten
- Allahu i Lartësuar deshi të bënte të njohur Vetveten, emrat e Tij të bukur, atributet e Tij të larta dhe veprat e Tij të lavdishme. Ai dëshiron ta dinë njerëzit se nuk ka zot tjetër veç Tij, se nuk ka hyjni të vërtetë veç Tij, se askush nuk meriton të adhurohet veç Tij. Kjo është një nga arsyet pse Ai i krijoi krijesat, mes të cilave dhe njeriun, krijesën e Tij më të bukur. Allahu i Lartësuar, thotë: “Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe po aq toka. Ndërmjet tyre, zbret urdhëri (fetar që u shpallet të dërguarve dhe urdhëri hyjnor për rregullimin e punëve të Gjithësisë), që ju ta dini se Allahu ka fuqi për çdo gjë dhe se Ai ka përfshirë çdo gjë në dijen e Tij” [Et-Talak: 12]. Po ashtu, thotë: “Allahu e bëri këtë krijim që ju ta dini se Ai di gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë dhe se Ai është i Gjithëdijshmë për çdo gjë” [El-Maide: 97]. Atëherë, krijimi i krijesave me këto llojshmëri, ndryshueshmëri, diferenca, përmasa, forma dhe veti, ishte i domosdoshëm që Krijuesi të bënte të njohur Vetveten, emrat e Tij të bukur dhe atributet e Tij të larta. Kjo gjë nuk mund të realizohej ndryshe. Allahu thotë: “(Allahu është Ai) i Cili përsosi çdo gjë që ka krijuar” [Es-Sexhde: 7].
Por, gjithnjë duhet të kemi parasyshë faktin se Zoti është në lartësi, mbi krijesat, se Ai nuk është i bashkuar apo bashkëngjitur me krijesat, se Ai nuk është i unifikuar me gjithësinë, apo i shkrirë në ndonjë krijesë; se natyra apo ndonjë krijesë, nuk janë mishërim i Zotit, siç besojnë panteistët, të cilët e shohin natyrën si mishërim të Zotit. Përkundrazi, Allahu është mbi krijesat, jashtë tyre dhe i ndarë prej tyre. Allahu i Lartësuar, thotë: “Mëshiruesi u grit lart mbi Fron” [Taha: 5]. Kështu, Allahu është lart mbi Fronin e Tij, një lartësi kjo, ashtu si i takon Madhërisë së Tij. Froni është mbi shtatë qiejt e lartë. Gjithashtu, duhet të dimë se Krijuesi është i ndryshëm nga krijesat; Zoti nuk është i ngjashëm me krijesat; cilësitë e Zotit nuk janë të ngjashme me cilësitë e Krijesave. Allahu thotë: “Asgjë nuk është si Ai. Ai është Gjithëdëgjuesi dhe Gjithëshikuesi” [Esh-Shura: 11]. Po ashtu, Ai thotë: “Askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë” [Ihlas: 4].
Edhe pse gjithçka ka urtësi, njerëzit nuk i dinë të gjitha urtësitë
- Nga sa më sipër, del se Allahu e ka vënë çdo krijesë në vendin e saj të duhur, se gjithçka që ka bërë Ai në këtë gjithësi, ka arsyen e vet. Asgjë nuk është krijuar pa kuptim, apo pa qëllim. Allahu thotë: “Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj, mjerë jobesimtarët kur të hidhen në Zjarr” [Saad: 27]. Më sipër, përmendën vetëm disa nga urtësitë e krijimit, të cilat dalin nga argumentet e Kuranit dhe të hadithit, por ka dhe urtësi të tjera që nuk përmenden këtu, ose që i di vetëm Zoti i Lartësuar. Ne duhet ta pranojmë se Allahu e bën çdo gjë me urtësi, edhe nëse ne nuk e dimë urtësinë e diçkaje, sepse njerëzit nuk i dinë të gjitha urtësitë e krijimit.[3]
- Po cila është, atëherë, arsyeja e krijimit të njeriut? Përse u krijua njeriu? Kjo është një çështje thelbësore, pa njohjen e së cilës njeriu nuk e njeh dot vetveten. Përgjigjen e kësaj pyetje të rëndësishme, do ta japim në pikën që vijon.
- Melekët (engjëjt) janë krijuar prej drite. Zoti i ka bërë krijesa të nderuara dhe me karakter të mirë. Ata kurrë nuk e kundërshtojnë Zotin dhe asnjëherë nuk bëjnë keq. Kur i udhëroi Allahu që t’i përuleshin Ademit, njeriut të parë, si nderim për të, ata e zbatuan urdhërin. Ata kryejnë funksione të ndryshme dhe e nxisin njeriun veçse për mirë. Kreu i tyre është meleku Xhibril, i cili ka sjellë shpalljen profetëve nga Allahu i Lartësuar. ↑
- Shejtani (djalli) ishte njëri nga banorët e qiellit, të cilët adhuronin Zotin. Kur Zoti i Lartësuar e urdhëroi t’i përulej Ademit, njeriut të parë, si nderim dhe respekt për këtë krijesë të mrekullueshme, Shejtani nga mendjemadhesia e kundërshtoi Zotin dhe nuk pranoi të përulej për Ademin. Për këtë shkak, Allahu e dëboi nga mëshira e Tij dhe e zbriti nga qielli në Tokë. Shejtani u përbetua se do të ishte armik i Ademit dhe pasardhësve të Tij dhe se në vazhdimësi do të pëpiqej t’i çonte në humbje. Që nga ky moment, fillon dhe armiqësia mes shejtanit e ushtarëve të tij dhe mes njeriut. Të lexojmë ajetet 30-39 të sures “El Bekare”. Shejtanët ekzistojnë, por njerëzit nuk i shikojnë dot në formën e tyre origjinale, sepse këtë veti u ka dhënë Allahu i Lartësuar. Në këndvështrimin e urtësive të krijimit, melekët janë krijesa të përkundërta me shejtanin dhe pasuesit e tij. Melekët janë të mirë dhe bëjnë e nxisin vetëm të mirën, kurse shejtani dhe pasuesit e tij, janë të këqinj dhe bëjnë e nxisin të keqen. ↑
- Në hartimin e këtij kapitulli kam përfituar shumë nga libri i Ibn Kajimit, “Shifaul alil fi mesailil kadai vel kaderi vel hikmeti veta’lil”.
Leave a Reply