Qëllimi i krijimit të njeriut

Qëllimi i krijimit të njeriut

Çdo njeri që e pranon se ka Zot, duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Përse më krijoi Zoti? Ky Zot që më krijoi, a kërkon diçka prej meje, apo jo? A ka një kuptim jeta ime, apo jo? A duhet të ketë patur një qëllim Zoti kur më krijoi, apo jo?

Kjo pyetje e formuluar me mënyra të ndryshme, ka vetëm një përgjigje: Allahu na krijoi ta adhurojmë të vetëm, pa i bërë shok. Allahu i Lartësuar, thotë: “Xhindët dhe njerëzit, i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë Mua” [Dharijat: 56].

Atëherë, ky ajet kuranor tregon se qëllimi i krijimit të njeriut është adhurimi i Zotit. Allahu pëlqen që të adhurohet i vetëm, prandaj i krijoi xhindët dhe njerëzit.

Qëllimin se përse jemi krijuar, e di Ai që na krijoi. Përderisa ne e pranojmë që jemi krijesa të Zotit, atëherë duhet të pranojmë edhe qëllimin e krijimit që Ai e ka caktuar në ajetin e mësipërm.

Njeriu nuk mund të lihej pa asnjë përgjegjësi ndaj Zotit

Nëse njeriu e pranon që e ka krijuar Zoti, por nuk pranon qëllimin që ka Zoti me krijimin e tij, ky pranim nuk ka asnjë vlerë dhe nuk e shpëton nga përgjegjësia para Zotit. Allahu i Lartësuar, thotë: “A mendon njeriu (që mohon ringjalljen) se do të lihet pa asnjë përgjegjësi (të mos ketë asnjë detyrë ndaj Zotit, të mos ringjallet, të mos merret në llogari e të mos shpërblehet për punët në Ditën e Gjykimit)? A s’ka qenë një pikë fare e derdhur (në mitër), pastaj u bë copë gjaku e mpiksur e më pas Allahu i dha formë njeriu dhe i përsosi pjesët e trupit, e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?! Ai që bëri këto, a nuk ka fuqi që t’i ngjallë të vdekurit?! “El-Kijame: 36-40]

Një njeriu që e pranon se ka Zot, por nuk e pranon se është krijuar për ta adhuruar Atë, mund t’i bëjmë pyetjen: Meqë e pranon se ka një Zot, i cili ka krijuar njeriun, a kërkon diçka ky Zot prej njeriut, apo jo? A ka ndonjë përgjegjësi njeriu ndaj Zotit që e krijoi, apo jo? Nëse përgjigjet se, Zoti nuk kërkon asgjë prej njeriut dhe se njeriu nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj Tij, kjo është kokëfortësi; ky njeri nuk ka aspak vullnet dhe çiltërsi për pohimin e të vërtetës, prandaj mjafton ta paralajmërojmë për zemërimin e Allahut dhe dënimin në Zjarrin e Xhehenemit nëse nuk kthen rrugë, se me një përgjigje të tillë, ky lloj njeriu sikur do të thotë se është në dijeni që ka Zot, por nuk dëshiron t’ia dijë fare për Të! Një njeri i tillë tregon kryeneçësi më të keqe se ai që ngul këmbë se Toka është e sheshtë, apo se 1+1+1=1! Kryeneçësia, mospërfillja dhe mosmirënjohja që tregon ky njeri ndaj Zotit të Lartësuar, është më e rëndë se ajo e një njeriu që thotë për prindërit e tij: e di që këta dy janë prindërit e mi, por nuk dua t’ia di fare për ta, nuk kam asnjë detyrim ndaj tyre dhe nuk ndjej asnjëfarë përgjegjësie ndaj tyre! Ndërsa për indiferentizmin dhe kryelartësinë që tregon ndaj Zotit dhe adhurimit të Tij, ne e paralajmërojmë me ajetet e Kuranit: “Kush është më i padrejtë se ai që, kur i përmenden ajetet e Zotit të tij (shenjat, provat dhe shpalljet e Zotit), nuk ua vë veshin atyre? Vërtetë, Ne do të hakmerremi ndaj kriminelëve” [Es-Sexhde: 22]. “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se Unë jua pranoj lutjet! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”! [El-Gafir: 60].

E nëse e pohon se Zoti kerkon diçka prej njeriut dhe se njeriu ka përgjegjësi para Zotit, atëherë e pyesim: Kush e cakton këtë kërkesë ose këtë përgjegjësi, Zoti që ka krijuar njeriun apo vetë njeriu? Nëse nuk e pranon që e cakton Zoti, ai tregon kryeneçësi njëlloj si i pari, kështu që, mjafton t’i kujtojmë ajetet e mësipërme. E nëse e pranon që e cakton Allahu, atëherë ne e bëjmë me dije se Allahu, sipas ajetit të Kuranit, kërkon nga njeriu ta adhurojë, pa i bërë shok në adhurim. Pra, çdo njeri i çiltër jokryeneç e pohon se Allahu na ka krijuar për ta adhuruar të vetëm, sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër veç këtij.

I urti nuk i kyen veprimet kot

Nëse njeriu do të prodhonte një mjet kot, pa asnjë funksion, pa asnjë qëllim, kjo nuk do të ishte një meritë, ky nuk do të ishte një veprim i lavdërueshëm. Atëherë, si mund të pranohet ideja se Zoti i Lartësuar e krijoi njeriun kot, pa kuptim, se Ai nuk ka një qëllim me krijimin e tij!? Përdersia një njeri i urtë nuk i bën veprimet kot, pa qëllim, atëherë si mund të pranohet se Zoti nuk ka ndonjë qëllim me krijimin e njeriut, apo se ekzistenca e njeriut është një kotësi ose një rastësi!? A nuk mendojnë pak ata që nuk e pranojnë qëllimin e krijimit të njeriut!? Çdo gjë në gjithësi është sistemuar për mrekulli, çdo gjë është në vendin e saj të duhur, çdo gjë ka një funksion, çdo gjë kryen një shërbim, qoftë i njohur apo i panjohur për ne. Atëherë, si mund të pranohet se jeta e njeriut nuk ka asnjë kuptim dhe se ekzistenca e tij nuk paska ndonjë qëllim! Në idenë se ekzistenca e njeriut nuk ka ndonjë qëllim këmbëngul veçse një kokëfortë, pasi një njeri me sadopak dije dhe paanshmëri e kupton se çdo gjë është sistemuar per mrekulli dhe se ka një qëllim.

Gjithçka në Tokë është krijuar për njeriun, ndërsa njeriu është krijuar për Allahun

Allahu i Lartësuar ka bërë të ditur në Kuran se, qiejt e lartë, trupat qiellorë dhe gjithçka në Tokë, është krijuar për njeriun, ndërsa njeriu është krijuar për Allahun. Zoti ka vënë në shërbim të njeriut gjithçka në Tokë dhe rreth saj. Allahu thotë: “A nuk e vëreni se Allahu ka vënë në shërbimin tuaj të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ka përsosur ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të padukshme” [Lukman: 20]? Po kështu, Ai thotë: “Është Ai, që, për ju, ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë”. [Bekare: 29]. Nga ky ajet, del se natyra është krijuar për njeriun dhe jo njeriu për natyrën. Natyra atëherë, shërben për njeriun, ndërsa njeriu është krijuar për të adhuruar Allahun e Lartësuar. Për rrjedhim, natyra duhet të vihet në shërbim të njeriut dhe jo njeriu në shërbim të natyrës. Njeriu duhet të shfrytëzojë natyrën në shërbim të përmbushjes së qëllimit për të cilin është krijuar, e që është ibadeti (adhurimi) i Allahut të Lartësuar.

“A menduat se Ne u krijuam kot dhe se ju nuk do të ktheheni tek Ne”?

Ka njerëz që mendojnë se ekzistenca e njeriut nuk ka ndonjë qëllim, se jeta e tij nuk ka ndonjë kuptim dhe se jeta e njeriut në Tokë është thjeshtë, një rastësi! Ky mendim duket i çuditshëm, por po të dialogosh me ateistët mbi arsyen e ekzistencës së njeriut, ose do t’i bëjnë bisht përgjigjes, ose do të japin një përgjigje të tillë. Zoti i Lartësuar, thotë: “A menduat se Ne u krijuam kot dhe se ju nuk do të ktheheni tek Ne (në Ditën e Gjykimit për llogari dhe shpërblim)? I Lartë është Allahu, Sunduesi i Vërtetë, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Atij, Zot i Fronit të Nderuar” [El-Mu’minune: 115-116]

Përfytyrime të gabuara mbi qëllimin e krijimit të njeriut

Disa mendojnë se ekzistojnë për të ngrënë, për të pirë, për të luajtur, për t’u argëtuar dhe për të bërë qejf. Por këto, nuk mund të jenë arsye të krijimit të njeriut, pasi ushqimi dhe pija, janë thjeshtë mjete jetese. Këto gjëra u shërbejnë njerëzve për të mbajtur veten gjallë, ose për t’u shumuar, ose për të marrë shërbimet e nevojshme, ose për të gjallëruar jetën, domethënë për ta përmbushur sa më mirë qëllimin për të cilin janë krijuar, por, assesi ato, nuk mund të jenë qëllimi i jetës. Allahu e krijoi njeriun në formën më të bukur dhe e pajisi me arsye, duke e ngritur kështu mbi shumë krijesa të tjera, por nëse qëllimi i jetës së njeriut do të ishte thjesht ngrënia, pirja, plotësimi i dëshirave seksuale dhe bërja e qejfeve, atëherë ç’ndryshim do të kishte ai nga kafsha?! Njeriu, një qënie me intelekt, nuk do të kishte epërsi ndaj ekzistencave pa intelekt, nëse niveli i tij mendor do të ishte aq ulët sa të mendonte vetëm për barkun dhe plotësimin e dëshirës seksuale. Në fakt, njerëzit që jetojnë vetëm për të ngrënë dhe për të pirë, duke menduar se ky është qëllimi i jetës së tyre, janë dhe më të ulët se kafsha, sikurse i përshkruan Kurani: “Ne kemi krijuar shumë nga xhindët dhe njerëzit për Xhehenem, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit” [A’raf: 179]. Po ashtu Allahu, thotë: “Ndërsa ata që nuk besojnë, kënaqen dhe hanë siç ha bagëtia, por Zjarri do të jetë vendbanimi i tyre” [Muhamed: 12].

Lumturia është një arritje e madhe, por jo qëllimi i krijimit të njeriut

Disa të tjerë thonë se njeriu është krijuar, ose jeton, për të bërë një jetë të lumtur. Në të vërtetë, lumturia është një arritje e madhe për njeriun, por, përsëri ajo nuk mund të jetë qëllimi i krijimit të tij, sepse në fakt edhe lumturia është thjeshtë një gjendje jetese.

Lumturia reale arrihet veçse me adhurimin e Zotit

Përveç kësaj, njeriu mund të arrijë lumturinë reale, veçse duke përmbushur qëllimin për të cilin është krijuar, pra, duke adhuruar vetëm Zotin e Lartësuar. Allahu i Lartësuar, thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë të kalojë jetë të lumtur në këtë botë dhe do ta shpërblejmë në botën tjetër për veprat e mira që ka bërë” [en Nahl: 97].

Koncepte të gabuara mbi lumturinë reale të njeriut

Lumturia nuk është, siç mendojnë disa njerëz, diçka që shitet e blihet apo një përjetim material që zgjat vetëm pak momente. Jeta e lumtur, pa shqetësime e hidhërime është kërkesa e të gjithë njerëzve, por shumica e kanë të gabuar rrugën e saj. Gabohen ata që mendojnë se lumturia qëndron tek pasuria, fama, pushteti apo sasia dhe cilësia e ushqimeve, pijeve dhe kënaqësive që konsumon njeriu. Të gjithë ata që mendojnë kështu, kur arrijnë diçka të tillë dhe përsëri nuk gjejnë lumturi, mbeten të zhgënjyer. Nuk janë të paktë njerëzit e pushtetit, të famës dhe të pasurisë që kanë përfunduar në vetëvrasje, si pasojë e zhgënjimit, zbrazëtisë dhe mjerimit shpirtëror. Madje, statistikat tregojnë se numri më madh i vetëvrasjeve është në vendet ku ka më shumë mirëqënie! Vende të zhvilluara, si, Skandinavia dhe Japonia, kanë numrin më të lartë të vetëvrasjeve në botë, ndërsa Turqia ka numrin më të ulët të vetëvrasjeve në botë. Një grup studimor japonez, shkojnë në Turqi për të parë nga afër, se cilat ishin shkaqet që ky vend kishte numrin më të ulët të vetëvrasjeve. Turqit u thane, se dy ishin shkaqet që i mbronin njerëzit nga ky përfundim i keq: Besimi tek Zoti dhe familja.

Lumturinë shpirtrave ua jep vetëm Zoti

Thelbi është se zemra e njeriut (në aspektin shpirtëror) është krijuar për të adhuruar vetëm Zotin. Kur zemra (shpirti) adhuron Zotin dhe ka dashuri për Të, ajo është në funksionin e duhur dhe kështu do të gjejë lumturinë, ndërsa kur nuk adhuron Zotin, ajo nuk është në funksionin për të cilin është krijuar, kështu që, domosdo do të prishet e do të privohet nga lumturia. Zemra, jo në funksionin e duhur, është si ora e dorës që përdoret për çekan! Sekreti qëndron në faktin se zemrat dhe shpirtrat janë në dorë të Allahut dhe lumturinë zemrave ua jep veç Ai. Nëse Allahu të jep lumturi shpirtërore, nuk ka kush që mund të të privojë prej saj, e nëse Ai të privon nga lumturia shpirtërore, nuk bëhesh dot i lumtur, çfarëdo mundësie materiale të kesh dhe kushdo të të ndihmojë. Shumë njerëz vuajnë nga streset, shqetësimet shpirtërore dhe sëmundjet psikike, për shkak se kanë lënë dhikrin (përmendjen e Allahut); këta njerëz lënë dhikrin e Allahut, që është ilaçi më i mirë për problemet e tyre dhe u drejtohen klinikave të psikiatrisë! Allahu thotë: “Vërtetë, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” [Er-Ra’d: 28].

Ka varfëri dhe në shpirt!

I Dërguari i Allahut, ka sqaruar në një hadith, se nuk quhet i pasur ai që ka shumë para, mall e të mira materiale, por ai që ka kënaqësi në zemër e që nuk ndjen varfëri në shpirt (Ahmedi). Një njeri që mendon se lumturinë ia jep pushteti, fama apo pasuria, sa herë që arrin një nivel a një pozitë, vëren se ka nivele dhe pozita më të larta, vëren se ka njerëz që kanë arritur më lart, kështu që shpirti i tij mbetet i varfër dhe në nevojë deri në vdekje, ose derisa të heqë dorë nga ky lloj koncepti për jetën dhe për lumturinë. Pejgamberi ynë ka bërë të qartë në një hadith se, sikur njeriu të kishte një luginë me ar do të dëshironte t’i bënte dy, e sikur të kishte dy lugina me ar, do të dëshironte t’i bënte tre…dhe më në fund ka për t’ia mbushur gojën veçse dheu! Pasuria, fama, pushteti apo çfarëdo e mire material, është thjeshtë një mjet që mund ta çojë njeriun tek lumturia, nëse e shfrytëzon për ta bërë sa më mirë adhurimin ndaj Zotit, ndërsa nëse i shfrytëzon ato në kundërshtim me ligjet e Zotit, apo duke i parë si qëllimi i jetës, ato do ta çojnë domosdo në mjerimin shpirtëror të kësaj bote dhe në vuajtjen shpirtërore e fizike të botës tjetër. Allahu i Lartësuar, thotë: “Kush do të pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim dhe kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar (në këtë botë) dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër” [Taha: 123-124].

A mjafton vetëm thënia, “unë e dua Zotin” pa bërë vepra?

Kur u kujtojmë njerëzve qëllimin për të cilin i krijoi Allahu dhe detyrën që u ka ngarkuar, disa thonë: “Unë e dua Zotin. Unë kam besim të madh te Zoti”, por, nga ana tjetër, nuk tregojnë interes për të kryer adhurimet që Zoti na i ka bërë detyrë. Vallë, a është kjo një dashuri e çiltër për Allahun? A do të mjaftonte kaq për të fituar kënaqësinë e Allahut, për të shpëtuar nga zjarri i Xhehenemit dhe për t’u bërë banor i Xhenetit? Kjo, në fakt, nuk është dashuri e vërtetë për Allahun, sepse nëse njeriu ka dashuri të vërtetë për Allahun, ai i bindet Atij. Është e pamundur që të kesh dashuri të çiltër për dikë dhe nga ana tjetër, të mos e respektosh atë, të mos tregosh aspak interes për të zbatuar porositë e tij e për të bërë ato që pëlqen ai. Një fjalë e mençur, thotë: “Kush të do, të respekton.” Atëherë, nëse e do Allahun, i Cili të ka bërë të gjitha mirësitë dhe ka krijuar për ty gjithçka në Tokë, respektoje Atë, zbato urdhërat e Tij. Allahu i , thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet.” [Ali Imran: 31]. Kështu, pretendimi se e do Zotin, pa treguar respekt për Të, është një dashuri e gënjeshtërt, që nuk të vlen asgjë tek Ai.

“Më mjafton të mos bëj keq”!

Disa të tjerë thonë se, e dimë që na ka krijuar Zoti, e dimë që të gjithë të mirat na i ka bërë Ai dhe se të gjitha punët janë në dorë të Tij, por na mjafton të mos bëjmë keq, të sillemi mirë me të tjerët etj,etj. Por, a mjafton të sillesh mirë me njerëzit dhe të mos bësh keq, për të fituar kënaqësinë e Zotit dhe për të shpëtuar nga dënimi i Tij? Njerëzit që shprehin këto fjalë dhe që në vendin tonë nuk janë të paktë, kanë rënë viktimë e idesë se feja shërben vetëm për të përmirësuar sjelljen e njerëzve dhe kështu, nëse nuk u bën keq njerëzve, je në rregull me Zotin. Nuk ka dyshim që feja Islame rregullon marrëdhëniet mes njerëzve, që ajo i ndalon nga keqbërja dhe i nxit të përmirësojnë sjelljen, por mësimet e kësaj feje nuk mbarojnë me kaq. Islami synon të rregullojë edhe lidhjen e njeriut me Zotin, edhe lidhjet e njerëzve me njëri-tjetrin. Atëherë, po e zëmë se dikush sillet mirë me njerëzit, por po lidhjen me Zotin si duhet ta ruajë? Feja Islame na mëson se njeriu ka detyra ndaj Zotit dhe ka edhe detyra ndaj njerëzve. Detyra që kemi ndaj Zotit është që ta adhurojmë, kurse detyra që kemi ndaj njerëzve është që të sillemi mirë me ta dhe të respektojmë të drejtat e tyre. Mirësjellja me njerëzit, që në fakt është një detyrë karshi tyre, nuk mjafton për të plotësuar detyrën që ke ndaj Zotit të Lartësuar. Përveç që rregullim i sjelljes me njerëzit dhe respektimi i të drejtave të tyre është fryt i rregullimit të lidhjes me Allahun. Kështu që, një njeri që nuk është në rregull me Allahun, nuk ka për të qenë në rregull dhe me njerëzit, pasi kryerja e ibadeteve dhe frika prej Allahut, e ndihmon njeriun të sillet mirë me njerëzit dhe të respektojë të drejtat e tyre.

Ndonëse shumë njerëz shprehen se sillen mirë me të tjerët, realiteti është ndryshe. Shumica e njerëzve shkelin të drejtat e të tjerëve dhe kanë problem me sjelljen, çka në fakt, vjen si pasojë e mosbesimit në Ditën e Gjykimit dhe mosadhurimit të Allahut të Lartësuar. Njerëzit që shprehen kështu, janë si shembulli i një punëtori që ngarkohet nga shefi i tij për të kryer një detyrë dhe i thotë, se mua më mjafton të sillem mirë me kolegët dhe nuk kam përse ta kryej detyrën! A mendon se ky punëtor është në rregull me shefin e tij dhe se meriton të shpërblehet, edhe pse nuk e kryen detyrën?

“Përse jeton?”

Nëse do t’i bësh ateistit pyetjen “Përse jeton?”, ai do të përgjigjet me njërin nga pretendimet e mësipërme, ose do të thotë se nuk e di pse jetoj, ose do t’i shmanget pyetjes. Ka dhe njerëz që pohojnë se, kemi ardhur në ekzistencë, thjeshtë për të shtyrë radhën! Allahu thotë në Kuran: “Ata thonë: “Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron”. Ata nuk kanë asnjë lloj dije për këtë, por vetëm hamendësojnë ashtu” [Xhathije: 24].

Ja kush e di pse jeton

Ndërsa besimtarët muslimanë e njohin Zotin, fenë e Tij, të Dërguarin e Tij, Ditën e Gjykimit, Xhenetin dhe Xhehenemin, arsyet, urtësitë dhe qëllimin e krijimit, prandaj ata thonë, siç përmend Allahu në Kuran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe Tokës dhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, ka shenja për ata që kanë mend, të cilët e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë në një anë dhe që mendojnë thellë për krijimin e qiejve dhe Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – I Dëlirë, je, Ti nga të metat, kotësia dhe gjithçka që ta vënë për shok! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i Zjarrit!” [Ali Imran: 190-191].


Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *