Përse ka vuajtje kjo botë?
Kur diskutojmë me njerëzit mbi besimin islam, sidomos në vendin tonë, ku shumë prej tyre u edukuan me një frymë materialiste për një kohë të gjatë, ata shpesh shtrojnë pyetje të tilla: Po përse Allahu e vendosi njeriun në Tokë, një vend ku njeriut i duhet të përballet me vështirësi, vuajtje dhe mundime, madje ku do ta mbyllë jetën me vdekjen, një mbyllje kjo shumë e mundimshme dhe shumë e hidhur, një përfundim që shuan çdo lloj kënaqësie të kësaj bote? Përse nuk u vendos njeriu përgjithmonë në Xhenet, në vendin e mirësive, e kështu të mos vuante asnjë të keqe? Përse të mos ishte kjo botë pa vuajtje? Përgjigjja është se vendosja e njeriut në tokë është bërë për urtësi e qëllime madhore, ndër të cilat përmendim:
Allahu krijoi në këtë botë të gjitha kushtet e domosdoshme për ta vënë njeriun në provë
1- Allahu i Lartësuar vendosi që t’i vërë në provë njerëzit dhe t’i ngarkojë me përgjegjësi. Ai e solli njeriun në këtë botë, në Tokë, për ta vënë në provë, nëse do ta adhurojë Allahun apo jo, nëse do të tregohet mirënjohës ndaj Tij apo jo, nëse do t’i bindet Atij apo jo. Në këtë botë janë të gjitha kushtet e nevojshme për ta vënë njeriun në provë: ekziston e mira dhe e keqja, mirësia dhe fatkeqësia, gëzimi dhe hidhërimi, vuajtja dhe kënaqësia, shëndeti dhe sëmundja, pasuria dhe varfëria, jeta dhe vdekja etj. Këto gjëra janë krijuar kështu për t’u vënë njeriu në provë. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se cili prej jush do të veprojë më mirë” [Mulk: 2]. Po ashtu thotë: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! (Në jetën e kësaj bote) Ne ju vëmë në provë me të keqen dhe me të mirën dhe te Ne do të ktheheni (në Ditën e Gjykimit për llogari dhe shpërblim)” [El-Enbija: 35]. Gjithashtu, thotë: “Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke i dhënë nderime e mirësi, ai (duke u krekosur e duke menduar se ka gradë të lartë te Zoti) thotë: “Zoti im më ka nderuar”. Por, kur e sprovon atë duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai (nga padurimi, pakënaqësia dhe mendimi i keq për Zotin) thotë: “Zoti im më ka poshtëruar!”” [El-Fexhr: 15-16]. Në një sure tjetër të Kuranit, Zoti i Lartësuar thotë: “Kur Ne i japim njeriut ndonjë mirësi të Tonën e pastaj ia heqim, ai atëherë bëhet tepër i dëshpëruar dhe shumë mosmirënjohës. E, kur pas të keqes që e pat goditur atë, Ne i japim atij të mira, ai me siguri do të thotë: “Të këqijat m’u larguan!” atëherë ai bëhet euforik dhe mburracak. (Nuk janë të tillë) vetëm ata që durojnë dhe bëjnë vepra të mira; për ata do të ketë falje dhe shpërblim të madh” [Hud: 9-11].
Dihet që ka vetëm një rrugë të drejtë të caktuar nga Allahu që të çon tek Ai dhe në Xhenetin e Tij. Kjo është rrugë e fesë islame, e cila është e vetmja fe e vërtetë, e pastër nga shirku dhe e pranueshme tek Allahu. Kjo fe përmban besimin e saktë, përmban ibadete, ligje drejtësie, norma morali të larta dhe rregulla sjellje të mire, dhe të gjitha këto i ka vendosur Zoti i gjithësisë. Nga ana tjetër, ka dhe rrugë të shtrembëra, besime të pavërteta, shirk, rite fetare të sajuara, padrejtësi, vese të ulëta, punë të turpshme e të këqija dhe sjellje të keqe. Me pak fjalë, në këtë botë ka një rrugë të drejtë dhe shumë rrugë të shtrembëra.
Allahu dërgoi profetët dhe ju shpalli atyre librat hyjnorë për t’u treguar njerëzve hollësisht rrugën e drejtë, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, për t’i paralajmëruar të ruhen nga rrugët e shtrembëra. Përveç kësaj, Ai e pajisi njeriun me mendjen për të kuptuar se të dërguarit e Zotit janë në të vërtetën dhe se ata rrëfejnë rrugën e drejtë të Zotit. Me anë të mendjes, njeriu kap edhe besimin në një Zot dhe atributet e Tij, ligjet e drejtësisë dhe moralin e mirë, por këto gjëra mendja i kap në përgjithësi dhe jo me hollësi.
Allahu e krijoi njeriun me prirje, ndjenja dhe dëshira. Njeriu mund t’i ketë prirjet, ndjenjat dhe dëshirat për mirë ose për keq. Mësimet e Islamit (të bazuara në Kuran dhe Sunetin e saktë), melekët dhe logjika e shëndoshë e nxisin njeriun për mirë, ndërsa shejtani dhe ushtarët e mësimet e tij e nxisin për keq.
Zoti i Lartësuar në këtë botë i ka dhënë njeriut mundësinë për të zgjedhur të mirën ose të keqen; rrugën e Zotit Mëshirues ose rrugën e Shejtanit; rrugën e Xhenetit ose rrugën e Xhehenemit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i treguam qartë njeriut dy rrugët (të mirën dhe të keqen)” [El-Beled: 10]. Po ashtu thotë: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta vënë më pas në provë, e prandaj i dhamë aftësinë të dëgjojë (argumentet) dhe të shohë (shenjat). Vërtet, Ne i treguam atij rrugën (e drejtë dhe të shtrembër, të mirë dhe të keqe), që ai të bëhet ose besimtar mirënjohës ose mohues mosmirënjohës” [El-Insan: 2-3]. Kështu, njeriu është në provë për të zgjedhur ose rrugën e drejtë ose rrugën e shtrembër.
I vuajturi i vlerëson më shumë mirësitë, sesa ai që nuk ka vuajtur
2- Xheneti është vendi i mirësisë dhe begatisë së amshuar, ku nuk ka asnjë vuajtje e të keqe. Po sikur njerëzit të krijoheshin në Xhenet e të mos kishin dalë asnjëherë prej tij, ata nuk do ta kishin vlerësuar këtë begati të madhe të Allahut. Allahu i vendosi dy prindërit e njerëzisë, Ademin dhe Havanë, në tokë, në vendin ku u krijuan, në mënyrë që ata dhe pasardhësit e tyre të përgatiten dhe të marrin rezerva (besimi dhe punët e mira) për botën tjetër, për Xhenetin. Pas lodhjes dhe mundimit në këtë botë për të kryer detyrën që i është dhënë, njeriu do ta njohë më mirë vlerën dhe epërsinë e Xhenetit. Siç dihet, i vuajturi i vlerëson më shumë mirësitë, sesa ai që nuk ka vuajtur.
Allahu i vuri njerëzit të banojnë në vendin e provës, ku i bëri dhe subjekt i urdhërimit dhe ndalimit, me qëllim që të marrin një shpërblim dhe nderim më të madh për respektin e treguar për Allahun në këtë botë në kushtet e spovimit. Do të ishte e mundshme që ata të përjetonin begatinë e përhershme në Xhenet pa ardhur fare në tokë, por pas sprovimit dhe vuajtjes në këtë botë, mundimit të vdekjes, tmerreve të Ditës së Kiametit dhe pas kalimit në Urën e Siratit mbi Zjarrin e Xhehenemit, ata arrijnë një begati shumë më të madhe, një begati aq të madhe, saqë në këtë botë nuk mund të përshkruhet realiteti i saj. Në një hadith, Pejgamberi ynë tregon se Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kam përgatitur (në Xhenet) për njerëzit e Mi të mirë mirësi e begati që nuk i ka shikuar ndonjë sy njeriu, që nuk ka dëgjuar për to ndonjë njeri dhe që nuk i kanë shkuar nëpër mend ndokujt!” (Buhariu).
Në këtë botë janë të përziera begatitë dhe vuajtjet, rehatia dhe dhembja, mirësia dhe fatkeqësia, gëzimi dhe hidhërimi, kushtet e mira dhe vështirësia. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e krijuam njeriun në vështirësi” [El-beled: 4]. Disa dijetarë shpjegojnë se kuptimi është që njeriu do të vuajë sprovat e kësaj bote dhe vështirësitë e Ditës së Gjykimit. Njerëzit duan që jeta e kësaj bote të jetë mirësi e kulluar, pa asnjë vuajtje, por ajo nuk është krijuar për të qenë e tillë.
Në botën tjetër do të bëhet ndarja e plotë ndërmjet të mirës dhe vuajtjes: në një vend, që është Xheneti, do të ketë përgjithmonë vetëm mirësi, begati, gëzim dhe lumturi, kurse në vendin tjetër, që është Xhehenemi, do të ketë vetëm vuajtje, dhembje, hidhërim dhe mjerim.
Begatia, kënaqësia, gëzimi dhe lumturia e kësaj bote janë thjesht një mostër e mirësive të Xhenetit, ndërsa mjerimi, hidhërimi, mundimi dhe dhembjet e kësaj bote janë thjeshtë një mostër e vuajtjeve në Zjarrin e Xhehenemit.
Çfarëdo të bëjë njeriu në këtë botë ai nuk mund të bëjë jetë të kulluar nga vuajtjet, dhembjet apo hidhërimi. Prandaj, le të përgatitemi me besim dhe me punë të mira që të arrijmë Xhenetin, ku plotësohen të gjitha dëshirat dhe ku ka vetëm mirësi, kënaqësi e lumturi në amshim.
I mençuri e kupton se Allahu i Lartësuar nuk e ka vënë kot vuajtjen dhe mirësinë në këtë botë. Ai nuk mund të ecë me idenë e kotë se këto dy gjendje janë rezultat i rastësisë e kotësisë dhe se ato nuk kanë asnjëfarë kuptimi! Ai e kupton se është në provë. Ai e di se mirësitë nuk do të kishin kuptim dhe as vlerë pa ekzistencën e vuajtjeve. Vuajtjet e kësaj bote duhet të na kujtojnë vuajtjet e botës tjetër në Xhehenem dhe duhet të na nxisin për besim tek Allahu dhe punë të mira që të shpëtojmë prej Xhehenemit. Begatitë e kësaj bote duhet të na kujtojnë begatitë e Xhenetit dhe duhet të na nxisin të punojmë për të fituar Xhenetin.
Njeriu nuk mund të bëhet adhurues i përsosur i Allahut nëse nuk flijon asnjë dëshirë vetjake për Të
3- Allahu na krijoi që ta adhurojmë. Nëse njeriu nuk lë asgjë për hir të Allahut, nëse nuk flijon asnjë dëshirë vetjake për Allahun, nëse nuk bën durim për hir të Allahut, ai nuk mund ta adhurojë me çiltërsi dhe pastërti Atë. Një njeri që e adhuron Allahun vetëm aty ku i pëlqen dhe jo aty ku nuk i pëlqen, vetëm aty ku i plotësohet dëshira dhe jo aty ku nuk i plotësohet dëshira, vetëm në kushte mirësie dhe jo në kushte të tjera, ky në të vërtetë nuk është adhurues i Allahut, por adhurues i vetvetes. Për të përsosur adhurimin ndaj Allahut nevojitet të sakrifikosh për Të, të bësh gjërat që pëlqen Ai, qoftë edhe kur ato bien ndesh me dëshirat vetjake, dhe të bësh durim për të marrë shpërblimin e Tij. Prandaj, pra, Allahu e solli njeriun në këtë botë, ku gjenden kushtet e nevojshme për t’u bërë adhurues i përsosur i Tij. Kushtet e kësaj bote i ndihmojnë të dashurit e Allahut që të flijojnë për Të, të sakrifikojnë dëshirat vetjake për kënaqësinë e Tij, të bëjnë durim për të marrë shpërblimin e Tij. Ndërsa Allahu i Madhëruar zgjedh një pjesë të njerëzve për t’i bërë adhurues të Tij në gjendje bollëku dhe varfërie, shëndeti dhe sëmundje, mirësie dhe fatkeqësie. Duke i dhënë përparësi në gjendje të tilla asaj që pëlqen Allahu, kundrejt dëshirave vetjake, këta njerëz arrijnë gradat më të larta të adhurimit të Allahut. Kjo gjë nuk mund të realizohej në vendin e begatisë së amshuar. Disa thënie të Pejgamberit (a.s.) që tregojnë për këtë gjë: “Njerëzit që kanë vuajtur më shumë nga sprovat janë profetët” (Tirmidhiu). “Kur Allahu i Lartësuar i do disa njerëz, Ai u jep atyre sprova (vuajtje)” (Tirmidhiu). “Kujtdo që Allahu i do të mirën, i jep sprova” (Buhariu).
Kushtet e kësaj bote janë shtytës për t’iu lutur Allahut të Lartësuar
4- Lutjet që njeriu ia drejton Allahut janë thelbi i riteve të adhurimit. Allahu pëlqen që robi t’i lutet. Ai ka premtuar se do t’i pranojë lutjet e robërve të Tij. Allahu thotë: “Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua” [Bekare: 186]. “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” [Gafir: 60].
Njerëzit kanë nevojë për shtytës që t’i luten Allahut. Në fakt, edhe për veprimet e tjera njeriu ka nevojë për stimuj dhe nxitës. Për shembull, uria dhe etja në mënyrë të natyrshme e nxisin njeriun për konsumimin e ushqimit dhe të pijes. Vuajtjet, sprovat dhe vështirësitë e nxisin njeriun për t’iu lutur Allahut, sepse vuajtjet e kësaj jete dhe të jetës së përtejme nuk mund t’i largojë kush tjetër veç Allahut.
Allahu i Lartësuar ushtron atributet e Veta
5- Me vendosjen e njeriut në Tokë, Zoti vuri në veprim atributet e Veta si: falja, mëshira, pranimi i pendimit etj. Në këtë mënyrë, Ai shfaq dhe rrjedhimet e këtyre atributeve te krijesat e Veta. Të gjitha këto nuk do të bëheshin të mundura pa vendosjen e njeriut në këtë botë, ku ai bën gjynahun dhe pastaj pendohet, ku punon për të fituar mëshirën e Allahut dhe për t’u ruajtur nga ndëshkimi i Tij. Profeti (a.s.) thotë: “Betohem për Atë që ka në dorë shpirtin tim, sikur ju të mos bënit gjynahe, Allahu do t’u zhdukte juve, dhe pastaj do të sillte një popull tjetër që bëjnë gjynahe, kërkojnë falje dhe Allahu ua fal gjynahet”. (Muslimi).
Kjo është dhe një nga arsyet pse Zoti ia ndaloi pemën Ademit në Xhenet; pse ia caktoi atij veprimin e gjynahut, pendimin prej tij dhe zbritjen në tokë; pse ekzistojnë në këtë botë gjërat e ndaluara, gabimi, gjynahu, shejtani që nxit për gjynahe dhe prirjet e dëshirat që ka njeriu për veprimin e gjynahut. Shejtani e nxit njeriun për të bërë gjynahe dhe për të përqafuar idetë e këqija e të kotën. Po të mos ekzistonte shejtani, nuk do të kishte gjynahe, sepse nuk kishte kush i nxit ato. Për rrjedhim, nuk do të ekzistonin kushtet që njeriu të pendohej apo të kërkonte falje, sepse nuk do të ekzistonte gjynahu, por nuk do të bëhej e mundur as falja e gjynahut nga ana e Zotit. Falja është një akt që Zoti i Lartësuar e pëlqen.
Pendimi është një gjendje keqardhje për kundërshtimin e ligjit të Zotit, por edhe gjendje përulje e nënshtrimi ndaj Zotit. Mbase njeriu pas pendimit prej gjynahut mund të bëhet shumë më i përulur ndaj Allahut sesa më përpara, sepse i kujtohet faji që ka bërë e kështu i përulet më shumë Zotit. Allahu pëlqen që njeriu t’i kërkojë falje, të kthehet i penduar tek Ai, t’i përulet Atij (Zotit), ti shprehë dashuri. Këto gjendje, që njeriu i ndjen në shpirtë, i shpreh me gojë dhe i tregon në praktikë me vepra, nuk mund të realizoheshin në mënyrë të përsosur ose nuk mund të realizoheshin aspak pa ekzistencën e atyre që u përmendën më lart.
Punët e mira për hir të Allahut mund të kryhen veçse në kushtet e kësaj bote
6- Besimi në Zot nuk tregohet vetëm me bindje dhe pohim me gojë, por dhe me punë të mira, përpjekje, sakrificë dhe durim për Allahun. Të gjitha këto mund të realizohen veçse në vendin e sprovimit, në këtë botë, dhe jo në Xhenetin e begatshëm.
Shumë dijetarë kanë thënë se veprat e profetëve dhe besimtarëve në këtë botë janë më të mira sesa begatia e Xhenetit. Arsyeja, sipas tyre, qëndron në faktin se kënaqësia e Xhenetit ka të bëjë me vetë banorët e Xhenetit, në kuptimin që është një përjetim i tyre, kurse besimi dhe veprat e mira kanë të bëjnë me Allahun, në kuptimin që janë një e drejtë e Krijuesit. Atëherë, si mund të krahasohet begatia e Xhenetit me besimin, veprat e mira, namazin, leximin e Kuranit, lutjen, përpjekjen në rrugë të Zotit, sakrificën për të arritur kënaqësinë e Zotit! Kështu, besimi ka të bëjë me Zotin, ndërsa kënaqësia e Xhenetit ka të bëjë me vetë njeriun. Siç dihet, njeriu është krijuar për të adhuruar Zotin, por Xheneti është vend kënaqësie dhe jo vend përgjegjësie e ibadeti.
Njeriu dallon nga krijesat e tjera, duke arritur të bëjë adhurim më të përsosur sesa ato
7- Kushtet e kësaj bote janë të domosdoshme për të dalluar njeriu nga krijesat e tjera. Vetëm në këto kushte njeriu mund të dëshmojë se mund të bëjë adhurim më të mirë ndaj Allahut se sa krijesat e tjera. Gradat e krijesave dallojnë në varësi të adhurimit, përuljes e dashurisë së tyre për Zotin: sa më e përulur të jetë krijesa ndaj Zotit dhe sa më shumë ta dojë Atë, aq më e dashur do të bëhet për Të dhe aq më të lartë do ta ketë pozitën tek Ai. Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Vet, pati paracaktuar se Ademin dhe pasardhësit e tij do t’i ngrinte mbi shumë krijesa, andaj i solli në këtë botë që të dëshmonin me punën e tyre se adhurimi dhe përulja e tyre ndaj Zotit ishte më e përsosur se e krijesave të tjera.
Adhurimi i Allahut është gjendja më e mirë dhe grada më e lartë që mund të arrijë njeriu. Për këtë arsye, në shumë ajete të Kuranit, Profeti Muhamed (a.s.) cilësohet si rob e si adhurues i Allahut. Duke treguar, për shembull, për udhëtimin e mrekullueshëm të Israsë dhe Miraxhit, Allahu thotë: “I Lartmadhëruar është Ai i Cili ia mundësoi robit të Tij (Muhamedit) të udhëtonte gjatë natës nga Xhamia e Shenjtë (Mesxhidul Haram në Mekë) për në Xhaminë e Largët (Mesxhidul Aksa të Palestinës), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga shenjat Tona. Me të vërtet, Ai është Dëgjues dhe Shikues” [El-Isra: 1]. Pra, në Kuran Profeti Muhamed (a.s.) lavdërohet me faktin që ka arritur të bëjë adhurimin më të plotë për Allahun.
Siç u përmend më sipër, robëria (adhurimi) ndaj Allahut është grada më e lartë që njeriu mund të arrijë. Ajo është gjendja më e dashur tek Allahu. Por njeriu s’mund ta arrinte këtë gjendje pa disa shkaqe e disa parakushte. Prandaj, vendosja e njeriut në këtë botë, ku do mund të trajtohet si rob e adhurues i Allahut dhe ku gjenden kushtet për një gjendje të tillë, është ndër vendimet më të arrira e më të urta. Në këtë kuptim, nxjerrja nga Xheneti shërbeu për përsosjen e njeriut dhe për plotësimin e mirësive ndaj tij.
Allahu i Lartësuar shfaq sundimin absolut dhe realizon veprimet që i pëlqen
8- Njeriu i parë, Ademi, u krijua në Tokë. Prej Ademit u krijua dhe gruaja e tij, Havaja. Pas krijimit Allahu e vendosi Ademin dhe Havanë të banonin në Xhenet (në qiell), ku mund të hanin çfarë të dëshironin, por vetëm një pemë e kishin të ndaluar. Ademi dhe Havaja, të mashtruar nga shejtani, gabuan dhe hëngrën prej pemës së ndaluar. Për shkak të këtij gjynahu Allahu i zbriti të dy prindërit e njerëzisë në Tokë. Këto gjëra Allahu i Lartësuar i ka treguar në disa vende në Kuran, si në suren Bekare (30-39), A’raf (10-25), Hixhr (26-48), Isra (61-65), Taha (115-124), Sad (71-85).
Nxjerrja e njeriut nga Xheneti dhe vendosja e tij në Tokë, përveç urtësive të lartpërmendura, bëri të mundur edhe shfaqjen e realizimin e shumë akteve që janë të dashura për Allahun, siç është pranimi i lutjeve të njerëzve, çlirimi i tyre nga shqetësimet, brengat, telashet dhe vështirësitë; falja e gjynaheve të tyre, shpëtimi i atyre që kërkojnë ndihmë etj. Allahu e do aktin e pranimit të lutjeve, aktin e çlirimit nga brengat, streset, pikëllimet dhe telashet. Ai dëshiron që t’i shpëtojë ata që kërkojnë ndihmë, t’ua falë gjynahet njerëzve dhe t’ua mbulojë të meta, të mënjanojë fatkeqësitë e belatë nga njerëzit, të lartësojë ata që meritojnë lartësimin dhe të poshtërojë ata që meritojnë poshtërimin, të ndihmojë të dëmtuarit, të qetësojë të pikëlluarit, t’i ngrejë disa krijesa mbi disa të tjera.
Allahu i Lartësuar shfaq sundimin absolut, realizon veprimet që i pëlqen dhe tregon vlerën e mirësisë që bën. Vendosja e njerëzve në tokë bëri të mundur realizimin e gjërave që Allahu i Lartësuar i pëlqen. Ajo ishte një kërkesë e domosdoshme e sundimit absolut të Allahut dhe e lavdisë së Tij të pashoqe. Por, shfaqja e sundimit absolut të Allahut dhe veprimeve të Tij të lavdërueshme e të drejta mund të jetë e domosdoshme të realizohet edhe nëpërmjet mënyrash e shkaqesh që Ai nuk i pëlqen.
Dihet që kur dy gjëra janë të ndërvarura, ato nuk mund të realizohen pa njëra-tjetrën; kur realizimi i diçkaje varet apo kushtëzohet nga një tjetër, ajo nuk mund të realizohet pa të. Ashtu sikurse dihet që plotësimi i kërkesave të drejtësisë është prej drejtësisë, po kështu dhe krijimi a plotësimi i kërkesave të urtësisë është pjesë e urtësisë. Nga kjo arrijmë të kuptojmë se mund të ndodhin gjëra që Allahu i urren, por që, nëpërmjet tyre, realizohen gjëra të tjera, të cilat Ai i do.
Allahu çdo gjë e bën me arsye, me qëllim të lartë, qoftë e njohur për ne apo jo. Të gjitha veprat e Zotit janë të mira, për shkak se vijnë prej tyre gjëra që, në vetvete, janë mirësi ose për shkak se sjellin gjëra që janë të mira. E keqja kurrsesi nuk është atribut i Zotit dhe asnjë vepër e Zotit nuk mund të karakterizohet si e keqe. Ndonëse ndodhin gjëra që për disa krijesa janë të këqija, të dëmshme ose të disfavorshme, prapëseprapë ato ndodhin me urtësi e për qëllime të larta, dhe përmes tyre realizohen gjëra të dobishme e të mira. Kësisoj, e keqja është e pjesshme e relative dhe, gjithsesi, ajo u përket krijesave. Po japim një shembull: reshjet e shiut mund të sjellin ndonjë dëm, por në të shumtat e rasteve janë të dobishme. Me fjalë të tjera, nuk gjendet asnjë krijesë apo asgjë që është më shumë e dëmshme sesa e dobishme, por: ose është krejtësisht e mirë dhe e dobishme, ose është më shumë e dobishme sesa e dëmshme.
Ka krijesa që, në vetvete, janë të këqija e të dëmshme, por të mirat dhe dobitë që realizohen nëpërmjet tyre janë më shumë se e keqja që përmbajnë ato, në vetvete, apo se dëmet që vijnë prej tyre. Po marrim shembullin e shejtanit (djallit) i cili në vetvete është i keq, por përmes tij realizohen gjëra të mira të cilat i pëlqen Allahu, si: pendimi pas gjynahut, kërkimi falje prej gjynahut, ballafaqimi mes të vërtetës dhe të pavërtetës, sakrifica dhe mundimi në përkrahje të të vërtetës dhe për triumfimin e saj; vlera e adhurimit të Allahut, ndarja e atyre që janë të denjë për mirësitë e Zotit nga ata që nuk janë të tillë; shfaqja e plotfuqishmërisë së Zotit dhe sundimit të Tij absolut në krijimin e gjërave të kundërta, si dhe në ndëshkimin e kundërshtarëve të Tij dhe nderimin e miqve të Tij; shfaqja e mëshirës, bamirësisë, faljes dhe mirësive të Tij etj. Profeti (s.a.u.s.), duke iu lutur Allahut, thoshte: “E gjithë e mira është në duart e Tua, ndërsa e keqja nuk të përket Ty!” (Muslimi).
Vetëm në kushtet e kësaj bote njerëzit mund të shfaqin vlerat shpirtërore dhe moralet e larta
9- Po sikur të mos sillej njeriu për t’u vënë në provë në këtë botë, nuk do të shfaqej vlera e durimit, sinqeritetit, kënaqësisë, mbështetjes tek Allahu, përpjekjes dhe sakrificës për hir të Allahut, ndershmërisë, dëlirësisë, xhelozisë, trimërisë, tolerancës, bujarisë, bamirësisë, butësisë, turpit, burrërisë, besës, falënderimit, vetëpërmbajtjes, faljes etj. Allahu i Lartësuar do që t’i nderojë robërit e Tij me këto virtyte të larta. Ai do që njerëzit t’i kenë këto virtyte, me qëllim që Ai dhe melekët t’i lavdërojnë për to dhe me qëllim që, nëpërmjet tyre, ata të arrijnë kulmin e nderimit, kënaqësisë dhe gëzimit. Ndonëse në fillim pajisja me këto virtyte është e vështirë, përfundimi i tyre është shumë i ëmbël.
Kushtet e kësaj bote bëjnë të mundur dallimin mes njerëzve me shpirt të mirë dhe njerëzve me shpirt të keq
10- Allahu i Lartësuar i ka krijuar shpirtrat në tri lloje: Lloji i parë pëlqen dhe punon vetëm të mirën, dhe këta janë melekët. Lloji i dytë dëshiron dhe punon vetëm të keqen, dhe këta janë shpirtrat e shejtanëve. Lloji i tretë janë të prirur edhe për mirë edhe për keq, e këta janë shpirtrat njerëzorë. Mirësia për llojin e parë është karakter i natyrshëm, për të cilën ata lavdërohen dhe vlerësohen. Edhe e keqja për llojin e dytë të shpirtrave është karakter i natyrshëm, për të cilën ata dënohen dhe diskreditohen. Ndërsa shpirtrat e kategorisë së tretë do të vlerësohen dhe do të trajtohen sipas asaj që do t’u bëhet karakter. Në qoftë se një njeri kultivon karakter të mirë, ai do të ngrihet në gradën e llojit të parë, e në qoftë se kultivon karakter të keq, ai do zbresë në nivelin e llojit të dytë. Ekzistenca e këtyre tri llojeve është rrjedhim i veprave të përkryera dhe qëllimeve të larta të Krijuesit. Krijimi i gjërave të përkundërta në fizik, karakter, atribute dhe vepra, – siç dhe është parapërmendur, – është pa dyshim një kërkesë e pashmangshme e fuqisë, sundimit dhe urtësisë së Zotit të Lartësuar. Allahu i Lartësuar i ka bërë krijesat me një llojshmëri të atillë që dëshmon për fuqinë, sundimin dhe veprat e Tij të përkryera.[1] Në kushtet dhe gjendjet e ndryshme të kësaj bote bëhet dallimi ndërmjet njerëzve me shpirt të mirë që ngjiten në gradën e melekëve dhe ndërmjet njerëzve me shpirt të keq që bien në nivelin e ulët të shejtanit. Njerëzit e mirë shfaqin mirësinë që kanë në shpirtrat e tyre, kurse njerëzit e këqinj shfaqin ligësinë që kanë në shpirtrat e tyre.
“Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë do të krijoj një khalife“
Në përfundim të këtij kapitulli po sjellim një fragment kuranor që tregon për gjithë sa u përmendën më sipër: “Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë do të krijoj një khalife (Ademin dhe pasardhësit e tij, një lloj krijese që zëvendësojnë njëri-tjetrin brez pas brezi)[2] në tokë”, ata thanë: “A do të vendosësh atje dikë që do të bëjë të këqija e do të derdhë gjak, ndërsa ne të madhërojmë duke shprehur se Ti je pa të meta e duke të bërë lavdi Ty dhe të lartësojmë duke besuar se Ti je i Dëlirë nga gjithçka që nuk të takon”. Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”. Allahu i mësoi Ademit emrat e të gjitha gjërave, pastaj ua paraqiti gjërat melekëve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë. Melekët thatë: “I Dëlirë nga të metat je Ti! Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Vërtet, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” Ai tha: “O Adem, tregoji atyre emrat e këtyre gjërave!” Kur Ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se Unë i di të fshehtat e qiejve dhe të tokës dhe Unë e di çfarë shfaqni dhe çfarë fshihni?!” (Kujto) kur u thamë melekëve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë kafir” [el-Bekare: 30-34].
Allahu përmend nderimin që i bëri Ademit, babait të njerëzisë, dhe pasardhësve të tij me përmendjen e çështjes së tyre te melekët (engjëjt) që para krijimit të tyre. Ai i bëri me dije melekët se do të krijonte e do të vendoste për banim në tokë një lloj krijese që do të zëvendësonin njëri-tjetrin brez pas brezi. Me një informacion të veçantë melekët e mësuan se do kishte pasardhës të Ademit të cilët do të bënin punë të këqija dhe do të derdhnin gjak. Por ata nuk e dinin se cila ishte urtësia e një krijese të tillë që bënte edhe gjynahe; që nuk ishin krejt të mirë dhe që nuk bënin vetëm punë të mira, por do të kishin edhe të këqija ose do të bënin edhe të këqija. Prandaj, e pyetën Zotin e Lartësuar për të mësuar se cila ishte urtësia e ekzistencës së një krijese të tillë. Pyetja që bënë melekët nuk ishte si kundërshtim ndaj Zotit apo si smirë ndaj bijve të Ademit, por thjesht për të kuptuar arsyen e një krijese me natyrë të tillë. Pra, melekët kërkonin të zbulonin urtësinë e krijimit të Ademit dhe pasardhësve të tij. Melekët i përmendën Zotit se, nëse i krijon ata me qëllim që të adhurojnë Ty, ne të madhërojmë, shprehim se Ti je i dëlirë nga të metat, të bëjmë lavdi, të lartësojmë ashtu si të takon Ty, të falemi dhe të adhurojmë, pa kryer diçka të keqe. Allahu iu përgjigj atyre se dinte të mira në këtë lloj krijese që ata nuk i dinin dhe se këto të mira që i dinte Zoti ishin më shumë se të këqijat që përmendën melekët. Madje ka të mira që nuk mund të realizohen pa ekzistencën e kësaj krijese. Disa nga këto të mira:
- Nga njerëzit do të përzgjidheshin të dërguar (profetë), njerëz të çiltër, dëshmorë, njerëz të mirë, dijetarë, adhurues të Allahut, miq e të dashur të Allahut.
- Allahu shfaqi veprimet hyjnore, shenjat dhe mrekullitë e Tij për krijesat.
- U realizuan forma adhurimi për Allahun të cilat nuk do të mund të realizoheshin pa një krijesë të tillë, si: sakrifica dhe mundimi në rrugë të Allahut, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja; thirrja në të vërtetën dhe moralin e mire; luftimi i të pavërtetës dhe moralit të keq; pendimi dhe kërkimi i faljes, lutja etj.
- Të shfaqen nëpërmjet vënies në provë të mirat dhe të këqijat që janë të ngulitura në natyrën e bijve të Ademit.
- Të dallohen miqtë e Allahut nga armiqtë e Tij, grupi i Allahut nga grupi i armiqve të Tij.
- Të shfaqeshin të këqijat që shejtani i kishte në vetvete; që i kishte të ngulitura në karakter.
Pas pyetjes që bënë melekët Allahu deshi t’u tregonte atyre mirësinë e Ademit. Kështu, Zoti i mësoi Ademit emrat e të gjitha gjërave dhe pastaj jua paraqiti melekëve. Melekët madhëruan Allahun duke u shprehur se Ai është i Dëlirë nga të metat dhe veprimet e kota. Ata pohuan se dinin vetëm aq sa u kishte mësuar Zoti, se nuk i dinin të gjitha urtësitë e veprave të Tij, se Zoti i Lartësuar e di çdo gjë dhe se Ai çdo veprim e bën me urtësi. Kur Ademi u tregoi emrat e gjërave, melekët e kuptuan gradën e epërme të Ademit dhe urtësinë e vendosjes së Ademit dhe pasardhësve të tij të banonin në tokë e të zëvendësoheshin brez pas brezi[3].
Leave a Reply