Mendimet e këqija për Allahun e Lartësuar në mjedisin tonë dhe mënyra e trajtimit të tyre
Të mendojmë mirë për Allahun:
Duhet të mendojmë mirë për Allahun dhe të jemi të bindur se Allahu ka zgjedhur për ne atë që është në të mirën tonë, si për këtë botë, edhe për botën tjetër. Ne duhet të besojmë fort se Allahu ka dashur të mirën për ne.
Allahu është më i mëshirshëm me njeriun se nëna me fëmijën e saj; Ai është Mëshirëmadhi. Ai është i Urtë. Ai e di më mirë se njerëzit çfarë është në dobi të tyre dhe çfarë është në dëm të tyre.
Nëse besimtarit i bie diçka e urryer, duhet të ketë bindjen se kjo ka qenë më e mira për të; se Allahu do që ky besimtar të arrijë shpërblimin dhe të mirat e shumta të cilat nuk mund t’i arrinte pa i rënë ajo gjë e urryer.
Nëse besimtarët do të kishin mundësinë të zgjidhnin për vetveten, ata nuk do të arrinin të bënin zgjedhje më të mirë se zgjedhja që bën Allahu për ta. Njeriu nuk e di se çfarë përfundimi do të kenë gjendja dhe punët e tij: mbase njeriu kërkon diçka që ka përfundim të keq për të, dhe e kundërta, mbase urren diçka që ka përfundim të mirë për të. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini” [El Bekare: 216].
Ajo që cakton Allahu për njeriun duhet të shihet si dhunti, mirësi dhe shpëtim nga të këqijat, qoftë dhe në rastin e privimit prej diçkaje, sprovës apo sëmundjes, sepse nuk duhet të shihen vetëm dhembjet dhe vuajtjet e momentit, por edhe përfundimet e mira që sjellin ato në këtë botë dhe në botën tjetër. Shumica e njerëzve, për shkak të paditurisë dhe karakterit të shtrembër, konsiderojnë si dhunti e mirësi vetëm kënaqësitë e momentit; vetëm plotësimin e dëshirave dhe tekave të momentit. Këta janë dritëshkurtër! Kur njeriu ka besim tek Allahu dhe Dita e Gjykimit, kur e di që punët e Zotit kanë urtësi, ai e konsideron privimin si mirësi, sprovën si mëshirë, ngaqë ka shpresë tek të mirat e shumta që vijnë prej tyre në këtë botë dhe në Ditën e Gjykimit.
Mendimi i keq për Allahun është devijim dhe gjynah i madh:
Mendimi i keq për Allahun dhe punët e Tij është gjynah i madh. Devijimi nga rruga e drejtë e Allahut vjen për shkak të mendimit të keq për Të. Allahu i ka kërcënuar për dënim ata që mendojnë keq për Të: “(Allahu të dha ty fitoren edhe) për t’i ndëshkuar hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët e idhjutaret, që mendojnë keq për Allahun. Këta i zë e keqja (dënimi poshtërues). Allahu është zemëruar me ata, i ka mallkuar dhe u ka përgatitur Xhehenemin; eh, sa përfundim i keq është ai” [El Fet’h: 6]. Kur njeriu mendon keq për Allahun, ai nuk e njeh Atë dhe as atributet, punët dhe urtësitë e Tij. Pra, mendimet e këqija për Allahun vijnë nga padituria dhe mungesa e besimit tek Allahu, ose nga dija e paktë për Allahun e Lartësuar dhe besimi i dobët tek Ai.
Mendimet e këqija për Allahun vijnë nga padija:
Njerëzit e periudhës së paditurisë paraislamike kishin dhe ushqenin mendime të këqija për Allahun, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Ata kanë mendime të pavërteta për Allahun, mendime të paganëve të kohës së xhahilijet-it (periudhës së padijes)” [Ali Imran: 154]. Paganët e paditur që i përkisnin periudhës para dërgimit të Profetit Muhamedit (a.s.) nuk e dinin dhe nuk besonin se krijesat janë paracaktuar nga Allahu, se mirësitë dhe fatkeqësitë janë shkruar nga Ai, se ka një ditë gjykimi pas vdekjes ku njerëzit shpërblehen me Xhenet ose dënohen me Xhehenem. Ata nuk e dinin se përse ekzistonin vuajtjet, dhembjet dhe fatkeqësitë, se çfarë urtësie kishin ato. Kur dikush kishte të mira dhe pasuri, ata mendoni se Allahu e kishte nderuar, ndërsa kur dikush vuante, sëmurej, kishte varfëri apo i binte fatkeqësi, ata mendonin se Allahu e kishte poshtëruar! Allahu i Lartësuar thotë: “Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, dukë i dhënë nderime e mirësi, ai (duke u krekosur e duke menduar se ka gradë të lartë te Zoti) thotë: “Zoti im më ka nderuar”. Por, kur e sprovon atë duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai (nga padurimi, pakënaqësia dhe mendimi i keq për Zotin) thotë: “Zoti im më ka poshtëruar!”” [El-Fexhr: 15-16]. Në një sure tjetër të Kuranit, Zoti i Lartësuar thotë: “Kur Ne i japim njeriut ndonjë mirësi të Tonën e pastaj ia heqim, ai atëherë bëhet tepër i dëshpëruar dhe shumë mosmirënjohës. E, kur pas të keqes që e pat goditur atë, Ne i japim atij të mira, ai me siguri do të thotë: “Të këqijat m’u larguan!” atëherë ai bëhet i ngazëlluar dhe mburracak. (Nuk janë të tillë) vetëm ata që durojnë dhe bëjnë vepra të mira; për ata do të ketë falje dhe shpërblim të madh” [Hud: 9-11]. Kështu, mendimet e këqija të kohës së injorancës vinin nga:
- Nuk besonin se Allahu i ka caktuar gjërat para se të krijoheshin.
- Nuk e dinin se Zoti ka atribute të përkryera, se Ai nuk ka asnjë të metë, se Ai nuk bën asnjë padrejtësi, se Ai e bën çdo punë me urtësi,
- Nuk e quanin të drejtë që Allahu i Lartësuar këtë botë e ka bërë me vuajtje, sëmundje, fatkeqësi, varfëri dhe diferenca mes krijesave,
- Nuk e besonin ringjalljen pas vdekjes, gjykimin për punët në Ditën e Llogarisë; shpërblimin e durimtarëve me të mirat e xhenetit për devotshmërinë fetare, vuajtjet, sëmundjet dhe fatkeqësitë, nga njëra anë dhe dënimin me Xhehenem të keqbërësve, mosmirënjohësve, të paduruarve, nga ana tjetër.
Shkurt, paganët e paditur e besonin Zotin, por kishin mendime të këqija dhe të pavërteta për Të! Periudha e tyre është cilësuar si periudhë paditurie. Ata nuk kishin dituri mbi caktimin, atributet, punët, ligjet, urtësitë dhe rrugën e Allahut të Lartësuar.
Burimi ku Allahu i Lartësuar ka dhënë shpjegime për këto gjëra janë librat hyjnorë që sollën të dërguarit e Tij, por paganët nuk i njihnin ato. Kurani Fisnik është libri i fundit që shpalli Allahu si udhëzues. Atëherë, Kurani dhe Suneti janë burimi i vetëm për t’i njohur këto gjëra. Nëse njeriu nuk bazohet në këto burime, ai e ka të pamundur të gjejë shpjegim të saktë për këto gjëra dhe të shpëtojë nga mendimet e këqija për Allahun.
Mendimet e këqija të njerëzve të kohës sonë:
Mentaliteti materialist i kohës tonë është i njëjtë me atë të njerëzve të paditur të periudhës së injorancës. Materialistët e kohës sonë shprehin po ato mendime të këqija për Allahun që kishin të paditurit e kohës së injorancës.
Materialisti nuk beson se Allahu i ka caktuar gjërat para krijimit të tyre; nuk e di se Allahu nuk ka asnjë të metë, nuk bën asnjë padrejtësi, çdo veprim e bën me urtësi, asgjë nuk e bën kot.
Materialisti nuk i njeh urtësitë e Allahut në ekzistencën e sprovave, vuajtjeve dhe dhembjeve. Ai mendon se nuk duhet të kishte në këtë botë vuajtje, prandaj mendon keq për Allahun e Lartësuar, mendon se Allahu i Lartësuar bën padejtësi.
Materialisti nuk e beson Ditën e Gjykimit, nuk e beson se ata që kanë duruar vuajtjet e kësaj bote për hir të Allahut do të shpërblehen me mirësitë e përhershme të Xhenetit, prandaj i duken vuajtjet e kësaj bote si gjëra të kota, pa kuptim, dhe si padrejtësi nga Allahu i Lartësuar për krijesat.
Këto, pra, janë disa mendime të këqija për Allahun. Po ashtu, kush mendon se, ai që ka shëndet, bollëk dhe mirësi në këtë botë, është nderuar nga Allahu, ndërsa ai që ka varfëri, sëmundje, të metë fizike apo i bie fatkeqësi, është poshtëruar nga Allahu i Lartësuar, edhe ky ka mendim të keq për Allahun.
Kush mendon se Zoti i Lartësuar i ka krijuar njerëzit pa ndonjë qëllim, nuk ka dhënë urdhra për ta, nuk ka ndaluar gjë, nuk kërkon gjë prej tyre, nuk ka dërguar profetë dhe nuk ka shpallur libra hyjnorë, ky ka mendim të keq për Allahun e Lartësuar.
Gjithashtu, kush mendon se nuk do të vijë Dita e Gjykimit kur të duruarit do të shpërblehen për vuajtjet që kanë hequr në këtë botë, dhe kur zullumqarët e keqbërësit do të ndëshkohen, ai pa dyshim ka mendim të keq për Allahun e Lartësuar, ai mendon se Allahu i Lartësuar ju bën padrejtësi të vuajturve.
S’ka dyshim se nuk do të ishte e drejtë të liheshin njerëzit e mirë e të vuajtur pa u shpërblyer në Ditën e Gjykimit, nga njëra anë, dhe të liheshin njerëzit e këqinj pa u ndëshkuar në atë ditë, nga ana tjetër. Allahu ka vënë Ditën e Gjykimit, ku do të vendosë drejtësinë absolute, kurse kjo botë është vend prove, është kalimtare.
Nëse nuk do të kishte ditë gjykimi pas vdekjes, vuajtjet e kësaj bote, ku përfshihet dhe vdekja, do të ishin kot, pa kuptim, pa urtësi, një gjë e palavdishme, padrejtësi e pastër. Është e papranueshme dhe e papërshtatshme për Zotin e Madhërishëm; për diturinë, fuqinë, drejtësinë, urtësinë dhe lavdinë absolute të Tij, të vendosë vuajtje në këtë botë si padrejtësi, pa urtësi, pa një qëllim e përfundim të lavdishëm; pa pasur një ditë kur do të shpërblehen të vuajturit nëse kanë qenë njerëz të mirë dhe kanë bërë durim. Nëse mendojmë mirë mbi këtë fakt, arrijmë të kuptojmë qartë se padrejtësi do të ishte nëse nuk do të kishte ditë gjykimi ku shpërblehen të vuajturit e mirë dhe dënohen njerëzit e këqinj. Ndërsa ekzistenca e vuajtjeve në këtë botë assesi nuk mund të jetë padrejtësi nga Allahu i Lartësuar, sepse muslimani që i kalon ato me durim, shpërblehet me mirësitë e Xhenetit në botën tjetër. Kështu, i pavërtetë dhe i keq del mendimi i materialistëve se Zoti i Lartësuar nuk do t’i ringjallë njerëzit pas vdekjes, se nuk do t’i marrë në llogari në Ditën Gjykimit dhe se njerëzit e mirë nuk do të shpërblehen me xhenet e njerëzit e këqinj nuk do të dënohen në Zjarrin e Xhehenemit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre. Ky është mendimi i jobesimtarëve, prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në Zjarr! A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe keqbërësit në Tokë?! A t’i trajtojmë njësoj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” [Sad: 27-28].
Si zgjidhet lëmshi i mendimeve të këqija për Allahun?
Nëse materialisti pranon tri gjëra, do ta zgjidhë lëmshin e mendimeve të këqija për Allahun e Lartësuar që ka në mendje:
- Allahu i Lartësuar e ka paracaktuar çdo gjë (kaderin).
- Allahu e bën çdo gjë me urtësi.
- Ka botë tjetër pas vdekjes ku do të shpërblehen të mirët dhe do të dënohen të këqinjtë.
Në të kundërt, sikur materialisti të mbledhë të gjitha njohuritë e kësaj bote, e ka të pamundur të gjejë shpjegim të saktë e të arsyeshëm për ekzistencën e vuajtjeve, e po ashtu e ka të pamundur të shpëtojë nga mendimet e këqija për Zotin e Lartësuar, përveç që do të përfundojë dhe në dënimin e Allahut për shkak të besimit të keq.
Shumica e njerëzve kanë mendime të këqija për Allahun:
Kushdo që mendon se meritonte një gardë më të lartë, një pozitë më të mirë, aftësi dhe tipare më të mira fizike, të mira më të shumta materiale, por Allahu i Lartësuar nuk ia ka dhënë ato, e kështu mendon në vetvete apo shprehet se Allahu i Lartësuar i ka bërë padrejtësi, ky njeri ka mendim të keq për Allahun e Lartësuar. Shumica e njerëzve kanë mendime të tilla të këqija; dikush më shumë e dikush më pak. Një pakicë njerëzish shpëtojnë nga këto mendime. Çdo njeri duhet t’i luftojë këto mendime të këqija. Edhe ne si muslimanë duhet ta luftojmë mendimin e keq për Allahun e Lartësuar.
Njohja e vetvetes të ndihmon të mendosh mirë për Allahun:
Njeriu duhet të mendojë keq për vetveten, ndërsa për Allahun duhet të mendojë veçse mirë. Të mendojmë keq për vetveten nuk do të thotë që të humbim shpresat, por që kemi gabime dhe gjynahe, dhe prandaj duhet t’i korrigjojmë gabimet, të largohemi nga gjynahet dhe të përmirësojmë vetveten.
Njeriu priret në mënyrë të natyrshme të arrijë kënaqësitë e kësaj botë, por nëse nuk arrin diçka, nuk duhet të mendojë keq për Zotin e Lartësuar. Allahu ua jep dhe ua ndan krijesave bukurinë, aftësitë, mirësitë dhe mjetet e jetesës. Dihet që për urtësi madhore, disa prej të cilave janë parapërmendur, Allahu nuk jua ka përpjestuar këto gjëra krijesave në mënyrë të barabartë; pra ka diferenca, por çdo njeri duhet të jetë i kënaqur me aq sa i ka dhënë Allahu. Nëse njeriu nuk është i kanaqur me ato që i ka dhënë Allahu, nuk i shpëton dot mendimeve të këqija për Të. Ky njeri sikur e kundërshton Allahun në punët e Tij, sepse është Allahu i Lartësuar Ai që ua ndan mirësitë krijesave.
Pasojat e mendimeve të këqija për Allahun:
Mendimet e këqija për Allahun, do të bëhen shkak që njeriu të vuajë në shpirt dëshpërim, mjerim, helmim, stres. Nëse njeriu i hap vetes portën e pakënaqësisë dhe mendimeve të këqija për Allahun, nuk gjen lumturi kurrë, sepse sado i bukur të jetë; në këtë botë ka edhe më të bukur se ai; sado i pasur të jetë, ka edhe më të pasur; sado i pushtetshëm të jetë, ka edhe më të pushtetshëm; sado i famshëm të jetë, ka edhe më të famshëm, kështu që nuk i shpëton dot vuajtjes dhe mjerimit të shpirtit; nuk e shuan dot etjen, urinë, smirën dhe dëshirën egoiste për më shumë dhe më lart!! Më në fund do të shuhet me vdekjen ose do të përmbyset para saj; gjithsesi do të përfundojë në botën e harresës si shumë të tjerë para tij. Ky është dënim i Allahut të Lartësuar për ata që mendojnë keq për Të.
Allahu e ka bërë ligjësi të pandryshueshme që të ulet poshtë çdo gjë që ngrihet prej kësaj bote apo çdo njeri që kërkon të ngrihet me gjërat e kësaj bote si: famë, pasuri, pushtet, bukuri, art. Kjo botë nuk është krijuar për të qenë e përhershme; kështu që edhe të mirat dhe kënaqësitë e saj, do të zhduken. Profeti ynë (s.a.u.s.) thotë: “Allahu i ka vënë detyrë vetes që çdo gjë që ngrihet prej kësaj bote (dynjasë), ta ulë poshtë” (Buhariu). Kushdo që kërkon të ngrihet me gjërat e kësaj bote, si: pushtet, pasuri, famë, bukuri, art, do të vijë koha kur do të bjerë poshtë; do të vijë një tjetër dhe do t’ia kalojë, ose do të vijë një tjetër dhe do ta rrëzojë; ose do të vijnë breza të mëpasshëm dhe do të kalojë krejt në harresë; nuk mund të ndodhë ndryshe. Po ta lexosh historinë me këtë sy, por edhe botën aktuale, do të vëresh me qartësi madhështinë e kësaj ligjësie hyjnore, por dhe një dëshmi të vërtetësisë së profecisë së Muhamedit (s.a.u.s.) i cili na ka treguar ligjësi të tilla të mrekullueshme.
Frytet e mendimit të mirë për Allahun e Lartësuar:
Ndërsa nëse njeriu mendon mirë për Allahun, dhe kënaqet me aq sa Ai i ka dhënë, do të gjejë lumturi në shpirt. Profeti ynë thotë: “Kënaqu me atë që të ka përpjesëtuar Allahu, që të bëhesh njëriu më i pasur në shpirtë (d.m.th., më i lumturi e më i kënaquri)” (Ahmedi dhe Tirmidhiu).
Për të kultivuar mendimin e mirë për Allahun, dhe për të qenë i kënaqur me aq sa të ka dhënë Ai, duhet të shohim ata që janë më poshtë në të mirat, kënaqësitë dhe bukuritë e kësaj bote. I Dërguari i Allahut thotë: “Shikoni ata që janë më poshtë se ju (në pasuri, bukuri etj.) dhe mos shikoni ata që janë më lart, se kjo është më e denjë të mos nënçmoni mirësinë që ju ka bërë Allahu i Lartësuar” (Muslimi). Kjo që sqarova këtu nuk do të thotë që njeriu të mos bëjë përpjekje të lejueshme për t’u paraqitur më bukur, për të patur një pozitë më të lart, për të mbledhur më shumë pasuri, për të pasur më shumë dituri, por nëse ai nuk e ka diçka ose nuk e arrin dot atë, duhet të mendojë mirë për Allahun dhe te jetë i kenaqur me aq sa i ka dhënë Ai.
Gabimi i mbivlerësimit të vetvetes:
Ka njerëz që, kur u bie ndonjë fatkeqësi, thonë: O Zoti im, çfarë mëkati kam bërë që më dhe këtë sprovë? Ky është një tjetër mendim i keq për Allahun. Një njeri i tillë e mbivlerëson veten dhe devotshmërinë e tij fetare; hamendëson se i kryen të gjitha detyrat fetare që i ka vënë Zoti i Lartësuar dhe se nuk bën asnjë gjynah. Aq më keq, kur njeriu nuk pranon ose nuk kryen asnjë detyrë që ka ndaj Zotit, si falja e namazit, agjërimi i ramazanit, dhe përsëri hamendëson se nuk ka bërë ndonjë gjynah! Ky i fundit niset nga ideja se nuk ka asnjë detyrë ndaj Zotit; se Zoti nuk kërkon asgjë prej tij; e vetmja gjë që kërkon Zoti nga njerëzit, sipas tij, është që të mos u bëjnë keq të tjerëve!
Duhet të dimë se Allahu i Lartësuar na ka ngarkuar me tri lloje detyrash:
1- Detyrat ndaj Zotit të Lartësuar, si: Ta adhurojmë Atë të vetëm pa i bërë shok, të kryejmë detyrat që na ka vënë Zoti i Lartësuar, si namazi, agjërimi etj.; të largohemi nga gjërat që na ka ndaluar Allahu i Lartësuar.
2- Detyrat ndaj njerëzve: Të respektojmë të drejtat e tyre, të mos u bëjmë padrejtësi etj.
3- Detyrat ndaj vetes, nga të cilat janë: Të kujdesesh për shëndetin, ushqimin, pastrimin, veshjen dhe paraqitjen. T’i bindesh Allahut dhe të Dërguarit të Tij për të shpëtuar veten nga Zjarri i Xhehenemit dhe për të fituar Xhenetin. Të mos e torturosh veten apo të mos vetvritesh.
Kështu, njeriu s’ka detyra vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj Zotit i Cili e ka krijuar. Kush mendon se e ka kryer detyrën ndaj Zotit, nëse nuk iu bën keq njerëzve, ndërkohë që nuk do t’ia dijë fare për detyrat fetare që ka ndaj Zotit, ky njeri nuk e njeh Zotin dhe të drejtën e Tij. Natyrisht, që një njeri i tillë, kur i bie fatkeqësi, do të mendojë keq për Zotin e Lartësuar, ndërsa për veten do të mendojë mirë, por kjo vjen nga padituria.
Kush i bën të këqijat?!
Shumica e njerëzve këtu në vendin tonë pohojnë se nuk bëjnë keq, por nga ana tjetër, vërehet se shumica bëjnë keq dhe sillen keq, atëherë lind pyetja: kush i bën të këqijat?! Në fakt, kushdo që nuk kryen detyrat ndaj Allahut të Lartësuar, nuk do të jetë në rregull edhe në marrëdhëniet me njerëzit, sepse lidhja e mirë me Zotin e Lartësuar e shtyn njeriun të ketë lidhje të mira dhe me njerëzit. Kur njeriu është i devotshëm ndaj Zotit të Lartësuar, do të sillet mirë dhe me njerëzit, kurse kur kundërshton Allahun, ai nuk sillet mirë dhe me njerëzit. Këto dy gjëra janë të pandashme. Madje respektimi i të drejtave të njerëzve dhe mirësjellja me ta është pjesë e mësimeve të Islamit. Allahu thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga punët e turpshme dhe të këqija” [El-Ankebut: 45]. Profeti (s.a.u.s.) thotë: “Besimtarët më të përsosur janë ata që kanë moral më të mirë” (Ebu Daudi dhe Tirmidhiu).
Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë:
Edhe njerëzit që kryejnë ibadetet kanë gjynahe. S’ka njeri që nuk ka gjynahe. Profeti (s.a.u.s.) thotë: “Çdo bir i Ademit ka shumë gabime, por më të mirët e atyre që gabojnë janë ata që pendohen shumë” (Tirmidhiu). Kush mendon se s’ka gjynahe, ai e ka gabim. Ka njerëz që lënë disa detyra fetare apo bëjnë disa gjynahe nga pakujdesia, ose dembelizmi, ose dëshira e keqe ose me intepretim të gabuar, e megjithatë e mbajnë veten për të pastër dhe të dëlirë. Në fakt, njeriu i mirë dhe i devotshëm asnjëherë nuk thotë se nuk kam gjynahe e gabime, apo se i kam kryer detyrat ndaj Allahut ashtu siç duhet. Ky është pretendim i rremë. Këtë pohim e bën një njeri që nuk e njeh natyrën njerëzore ose një njeri jo i çiltër. Siç u tha më lart, njeriu duhet të mendojë se ka gabime, ka të meta; se nuk i ka kryer siç duhet detyrat ndaj Allahut të Lartësuar; se ka nevojë të pastrojë zemrën nga dëshirat e liga dhe ndjenjat e këqija. Kjo e ndihmon njeriun të përmirësojë veten, të ndreqë gabimet, të bëjë teube, t’i kryejë më mirë dhe më përpiktë ibadetet. Nga ana tjetër, njeriu duhet të mendojë veçse mirë për Allahun.
Nga sa më sipër, del në pah se të këqijat na vijën për shkak të gjynaheve. Allahu thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasoj e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë gjynahe” [Esh-Shura: 30]. Edhe pse fatkeqësitë vijnë për shkak të gjynaheve, përsëri njeriu duhet të mendojë se Allahu ka dashur të mirën për të, siç kam sqaruar më përpara kur kam folur për urtësitë e fatkeqësive dhe vuajtjeve që i bien njeriut.
Si shpjegohet ky rast?
Dikush mund të shtrojë këtë pyetje: Kur heq dorë nga gjynahet dhe kryej ibadetet, Zoti i Lartësuar m’i pakëson mjetet e jetesës dhe ma bën jetën të vështirë, ndërsa kur i kthehem gjynaheve dhe jepem pas plotësimit të dëshirave, më vijnë mjetet e jetesës me bollëk: Si shpjegohet kjo gjë?
Nëse kjo qëndron, atëherë shpjegimi është se Allahu i Lartësuar e vë në provë një njeri të tillë, që të dalë në pah nëse është i çiltër me Allahun apo jo. Nëse ky njeri është i çiltër me Allahun kur heq dorë nga gjynahet dhe kryen detyrat fetare, ai do t’i durojë vuajtjet që i jep Allahu, dhe kështu do të ketë shpërblim e përfundim të lavdishëm. E nëse nuk është i çiltër me Allahun, nuk do të durojë dhe do të kthehet në veprimin e gjynaheve ose në kafir. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndër njerëzit është dhe ai që (përqafon Islamin dhe) e adhuron Allahun në zgrip (me mëdyshje e i pavendosur): nëse i vjen e mira, kënaqet me të (dhe vazhdon në fe), por, nëse i bie sprovë, kthehet në mosbesim e kështu humb këtë botë dhe Botën e Fundit. Pikërisht kjo është humbja e qartë” [El-Haxh: 11]. Ky njeri e lidh çdo gjë me të mirat e kësaj bote. Kur i bie keq, mendon se nuk po i ecën mbarë për shkak të Islamit, dhe kështu kthehet në jomusliman. Ky njeri i humb të mirat e kësaj bote, sepse mosbesimi nuk ka për t’i ndryshuar të mirat dhe të këqijat që janë paracaktuar për të në këtë botë, por do të humbë edhe të mirat e ahiretit, sepse do të hyjë në Zjarrin e Xhehenemit.
Leave a Reply