Kritikë ndaj shkrimit të h. Vehbi Dibrës mbi besimin sufist të ‘dritës muhamedane’

Ka intelektualë që lavdërojnë pa rerzeva h. Vehbi Dibrën, Allahu e mëshiroftë, dhe veprën e tij, duke mos e ditur drejtimin e tij në çështjet e besimit ose duke mos i kushtuar fare rëndësi besimit të drejtë. Për këta intelektualë, mjafton që ai ka qenë një figurë publike, për të thurur lavdrata për të. Zakonisht, këta intelektualë nuk e quajnë me rëndësi ndjekjen e besimit të pastër të Profetit a.s. dhe shokëve të tij dhe as pastrimin e ymetit nga format e shirkut dhe devijimet që futën sektet e shiizmit dhe të sufizmit mes muslimanëve. E habtishme është se, nga njëra anë, shpifin se dijetarët e ehli sunetit dhe thirrësit në teuhid e në sunet nuk thërrasin për zbatimin e ligjeve të Zotit në të gjitha çështjet e jetës, dhe nga ana tjetër, lavdërojnë njerëz që kanë pasur devijime në besim, devijime këto që u bënë shkak për largimin e njerëzve, ndër të tjera, edhe nga zbatimi i islamit të pastër e gjithpërfshirës në të gjitha aspektet e jetës. I lavdërojnë disa titullarë fetarë për pjesmarrjen në proçese që hapën rrugën për vendosjen e sistemit laik dhe, nga ana tjetër, shajnë dijetarët e sunetit që kanë thirrë apo vazhdojnë të thërrasin për rimëkëmbjen e ymetit, për kthimin e njerëzve te parimet, ligjet dhe rregullat e fesë islame në çështje e fesë dhe të kësaj botë, si dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet dhe problemet sipas udhëzimeve të shpalljes së Allahut të Lartësuar. Përderisa i lavdërojnë titullarët fetarë që morën pjesë në proçese të cilat në mjaft aspekte bien ndesh me besimin dhe ligjet e fesë tonë të pastër, atëherë rrjedhimisht këta pseudointelektualë duhet të vlerësojnë dhe të gjithë ata titullarë fetarë e publikë që në kohën tonë në vende të ndryshme të botës po marrin pjesë në proçese publike që përbëjnë devijim nga besimi i pastër islam. Nuk janë të paktë titullarët fetarë të devijuar që u përkasin drejtimeve të këqija dhe që marrin pjesë në gjëra publike që prekin çështjet e fesë dhe të jetës. Të tilla dalin qëndrimet e atyre që tashmë nuk mbështeten më në Kuran, Sunet dhe motodën e selefëve në të kuptuar, ashtu si më përpara, por në interpretimet e lloj-lloj intelektualësh arabë e joarabë. Të tilla janë qëndrimet e atyre që kanë si kriter të qenët publik dhe pjesmarrës në gjëra politike, pa shqyrtuar mirë nëse janë në përputhje me besimin dhe ligjet e Islamit apo jo. Sëmundjen që kanë vetë po përpiqen t’ua hedhin pasueve të sunetit. Këta pseudointelektualë shpifin se dijetarët nuk i njohin idhujt dhe format e shirkut modern apo të kohës, kur vetë nuk i njohin llojet e shirkut dhe as nuk bëjnë përpjekje për pastrimin e njerëzve nga format e shirkut. Nuk mungojnë as përpjekjet e tyre dizinformuese e shfytyruese për rrëzimin e thirrësve në teuhid e në sunet. Në shumë vende të botës këta lloj intelektualësh që nuk kanë dituri në fe dhe as nuk mësojnë nga dijetarët e sunetit kanë shkaktuar mjaft paqartësira te njerëzit e paditur mbi metodën e Profetit tonë në thirrje. Ngjashëm me këta është edhe qëndrimi i atyre që kaluan në tekfirin ekstrem, duke pretenduar se dijetarët e ehlu sunetit nuk i njohin format e shirkut modern bashkëkohor që kanë të bëjnë me sistemet politike. E përbashkëta e këtyre qëndrimeve është se ato burojnë nga intelektualë të paditur, kryesisht arabë, që u përkasin metodologjive të gabuara të cilat kanë shkaktuar probleme dhe dështime në shumë vende.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kjo është udha Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera, se ato ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai, që të bëheni të devotshëm (që t’i ruheni dënimit të Allahut të Lartësuar)” (El-En’am, 153).

Kështu, në vazhdim do të kemi një kritikë, që të mos mashtrohen muslimanët e pastër nga kjo lloj demagogjie që është larg rrugës së Profetit a.s. dhe shokëve të tij në thirrje.

Në vitin 1933 është botuar një numër i revistës ‘Zani i Naltë’ posaçërisht me rastin e Mevludit (ditëlindjes) të Pejgamberit tonë (s.a.u.s.). H. Vehbi Dibra, Allahu e mëshiroftë, ka shkruar artikullin e parë të këtij botimi me titullin “Kush ka Lindur Sod?” Këtu në këtë kritikë po i referohem atij botimi të vjetër të cilin e kam të ruajtur në bibliotekën e tim ati.

Në këtë artikull h. Vehbiu përmend hadithin e trilluar “Gjëja e parë që ka krijuar Allahu është mendja”. [Shih: Ibn El Xheuzi, el Meuduat (1/174); Es Sagani, el Meuduat (1/35); Dhehebiu, Telkhisu kitabil meuduat, (1/40); Ibn Kudame, el Muntekhab min ilelil Khalal (1/87).]

H. Vehbiu ka përmendur edhe hadithin tjetër të trilluar: “Gjëja e parë që ka krijuar Allahu është drita e Profetit tënd prej dritës së Vet, o Xhabir”. Edhe ky është një hadith i trilluar dhe i pavlerë. Bie në kundërshtim me disa argumente të vërteta që tregojnë mbi zanafillën e krijesave. Nuk gjendet në asnjërin nga burimet e hadithit të Profetit (s.a.u.s.). I pari që ka shfaqur këtë hadith është Ibn Arabiu (vq. 638 h.), i cili e ka trilluar vetë ose ndonjë sufi tjetër batinij (hipokrit), që ka të njëjtin besim me të. Kështu, pas kohës së Ibn Arabiut filloi përdorimi i këtij hadithi të trilluar në disa libra të sufizmit dhe siras, ndërsa më përpara nuk njihej. Disa dijetarë të shekullit të dhjetë dhe dymbëdhjetë të hixhretit e kanë përmendur këtë hadith pa sened, por gabimisht kanë pohuar që e ka sjellë AbduRrezaku. Në fakt, ky hadithi nuk gjendet në Musannaf të AbduRrezakut dhe në asnjë libër tjetër të tij. Atë nuk e ka sjellë askush nga dijetarët që kanë transmetuar nga AbduRrezaku, si Ahmedi dhe të tjerë. Sujuti ka deklaruar që ky është një hadith pa sened dhe i pavërtetë. Do ta sqaroj më pas që ky besim e ka origjinën nga shiitët. Për më gjerë shih librin “Tenbihul hudhak fq. 9, dhe librin “Mexhmu fi keshfi hakikatil xhuzil mefkud” fq. 99-102.

H. Vehbiu i ka sjellë këto që i quan ‘hadithi sherifë” për të vërtetuar idenë se drita e Profetit Muhamed (s.a.u.s.) është krijesa e parë! Ai ka sjellë edhe hadithin e saktë: “Ma e para gja qi krijoi Perëndija asht kalemi (pena)”. Duke shpjeguar këto hadithe, ai thotë: “Mendja, drita dhe kalemi që përmenden në këta hadithe në esancë janë nji dhe përfaqsojnë “Shpirtin e Naltë të Pejgamberit Alejhisselam”, por konsiderohen ndryshe.”

Në fakt, interpretimi i ‘kalem-it’ me kuptimin ‘drita e Muhamedit s.a.u.s.’ është i pasaktë. Nuk kam gjetur asnjë dijetar, që ka shpjeguar hadithe, të bëj një interpretim të tillë. Ky interpretim duhet ta ketë burimin te sufizmi. Hadithi qartësisht bën fjalë për kalem-in që Allahu i Lartësuar, mbasi e krijoi, i dha urdhër të shkruante në Leuhi Mahfudh të gjitha ato që do të ndodhnin deri në Ditën e Kiametit.

Në këtë kapitull, h. Vehbiu duke bërë lëvdata për të Dërguarin tonë (s.a.u.s.) ka përmendur edhe disa koncepte të sufizmit që do t’i përmend më pas mbi atë që ata e quajnë ‘Drita apo e Vërteta Muhammedane’. Më poshtë po shkëpus disa nga shprehjet e tij në këtë shkrim:

“…natën e bekueme, në të cilën lindi llampa e korentit të dritës së msheftësinave të Unitetit t’Amshuëm…” (shih fq. 663)

“…asht jashta fuqis njerëzore me veshë me fjalë të “Vërtetën Muhamedane” “hakikati zatijje-i Muhammedijje”…” (shih fq. 664)

“… Zotnija e Tij asht “pema hyjnore e bekueme” e landës, me të cilën u gatue gjithësija…” (shih fq. 665)

“…t’Atij qi asht “Shpirti Universal”, “Shkaku i Krijimit të gjithësis”…” (shih fq. 668)

“…vetëm me inteligjencën e lartë të vet shkaktoi gjith këtë revolusion të madh, transformoi botën me parimet e reja që vu!…” (Shih fq. 669. Është e vërtetë që Profeti ynë bëri ndryshimin më të madh, por me shpalljen që i zbriti Allahu i Lartësuar. Këtu kam qëllim të korrigjoj shprehjen e përdorur nga h. Vehbiu, me të cilën mbivlerëson inteligjencën, pasi s’ka dyshim që ai e pranon rolin e shpalljes).

“Tani le të çelim nji kind të sekreteve mistike… “Ajo Dritë e Begative Hyjnore” asht produkti i pemës së gjithësis, ideali i lartë i universit, qi në pikpamje të manifestasjonit (texhel-li) asht (fillesa e dritës së esancës së Hyut”, qenësija e Tij përmbledh “emnat hyjnore”, me çfaqjen e atributevet hyjnore asht “burimi i gjithësis” edhe si resultat i botave asht “mbarimi i krijimit”. Prej kësaj merret vesh se gjithësija asht shkurtimi (ixhmal) dhe Ay asht xhvillimi (tefsil).” Në vijim h. Vehbiu përmend hadithet e sipërcituara (shih fq. 670).

“Në këtë pikë bijem d’akord edhe me filosofët, të cilët thonë me nji fjalë se, efekti i parë i “Qenësit Absolut” asht “mendja e parë” “akli evvel – premier inteleckt.” (Shih fq. 671).

“Motori i vërtetë qi na tërhoqë në këtë rrugë të mbarë nuk asht tjetër veçse rrezet e Dritës së shenjtënueshme të Shpirtit të Naltë të Muhammedit, qi pat përshkue krejt thërimet tjera shpirtnore. Esanca shpirtnore e Hazreti Muhammedit ishte ajo qi na dha kapazitetin e përgjigjes, na bani të flasim. Substanca Muhammedane e marrun pushtetërisht nga substanca e Qabes së madhënueshme qi asht qendra e “Imanit”, dhe përzjerë si esancë me substancën e marrun nga gjith anët e dheut për të gatue brumin e Adamit, u ba shkak qi të gjith shpirtnat në krye të herës e njoftën të Madhin Zot.” (Shih fq. 671).

“Por duhet mbajtur mend ç’kemi thanë ma naltë: “krijesa ma e parë e Zotit ishte “Drita reale e Hazreti Muhammedit” i cili ishte Profiti i gjith Profitëvet, të cilët ishin përfaqsuës të Zotnis së Tij. Përmbledhësi i gjith atyne virtyteve të larta, Hazreti Muhammedi Alejhisselam pati jetën metafizike dhe jetën fizike. Kur ishte pa u konkretizue në natyrë ky “Shpirt” i gjithësis, erdhën në botë nji nga nji përfaqësuesit e Tij, Profitët tjerë dhe i u kumtonin popujve urdhënat e Perëndis. Këta kumtime në realitet i bante i Përfaqësuemi qi ndodhesh gati në jetën metafizike” (shih fq. 672).

“Shkurt çdo fenomen i natyrës, çdo ngjarje e gjithësis, lulet, pemët, idet, kënaqunit, dëfrimet e shijimet shpirtnore, lutjet…të gjitha këta janë fryti i pemës Muhammedane, janë kandile të “Dritës së Shejtënueshme të Muhammedit, me të cilën qëndrojnë në kambë; të gjitha pijnë ujë në lumin “Qevther ‘ të Tij.” (Shih fq. 673 të revistës Zani i Naltë, botim i vitit 1933).

Këto koncepte sufiste mbi ‘Dritën Muhammedane’ gjenden dhe në vende të tjera të këtij numri të revistës ‘Zani i Naltë’, për shembull myderris Qazim Hoxha, në shkrimin e tij, shprehet kështu:

“…Perëndija i Plotfuqishëm, kur desht me krijue Gjithsinë, Botën e dukshme e të padukshme, krijoj ma parë nga drita hyjnore e Vet, dritën Muhammedike…” (shih ‘Zani i Naltë, fq. 692, botim i vitit 1933).

Origjina e besimit që ‘drita muhammedane’ është krijesa e parë

Sipas besimit filozofik e pagan të hershëm ka ekzistuar një Zot që është shkaku i botës. Nga ky shkak doli mendja e parë e cila quhet ndryshe dhe ‘fjala’. Mendja e parë është ajo që shpiku të gjitha gjërat. Nga mendja e parë doli një shpirt absolut, prej të cilit dolën shpirtrat e planeteve, shpirtrat e njerëzve dhe shpirtrat e të gjithë trupave.

Të krishterët do të adaptonin këtë teori pagane në besimin e tyre. Sipas tyre, nga Zoti doli fjala “logos”, e cila është Isai (a.s.). Drita e botës është Isai (a.s.) dhe kjo dritë ka ekzistuar para se të ekzistonte bota. Kjo fjalë, gjithnjë sipas tyre, ka shpikur të gjitha gjërat, qofshin shpirtërore dhe qofshin materiale.

Edhe sipas ideologjisë iraniane (persiane) të hershme njeriu i parë ka pas rolin kryesor në zanafillën dhe formimin e botës.

Më vonë shiitët batinij ismailij do ta sillnin këtë ideologji pagane në mesin islam. Ata thanë se Allahu i Lartësuar shpiku nga Vetvetja mendjen e parë, e cila është Muhamedi (s.a.u.s.). Sipas tyre, Profeti (s.a.u.s.) ka qenë dritë; ai është fjala hyjnore që u bë dritë. Nëpërmjet mendjes së parë (krijesës së parë), erdhi në ekzistencë shpirti absolut i cili është Aliu (r.a.). Nëpërmjet mendjes së parë (Profetit tonë s.a.u.s.) dhe shpirtit absolut dolën të gjitha krijesat. Atëherë, shiitët ismailij qenë të parët që futën te muslimanët idenë se krijesa e parë është drita e Muhamedit (s.a.u.s.) dhe se prej kësaj drite u krijua gjithçka tjetër. Shiitët ismailijtë janë një lëvizje batinije që maskohet me nderimin e familjes së Profetit (s.a.u.s.) dhe që synon rrënimin e besimit islam. Fillimet si lëvizje sekrete i kanë pasur që nga fundi i shekullit të tretë të hixhretit. Kanë ngritur disa shtete në vende dhe periudha të ndryshme të historisë islame, duke shfrytëzuar përhapjen e paditurisë dhe dobësisë në umet. Shteti më i famshëm i tyre është ai i ubejdijjin-ëve, i njohur ndryshe në histori si shteti fatimij. Ky shtet ka qeverisur edhe Egjiptin për dy shekuj, gjatë viteve 361-567 h. Kanë pasur ithtarë në vende të ndryshme. Vazhdojnë të kenë pak ithtarë në disa vende islame. [Shih: El meusuatul el mujesere fil edjani vel medhahibi vel ahzabil muasire (383-389) dhe El meusua el mujesere fit-tarihil islamij (1/387-400)].

Këtë besim shfaqën edhe shiitët imamije ithnej asherije (që besojnë 12 imamët), por me pak ndryshime të cilat përshtaten me dogmën e tyre. Në librin el Kafi të Kulejnit (1/530) sillet një transmetim i trilluar ku thuhet: “Allahu i Lartësuar krijoi prej dritës së madhështisë së Tij Muhamedin (s.a.u.s.), Aliun (r.a.) dhe njëmbëdhjetë pasardhës të tij”. Sipas transmetimeve të tyre të trilluara drita e tyre u krijua para botës. Ata thonë se nëpërmjet shpirtrave të tyre u krijua gjithçka dhe të gjitha njohuritë, mirësitë dhe gjërat e vyera kalojnë nëpërmjet tyre për te shpirtrat e krijesave. Ata kanë deklaruar se qëllimi i krijimit të krijesave janë Muhamedi (s.a.u.s.) dhe 12 imamët. Shkurt, shpirtrat dhe dritat e Profetit (s.a.u.s.) dhe imamëve kanë të njëjtën pozitë që ka mendja e parë dhe shpirtrat e planeteve sipas filozofisë pagane të lashtë.

Nga batinitë e shiitëve, teoria e dritës muhammedane kalon te sufistët, por në përshtatje me besimin sufist. Ibn Arabiu (vq. 638 h), i cili është themeluesi i panteizmit sufist, ka pas lidhje të fortë me sektin shiit të ismailive. Ai e formoi dogmën e ‘‘en-nurul muhammedij – dritën muhamedane’ për sufizmin. Sipas sufistëve, Allahu i Lartësuar krijoi ‘en-nurul muhammedij – dritën muhamedane’ nga Vetvetja ose nga drita e Vet. Për këtë dritë që e quajnë krijesa e parë sufistët përdorin edhe emërtime të tjera, si: ‘el hakikatul muhammedije – realiteti muhamedan’, ‘err-rruhul muhammedije – shpirti muhamedan’, ‘err-rruhul a’dham – shpriti më i madh’, ‘el insanul kamil – njeriu i përsosur’, ‘el insanul euel – njeriu i parë’, ‘el kutbu – boshti i botës’. Disa nga krerët e sufizmit kanë përdorur edhe emërtime të tilla si: el aklul evel – mendja e parë’, el kelime – fjala’, ‘el mubdiul evel – shpikësi i parë’. Vërehet qartë që sufizmi ka huazuar emërtimet e filozofisë dhe besimeve pagane. Sufistët kanë thënë se drita muhamedane është zanafilla e krijimit. Të gjitha krijesat e kanë origjinën nga kjo dritë. Të gjitha realitetet burojnë nga kjo dritë. Realiteti muhamedan, gjithnjë sipas tyre, nuk ka kufizim kohor dhe vendor. Ata kanë thënë se Allahu i Lartësuar i krijoi të gjitha krijesat nga drita e Muhamedit (s.a.u.s.). Sipas tyre, të gjitha krijesat u krijuan për hir të Muhamedit (s.a.u.s.), pra Muhamedi (s.a.u.s.) është qëllimi krijimit. Shpirti i Profetit (s.a.u.s.) (drita muhamedane, njeriu i përsosur, boshti i botës) është mëkëmbësi i Allahut të Lartësuar për komandimin e gjithësisë. Ai rregullon punët e gjithësisë dhe po ai u jep të tjerëve pushtetin për të vepruar në gjithësi. Kokat e sufizmit më ekstrem e quajnë njeriun e pësorur (njeriun e parë, shpirtin a dritën e Muhamedit s.a.u.s.) si kutb-in (boshtin e botës), me kuptimin që ai komandon punët e gjithësisë, ai e mban botën dhe ai di çdo gjë.

Qëllimi i ekstremistëve të shiizmit dhe sufizmit me sajimin e dritës a realitetit muhamedan është ngritja e kultit vetjak. Ata kërkojnë të shenjtërohen, prandaj kanë sajuar dhe figurën e kutbu el a’dham (boshtit të botës), vulës së eulijave, që sipas tyre bëhet njësh me dritën muhamedane! Gjithashtu, ata synojnë të shembin besimin islam. Sipas tyre njeriu i parë e i përsosur (Muhamedi s.a.u.s.) është një lloj qenie njerëzore që merr trajta të ndryshme dhe që mishërohet në personalitete të ndryshme në varësi të kohës dhe vendit. Kështu, çdo profet në kohën e vet ka qenë njeriu i përsosur dhe boshti i botës (el kutbu) që trupëzonte realitetin muhamedan. Pas vulosjes së profetësisë el kutbu (boshti që komandon botën) dhe njeriu i përsosur që mishëron realitetin muhamedan është eulijau më i mirë i kohës së vet. Më shumë se një nga kokat e sufizmit ekstrem ka pretenduar se është vula e eulijave dhe el kutbul a’dham.

Shiitët dhe sufistët për besimin e mësipërm bazohen në disa hadithe të trilluara, disa prej të cilave u përmendën më lart. Për më gjerë mbi këtë temë mund të shohim parathënien e librit “Komenti i Librit të Teuhidit”.

Shënim: Të dhënat mbi origjinën e besimit në ‘en nurul muhamedijj’ i kam përmbledhur nga libri i autorit Aid Deuseri “El hakikatul muhamedije emil felsefetul el eflatonijeh – realitetit muhamdan apo filozofia e Plotinit”. Në këtë libër këto të dhëna vërtetohen me citate nga shiitët dhe sufitë, por edhe me dëshmitë e shumë studiuesve.