Si shpjegohet ekzistenca e të keqes?

Si shpjegohet ekzistenca e të keqes?

Së pari, çdo gjë që ju ndodh krijesave, qoftë e mirë apo e keqe, mirësi apo fatkeqësi, është caktuar nga Allahu. Nuk ka gjë që Allahu nuk e ka paracaktuar. Profeti ynë (s.a.u.s.), e përkufizon besimin me këto fjalë: “Të besosh Allahun, në melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh se Allahu e ka paracaktuar çdo gjë; çdo e mirë dhe çdo e keqe që ndodh është paracaktuar” (Muslimi).

Së dyti, e keqja nuk është atribut i Zotit. Asnjë atribut apo veprim i Zotit nuk është i keq. Veprimet e Zotit janë të gjithë të mirë. E mira i përket Zotit; ajo është në duart e Tij dhe vjen vetëm prej Tij.

Pejgamberi (s.a.u.s.), duke iu lutur Allahut, thoshte: “E gjithë e mira është në duart e Tua, ndërsa e keqja nuk të përket Ty!” (Muslimi).

Zoti i Madhërishëm thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i të gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti Lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë” [Ali Imran: 26].

Ky ajet tregon se Allahu i Lartësuar ka pushtet të plotë mbi gjithësinë dhe se Ai ka fuqi të plotë për të bërë çdo gjë. Ajeti, gjithashtu, tregon se të gjitha veprimet që ushtron Allahu në gjithësi janë të mira. Edhe pse u bien të këqija disa krijesave që, për shembull, largohen nga pushteti ose poshtërohen, prapëseprapë veprimet që ushtron Allahu i Lartësuar ndaj tyre janë të mirë. Veprimet që bën Allahu në krijesat e Tij janë ose mirësi ose drejtësi ndaj tyre. Kështu, të gjithë veprimet e Allahut janë të mirë dhe të lavdërueshëm. Allahu i Lartësuar është i drejtë dhe i Lavdishëm. Ai ka atribute të plota. Ai nuk ka të meta dhe as të këqija. Ai nuk bën aspak padrejtësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt” [El Kehf: 49].

Ibn Kajimi thotë: “Veprimet e Allahut janë urtësi, mëshirë, në dobi të krijesave, mirëbërje, drejtësi. Është e pamundur që e keqja t’i përkasë Allahut apo të lidhet me Të, për vetë faktin se nuk ka të keqe në ekzistencë veç mëkateve dhe dënimeve të tyre. Mëkatet janë të tilla sepse rrjedhin nga vetë njeriu. Shkaktari i mëkatit është padrejtësia dhe padituria, që janë tipare të karakterit të njeriut. Njeriu ka nefs që shtyhet dhe tundohet për padrejtësi dhe padituri. Nga ana tjetër, njeriu e arrin diturinë dhe drejtësinë që ka veçse me mirësinë e Allahut, pra, është diçka që i vjen nga jashtë dhe jo nga nefsi (vetvetja).”[1]

Nëse njerëzve iu bien të këqija, duhet të dinë se u kanë rënë për shkak të gjynaheve të tyre, sepse Allahu i Lartësuar nuk u bën padrejtësi. Allahu thotë: ” Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, prej Allahut është, kurse e keqja që të bie, është prej vetes sate” [En Nisa: 79]. Pejgamberi ynë thotë: “Kush gjen ndonjë të mirë, le t’i bëjë lavdi Allahut, (sepse të mirën e ka prej Tij), e kush gjen diçka tjetër, le të fajësojë veçse vetveten, (sepe e keqja i ka rënë si pasojë e mëkateve të veta)” (Muslimi).

Por kur njeriu vuan apo i bie diçka e keqe, nuk duhet të mendojë keq për Allahun e Lartësuar, sepse vuajtja apo fatkeqësia mund të jetë në të mirën e këtij njeriu, si për jetën e kësaj bote edhe për botën tjetër, siç është sqaruar dhe më përpara. Kur njeriu i vuan pasojat e gjynaheve në këtë botë, në mënyrë që të mos i vuaj ato në botën tjetër, kjo është në të mirën e tij, pasi dënimi i botës tjetër është shumë më i rëndë sesa vuajtjet e kësaj bote. Kryesisht sprovat dhe vuajtjet e kësaj bote vijnë si pasojë e gjynaheve, por mund të vijnë edhe për ngritje grade tek Allahu i Lartësuar.

Allahu i Lartësuar e vendos çdo gjë në vendin e duhur. Ndërsa padrejtësi quhet diçka që vendoset jo në vendin e duhur. Përderisa Allahu e vendos gjithçka në vendin e duhur, veprimi i Tij kurrësesi nuk mund të jetë i padrejtë apo i keq. Allahu mund të dënojë vetëm atë që meriton dënim[2]. Pra, edhe dënimin Ai e vendos në vendin e duhur. Kështu, dënimi që jep Allahu i Lartësuar kurrsesi nuk mund të quhet padrejtësi.

Emrat e bukur e kuptimplotë të Zotit të Lartësuar, gjithashtu, tregojnë se Ai është i dëlirë nga të metat, mangësitë, e keqja dhe padrejtësia. Një nga e emrat e bukur të Allahut është El Kuddus (i Shenjtë). Ky emër ka kuptimin që Allahu është i pastër nga çdo gjë që nuk i përshtatet madhërisë së Tij, pra, Ai është i pastër nga e keqja, padrejtësia, të metat dhe mangësitë.

Një emër tjetër është Es Subbuh (i Dëlirë). Ky emër tregon se Allahu i Lartësuar është i dëlirë nga të metat, mangësitë, të këqijat dhe padrejtësia. Po kështu edhe emri Es Selam (Paqedhënësi, i Patëmeti) do të thotë se i Madhi Zot nuk ka asnjë të metë dhe se krijesat nuk i gjen padrejtësi prej Tij.

Disa emra të tjerë të Allahut janë: “el Kebir (i Madhi), el Mutekebbir (më i Larti), el Alijj (i Lartësuari). Këto emra tregojnë se Allahut i takon lartësia absolute, madhështia absolute dhe lartësimi absolut. Nga kuptimi i bukur e i përkryer i këtyre emrave rrjedh se Allahut nuk mund t’i përkasë asnjë e metë apo e keqe dhe se Ai nuk bën asnjë padrejtësi.

Një nga emrat e Allahut është dhe emri “el Hamid (i Lavdishmi)”. E gjithë lavdia i përket Allahut. Ai është Lavdiplotë. Lavdia e plotë tregon se Atij nuk i përket asnjë e keqe, padrejtësi apo mangësi. Po sikur të kishte ndonjë të keqe, të metë apo të bëntë ndonjë padrejtësi, Ai nuk do të ishte Lavdiplotë.

Shprehja “Subhanallah” është një nga format më të mira të përmendjes së Allahut (dhikrit). Kjo shprehje do të thotë: ‘larg të metave dhe të këqijave është Allahu!’ Një tjetër dhikër është shprehja “Elhamdulilah”, që do thotë: “E gjithë lavdia i takon Allahut”.

Më lart u përmend se melekët i thanë Allahut: “A do të vendosësh atje dikë që do të bëjë të këqija e do të derdhë gjak, ndërsa ne të madhërojmë duke shprehur se Ti je pa të meta e duke të bërë lavdi Ty dhe të lartësojmë duke besuar se Ti je i Dëlirë nga gjithçka që nuk të takon”.

Së treti, e keqja gjendet veçse te krijesat. Ajo është atribut i disa krijesave dhe assesi nuk i përket Krijuesit. Ajo iu përket vetëm krijesave. Krijesat ndahen në të mira dhe të këqija. Melekët, për shembull, janë të mirë, kanë karakter të mirë dhe veprojnë e nxisin vetëm të mirën. Shejtani dhe pasuesit e tij janë të këqinj, kanë karakter të keq dhe veprojnë e nxisin vetëm të keqen. Ndërsa njerëzit ndahen në të mirë dhe të këqinj. Njeriu mund të bëjë mirë dhe keq, mund të ketë karakter të mirë dhe të keq. Në të mira dhe të këqija ndahen gjithashtu dhe bindjet, idetë, dëshirat, punët, sjellja dhe morali. Për më tej, ka gjëra të dobishme ka dhe të dëmshme; ka gjendje të mirë ka dhe gjendje të vështirë etj. Në hadithin e lartpërmendur, duke treguar se e keqja assesi nuk është atribut i Allahut dhe nuk i përket Atij, Pejgamberi (a.s.) thotë: ” …ndërsa e keqja nuk të përket Ty!” (Muslimi).

Së katërti, paracaktimi dhe krijimi që kryen Allahu është i tëri i mirë, me urtësi të larta e të arrira dhe me qëllime të lavdërueshme, ndërsa e keqja gjendet në disa nga gjërat e paracaktuara dhe të krijuara nga Allahu i Lartësuar. Pra, e keqja i përket krijesave dhe jo veprimit të krijimit të kryer nga Allahu. Si të këqija mund të cilësohen gjërat e paracaktuara, por jo vetë paracaktimi i kryer nga Allahu i Lartësuar. Fjala vjen, shejtani është një nga krijesat e Zotit. Dihet që krijesat vijnë në ekzistencë si pasojë e veprimi të krijimit të kryer nga Zoti i Lartësuar. E keqja i përket kësaj krijese dhe jo Krijuesit dhe as veprimit të krijimit të kryer prej Tij, sepse Ai (Krijuesi) i kryen veprimet me urtësi të larta dhe për qëllime të lavdërueshme, siç do të sqaroj dhe në pikën që vijon. Për shembull, të mirat që do të realizoheshin nëpërmjet krijmit të shejtanit janë shumë më tepër sesa e keqja që ka ai në vetvete dhe sesa besimet, idetë, punët dhe sjelljet e këqija që ai nxit. Për ta kuptuar më mirë këtë çështje po përmend disa shembuj me veprimet që vërejmë te njerëzit:

  • Mjeshtri i mirë e merr dërrasën e shtrembër ose gurin e thyer ose tullën e mangët dhe e vendos në vendin e duhur. Veprimi që kryen mjeshtri është i drejtë dhe i lavdërueshëm, edhe pse këto sende kanë mangësi.
  • Kur dikush e vendos kësulën në kokë, parfumin në fytyrë, këpucën në këmbë dhe plehrat në kazanin e plehrave, gjithçka e ka vënë në vendin e duhur. Veprimet e tij janë të drejta. Ky njeri nuk i ka bërë padrejtësi këpucës dhe as plehrave, sepse secilën e ka vënë në vendin e duhur.

Ne e kuptojmë qartë se veprimet e njeriut në këto shëmbuj janë të drejtë; nuk ka vend për të sharë. Atëherë, duhet ta kemi edhe më të qartë se fakti që ka krijesa të këqija apo krijesa që kanë të këqija e të meta nuk do të thotë se veprimet e Zotit të Lartësuar ndaj tyre janë të padrejta apo të këqija; përkundrazi, veprimet e Krijuesit janë të drejta dhe të lavdërueshme.

Së pesti, Zoti i Lartësuar çdo veprim e bën me urtësi dhe për qëllime të lavdërueshme. Ai çdo gjë e vë në vendin e duhur. Ai e krijon çdo gjë me urtësi dhe për qëllime të larta e të lavdërueshme. Gjërat që krijon Allahu: ose janë të mira, ose janë në vetvete të këqija, por nëpërmjet tyre realizohen të mira të cilat nuk mund të realizoheshin pa to. Kështu, Allahu e krijon diçka: ose sepse ajo është e mirë dhe e pëlqyeshme, ose sepse nëpërmjet saj arrihen gjëra të mira të cilat Ai i pëlqen. Edhe krijesat që në vetvete janë të këqija apo që nxisin të këqija, gjërat e këqija, gjërat që shkaktojnë dëme; gjendja e rëndë apo e mjerueshme; të gjitha këto janë krijuar me urtësi të larta dhe për qëllime të lavdërueshme; nëpërmjet këtyre realizohen gjëra të mira të cilat i pëlqen Allahu i Lartësuar. Për ta kuptuar më mirë këtë çështje po jap disa shembuj me njeriun:

  • Kur mjeku i pret këmbën e gangrenizuar një të sëmuri, për të shpëtuar jetën e tij. Në këtë rast, prerja e këmbës në vetvete është diçka e keqe për të sëmurin, por përmes saj realizohet diçka e mirë dhe e pëlqyeshme, që është shpëtimi i jetës së të sëmurit. Në këtë rast, veprimi i mjekut nuk mund të cilësohet si i keq. Mjeku dhe i sëmuri nuk e pëlqejnë prerjen e këmbës, por një operacion i tillë kryhet, sepse nëpërmjet tij realizohet një e mirë e madhe, që është shpëtimi i jetës.
  • Njeriu përdor ilaçet që janë të hidhura e që nuk i pëlqen, për të ruajtur shëndetin ose për t’u shëruar nga sëmundja. Ruajtja e shëndetit dhe shërimi prej sëmundjes janë gjëra të mira e të pëlqyeshme.
  • Njeriu bën punë të rënda e të vështira, bën udhëtime të gjata, ndërmerr nisma të mundimshme, lodhet, jep mund dhe sakrifikon për të arritur një pozitë të lavdishme, ose për një sukses më të madh, ose për rezultate më të mira etj.

Përderisa arrijmë ta kuptojmë diçka të tillë për veprimet që kryen njeriu, atëherë si të mos e pranojmë për veprimet e Krijuesit, i Cili çdo veprim e kryen me urtësi, qoftë dhe kur veprimi ka pasoja të këqija për disa krijesa.

Së gjashti, në gjithësi, në ekzistencë, nuk ka të keqe absolute e të gjithanshme. Përkundrazi, e keqja që gjendet te disa krijesa është e pjesshme dhe relative. Fjala vjen:

  • Rrezet e diellit, energjia, lëndët djegëse, reshjet e shiut, ujërat, erat, të ftohtit, të nxehtit dhe kafshët. Kryesisht, këto gjëra janë në dobi të njeriut. Të mirat që sjellin ato për njerëzit janë më shumë se dëmet. Të këqijat që sjellin këto gjëra si: djegia, përmbytja, sëmundja etj., janë shumë më pak se të mirat. Këto të këqija prekin vetëm pak krijesa. Megjithëkëtë, nga njëra anë djegia, përmbytja, sëmundja etj., janë të këqija, kurse nga ana tjetër janë të mira, sepse Allahu i Lartësuar i ka caktuar për qëllime të mira. Këto dëme që ndodhin e kanë anën e të mirave, edhe pse shumë njerëz nuk e dinë atë. Po përmend vetëm shembullin e helmit të gjarprit. Kur njeriun e kafshon gjarpri, ka dhembje, dhe kjo është diçka e keqe. Por helmi i gjarprit mund t’i kurojë ndonjë sëmundje në trup. Dihet që helmi i gjarprit përdoret për kurimin e disa sëmundjeve. Këtë e përmenda si shembull për të kuptuar se edhe gjërat e dëmshme apo të këqija, po t’i shohim nga një anë tjetër, do të vërejmë se nëpërmjet tyre realizohen gjëra të mira.
  • Zbatimi i dënimit penal është i dhembshëm për fajtorin. Në këtë aspekt, dënimi penal është i dëmshëm për fajtorin. Porse dënimi penal ka një aspekt tjetër që është në dobi të vetë fajtorit, pasi kështu ai edukohet, pastrohet nga gjynahu, dhe shpëton nga dënimi në botën tjetër. Përveç kësaj, zbatimi i dënimeve penale është në të mirën e njerëzve të tjerë, sepse është mësim për ta.
  • Thatësira dhe varfëria nga njëra anë janë të këqija, sepse njerëzit vuajnë prej tyre, por nga ana tjetër ato sjellin të mira për njerëzit, sepse i nxisin të pendohen, të heqin dorë nga gjynahet, të kthehen tek Allahu me nënshtrim e respekt, të shfaqin shpirtmirësinë dhe fisnikërinë. Ato, gjithashtu, u kujtojnë njerëzve mirësinë e pasurisë dhe të reshjeve të shiut.

Kështu, në lidhje me të mirën dhe të keqen, krijesat që gjenden në gjithësi mund t’i ndajmë në tri kategori:

Kategoria e parë: Krijesat që janë krejt të mira, siç janë melekët.

Kategoria e dytë: Krijesa që kanë më shumë të mira e dobi sesa të këqija e dëme, si: rrezet e diellit dhe reshjet e shiut. Rrezet e diellit dhe reshjet e shiut kanë dobi të mëdha dhe janë të domosdoshme për jetën në tokë, por ato shkaktojnë dhe pak dëme e të këqija.

Kategoria e tretë: Krijesa që në vetvete janë të këqija, si shejtani, por të mirat që realizohen nëpërmjet krijesave të kësaj kategorie janë më shumë sesa të këqijat që kanë në vetvete apo që u shkaktojnë krijesave të tjera. Pra, edhe krijesat e këtij lloji, po të vihen në peshoren e anëve të mira që realizohen nëpërmjet tyre dhe të këqijave që kanë apo shkaktojnë, do të dalë se të mirat që realizohen përmes tyre janë më shumë se të këqijat që kanë apo shkaktojnë. Në gjithësi nuk ka krijesa që janë krejt të këqija (nga të gjitha aspektet) apo që kanë më shumë të këqija sesa të mirat që realizohen nëpërmjet tyre.

  1. Shih: Tarikul Hixhretejni (1/94).
  2. E theksoj përsëri se sprovat që i bien njeriut nuk është e thënë që të jenë dënim ndaj tij. Mjafton të kuptojmë faktin që sprovat për besimtarin durimtar kanë përfundim të mirë e të lavdishëm për të në këtë botë dhe në botën tjetër. Kështu që sprova për të shndërrohet në mirësi. Vuajtja në vetvete nuk duhet të shihet si dënim, por si një provë për karakterin dhe sjelljen e njeriut: nëse sillet si besimtar durimtar, ajo sjell mirësi për të e nëse e humb durimin, mund të bëhet shkak për dënimin e tij.

Posted

in

by

Tags:

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *